back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Immanuel Kant – Për Paqen e Përjetshme (filozofi)

Gazeta

Immanuel Kant (1724-1804)
Immanuel Kant (1724-1804)

Traktat filozofik

Përktheu nga origjinali gjermanisht duke e krahasuar njëkohësisht edhe me përkthimet në anglisht, italisht dhe frëngjisht: Gaqo Karakashi
Tiranë 2013 – Titulli i origjinalit: Zum ewigen Frieden Ein philosophischer Entwurf (1795)

Paqja e Përjetshme

Le ta lëmë së pari mënjanë çështjen, nëse ky mbishkrim satirik, që pronari hollandez i një taverne e kishte vënë në tabelën ku ishte pikturuar një varrezë, u drejtohet në përgjithësi njerëzve apo sidomos kryetarëve të shteteve, të cilët nuk ngopen kurrë duke bërë luftëra, apo u drejtohet ndoshta vetëm filozofëve, që e shohin këtë ëndërr të bukur. Ndërkaq autori i esesë së tanishme e shpall si kusht se derisa politikani praktik mban lidhje me politikanin teorik duke e parë atë me përbuzje e me vetëkënaqësi të madhe si një skolastik, i cili me idetë e veta boshe nuk i sjell asnjë rrezik shtetit, që nga ana e vet duhet të niset nga parimet empirike, dhe e lejon gjithmonë që të zbrazet fët e fët; e derisa burri i shtetit i regjur me botën nuk e çan kokën për këtë gjë e vazhdon me konsekuencë procedurën e vet edhe në rast të një grindjeje me skolastikun, pa nuhatur ndonjë rrezik për shtetin prapa opinioneve të guxuara prej këtij me shpresën e fatit të mirë e të shprehura publikisht – atëherë nëpërmjet kësaj clausura salvatoria edhe autori i kësaj eseje kërkon shprehimisht që të ruhet në formën më të mirë nga çdo interpretim i lig.

Kant Immanuel (1724-1804)
Kant Immanuel (1724-1804)

Pjesa e parë, e cila përmban nenet paraprake për paqen e përjetshme midis shteteve

1.“Nuk vlen si traktat paqeje ai traktat, që është bërë duke patur si rezervë të fshehtë lëndën për një luftë të ardhshme.”
Sepse atëherë ai do të ishte një armëpushim i thjeshtë, një shtyrje e armiqësive, jo paqe, e cila do të thotë fundi i të gjitha armiqësive, dhe t’i bashkangjisësh asaj epitetin e përjetshme është tashmë një pleonazëm e dyshimtë. Shkaqet që mund të ekzistojnë për të zhvilluar luftën e ardhshme, megjithëse tani ndoshta ende të panjohura nga negociatorët, zhbëhen që të gjitha nëpërmjet traktatit të paqes, edhe në qofshin vjedhur me shkathtësinë më të mprehtë zbuluese nga dokumentat arkivorë. – Rezerva (reservatio mentalis) për pretendime të vjetra, që mund hartohen në të ardhmen, të cilat asnjëra palë nuk dëshiron t’i përmend tani, sepse që të dyja palët janë shumë të rraskapitura për ta vazhduar luftën, por që kanë vullnetin e lig për të shfrytëzuar rastin e parë të favorshëm për këtë qëllim, është kazuistikë jezuite e qëndron poshtë dinjitetit të kryetarëve të shteteve sikurse edhe përunjësia për të nxjerrë deduksione të ngjashme është poshtë dinjitetit të një ministri, nëqoftëse e gjykojmë çështjen ashtu siç është në vetvete.
Por në qoftë se sipas koncepteve të zbuluara në lidhje me mençurinë e shtetit, nderi i vërtetë i tij përcaktohet nga zmadhimi i qëndrueshëm i fuqisë, pavarësisht se me cilat mjete realizohet kjo, atëherë sigurisht bie në sy se ky gjykim i imi është shkollaresk dhe pedantesk.

