back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Imam Isa Hoxha, vazhdim i idealeve të Rilindjes Kombëtare – nga Idriz Lamaj

Gazeta

Idriz Lamaj
Idriz Lamaj
Imam Isa Hoxha, vazhdim i idealeve të Rilindjes Kombëtare
nga Idriz Lamaj

Imam Isa Hoxha zë një vend të nderuar në komunitetin shqiptaro-amerikan. Për afër katër dekada i shërben me dedikim këtij komuniteti. Për këtë vlerësohet si udhëheqës shpirtëror musliman shqiptar, i cili gjatë dy përiudhave historike, luftës antikomuniste dhe demokracisë, ka dhënë ndihmesë të shquar në mbrojtjen e virtyteve më të larta të kauzës fetare e kombëtare. Ka kohë që, ky burrë i moshës së thyer, cilësohet nga studiuesit si personalitet klasik që fenë e atdheun i ka të mishëruara në një të pandarë ashtu siç i kishin rilindasit tonë.
Në veprimtarinë e tij të gjithanëshme dallohet edhe veprimtaria e Qendres Islame Shqiptaro-Amerikane për New York dhe New Jersey. Angazhimi i tij për mbarëvajtjen e kësaj qendre dhe të xhamive të tjera të ndërtuara në këto dy shtete, interesimi për botimin e revistës “Përpjekja Jonë” që përmban 22 vëllime, ku figurojnë qindra shkrime të tij të fushave të ndryshme dhe pjesëmarrja aktive në zhvillimet më të rëndësishme te komunitetit, tregojnë edhe një herë karakterin e tij të hekurt ndaj misionit të tij të shenjtë, qe pak shqiptarë të Diasporës e kurorëzuan më me sukses se ai.
Fjala e zjarrët e Imam Isa Hoxhës në përkujtimet e festave fetare e kombëtare ose te rasteve të tjera të veçanta, pasqyrohet si më së mirit në faqet e shtypit shqiptar si në diasporë ashtu edhe në atdheun e tij etnik. Lutjet e tij drejtuar Zotit dhe Kombit gjatë tre dekadave përbëjnë një kapitull të historisë të mërgatës tonë, e cila ende nuk është shuar.
Këtu sjellim një përmbledhje të këtyre lutjeve të viteve të fundit: Fjalim e lutje me rastin festës të Flamurit, 28 Nëntor 1995: “Le të falenderojmë Perendinë që na bëri të mundur për të kremtuar serish të lirë, pas gjysëm shekulli vuajtjeje, shtypje, tmerri e gjaku të regjimit komunist në Shqipëri”.
Fjala dhe lutja e këtij rasti lidhet menjëherë me Shqipërinë etnike:
“Le të gëzojmë lirinë që u takon, të bashkuar në trojet e tyre, si çdo popull i lirë në botë për një Shqipëri etnike me Kosovë e Çamëri…” (Ilyria, 30 Nëntor, 1995).
Në përkujtimin e 85 Vjetorit të Kryengritjes të Malsisë Madhe, ku morën pjesë përsonalitete të larta te kulturës tonë Kombëtare, Imam Isa Hoxha si përfasqësues i komunitetit musliman shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë thotë ndër të tjera:
“Historia e jonë ka qenë e një kombi plotë vuajtje dhe luftë për të drejtat e tij legjitime”. Duke u lutur për lirimin e popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera të pushtuara nga shtetet sllave dhe Greqia, Imami thotë se “…ajo që ka filluar Skënderbeu luftën dhe epopenë më të gjatë, e ka përfunduar Dedë Gjò Luli. Asnjë popull në Europë nuk ka pasur epope më të gjallë që asnjë herë nuk e ndërpreu luftën për 500 vjet. Populli shqiptar kurrë nuk ka qenë në robëri, por gjithmonë ka qenë i lirë sepse kurrë nuk i është nënshtruar të huajit…” (Ilyria, cituar më lartë).
Ndërkaq, me rastin e inagurimit të Kishës Katolike në Hardale – NY, në prani të mëse 1000 shqiptarëve, ku merrnin pjesë personalitete të ndryshme fetare e politike, Imam Isa Hoxha thotë se ishte i nderuar për ftesën që i ishte bërë “për të marrë pjesë në gëzimin e të gjithë shqiptarëve, pa dallim”, dhe kritikon me vend, qe në fillim, atë që tashmë populli shqiptar e ka dënuar rëndë:

