Ikja e Rezart Palluqit nga kafazi i real-socializmit
shënim kritik nga Gjergj Jozef Kola
Mbasi mbarova romanin “193 kafazët”, po vendosi pa droje nji kunorë danteske mbi Autorin: Padyshim, autori Rezart Palluqi asht nji nder për qytetin e Elbasanit dhe nji fatmirësi për letrat postdiktatoriale shqipe!
Stil i zhdërvjelltë, rrëmbyes i romanit, që të merr me vedi përgjat tanë rrugës. Dialogu e mbush romanin nga fillimi deri ne fund, e herë herë të duket sikur je në teatër dhe po e ndjek nga afër krejt skenën.
Ky roman asht nji përziemje e re, nji simbiozë e romanit kriminal, me atë psikoanalitik dhe kjo e ka nxjerrë në dritë autorin, tuj i shpëtue grackës ku bien të gjithë autorët e rinj të varun nga Stili i Realsocializmit.
Zhaneta, protogantistja e romanit asht e bija e shefit te sigurimit: e llastueme, djallëzore, sado-mazohiste, tuj sjellë në mënyrë të shkëlqyeme në letrat shqipe tipiken e bijve të diktaturës: “njeriun e ri” dhe vazhdimin e tij.
Ylli asht edhe ai, tipiku i njeriut të përndjekun nga diktatura, me nji neurozë të veçantë që autori preferon me e quejtë kompleks, atë të rritjes si jetim me babanë e vramë nga sigurimi i shtetit komunist. Ai nuk mund t’i ikë klisheve të emigrantit shqiptar në Perendim, i cili të gjitha bjondet i sheh si mendjelehta e që të vijnë menjiherë në shtrat, megjithse vetë nuk e ka kët fat e kjo të kujton fabulën e Ezopit me dhelprën dhe rrushin…
Treshen e ksaj drame sa aktuale aq edhe te mprehtë e plotëson i jati i vajzës, drejtuesi i sigurimit të shtetit, për të cilin Autori ka përgjedhë në mënyrë simbolike emnin latin Viktor, (ne nji kohë kur të gjithë drejtuesit e organit te sigurimit te shtetit komunist kishin emna turq: si Mehmet Shehu, Feçor Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Shefqet Peçi, etj), si duket e ka zgjedhë kët emën për me kallxue se në Shqipni ka fitue diktatura dhe pinjojtë e saj.
Bashkjetesa midis Yllit dhe Zhanetës asht e mbështjellë me tanë pështirosjen që po jeton sot shoqnia shqiptare, ku pseudodemokracia ka ba kompromise të neveritshme me bijtë e diktaturës së djeshme, të cilët vazhdojnë të shtypin, bijtë e të shtypunve të djeshëm, e ta çojnë vendin në greminë, njashtu si ndodh me kët familje të romanit të Palluqit.
Vrasja e Shefqetit prej Zhanetës kallxon se fëmijët e diktaturës janë bij të denjë të prindve të tyne dhe s’kanë asnji ideal dhe asnji skrupull. Megjithse romani asht shkrue para dy-tri vitesh, ngjashmënia me realitetin politik sot në Shqipni asht befasuese.
Futja në roman e grues kojshi marokene, e cila gëzon tanë simpatinë e heroit tonë, dëshmon se ajo asht si shoqnia shqiptare, e mbuleume nga përjashta, porse mbrendë ka nji shpirt të paeksploruem dhe miku i tij maroken, ndonëse njeri mjaft i mirë e kallxon dyftyrësinë e shumë emigrantëve, që mbeten mosmirënjoftës ndaj sistemeve sociale në perëndim dhe përpiqen se si me i shfrytëzue sa ma mirë ato.
