back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

I verbuem Shqipnie… tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000 

I verbuem Shqipnie…

tregim nga Jozef Radi

Me thanë Shqipnien e kam dashtë gaboj, pse ende sot vazhdoj me e dashtë, ndoshta edhe ma shumë se atherë kur mendja ime s’mendonte për asgja veç saj…
Me Shqipnien jemi pothuej t’nji moshe, sigurisht un pak ma i madh, po aspak ma shumë se nji vjet. Të dy jena të lindun në t’njajtin vend e prindët tonë vuenin prej të njajtin hall…
Ngaqë ishim ngjitë me njeni tjetrit dhe pothuej motakë, patëm do kohë të mira n’at fëmini të përbashkët me lojna e sherre, me grindje e ledhe… saqë kur marr guximin me i kujtue njato kohna të largta, m’duket si nji andërr e pame mbramë.
Un’ duhet të kem qenë edhe ndopak i mbrapshtë, (po kët gja s’e mbaj mend fort mirë), mund të jem edhe sot e ksaj dite po i njajti, dhe si duket kjo mbrapshti e kahershme imja, e kërkonte nji ndëshkim, si fjala vjen nji shputë turinjve, a ndonji zgjatje veshësh, po jo at fatkeqsi që ndodhi, dhe u ba drama e krejt jetës sime… edhe pse mbetem i bindun, se njaty mbrendë asht krejt pafajsia fëminore e lojës.
S’jam fort në gjendje me e përcaktue qartë, at ndjenjë që m’shtynte me i nda lojnat me Shqipnien, veçse di me thanë se sa herë i mblidhsha fëmijët me luejtë me ta e doja Shqipnien t’ishte aty, me at hijeshinë e saj të ftoftë, me drojen e ambël dhe ata flokë gjithnji të shkurtuem si prej çunaku…
Ma merr mendja t’ketë qenë ndonji instinkt dashnie, o ndonji trill i papërcaktuem, të cilit gjithnji jam përpjekë me i dhanë njifarë kuptim. Prej ksaj naltsie moshe ku ndodhem sot, them se ka qenë veç nji emocion i kristaltë fëmijësh, ku ban nyje edhe instinkti… po që për dreq në shpirtin tim mbeti si dashnia ma e parë dhe ma e fundit: Njajo, Shqipnia…! Pse nji ditë, edhe kjo dashni, (po e quejmë dashni), kapërceu cakun e lojës së fëmijve dhe u ba fillesë e nji dhimbjeje pafund…
 
