back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Ilegal në Panairin e Tiranës” – nga Shpend Sollaku Noé

Gazeta

Poetë Disidentë - Maks Rakipaj
Poetë Disidentë – Maks Rakipaj

“Ilegal në Panairin e Tiranës”

nga Shpend Sollaku Noé

“Poetë disidentë” shqipërime të Maksim Rakipajt – paraprirje për një libër të dobishëm, një libër të munguar.
Në fushën e përkthimeve shqiptare janë të pashoqe antologjitë si kjo e porsasjellë e Maksim Rakipajt. Përzgjedhja tematike e poetëve të shqipëruar është sugjeruar natyrshëm prej ekperiencës së përkthyesit – një ish i përndjekur politik.
Kriteri politiko-shoqëror i kësaj përzgjedhjeje, sidoqoftë, nuk ka kompromentuar qëllimin e sjelljes në jetë të këtij libri: vërshimin e një poezie të madhe nëpërmjet përkthimesh mjeshtërore. Dhe është pikërisht ky nivel i lartë që i lejon kësaj antologjie të konsiderohet pasurim edhe i kulturës kombëtare shqiptare.
Lexuesi shqiptar ka njohje të cekëta për një pjesë të poetëve të përkthyer këtu prej Rakipajt, por pjesën tjetër, shpesh edhe të rëndësishme, nuk e njeh aspak. Në përmbushjen e boshllëqeve tek të parët dhe në nisjen e njohjes tek të dytët bazohet edhe vlera kumtuese e kësaj antologjie – një punë prej murgu e këtij shqipëruesi tashmë të mirënjohur.
Nisur nga historia vetiake e autorëve, me shumë mundim, Rakipaj ia ka dalë mbanë të zgjedhë in primis vlerat artistike duke i vënë biografitë e tyre në shërbim të veprës poetike, duke i shpëtuar mrekullisht grackës së rrezikshme të lavdërimit të ndonjë autori, vetëm sepse viktimë e diktaturës, siç ndodh rëndom së fundi, tek serviren si poetë të mëdhenj viktima me talent të pakët.
Në një antologji të tillë shumemërore, i rëndësishëm është mesazhi i sjellë nga përkthyesi, sidomos kur kjo antologji është tematike: në rastin tonë vargje poetësh disidentë. Vështirë të krijosh një përshtypje të plotë për poetë të veçantë me aq hapësirë sa lejon një përmbledhje e tillë. Por talenti është si vera e mirë, mjafton shpesh edhe një gllënkë për t’ia kuptuar cilësinë. Ashtu si edhe uthullës.
Nga pikëpamja arkitektonike kjo antologji ka një ndërtim të thjeshtë: poetët janë vendosur fillimisht sipas vendit që përfaqësojnë dhe, brenda këtij grupimi, sipas rendit alfabetik. I takon lexuesit të zbulojë ata më të rëndësishmit. Atë jam përpjekur të bëj edhe unë, prandaj këtu nuk do të jem fanatik i listës alfabetike. Kriteri im, pasi i kam lexuar disa herë këto përkthime, është ai i përmendur më sipër: poetë të ndeshur në shqip edhe më parë nga lexuesi shqiptar përballë atyre pak ose aspak të njohur.
Ndër të njohurit zgjodha të përmend Ahmatovën, së pari për madhështinë, por edhe për personalitetin e asaj gruaje të madhe. Vargje si këto që të ngjethin tek ajo gjenden me shumicë: Shpërfillëse pranvera s’afrohet/ Në varrin tim, në Leningrad. Apo më tej: Rrapëllimë kyçesh, heshtje varri/ Dhe hapat e rëndë të ushtarit. Me burrin Nikollaj të pushkatuar prej leninistëve, me djalin Lev të burgosur prej stalinistëve, nuk kish se si të ndihej protesta e dhimbja e pafund në vargjet e saj – dukuri të sjella në dukje edhe prej Maksim Rakipajt në këto përkthime.
Cilin tjetër poet do të mund të vija në pah në këtë shkrim të shkurtër?
Ndër poetët e njohur, sigurisht nuk mund të anashkaloja të madhin Brodskij: Liria është të harrosh se tirani është yt atë,/ pështyma të ëmbëlsohet si hallvë Shirazi, s’ka gjë n’i patsh trutë spërdredhur si brirë dashi,/ pikë loti s’pikon më nga syt’e kaltër, të ndrin fati.
