back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Impresionizmi i vetes, apo ekzistenca e unit – nga Emrije Krosi

Gazeta

"Asgjeja Ime" - Laura Olldashi - në librari
“Asgjeja Ime” – Laura Olldashi – në librari

Impresionizmi i vetes, apo ekzistenca e unit

nga Emrije Krosi

Kur të vdes, kam menduar se shumë njerëz do të më presin.
Në jetë njoh pak.
Laura Olldashi

Leximi, duket si “gjimnastikë” e trurit, por jo gjithherë, mund të dimë se çfarë duhet të lexojmë. Një pyetje e tillë, më çon në mendje, studiuesin e njohur amerikan Harold Bloom, pasi jep cikle leksionesh se si duhet të lexojmë, ose çfarë duhet të lexojmë? Kështu nisi leximi im i “Asgjësë” së Laura Olldashit, që synon të thyejë jo vetëm “kutin” e shkrimtarisë së saj, por edhe të “përmbysë” qenien e saj, që endet akoma fluid, mes vetes d.m.th (vetvetes, Laurës, qenies femër dhe dyzimit mes thelbit të qenies dhe mosqenies), ndoshta Sartri, nuk ka qenë aq afër qenies së tij dhe “hiçit”, ose “hiçi” është metamorfoza e qenies.
a)narrativa e “përroit” psikik: (përrok tejpërtej vetveten, ku imazhet jetësore tejkalojnë
edhe veten përtej “protagonizmit”, ku ndonjëherë rrëfimi/ etydi/ psikoza/ realizmi/ narrativa), përthyhen dhe ndeshen, herë me “kthjelltësinë” e butësisë femrore, herë me “zulmin” e situatave të pasigurisë, kur përnjëherësh të njohësh edhe veten. Fundja, sentenca e sokratike “njih vetveten”, nuk është e re, por “josh” prozatoren, që përmes përndritjeve shpirtërore, të tjerrë trishtimin, dhembjen, mungesën, gëzimin, ankthin, frikën, vetminë, tërheqjen dashurore, sidomos të shtrirë horizontalisht në rrafshin tokësore të përjetimit: e ndiej. Pra jam. Me trup jam. Ulem dhe mbledh shkopinjtë e mendimeve të prera keq dhe të hedhura në rrëmujë. I fus brenda vetes ashtu të ngatërruara si janë, sepse dilema e njohjes së vetes është më përtej një “përroi” psikik, aq sa edhe dilemës dekartiane: “mendoj, prandaj jam”!
b)“Vetja” dhe tjetri: (problemi autorja e ka me veten, po, po me veten. Ajo nuk i bindet
as unit dhe as egos. Fundja, vetvetja është “mashtrim”, “mosnjohje”, “mosbindje”), më përtej kur njeri beson apo nuk beson tek vetja. Tregimi “Djella” është “shkundja” e dilemës ekzistenciale, përmes rrëfimit psikologjik, ku narrativa, vë veten përballë “tjetrit”, i kundërvihet edhe të jashtmes/ të brendshmes, të dukshmes/ padukshmes, qenies/ joqenies, të njohurës/ të panjohurës, përtej modernes/ klasike të shoqërisë së “kollarisur” (ajo nuk ngre mure, por thërrmon kufijtë e përditshmërisë, famijares/ publikes), ku humania dhe falsiteti, mediokriteti dhe skrupulozja, moralja dhe njerëzorja herë “rrinë bashkë”, herë rroken keqas, për shkak të tjetërsimit të njerëzores.
c)“Atdheu” dhe dashuria: ( beteja mes vetes apo “dyluftimi” për njëjtësinë apo trajtësinë e
“atdheut” dhe gjithçkanë ose asgjënë dashurore), ngërthyen fabula, herë të qeta, herë këlthitëse, ku grimasa e dashurisë përqeshet nga vetë njeriu. Dashuria ka humbur. Dashuria është vlera dhe antivlera e njerëzores. Dashuria është koha dhe vetmia. Dashuria është “vdekja” e shpirtit në modernitet. Dyzimi mes vetes/ dashurisë dhe atdheut, ku arsyeja “konfliktohet” me p(a)arsyen, ku njeriu me arrogancën dhe indiferencën ia bën “gropën” tjetrit. Se njeriu është i lodhur nga “hija e tij”, nga “thikat e pabesisë” së ndien çdo ditë “mbas shpine”, sepse irracionalja dhe funksionalja, liria dhe skllavëria nuk kanë atdhe. Prozat e shkurtra kanë “rrëfime” të letrares dhe etydit si: “Sonata e hënës” apo “Dhembja e trëndafilave”, ku dhembja ka mbushur shumë kavanoza, “si turshi”.
d)“requiem” i njerëzores dhe femrores: (ndoshta vetë titulli, na përqas me dëshpërimin dhe tronditjen përtej thelbit të vetë njeriut), por drita dhe kthjelltësia estetike në këto rrëfime, se vetë qenia jonë, është një asgjë… asgjë absolute, që në relativen tonë përditësore, përsëri jemi asgjë, sepse nga “asgjëja” jemi krijuar.