Idriz Lamaj & Imam Isa Hoxha
Idriz Lamaj & Imam Isa Hoxha

“Diktatura komuniste në Shqipëri për 50 vjet i mori shumëçka popullit shqiptar por nuk ia mori shpirtin dhe ai mundi ta mbajë të ndezur kandilin e tri besimeve fetare.”
Ai në vazhdim të fjalës së tij vlerësoi se nderimi i faktorëve shqiptarë jashtë atdheut, i kishave, xhamive dhe teqeve, janë vepra të përbashkta solidariteti të vëllazërve shqiptar të tri besimeve “ku dhe jashtë atdheut dëshmojnë se jemi një trup i pandarë!”
Imami Isai e përfundoi fjalën me këtë urim:
“Uroj që ky gurthemeli të kryej misionin shpirtëror e kombëtar, të bëhet vend vëllazërimi e bashkimi për mbarë gjakun shqiptar. Uroj që patriotët e ndershëm të bashkohen për të shpëtuar popullin shqiptar nga robëria për të ngritur Flamurin e Skënderbeut në Shqipërinë etnike…” (Ilyria, 5 Dhjetor, 1995).
Në demonstratën madhështore që u zhvillua në Ëashington para Shtëpisë së Bardhë, ku morën pjesë mijëra bashkëatdhetarë, udhëheqësit shpirtëror të tri besimeve, Dom Pjetër Popaj, Imam Isa Hoxha dhe At Arthur Liolin, për afër dy muaj u angazhuan në organizimin e demonstratës dhe bashkë me të gjitha organizatat shqiptaro-amerikane e kurorëzuan me sukses demonstratën në fjalë. Mesazhet e të tre perlatëve tonë ishin ndër më të prekshmet. At Arthur Liolin pohoi se: “Bota dhe Ballkani nuk do të gjejnë paqe për sa kohë qe shqiptarët e Kosovës mënjanohen e harrohen.” Dom Pjetër Popaj për zërin e popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi thotë: “Zëri i popullit është zëri i Zotit”.
Imam Isa Hoxha me mesazhin e tij: “Na thrret zëri i atdheut”, thotë ndër të tjera:
“Zëri ynë është zëri i shqiptarëve te djegur nga malli për atdheun, zëri i mërgimtarëve qe thrrasin për lirimin e tokave tona të pushtuara. Ky zë nuk u shterr tash një shekull për pavarësinë e Shqipërisë, nuk do të ndalet deri sa Kosova të jetë e lirë dhe deri sa Shqipëria të bëhet ashtu siç duan vetë shqiptarët. Ne nuk duhet të harrojmë sakrificat qe po bëjnë shqiptarët në Kosovë, veçanërisht pas vitit 1981, kur tanket serbe përgjakën rrugët dhe sheshet e Kosovës dhe të trojeve tona për rreth. Nuk duhet të harrojmë 10 majin, demonstratën madhështore të organizueme në Washington dhe New York në mbështetje të rinisë kosovare, luleve qe ranë viktimë e rmikut tonë shekullor serb, vetem pse kërkonin lirinë. Është e drejtë e çdo shqiptari për të luftuar për të drejtën e vet njerëzore dhe kombëtare dhe është detyrë qe na shtron edhe i Madhi Zot qe t’u dalim në ndihëm vëllazërve tonë në atdhe për liri”. (Ilyria, 26 Mars, 1996).
Imam Isa Hoxha shihet në fotografi të ndryshme në tavolinën e nderit apo duke diskutuar hallet e Shqipërisë etnike me përsonalitete drejtuese të çështjes shqiptare si presidentin Rugova apo ata të Shqipërisë demokratike, është fjala para ardhjes së socialistëve greko-komunist në pushtet. Figura shtatmalsorit të veshur me uniformën e klerikut musliman, është gjithashtu dalluese në faqet e shtypit tonë. Ai është në krye të demonstratave, simpoziumeve, ceremonive dhe protestave të fuqishme të zhvilluara në New York, Washington, Tiranë, etj.
Gjatë qeverisë demokratike të Shqipërisë, pas rënies të regjimit komunist të Ramiz Alisë, hapen dyert e misionit shqiptar pranë OKB-së. Komuniteti shqiptar pas 40 vjetësh filloi ta ndiente veten te nderuar me këtë mision dhe t’i shikonte sivëllazër zyrtarët e këtij misioni. Në rast gëzimi e hidhërimi shkëmbenin vizita. Aty shpesh herë dukej edhe Imam Isa Hoxha.
Ja si e vlerësoi ai këtë mision:
“Misioni shqiptar me në krye ambasadorin Pllumb Kulla ngriti lart zërin për Shqipërinë, për Kosovën dhe trojet tjera shqiptare të pushtuara në Ballkan. Ai e kreu këtë detyrë me dinjitet e ndershmëri…” (Pjesë e fjalimit në mbrëmjen e largimit të ambasadorit Kulla nga ky mision. Ilyria, 24 Shtator, 1997).
Tani më keq se në përiudhen e regjimit të Enver Hoxhës. Komuniteti shqiptar në përgjithësi dhe kosovarët në veçanti, e shikojnë këtë mision me urrejtje më të thellë se atëherë. Shqiptarët e Amerikës nuk e njollosin veten me qëndrimet politike të regjimit të sotshëm sllavo-grek, i cili erdhi në fuqi me forcën e armëve dhe u vendos në Tiranë nga Greqia. Ky regjim për shqiptarët e Amerikës është më i turpshem se ai i Enver Hoxhës. Ky regjim ka fyer rëndë dinjitetin e një kombi të vuajtur dhe e ka kthyer shtetin shqiptar në një koloni greke, shkolla greke prej foshnjores deri në të mesme. Fakte si këto e të tjera nuk mund të mohohen. Ndaj Kosovës ky regjim ka bërë tradhëtinë më të turpshme duke nënshkruar marrëveshje me serbët në periudhat më kritike të Kosovës, duke vrarë midis Tiranës edhe ministrin e saj të Mbrojtjes dhe duke goditur për vdekje luftën e përgjakshme të Kosovës.
Shqiptarët e Amerikës janë fyer në sedër për të gjitha këto dhe në veçanti për fyerjen që ky regjim i ka bërë edhe udhëheqsit të tyre të madh shpritëror, Imzot Nolit. Në universitetin e Korçës, i cili mban emrin e Fan Nolit, është inauguruar biblioteka greke me ceremoni zyrtare të drejtuar nga ministri Milos (është fjala për P. Milon). Tradhëti të kësaj shkalle s’mund të justifikohen nga asnjë shqiptar i vërtetë.
Një prej kontribuesve në organizimin kryesor për përgaditjen e Meshës Përkujtimore për Nënë Terezën, 2 Nëntor 1997, ishte edhe Imam Isa Hoxha. Ai e shikonte si detyrë të lartë nderimin e Nënë Terezës dhe kërkonte përgaditje sa më të mirë për meshën përkujtimore:
“Është detyrë fetare dhe kombëtare për të gjithë bashkatdhetarët tonë, që si vëllëzër të një gjaku që jemi ta nderojmë Nënë Terezën, e cila në jetën dhe veprën e saj dha një shembull konkret se çfarë duhet të jetë dashuria për Zotin dhe njeriun. Nënë Tereza si bijë e Kombit shqiptar dhe nënë e mbarë njerzimit shtoi krenarinë tonë kombëtare, prandaj pjesëmarrja sa më e madhe në meshën përkujtimore, është jo vetëm nder e krenari por edhe obligim kombëtar. Kështu ne do të dëshmojmë bashkimin dhe vëllazrimin tonë kombëtar, një veçori që e ka shquar kombin tonë ndër shekuj dhe e ka ruajtur qenien tonë kombëtare nëpër fortunat e historisë.” (Ilyria, 29 tetor 1997).
Ditën e djelë, me 2 nëntor 1997, u mbajt mesha përkujtimore për Nënë Terezen në Katedralen “Saint Patrick” në Manhattan. Kjo Katedrale është një ndër Kishat më të mëdha të New Yorkut që zë mëse 4000 njerëz mbrenda. Atë të djelë historike, Katedralja ishte plot shqiptarë dhe jashtë dyerëve të saj kishin mbetur qindra të tjerë.
“Të huajtë që mblidheshin rastësisht në Katedrale si besimtarë apo turistë, ka të ngjarë të jenë habitur dhe të pyesin veten ç’po bëhet këtu, kur në Altarin e një tempulli katolik panë të ngjitej një klerik muslman. Për shqiptarët që janë edukuar me tolerancë fetare, raste të tilla janë krejtësisht të kuptueshme, madje edhe të admirueshme, sepse Nënë Tereza iu përket të gjithë shqiptarëve.”

