back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Illyricum Sacrum dhe Daniele Farlati nga Mirel Sharrxhi

Gazeta

Mirel Sharrxhi
Mirel Sharrxhi

Illyricum Sacrum dhe Daniele Farlati

nga Mirel Sharrxhi

Me rastin e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri, po sjell një shkrim mbi veprën madhore që u bë me urdhër të Papa Klemendit XI – Albanit, Illyricum Sacrum, një vepër madhore mbi origjinën e shqiptarëve nga ilirët.
Për t’u kompletuar vepra u deshën 150 vjet kohë, me kërkime nga Daniele Ferlati dhe me pas nga Jacobo Coteli.

Illyricum Sacrum është një vepër enciklopedike me 5500 faqe, e ndarë në nëntë vëllime. Në të flitet për historinë e ilirëve, domethënë për historinë e shqiptarëve, që kanë jetuar në faqen perëndimore të Ballkanit, ku shtriheshin fiset ilire. Illyricum Sacrum përmban gjithashtu harta, skica dhe ilustrime të shumta për të parët tanë, të cilat nuk gjenden askund veç në këtë vepër të madhe. Sipas prof. Aleksandër Stipceviç, vepra Illyricum Sacrum është një arritje kapitale e historisë europiane. Ajo ka rëndësi të dorës së parë si burim të dhënash për historinë mesjetare të Ballkanit Perëndimor. Vëllimi i parë ka dalë në vitin 1751, kurse i fundit në vitin 1909. Shtatë vëllimet e para janë përgatitur nga Daniele Farlati, kurse dy vëllimet e fundit nga Jakobo Coleti.
Treqind e dymbëdhjet vjet më parë, në vitin 1702, Papa Klementi XI i drejtohet ipeshkvit të Tivarit, imzot Vincenc Zvajevikut: “Dëshiroj të përmbushësh një vizite pastorale në trojet e Arbnise. Të shkosh atje dhe të shikosh nga afër kryeipeshkevitë, ipeshkvitë, dioqezat dhe famullitë. Pasi të keni bërë këtë punë dua nga ju një raport të hollësishëm për gjendjen e kishave të Arbnise dhe të besimtareve dhe më në fund dua të di, a e përdor ai popull gjuhën e vet, të folmen arbneshe?” Duke i shkruar ipeshkëvit të Tivarit, Papa Klementi XI, që quhej ndryshe edhe Papa Albani, për shkak të origjinës shqiptare, kërkonte gjallërimin e jetës katolike në Shqipëri, si dhe ruajtjen e gjuhës së këtij vendi. Sipas Klementit XI, shqiptarët ishin të vendosur në ruajtjen e traditave të tyre. Si shqiptar, Papa Klementi XI ishte i pari që kishte kuptuar se shqiptarizimi i kishës katolike ishte mjeti më i mirë për të ruajtur fenë dhe kombin në këtë vend që kërcënohej gjithnjë e më shumë nga dyndjet osmane.

Papa Klementi XI - Giovanni Francesco Albani
Papa Klementi XI – Giovanni Francesco Albani