2.“Asnjë shtet i pavarur (i vogël apo i madh, kjo s’ka rëndësi) nuk mund të përvetësohet nga një shtet tjetër nëpërmjet trashëgimisë, shkëmbimit, blerjes apo dhurimit.”
Shteti nuk është një zotërim, pasuri (patrimonium), siç është të themi trualli mbi të cilin ai ngrihet. Shteti është një shoqëri njerëzore, të cilën nuk mund ta udhëheqë dhe nuk mund ta disponojë askush tjetër përveçse vetë ai. Por ta bashkosh shtetin, që vetë si trung ka rrënjët e veta, si kalem shartimi me një shtet tjetër, do të thotë ta eliminosh ekzistencën e tij si person moral dhe ta kthesh këtë të fundit në send dhe është kështu në kundërshtim me idenë e kontratës zanafillore, pa të cilën nuk mund të mendohet asnjë e drejtë mbi një popull.1) Është e njohur për këdo se në çfarë rreziku e ka sjellë Europën kjo mënyrë përvetësimi, madje deri në kohërat tona më të afërta, sepse pjesët e tjera të botës nuk e kanë njohur këtë kurrë, që konkretisht edhe shtetet mund të lidhin martesë njëri me tjetrin, pjesërisht si industri e tipit të ri për t’u bërë super të fuqishëm nëpërmjet aleancave familjare e pa harxhuar forca, pjesërisht edhe për të zgjeruar me këtë mënyrë zotërimet vetjake territoriale. – Këtu hyn edhe vënia e trupave të një shteti në shërbim të një shteti tjetër, kundër një armiku jo të përbashkët, sepse nënshtetasit në këtë mes përdoren dhe konsumohen sipas qejfit si të jenë sende në përdorim.

3.“Me kalimin e kohës ushtritë e përhershme (miles perpetuus) duhet të shkrihen tërësisht.”
Sepse ato kërcënojnë pa ndërprerje me luftë shtetet e tjera, me anë të gatishmërisë për t’u shfaqur gjithmonë të përgatitura e të armatosura për këtë gjë; i nxisin shtetet që t’ia kalojnë njëri tjetrit në numrin e forcave të armatosura, që nuk njeh kufi, dhe kështu paqja, nëpërmjet shpenzimeve të kryera për ushtritë, bëhet më në fund edhe më shtypëse sesa një luftë e shkurtër, atëherë për ta hequr qafe këtë barrë, bëhen ato vetë shkaku i luftërave agresive. Krahas kësaj pagimi i njerëzve për të vrarë apo për t’u vrarë duket se përmban përdorimin e tyre si makina të thjeshta dhe si vegla në duart e një tjetri (shtet), përdorim që sigurisht nuk pajtohet me të drejtën e humanizmit tek vetë personi ynë. Krejtësisht ndryshe qëndron puna me stërvitjet vullnetare ushtarake të shtetasve, të ndërmarra periodikisht, për të siguruar në këtë mënyrë veten dhe atdheun e tyre nga sulmet nga jashtë. – Duke akumuluar një thesar do të kishim të njëjtin efekt se ai do të konsiderohej nga shtetet e tjera si kërcënim për luftë dhe do t’i shtrëngonte ata që të ndërmerrnin sulme parandaluese, po të mos ishin vështirësitë për të mësuar madhësinë e tij (sepse nga të tre fuqitë, fuqia e ushtrisë, fuqia e aleancës dhe fuqia e parasë, kjo e fundit është ndoshta instrumenti më i besueshëm për luftë).