Qysh në vitin 1934, një tjetër poeteshë e madhe e lindur në Moskë, Marina Cvjetajeva, e detyruar të braktiste Bashkimin Sovjetik, shkruante: Ju mbeten nga trupat e shqyer/ Veç yjet e kryqet e thyer.
.
Maksim Rakipaj
Maksim Rakipaj
Më tej përplasemi me përfaqësuesen e simbolizmit rus Zinaida Gippius: Cilit qen i bëni qefin, cilit nga djajtë,/ Ç’ëndërr të rëndë tmerri po shihni,/ O njerëz të çmendur, lirinë tuaj vratë/ Dhe para se ta vrisni, e rrihni?
Me këtë grua mornicëse nisa të përmend ata poetë disidentë pak ose aspak të njohur ndër shqiptarë. Pa dyshim që në të ardhmen do të mund të njihet më mirë edhe Nikollaj Gumiljov, i cili, së bashku me të shoqen, Ahmatovën, qenë figura qëndrore të lëvizjes akmeiste. Kështu shkruante poeti, që mori parasysh rrezikun dhe u kthye në atdhe, në të cilin sapo ishte shtruar këmbëkryq krimi i kuq, poeti i pushkatuar nga bolshevikët, poeti i mbetur pa varr: Jo ne, pemët e kanë atë fat,/ Ta kalojnë jetën për bukuri;/ Mbi tokën motër me yjet lart,/ Ato në atdhe, ne në mërgim.
Nuk mund të mos qëndroja edhe tek autori i këtyre vargjeve tronditëse: Nuk shkruaj vargje. Ata, shkruajnë histori,/ Për mua, jetën time, gjer në të fundmin cak./ Ç’varg të shkruaj? Bie borë. Këtu po jap shpirt./ Dhe këta më varrosin të gjallë. Ja se ç’varg. Ky poet është Titsian Tabidze, përfaqësuesi më i madh i poezisë moderne gjeorgjiane, vdekur në burgjet staliniste.
Është normale që në një antologji tematike si kjo hapësirën kryesore ta zënë poetë që kanë shkruar në rusisht, qoftë për madhështinë e shkruajtësve të asaj gjuhe, qoftë për sasinë e autorëve që, natyrisht, kanë sjellë edhe një numër më të madh poetësh antiregjim. Nga ish kampi socialist Rakipaj ka zgjedhur edhe poetë të Gjermanisë lindore, të Bullgarisë, Çekosllovakisë, Estonisë, Hungarisë, Lituanisë. Letonisë, Rumanisë, Polonisë por edhe autorë të tjerë vuajtës të diktaturave të ndryshme, si greku Panagulis: Muret e qelisë/ të fshehtën s’e nxjerrin/ spiunët rrëmojnë e gërmojnë/ por dot s’e gjejnë bojën.
Interesantë, sigurisht, kinezët Ai Qing Bei Dao, Ha Jin Liu Xiaobo, Yang Lian. Pastaj i vjen radha anktheve në art të kroatit Ante Zemljar: “cicërij që të mos më thyejnë brinjët”. Nuk mund të lë pa përmendur poetin spanjoll Ramiro de Maeztu, viktimë e republikanëve spanjollë: Ndoshta ishin më mirë/ Zemrat tona kur të brishta qenë/ Një dallgë deti, a një natë korriku/ Mund t’i hapte sërish plagët e vjetra…
Mjaft i populluar edhe grupi i poetëve kubanë.
Nuk mundem, ose më mirë nuk duhet të jap njoftim më të plotë të gjithçkaje që krijon emocione në këtë libër ngjethës, nuk duhet t’ju bjerr kureshtjen për ta lexuar deri në fund. Të shumtë janë autorët që nuk kam përmendur, edhe mjaft të rëndësishëm, por duhet të krijoni vetë një përshtypje të plotë pas leximit të faqes së fundit. Për një gjë të jeni të sigurtë: emri i Maksim Rakipajt tashmë është kthyer në një sinonim të punës së përkryer. Të merreni me të nuk ka për të qenë kohë e humbur, por plotësim i kulturës tuaj, mbushje e një boshllëku të rëndësishëm drejt njohjes.
.
Shënim: Në kopertinën e pasme gjendet një pjesë e parathënies që kam shkruar për këtë libër. Megjithatë nën të nuk është vënë emri im. Është pak e çuditshme, po të kesh parasysh që qoftë përkthyesi, qoftë botuesi, janë miq të mi. Sidoqoftë më pëlqen kjo pjesëmarrje ilegale në Panairin e Librit në Tiranë.
.
Shpend Sollaku Noé
Marre nga linku i gazetës “Dielli”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.