…At pranverë, bari i oborrit ku luejshim përdita u rrit shpejt aq sa nisi me na prishë terezinë e lojës… Te koteci i pulave gjeta nji drapën, i mblodha kalamajtë e lagjes, (patjetër mes tyne edhe Shqipnien), dhe ka shumë mundsi jo veç t’u kem dhanë urdhën me punue, po me Shqipnien edhe ta kem teprue… Duhet të ketë ndodhë sigurisht diçka e ashpër, midis mosbindjes së Shqipnies dhe qendrimit tim prej kapadaiu. Duhet të jetë krijue nji gjendje fort e acarueme, çka ai drapni prej duerve të saj të vogla sa grima erdh e m’u ngul bash mbi dritë të synit tim… dhe papritmas gjithçka m’u ba natë, e s’mbaj mend ma asgja…
Prej asaj dite, s’më mjaftoi syni i humbun, po emnit tim iu bashkue edhe nofka Verbani, nji randesë morale mbi at dam të pësuem në nji lojë të pafajshme fëmijësh…
Dy familjet tona e përjetuen dhimbshëm at lojë fëmijësh, po denjësisht s’ranë viktima t’asaj çka ndodhi.
Ndjesa edhe falja mes tyne u vendos me heshtje, ashtu si me heshtje dola edhe unë prej asaj nate të beftë, dhe nisa sërish me e jetue dritën e ditës tashma të gjysmueme…
I ati i Shqipnies, erdh nji mbramje te ne dhe prej gjithë bisedës që bani me zemër në dorë me prindët e mi, mue më mbetën të nguluna në mendje fjalët: “S’mund t’ju them asgja ma shumë, veçse kur të rritet Shqipnia, asht e djalit tuej!”. Prindët e mi me gjithë dhimbjen e atij ceni tashma të përjetshëm i thanë: “Le ta lemë fatin e tyne të hecë në rrugë të vet!”
Prej asaj ndodhie Shqipnia s’u afrue ma ndër lojna të mia, po as unë s’dishroja me e ftue ma si dikur. Ajo koka e saj e hijshme, nisi me mbajtë nji kand të ngurtë, kur ndesheshim përballë, njashtu si ai syni im i zbardhun, krijonte gjithnji perde mos me e pa krejt hijeshinë e saj…
Por… problemi ma i madh ishte i synit tjetër…
Ai, jo vetëm u ba ma i mpreftë e ma i vëmendshëm ndaj gjithçkaje të Shqipnies, po e ndiqte i trazuem rritjen e saj… E ndërsa ditën shkonin, e ne rriteshim tue e shmangë njeni tjetrin me dhimbje… ajo prej plagës në shpirt dhe unë prej plagës në shtat…
S’mundem me thanë asgja qartësisht. S’e di nëse ajo çka ndjeja për Shqipnien deri në kufijtë e adoleshencës së epërme ishte dashni në kuptimin e vërtetë të saj a send tjetër… Mbrenda meje ishte diçka fort e randsishme, po s’mundem kurrsesi me thanë se ishte dashni… mundet edhe diçka ma shumë, nuk e di… Ajo çka mund me e thanë me siguri asht se asnji femën tjetër s’ka ndejtë në mendjen dhe shpirtin tim si ajo. Edhe sot Shqipnia asht në mendje teme si ajo…
Kur ajo po ngjitesh si hanë e plotë te hijeshia e saj, ne u larguem prej atij vendi. E vetmja gjà që mora prej atij aty ishte kujtimi i saj, dhe trishtimi i thellë i nji syni të humbun ndër lojna fmijësh
Para se me u nisë, e mbusha hajdutshe synin e mbetun përplot me të, tue e kqyrë me orë e orë pafund mbas perdes: herë shtatin e saj, herë pamjen e saj, herë njat gërshetin e trashë, herë at trishtimin e lehtë që ma bante hyjnore, po edhe dhimbën e atij kandi të ngurtë të kokës së saj, sa herë kalonte kah porta jonë… derisa nji natë vjeshte, bashkë me teshat dhe krejt rraqet, ngarkova në mendje e n’shpirt edhe Shqipnien, dhe treta larg, shumë larg prej aty…
Edhe pse sot kam nji tjetër grue, edhe pse kam dy vajza si drita, (të madhen ma quejnë Shqipnie) ajo jeton në shpirtin tim, pa nji trajtë të përcaktueme, midis së mrekullueshmes dhe ndëshkimit, midis dashnisë dhe braktisjes, midis adhurimit dhe dëshpërimit…
.
Si vetëtima je ti, si vetëtima/ kaq bukur e frikshme.
Verbim dashnie…
Pjesa tjetër asht gjà krejt e parandsi.
Me kalimin e viteve, e thjeshtova krejt jetën time duke u ba nji bujk i zellshëm dhe adhurues i pemëve dhe luleve. Edhe pse me cen, nji nuse të bukur prej nji derë e mirë ma gjetën prindët… Fëmijët më erdhën sa hap e mbyll sytë, e për fat, të parën Zoti ma çoi vajzë, gja që m’krijoi mundësi jo veç me e kujtue Shqipnien, po edhe me e pasë përditë njashtu ndër sy dhe me e dashtë si askush tjetër s’ka me e dashtë në botë. Sepse ajo Shqipnie ishte krejt e jemja, dhe at synin që nji Shqipnie ma kish mungue pafajsisht, Shqipnia jeme ma kishte kthye e unë s’ngihesha tuj e pà hijeshinë e saj…
Ja njikshtu shkojnë tash ditët e mia të mbrame me nji Shqipnie n’mendje dhe me nji Shqipnie n’sy…
Për Shqipnien e synit tim të humbun di gjithçka…
I di hallet e rritës së saj, e di kë ka dashtë, me kë asht fejue, me kë asht martue, sa fëmijë ka, si i kanë emnat ata, moshën e tyne, di ku jeton, di edhe si i shkon qerrja e jetës… Di se bukuria e saj, edhe sot e ksaj dite që po e rrëfej së pari shpirtin tim, ka mbetë njashtu e parrënueme, siç e di që edhe pse s’i mungon asgja, s’ka Zot me e ba të lumtun, e me shpirt të rrethekuem… Me nji fjalë di gjithçka, gjithçka, veç mos merrni guximin me m’pyet ma gjatë…
Të vetmen herë që e kam pa me synin tim të dritës, ishte kur i shkova në vdekje të babës.
Shkova, pa i ra askujt në sy kush isha, e askush s’më njofti! S’i mund t’i harroja ato fjalët e tij të gdhenduna në mendje: “Kur të rritet Shqipnia, asht e Jueja!”
Ato fjalë janë të nguluna në shpirt tem s’ma kanë randue aspak jetën, përkundrazi thelbi i njasaj fjale ma ka zbukurue disi atë.
Kjo asht e vërteta ime. E vërteta e Shqipnies asht tjetër.
Ajo asnjiherë s’çau krye as kush e desh, as kush s’e desh. Ajo ka besue veç në dashnitë e saj. Mbeti njashtu kryeneçe dhe me kambngulje kërkoi që të tjerët të ngjiteshin te dashnia e saj dhe ajo kurrë të mos zbriste ndër dashnitë e tyne…
Po kjo për mue, s’ndryshon asgja!
Unë vazhdoj me e dashtë Shqipnien, si dikush që e ka dashtë gjithnji… edhe pse i vetmi i verbuem i vërtetë i saj. Tjerët ndoshta veç kanë humbë toruen mbas saj…
Sot ndjehem i çliruem. Kjo e vërtetë e mshehun e jetës sime, prej sot asht e rrëfyeme… dhe krejt pak randësi ka, nëse Shqipnies i bjen ndërmend për ata që e deshtën vërtet… e aq ma pak për mue, të verbuemin e përjetshëm të saj…
tetor 2009

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Dlira bahet fokus rrezedrite, dëshira e dëshira bahet andërr, plaga bahet dhimbë,e dhimba mall… Malli ásht Nanë!!
    Gjithnji do mahnitem tuj e lexue, gjithnji – zgjimin e nji-synit! shto edhe titullin má të zgjuet! Nji marramendje e lojës ma t’bukur… titulli a shpirti luejnë kukamçeftas ndër gjuhën ma t’zgjuet:)…
    A ku i dihet, mbase titulli qe gjithnji i pari…
    nji histori e jetuar në fakt, kjo asht histori e vërtetë:),
    e shkrueme vërtetsisht, mjeshtërisht!, në diçka krejt tjetër
    në nji nga pjesët ma të Bukura të prozës shqipe !!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.