Lutja e Imam Isa Hoxhës kushtuar Zotit për Nënë Terezën dhe thirrja e tij drejtuar popullit shqiptar dhe udhëheqësëve të tij të ndjekin shembullin e Nënë Terezes për të jetuar në paqe e harmoni qe sa emocionale aq edhe kuptimplote.” (Dielli, dhjetor 1997)
Nga altari i kësaj Katedrale të famëshme botërore, ku zakonisht predikojnë fjalën e Zotit vetëm klerikët katolikë, Imam Isa Hoxha tha dhe këtë:
“Shqiptarët vazhdojnë të vuajnë nga regjime diktatoriale, pikërishtë në Kosovë në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Ne nuk duam t’ia kthejmë shpinën popullit shqiptar. Ne duhet të sigurojmë integritetin e atdheut të Nënë Terezës dhe ky integritet duhet të jetë real dhe jo transparent”. (Illyria, 7 nëntor, 1997)
Me rastin e vrasjes te deputetit Azem Hajdari, demokrat i shquar, udhëheqës i ashpër i fushatës antikomuniste në Shqipëri dhe mbështetës i pakompromis i luftës çlirimtare të Kosovës, gazeta “Illyria” solli një faqe me titull: “Komuniteti Shqiptaro-Amerikan non vrasjen e Azem Hajdarit”, Imam Isa Hoxha iu përgjegj dënimit të kësaj vrasje:
“Vrasja e deputetit Azem Hajdari është tepër e dhimbëshme, një humbje e madhe si për familjen e tij ashtu edhe për Kombin shqiptar. Kjo vrasje është akt tragjik me situatën e rëndë në të cilën ndodhet kombi ynë. Është tragjike sidomos prapaskena dhe motivet politike të vrasjes të deputetit Hajdari, që s’është tjetër pos një vrasje e porositur nga qarqe të errta antishqiptare, një vrasje e dënuar nga robi dhe nga Zoti. Destabilizimi i Shqipërisë nuk ka filluar tashti. Ai ka filluar dhe po vazhdon që nga vitit 1997, kur me dhunë u rnuan institucionet e shtetit, kur vendi u soll buzë katastrofës, kur u vranë mijra shqiptarë të pafajshëm, vrasje këto që po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Ekonomia në vend të ecte përpara ra përtokë, korrupsioni dhe grykësia qeveritare mori përmasa tragjike. Të gjitha këto kaluan me arrestime, akuza, kërcnime dhe së fundit me vrasjen e deputetit Hajdari dhe të shoqëruesit të tij, si shenjë hakmarrjeje ndaj opozitës, e cila ka ngritur zërin lart për të gjithë fatkeqësinë që i solli vendit pushteti aktual komunist. Prandaj, kërkojmë ndihmën e Zotit, bashkimin e popullit, për hir të situatës që e ka rënduar atdheun tonë edhe për hir të Kosovës.” (Ilyria, 19 shtator, 1998)
Imam Isa Hoxha, edhe sot, si katër dekada më parë, me energji të pashterrura vazhdon misionin e tij në shërbim të Fesë dhe të Atdheut. Për të, atdhe është vetëm Shqipëria etnike e kuptimit të rilindasëve tonë.