4.“Nuk duhet të krijojmë borxhe shtetërore në kuadrin e konflikteve të jashtme të shtetit.”
Kërkimi i ndihmës jashtë apo brenda shtetit duke patur si qëllim ekonominë e vendit (përmirësimin e rrugëve, vendbanimet e reja, ngritjen e magazinave në rastet e viteve problematike me të korra të këqia etj.) nuk përbën asnjë burim të dyshimtë. Por si makineri që i shërben fuqive për t’iu kundërvënë njëra tjetrës, sistemi i kreditimit të borxheve të pallogaritshme e sidoqoftë ende të sigurta ndaj kërkesave të sotme (sepse të gjithë kreditorët nuk i kërkojnë përnjëherësh paratë e tyre) – shpikja e hollë e një populli tregtar në këtë shekull – përbën një fuqi të rrezikshme financiare. Domethënë përbën një thesar për të zhvilluar luftëra e ky thesar ia kalon thesareve të të gjitha shteteve të marra së bashku. Ai mund të shterojë vetëm nëpërmjet rënies së pritshme të të ardhurave nga taksat (megjithatë ai do të ekzistojë gjatë edhe për shkak të gjallërimit të tregtisë, që ndodh nga efektet e kreditimit të industrisë dhe të biznesit). Kjo lehtësi për të bërë luftëra, e lidhur me prirjen e pushtetarëve për këtë gjë, e cila duket se është e lindur në natyrën njerëzore, është pra një pengesë e madhe për paqen e përjetshme. Për ta ndaluar këtë sistem kreditimi do të duhej më shumë se një nen paraprak për paqen e përjetshme, sepse më në fund falimentimi sidoqoftë i pashmangshëm i shtetit do të përfshijë patjetër edhe disa shtete të tjera pa e merituar dëmin, që do të ishte një cënim publik i këtyre të fundit. Si rrjedhim të paktën shtetet e tjera kanë të drejtën që të lidhin aleanca kundër një shteti të këtillë dhe pretendimeve të tij.

5.“Asnjë shtet nuk duhet të përzihet me dhunë në kushtetutën2) dhe qeverinë e një shteti tjetër.”
Xhanëm kush ia jep të drejtën për këtë gjë? Mos vallë skandali që ky shtet iu përçon nënshtetasve të një shteti tjetër? Përkundrazi ky shtet mund të shërbejë si paralajmërim, nëpërmjet shembullit të të këqijave të mëdha, të cilat kanë mbërthyer një popull për shkak të mungesës së ligjit tek ai; dhe në përgjithësi shembulli i keq, që një person i lirë i jep tjetrit (si scandalum acceptum), nuk është dëmtim për këtë të fundit. – Vërtet nuk do duhej të shkohej deri në atë pikë – nëse një shtet ndahej në dy pjesë për shkak të përçarjes së brendshme e secila prej të dyve prezantohet si shtet i veçantë, që ngre pretendimin për të gjithë shtetin – ku një shteti të jashtëm nuk do mund t’i llogaritej si përzierje në kushtetutën e tjetrit (sepse atëherë mbretëron anarkia) dhënia e asistencës njerës palë. Por për aq kohë sa ky konflikt i brendshëm nuk është vendosur ende, kjo përzierje e fuqive të jashtme do të ishte shkelje e të drejtave të një populli, i cili nuk varet nga asnjë popull tjetër e që vetëm po lufton me sëmundjen e tij të brendshme. Pra vetë kjo përzierje do të ishte një skandal i dhënë dhe do ta bënte të pasigurt autonominë e të gjithë shteteve.

6.“Asnjë shtet që është në luftë me një tjetër nuk duhet t’i lejojë vetes armiqësi të tilla, të cilat e bëjnë të pamundur besimin e ndërsjelltë tek paqja e ardhshme: siç janë punësimi i vrasësve të pabesë (percussores), i helmuesve (venefici), thyerja e marrëveshjeve, nxitja e tradhtisë (perduellio) tek shteti me të cilin lufton etj.”
Këto janë marifete të pandershme. Xhanëm edhe në mes të luftës duhet të ekzistojë njëfarë besimi tek mënyra e të menduarit të armikut, sepse përndryshe nuk do mund të lidhej dot as edhe marrëveshja e paqes dhe armiqësia do të katandisej në një luftë shfarosëse (bellum internecinum). Megjithatë derisa lufta është vetëm mjeti i trishtueshëm i domosdoshëm në një gjendje natyrale (ku nuk ekziston asnjë gjykatë, që do mund të gjykonte në bazë të ligjit) për ta mbrojtur me dhunë të drejtën e vet, ku asnjëra nga të dy palët nuk mund të deklarohet e padrejtë (sepse kjo presupozon tashmë një vendim të gjykatësve), atëherë vendos përkundrazi rezultati i luftës (njëlloj si para një të ashtuquajturi gjyq i perëndisë) se cila palë ka të drejtë. Mirëpo midis shteteve nuk mund të mendohet një luftë ndëshkuese (bellum punitivum), sepse ndërmjet tyre nuk ekziston një raport si ai midis ustait dhe vartësit. – Nga kjo rrjedh se një luftë shfarosëse, ku fshirja nga faqja e dheut mund t’i prekë të dy palët njëkohësisht dhe bashkë me to edhe gjithë drejtësinë, do ta linte paqen e përjetshme që të realizohej vetëm në varrezën e madhe të gjinisë njerëzore. Pra një luftë e këtillë, e si pasojë edhe përdorimi i mjeteve që çojnë në këtë pikë, nuk duhet lejuar kryekëput. – Por që mjetet e përmendura të çojnë në mënyrë të paevitueshme në këtë pikë del qartë nga fakti se kur këto arte skëterre, sepse janë në vetvete të poshtëra, vihen në përdorim, nuk rrinë gjatë brenda kufirit të luftës, siç është bie fjala përdorimi i spiunëve (uti exploratoribus), ku shfrytëzohet vetëm pandershmëria e të tjerëve (e cila nuk mund të shfaroset ndonjëherë). Përkundrazi këto arte do të kapërcenin edhe tek gjendja e paqes dhe do ta asgjësonin kështu tërësisht synimin e saj.