Tema fetare e heroit ateist asht kapë me nji mprehtësi dhe realizëm shembullor. Autori Rezart Palluqi ka aftësinë me e zdeshë lakuriq shoqninë ku ai gjallon, pa asnji paragjykim dhe pa asnji kompromis dhe kjo asht nji merite e madhe e pendës së tij. Kuptohet se shumë kandvështrime të Yllit, heroit të romanit ndaj realitetit hollandez, janë ma së shumti produkte të mendjes së tij të damtueme se sa realitet.
Drama e ketij romani pasqyron në mënyrë besnike absurdin tragjik të shoqnisë shqiptare mbasdiktatoriale, me çmenduritë dhe krimet e bijve të saj. Prej simbiozës së bijës së nji vrasësi të kuq me fëmijën e nji viktime, lind Shpëtimi i vogël… nji krijesë e pafajshme, dhe s’dihet nëse ky Shpëtim do të jetë e ardhmja, Shpëtimi i Shqipnisë, apo i ndërgjegjeve të cungueme… kët ka me e kallxue koha…..
Brezi që e sundon sot Shqipninë u rrit në vitet 80 me tallona dhe me uri të përhershme. Ky brez ka kalue sot në anën tjetër, në nji pasunim të shfrenuem me çdo mjet e kusht, prandaj nuk i intereson të merret as me hapjen e dosjeve dhe as me vendosjen në vend të drejtësisë. Kështu mund të shpjegohet edhe heshtja e qarqeve letrare në Shqipni ndaj “Kafazëve” të Rezart Palluqit, – nji heshtje prej eunukësh, në nji kohë që ky roman duhej lexue nëpër sheshe dhe duhet të filmohej patjetër… në mënyrë që të hyjë në çdo familje shqiptare.
Ky roman paraqet me një gjuhë të mrekullueshme tanë llumin që asht mbledhë në nënvetedijen e shqiptarit të postdikaturës. Nëse ka diçka që mundet me e ndryshye realitetin shqiptar, nënvetdijen e tij, kët mund ta bajë vetëm arti, sepse arti dhe letërsia janë të vetmet që nuk mund të manipulohen nga diktatura dhe pinjojtë e saj.
Asht edhe misioni i nji diaspore të shëndoshë, e cila megjithse në kushte tejet të vështira, (shumica e atesheve kulturorë janë pinjoj komunistë), me ju dhanë krahë veprave të tilla, me botime, promovime dhe përkthime në gjuhët përkatëse. Edhe nëse bijtë e diktaturës kanë bllokue sot dosjet dhe të vërtetën, romane si ky i shkallmojnë digat dhe i afrohen të vërtetës…
Rezart Palluqi e ka krye detyrën vet para shoqnisë shqiptare tuj i vendosë asaj pasqyrën e kohës ku jeton dhe kët mision mund ta merrte përsipër vetëm nji pendë e papërlyeme me realsocializëm.
Romani asht shumë tronditës dhe absurd – si realiteti aktual shqiptar ku krimi dhe korrupsioni po e mbysin vendin në çdo qelizë të tij. Përfundimin duhet ta lexoni vetë dhe unë ju siguroj se do të jeni në nji mendje me autorin.
Edhe aty ku duket se rrjedha e rrëfimit të zhanrit të verdhë ja prishe pak ekuilibrin thellësisë psikoanalitike, autori fut poezinë tuj e vendosë drejpeshimin…
Nëse letërsia shqipe postkomuniste vazhdon të presë Da Vinçin, Picasson, Rembrantin e vet, Rezart Palluqi e ka sjellë van Gogh-un e tij, tuj e vendosë midis ekspozitës së letrave shqipe.
“Atdheu është një kafaz dhe poetët e mjerë u thurin vargje me dashuri të sëmurë cicërimave të zogjve… Poetët dhe shkrimtarët duhet t’u mësojnë njerzve të braktisin të 193 kafazët ku janë mbyllë e të cicërojnë të lirë në qiell”
– ky asht edhe mesazhi i Autorit të këtij libri.
Vjenë 2015.