Duke iu përgjigjur letrës së Atit të Shenjtë, kryeipeshkevi i Tivarit, Vincenc Zmajevik, kalon qytet me qytet e katund me katund duke plotësuar me përkushtim të thellë Urdhrin e Shenjte të Papës. Pas ekspeditës në Arbni, ai i shkruan Papës: “Iu solla dheut rreth e rreth, gjithmbarë e pashë vuajtje shumë o Atë i Shenjte. Qytetet e lulëzuara ishin venë nën haraç, pashë kala të rrënuara, forcën tonë të prishur, e kisha të përlyera. Pashë pleq të vuajtur, meshtarë duke qarë, barinj të travajur, murtajën që bënte kërdinë. Zemra imë, bashkuar me mjerimin e popullit tim, donte të më ndahej copa!”. Në fund, ipeshkevi i Tivarit e mbyll kështu letrën e tij: “Konstatimet e mia do të ishin të pavlera sikur të mos ndërmerreshin hapa të menjëhershëm për t’i ardhur në ndihme popullit të Arbnisë që është, në të njëjtën kohë, edhe populli juaj o Atë i Shenjtë!”
Pas këtij letërkëmbimi, Papa Klementi XI vendosi që në Merci të Lezhes me 14 e 15 janar 1703 të mbahej Kuvendi i Arbnit. Me vendim të Papa Klementit XI, u themelua Kolegji për arbëreshet e Italisë në Shën Mitër Korone. Ai dha 4000 skude për një vend të përhershëm në Kolegjin Urban të Propagandës Fide në Romë, vend i cili do të mbahej nga një shqiptar. Me iniciativën e tij u hap katedra e gjuhës shqipe në Romë. Sipas Papa Klementit XI, rimëkëmbja e Arbnisë, domethënë ringritja e ndërgjegjes kombëtare mund të vinte duke ruajtur gjuhën, fenë dhe historinë e të parëve. Sipas Papës, këto ishin simbole të unitetit kombëtar. Ashtu si në vitin 1702, dhjetë vjet më vonë, Papa Klementi XI, i drejtohet për bashkëpunim një intelektuali, studiuesi dhe historiani, z. Daniele Farlati, për të ndërmarre një ekspeditë të gjerë nëpër dheun e të parëve të tij, nëpër Iliri.

Botimet - Ilirum Sacrum
Botimet – Illiricum Sacrum

Kështu nisi puna për korpusin “Illyricum Sacrum”, të cilit Daniele Farlati do t’i kushtonte gjithë jetën e tij.
Me këtë vepër Farlati bëhet një nga personalitetet më të mëdha të ilirologjisë. Ai është më i madhi, përfaqësuesi më dinjitoz që njohim deri me sot. Nuk ka ilirolog tjetër që mund të konkurrojë me të për periudhën antike, deri në Mesjetë. Me dokumente dhe fakte ai argumenton prejardhjen tonë shumë e shumë kohë para së të vinin sllavët në Ballkan. Ai davarit mjegullat shekullore e saktëson kohën ilire, helene, romake dhe bizantine. Ai dhe vetëm ai, paraqet themelet e ndërlikuara mbi të cilat u ngrit shteti ilir dhe jeta e paraardhësve tanë. Për të kryer studime të tilla nuk është e lehtë. Duhet shumë kohë, shumë dije, dokumente e dëshmi që mund t’i gjesh pas një hulumtimi të gjatë e në vende të ndryshme.
Burimet e informacionit janë gati të paarritshme. Por edhe kur i gjen, nuk është e lehte t’i deshifrosh. Mendoni se ç’punë kolosale i është dashur Farlatit për të ndërtuar pa asnjë të metë mozaikun e ilirëve që jetonin në faqen perëndimore të Ballkanit.
Nëse historiografisë sonë i heqim Farlatin, atëherë prejardhja jonë do të ishte e dyshimtë, e mangët, e cunguar. Të dhëna për këtë periudhë kanë paraqitur edhe studiues të tjerë, por roli dhe saktësia e Farlatit janë të padiskutueshme. Të gjithë ata që duan të flasin për ilirët dhe historinë e shqiptarëve, patjetër duhet të mbështeten e të citojnë Daniele Farlatin. Ai është institucion. Ai përfaqëson bankën më të madhe të të dhënave për Ilirinë.
Sot për sot, në Shqipëri gjenden tri vëllime të Daniele Farlatit, një vëllim që ndodhet në AQSH, një vëllim në Bibliotekën Kombëtare dhe një vëllim që gjendet në Shkodër. Vëllimet e tjera nuk i kemi. Ato gjenden në Vatikan, në Venedik, në Kroaci, në Muzeun e Vjenës, etj. Edhe në këto vende, kopjet e Illyricum Sacrum janë të rralla. Me një nisme të marrë nga shtëpia botuese ARBI në Prishtinë, ashtu siç u veprua me “Acta et Diplomata res Albanie mediae a etatis ilustrantia” të Shuflait, pritet të veprohet edhe me nëntë vëllimet e Farlatit e Coletit për “Illyricum Sacrum”. Për këtë korpus që i kalon të 5500 faqet do të ndihmoje Ministria e Kulturës së Kroacisë dhe Ministria e Kulturës së Kosovës. Natyrisht, Ministria e Kulturës së Unionit Serbi – Mali i Zi as që mendohet të ndihmojë. Po kështu, edhe Ministria e Kulturës së Maqedonisë, pasi në këtë vepër flitet për Shkupin ilirik të banuar nga shqiptarët. Ndihmë nuk mund të japë as Ministria e Kulturës se Greqisë, sepse në Illyricum Sacrum flitet për një të tretën e Greqisë të banuar nga iliro-shqiptarët.