***
Megjithëse objektivisht ligjet e përmendura, d.m.th. sipas qëllimit të pushtetarëve, janë veçse ligje ndaluese (leges prohibitivae), disa prej tyre janë ligje të tipit të rreptë, që vlejnë pa dallim rrethanash (leges strictae) e që kërkojnë me ngulje zbatimin e menjëhershëm të tyre (si nenet Nr. 1, 5, 6). Kurse të tjerat (si nenet Nr. 2, 3, 4), që vërtet nuk janë përjashtime nga rregulli i së drejtës, por sidoqoftë në lidhje me ushtrimin e tyre, për shkak të rrethanave, janë subjektivisht ekstensiv, më të gjerë (leges latae) dhe e përmbajnë lejen për ta shtyrë ekzekutimin e tyre, megjithatë pa e humbur nga sytë qëllimin, i cili nuk na lejon p.sh. që ta caktojmë rikthimin e lirisë së disa shteteve, e hequr kjo në bazë të nenit Nr. 2, në ditën e moskurrit (siç e kishte zakon të premtonte Augusti, ad calendas graecas) e si rrjedhim moskthimin e saj, përkundrazi ai e lejon vonimin vetëm që rikthimi i lirisë të mos bëhet me nxitim dhe në kundërshtim me vetë synimin. Zaten ndalimi ka të bëjë këtu vetëm me mënyrën e përvetësimit, e cila nuk duhet të vlejë më këtej e tutje, dhe s’ka të bëjë me gjendjen e pronësisë, që edhe nëse vërtet nuk e ka titullin e kërkuar juridik, prapëseprapë në atë kohë (në kohën e përvetësimit putativ) sipas opinionit të atëhershëm publik u konsiderua e ligjshme nga të gjitha shtetet.3)

1)Mbretëria e trashëgueshme nuk është një shtet që mund të trashëgohet nga një shtet tjetër, por e drejta e tij për t’u qeverisur mund të trashëgohet nga një person tjetër fizik. Shteti përfiton atëherë një regjent dhe nuk e përfiton ky si regjent (d.m.th. që ka tashmë në zotërim një mbretëri tjetër) shtetin.

2)Shën. i Përkth. Siç e kam theksuar edhe në përkthime të tjera të Kantit këtë term këtu dhe në vazhdim mund ta lexojmë edhe “konstitucion”, “konstruksion”, “ndërtim”, “strukturë”, “formë”, “konstrukt”, “gjendje”.