Laura Olldashi, gjatë bisedës në shkollën e mesme "Oso Kuka" në Shkodër
Laura Olldashi, gjatë bisedës në shkollën e mesme “Oso Kuka” në Shkodër

Tregimi “Requiem për Suhade Cakranin”, tregon sesi familja Cakrani, u persekutua nga regjimi, duke përrokur elemente të rrëfimit historik dhe ato letrar. Madje edhe Camaj është aty, ashtu siç edhe Klimt. Ekuilibri mes vetes dhe dashurisë, shpërfaqet përmes fragmentit: unë, ulur në fundin e krevatit, aty te këmbët e tua, i lodhur nga dita, të shihja dhe nuk ngopesha. Qetësia shtrirë mbi ty, në ngjyrë violet. Tek tregimi: “Dy gratë e një burri”, Laura, na shpërfaq “peshtafin” e fshehtësisë së botës femërore, përmes vargut profetik: “Aeroplanët nga qielli bombardojnë imagjinatën time…”, sepse njeriu është sinopsi i mosnjohjes së vetes, se njeriu ka gjithherë dilemën hamletiane: të jesh, apo të mos jesh! Qenia jonë, ka nevojë për dashuri, por për dashurinë e vërtetë. Qartësia dhe dhembja, nuk “kurthërojnë” njëra-tjetrën, por mundohen të zhbëjnë harresën tonë historike por edhe kohore. Sado që ta “dhunojmë” dashurinë ajo, sërish do të çelë sythet e saj edhe përmes gjembave. Fundja dashuria “kuron” përmes dhembjeve dhe humbjeve.

Ky lloj rrëfimi, ku njeriu ka “hapur” vetëdijen e tij të qenies mes absurdit, kotësisë dhe neverisë, rrëfehet tek tregimi: “Ulur jashtë trupit”, ku autorja shkruan: “bindem që, edhe realja ime, ecën me hapat e imagjinatës. Mirëpo, e njëjta bindje më thotë se realja nuk ekziston. Kur, në imagjinatën e së djeshmes, e kam parë gjithmonë veten si “peshk i shëndetshëm”, atëherë çfarë ndryshon se si jam sot?”, duket tërësisht se realja dhe irrealja, imagjinata dhe uni, janë në “ngërç” për njeriun. Por njeriu mbeten njeri, i ndërtuar nga “trupi” dhe “fryma”, që janë ekzistenca dhe thebi i Qenies tonë Unike NJERI!

Së fundmi: stili i rrëfimti, përmes stilizmit, tekstualitetit, intertekstualitetit, përmes modernes/ postmodernes, të ekzistencializmit dhe impresionizmit, sjellin një prozë të veçantë, me ritmet e jetës tonë modrene. Rrëfimet intensive, përmes ligjërimit të pastishit, ku e vërteta artistike, sendërton një konotacion etiko-letrar, në përpjestim me qenien dhe përjetimin tonë njerëzor. Por, a ka të meta? Po ka! Për lexuesin tonë të pakultivuar, këto tregime janë të “palexueshme” dhe jashtë traditës së rrëfimit të tregimit tonë, klasik realist…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.