*)Shënim i shkurtë biografik: Isa Hoxha lindi me 25 Maj 1918 në Bytyç të Malësi të Gjakovës rrethi i Tropojës. Mësimet fillestare i kreu në Tropojë, ndërsa një vit në Medresen e Madhe të Gjakovës. Vitet tjera të mësimeve i vazhdoi në Medresen e Tiranës. Ai rrjedh nga familja e njohur e Hoxhëve të Bytyçit; Familje fetare atdhetare, e cila që nga Lidhja Historike e Prizrenit (1878), ka qenë në ballë të lëvizjeve kombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja e Hoxhëve të Bytyçit angazhohet me armë në dorë në Lëvizjen e Kreyezive të Gjakovës, në përpjekje për çlirimin e atdheut nga pushtuesitë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Me ardhjen e komunizmit në fuqi, kjo familje e madhe përjetoi persekutimet më çnjerzore të cilat mund të përshkruhen vetëm në vëllime shkrimesh. Në vitin 1949, Imam Isa Hoxha arratiset në Jugosllavi, ku për 10 vjet të qendrimit në atë vend kalon një jetë shumë të vështirë, me transferime të vazhdueshme nga një vend në tjetrin. Me 1959, emigron në Itali dhe jeton tre vjet nëpër kampet e refugjatëve. Me 1962, me ndërhyrjen e Komitetit “Shqipëriua e Lirë”, emigron në SH.B.A., dhe vendoset me banim në New York. Për katër dekada, veprimtaria e tij fetare, arsimore, atdhetare, kulturore dhe kombëtare ishte e pandërprerë. Ai është autor i shumë studimeve fetarefilozofike të botuara në revistën Përpjekja Jonë”, organ i Qendrës Islame ShqiptaroAmerikane për New York dhe New Jersey, themeluar me inisiativën e tij dhe të Imam Sali Myftisë. Imam Isa Hoxha ishte përsonalitet i nderuar dhe respektuar, krah-përkrah me Imam Vehbi Ismalin, Baba Rexhebin, Mons. Zef Oroshin dhe At Arthur Liolinin. Me këtë figurë të shquar të mërgatës politike shqiptare kam zhvilluar disa intervista për emisionin e “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Me të kam pas bashkëpunim të ngushtë dhe kam ndihmuar me shkrime të ndryshme revistën, “Përpjekja Jonë”.
Imam Isa Hoxha ndrroi jetë në shtëpinë e tij në Old Tapan, West Wood, New Jersey, me 20 Tetor
2001.

Shkrimi i mësipërm: “Imam Isa Hoxha -vazhdimi idealeve të Rilindjes tonë Kombëtare”, është botuar në revistën “Përpjekja Jonë”, Nr. 21-22, Tetor 1998, fq. 182, me pseudonimin tim, Burim Ali Gusija.

9 gusht 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.