3)Deri tani është vënë në dyshim jo pa shkak nëse mund të ekzistojnë përveç ligjeve urdhëruese (leges praeceptivae) dhe ligjeve ndaluese (leges prohibitivae) edhe ligje lejuese (leges permissivae) nga arsyeja e kulluar. Xhanëm ligjet në përgjithësi përmbajnë një parim të domosdoshmërisë objektive praktike, kurse lejimi nënkupton parimin për rastisjen praktike të disa veprimeve. Si rrjedhim një ligj lejues do të përmbante shtrëngimin për të kryer një veprim, për të cilin nuk mund të shtrëngohet dikush, çfarë do të ishte një kontradiktë, në qoftë se objekti i ligjit do të kishte të njëjtin kuptim në të dy rastet. – Kurse në ligjin lejues, të përmendur këtu, ndalimi i presupozuar i referohet vetëm mënyrës së ardhshme të përfitimit të një të drejte (p.sh. nëpërmjet trashëgimisë), ndërsa çlirimi nga ky ndalim, d.m.th. lejimi, i referohet gjendjes aktuale të pronësisë. Kjo pronësi, megjithëse e padrejtë gjatë kalimit nga gjendja natyrale në gjendjen civile mund të vazhdojë prapëseprapë edhe më tej si një pronësi e ndershme (possessio putativa) në bazë të një ligji lejues të të drejtës natyrale. Edhe pse një pronësi putative në gjendjen natyrale, ajo porsa u pranua si e tillë, një mënyrë e ngjashme përfitimi ndalohet në ligjin e njëllojtë lejues në gjendjen e mëvonshme civile (pasi ka ndodhur kalimi). Nuk do të ekzistonte një kompetencë, një e drejtë për vijimin e pronësisë, nëse një përvetësim i supozuar i tillë do të ndodhte në gjendjen civile. Xhanëm këtu pronësia do duhej të ndërpritej patjetër, si shkelje, menjëherë pas zbulimit të ilegjitimitetit të saj.
Përmes kësaj unë desha vetëm t’i tërheq kalimthi vëmendjen pedagogëve të së drejtës natyrale lidhur me konceptin e një lex permissiva, i cili shtrohet vetiu para arsyes klasifikuese-sistematike; sidomos meqë ai përdoret shpesh në ligjin civil (statutor), vetëm me ndryshimin se ligji ndalues qëndron i vetëm, kurse lejimi nuk futet brenda këtij ligji si konditë kufizuese (siç do të duhej), përkundrazi flaket tek përjashtimet. – Atëherë aty thuhet: ky ose kjo ndalohet, me përjashtim të neneve Nr. 1, Nr. 2, Nr. 3, e kështu me radhë pafundësisht. Lejimet i shtohen ligjit vetëm në mënyrë të rastësishme, jo sipas një parimi, përkundrazi qorrazi nga rastet e pranishme. Përndryshe konditat do duhej të ishin futur në formulën e ligjit ndalues e nëpërmjet kësaj ai do të ishte bërë njëkohësisht një ligj lejues. – Prandaj është për të ardhur keq që porsa është braktisur problemi i hollë, por që u zbeh pa u zgjidhur ende, i shtruar nga konti von Windischgrätz po aq i urtë dhe mendjemprehtë, i cili ngulte këmbë pikërisht për këtë të fundit. Xhanëm mundësia e një formule të tillë (e ngjashme me formulën matematike) është guri i vetëm i vërtetë i provës për një legjislacion konsekuent, pa të cilin i ashtuquajturi ius certum do të mbetet gjithmonë një dëshirë e përshpirtshme. – Përndryshe ne do të kemi thjesht ligje të përgjithshme (që vlejnë në përgjithësi), por nuk do të kemi ligje universale (që vlejnë në mënyrë universale), siç duket se e kërkon prapëseprapë koncepti i një ligji.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Me dëshirën e nji mikut tim, V. Fype, paraqes pjesën e parë të përkthyer nga Gaqo Karakashi… të nji traktati filozofik të Kantit, filozof gjerman, i cili ndër të tjera është marrë me shtetin dhe konfliktet mes shteteve, si dhe statuset ligjore te rregullimit te raporteve mes tyre, duke u bërë kështu nji nga filozofët më të njohur të kohës dhe nji nga eksponentët më në zë të iluminizmit gjerman… Ky traktat sigurisht kërkon nji lexues specifik, mbasi në të janë të gjitha konceptet bazë të shtetit, të raportit mes shteteve, të konflikteve, të pushtimeve… e kështu me radhë…
    Lexim të thellë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.