back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ikje shënue n’copa drunjsh… – Cikël Poetik nga Liridon Mulaj

Gazeta

Liridon Mulaj - nji i ri premtues nder Letrat Shqipe
Liridon Mulaj – nji i ri premtues nder Letrat Shqipe

Ikje shënue n’copa drunjsh…

Cikël Poetik nga Liridon Mulaj

“Shkruaj për kënaqësinë time dhe të atyre që lexojnë.
Po nuk mund të them se jam poet. Shkruaj poezi,
shkruaj edhe copëza ose paragrafë në formën e eseve ose prozave,
por e di që duhet të shkruaj shumë që ta meritoj emrin poet.
Por kjo pak rëndësi ka për mua.
E rëndësishme është që poezitë e mia pëlqehen dhe kjo është kënaqësia ime më e madhe..”
liridon mulaj, nentor 2017

***

Ti nuk je apostrofi në mes fjalëve
as drita e fikun e nji parafabrikati
komunist.
As djersa e grues lodhun prej
punës randë,
a britmave t’nji shefi të pamartuem
qi nuk gjen në ty nji kafshë seksi.
Ti nuk je era e peshkut ndenjun
qi rrëmon parvazeve të ngjeshun
e zhytet në hundët e mbushuna me
pluhun rrugësh.
Neveri! Ashtu them dhe unë.
Kapitalizmi rrënoi dinjitetin
po ti nuk je kapitaliste,
as sistem i pakopsitun.
E dashtun, ti nuk je as dashuni me
shikim të parë,
as shikimi i parë nuk je
por nji sy i përjetshëm qi vrojton
ambëlsinë tande,
hyjësinë tande e mishin tand
rozë të mbushun mornica.
Ti nuk je dhimta e periodave
jo aq pak të paktën
as puna e stërmundimtë
nadje para pasqyrës kur i mëshon
“mejk ap” halleve
Ti e dashtun je frymë, qi nji jetë
nuk të del
Nji botë e vetme nuk të mban
e unë, krejt i vogël si guralec,
ma kot rrekem me të pushtue…
 

***

Unë e nana jeme, nuk e gëzuem
kurrë njani tjetrin.
Se ajo u m’pak tuj m’dasht t’mirën,
mue qi s’dashta as vedin.
 

***

(I marri)
E kam mendu disa herë
me i shpall sfidë Zotit!
(Sfidë jo luftë, nuk jam satanist)
Me sfidue,
me veprime njerëzore,
t’vogla
t’përditshme
t’randa për mue,
anipse për Zotin kurrgjahiç.
Kam mendue me e lodhë pak,
me e mundue.
Tu mos u martu,
tu mos ba fmij
tue i ra mohit njerzve të zemrës
biles dhe zemrën tue e ngurtësue.
E kshtu kur vdekja t’më vijë ngat,
mos t’ketë ça me marrë pos meje.
I vetëm luftohet,
tjerët përreth janë mundim, dhimbje,
vuejtje, trishtim e unë
s’mundem me ra n’kët kurth.
Dikush më tha: O i marrë,
vdekja asht proces, kapërcim.
-Edhe unë jam i vogël e kam shpirt – iu gjegja.
.
Bashkim Alushi - Vazo me lule
Bashkim Alushi – Vazo me lule

***

I kam nda veç
njizet copë ashkla.
Kushedi sa dimna i kam
t’ruejtuna nën stufë t’druve
Due me i latue sivjet
me u shkrue kaj emën,
e mbi derë t’odës me i var
Janë do emna t’ikunish
jo t’harruemish
do fytyra t’ambla e t’kjarta
do zemra t’afërta,
anipse me trup
enden fort larg
Tash sa vjet,
mot mbas moti
kam nda veç do ashkla
nga nji për datë
kur miqtë, vllaznit, motrat
ikën diku larg n’kërkim t’jetës
e t’vetes
e unë, mbledhësi i datave
e orëve
ua shënoj ikjet n’copa drunjsh
I kam nda veç do ashkla
me emna kujtimesh
gdhendun mbi to…
9 janar 2020
.

***

Shtjellat e erës zvarriten,
e marrin me vedi kuptimet e orëve dhe ditëve,
të cilat formojnë jetën.
Peizazh gri nën degëzat e holla
e të thamuna prej vjeshte,
dhe kotësi,
nji kotësi boshe
qi sillet e sillet rreth meje
si vorbull e porositun nga kushedi
se ç’forca të urrejtjes.
Pezm e vner, fjalë qi mbyten
dhe andrra qi shthuren e treten
si pupla në erë
pa drejtim, pa formë, pa bosht.
Varfnia asht acaruese, njëjtë si nji
birrë e ngrohtë n’gusht.
A si sholla e ftohtë e fruerit t’mpakun,
qi ter trupat e ligsht t’strehoreve prej
llamarine.
E ti harron për pak kur veshi t’rrahet
me nji “njatjeta”
A me cingrimën e monedhës hjedhë me
përçmim,
se e di që n’tanë kët përkohësi,
veç veprimet e pavullnetshme janë
thellë tonat,
janë forcat e qenies sonë,
qi dalin prej nesh pa pendesë,
pa kusht mirnjohjeje.
E ia nis e shpreson dhe pak,
po veç pak se i thue vedit: – Iluzioni asht jetë
e jeta,
s’mundet me kenë krejt iluzion…
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.