Illyricum Sacrum - Daniele Farlati
Illyricum Sacrum – Daniele Farlati

Korpusi Illyricum Sacru 1751 Venedik

Vëllimi I Autor Daniele Farlati
1753 Venedik
Vëllimi II Autor Daniele Farlati
1765 Venedik
Vëllimi III Autor Daniele Farlati
1769 Venedik
Vëllimi IV Autor Daniele Farlati
1775 Venedik
Vëllimi V Autor Daniele Farlati
1800 Venedik
Vëllimi VI Autor Daniele Farlati
1817 Venedik
Vëllimi VII Autor Daniele Farlati
1819 Venedik
Vëllimi VIII Autor Jacobo Koleti
1909 Split
Vëllimi IX Autor Jacobo Koleti

Nga Volumi i parë deri tek i nënti janë dashur 150 vjet punë e palodhur për të krijuar këtë korpus, që flet jo vetëm për prejardhjen e shqiptarëve, por edhe për historinë e ilirëve që jetonin në pjesën perëndimore të Ballkanit. Autor i vetëm për shtatë volumet e para të këtij korpusi është Daniele Farlati. Pas vdekjes se tij, Jakobo Koleti, përfundoi volumin e tetë e të nëntë të “Illyricum Sacrum”.

Kunavia - Ilirum Sacrum
Kunavia – Illiricum Sacrum

Kush është Daniele Farlati (1690-1773)

Daniele Farlati (San Daniele del Friuli, 22 shkurt 1690 – Venecia, 25 prill 1773) ishte nji prift jezuit  italian dhe historian i specializuar i historisë së Kishës Katolike.

Biografia
Pas studimeve në Gorizia, ai hyri në Shoqërinë e Jezusit në 1707 në Bolonjë. Për pesë vjet ai qe profesor i filologjisë klasike në kolegjin jezuit e Padovës, mw pas shkon në Romë, ku edhe përfundon studimet në teologji. U shugurua prift në vitin 1722, dhe kthehet në Padova për të ndihmuar At Filip Riceputi në veprat e tij të mëvonshme historike.

Monedhe Iliro-Dalmate
Monedhe Iliro-Dalmate

Illyricum Sacrum
Riceputi në të vërtetë kërkonte të shkruante nji histori të Kishës së Ilirisë, e cila ka qarkulluar për së pari vitin 1720, në Padova. Për njëzet  vjet, të dy së bashku mblodhën çdo material për punën e tyre, në gjithë bibliotekat dhe arkivat e Ilirisë së Lashtë; dhe ajo çka u grumbullua mbushi rreth 300 vëllime dorëshkrimesh.
Në 1712, kur dy nga pjesët më thelbësore, të martirologjisë Ilire dhe jetës së Shën Pjetër Orseolo, ishin thuajse të përfunduara. Befas Riceputi vdes dhe Farlati e gjeti veten duke punuar vetëm për sistemimin e atij vëllimi të madh të materialit të mbledhur. Si bashkëpunëtor ai zgjedh At Jacopo Coletin.
Vëllimi i parë i Illyricum Sacrum u botua në Venecia në 1751. Ai përmbante historinë e Kishës së Salonas të katër shekujve të fundit. Tre vëllimet e tjera u botuan menjiherë më pas; ndërkohë që vëllimi i pestë ishte në shtyp.
Me vdekjen e Farlatit, ndihmësi i tij Coleti e përfundoi vëllimin e pestë, i cili u botua në vitin 1775, dhe vazhdoi edhe tre vëllimet e tjera të fundit. Kështu 1818, është viti kur u përmbush e gjithë puna në tetë vëllime në formatit të madh.
Marrë nga “Dashamiret e Mendimit” dhe Daniele Farlati nga Wikipedia italisht – përktheu Jozef Radi

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.