back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Impresionizmi, – si qëmtim i lirikës postmoderniste në poezinë e Artan Kafexhiut nga Emrije Krosi

Gazeta

Emrije Krosi
Studiuesja Emrije Krosi

Impresionizmi, – si qëmtim i lirikës postmoderniste

në poezinë e Artan Kafexhiut*

nga Emrije Krosi

Po të kërkojmë kufijtë e një poezie, apo edhe fundin e saj duhet të “zhytemi” në oqeanin e madh të fjalëve, të rrymave, apo dhe të zgjedhimit të kohëve foljore dhe letrare. Në përsiatjet e shpeshta mespërmes poezive, ka poetë që me kohën e tyre biologjike kanë formuar trajtën e tyre moshore, siç edhe libri me poezi “Pa moshë” (Kafexhiu: 2022), një poet lirik, shqiptaro-njujorkez.
Fillesat e poetit janë krejt herët, ndoshta që në vitet ’70, ku poezia italiane i dha botës nobelistë dhe “vulosi” hermetizmin si një rrymë botërore në poezi. Kjo lloj errësire poetike, që filloi të strukturohet në fillesat e (para)leximeve të poetëve neoklasikë dhe simbolistë italianë dhe francezë, në letërsinë shqipe të realizmit socialist, kishte krijuar të ashquajturën “refuzim estetik”, (të mos pranosh atë që të imponohet) (Rugova: 2005). Tekste të tilla letrare në marrëdhënie me lexuesin, i nënshtrohen edhe një këndvështrimi fenomenologjik (Prince: I 2008: 13), duhet të kapërcejnë problemin subjekt-objekt, duke shmangur përfshirjen e autorit në tekst, nëpërmjet formëzimit të tekst/lexues, përmes lexuesit eksplisit.
Jo domosdoshmërisht, përmasa historike e kohës së rrëfimit, apo e jetës autoriale, duhet marrë si e mirëqenë, sepse autori ka patur një përmbysje të qëllimshme me realizmin e tij të pastër, në kundërshtim me rregullat e sociorealizmit, (i ndaluar si tekst letrar), i vetëdishëm për pasojat, autori e shkroi si tekst samizdat (Cohen: 2009: 38), (samizdat; unë e shkruaj vetë, e redaktoj vetë, e censuroj vetë, e botoj vetë, e shpërndaj vetë dhe kaloj kohë në burg për këtë po vetë). Teksti letrar, nuk mund të përkufizohet, por mund të përjetohet, me përfshirjen e lexuesit të nënkuptuar; aktiv dhe pasiv, duke matur distancat estetike të një vepre, sa largohet nga horizonti i pritjes (Jauss: 1982: 67) të lexuesve të parë, që fatkeqësisht nuk ndodhi.

"Pa Moshe" - Artan Kafexhiu
“Pa Moshe” – Artan Kafexhiu

***
Libri i Artan Kafexhiut ka një strukturë të tekstit, por edhe semiotike, sipas metodës fenomenologjike të tekstit në raport:
-vepra në vete,
-vepra në raport me veprimtarinë e autorit,
-vepra në raport me sistemin letrar të vetë autorit, por edhe të kohës së shkruar.
Vepra ndahet në pesë cikle:
1.cikli i parë: (dëshira jashtëstinore),
2.cikli i dytë: (jeta vazhdon),
3.cikli i tretë: (njih (vet)vedin),
4.cikli i katërt: (rreze malli),
5.cikli i pestë : (“unfinished journey”).
Në këtë cikël poetik, kemi një ngërthim të kohës, që nga mbartësja e sintagmës së titullit “pa moshë” tregon se koha e tashme dhe e shkuar shkrihen, përmes imazhit të kujtimeve dhe të kthimit në fëmijëri. Koha dhe hapsira janë sinonime të ekzistencës, ku Uni poetik lëviz në dy dimensione: kohë/hapsirë. Transferimi në kohë, apo siç njihet në kritikën letrare “arratisja prej kohës”, shtrihet më përtej betejës ekzistenciale për të mbetur dhe jetuar (Cani: 2010: 37).
Muzat e vërteta, përmes rikrijimit edhe në kulmin e kënaqësisë, mund ta bëjnë dallimin mbi konceptin e një “poezie natyrore”, (parim i neoklasicizmit), e cila nuk është asgjë tjetër përveçse vetë natyra. Se bota e poezisë, është po aq e pakufishme dhe e pashterrshme, aq sa edhe pasuria e gjallërimit të natyrës. Poezia e Artan Kafexhiut, është një model shkrimor mes: hermetizmit, impresionizmit, ekzistencializmit, imazhi(nizmi)t, modernizmit e shumë[-izmave] të tjerë.
• Shpalosja e imazhit të dëshirave jashtëstinore, vjen me një cikël poezish si: “Harabeli”, “Forest park”, “Dëshirë jashtëstinore”, “Përkohësi”, “Ecje”, “Muzg”, “Ag”, “Dajti” etj., janë trajtat e para të hermetizmit dhe impresionizmit të pastër. Vargjet: atëbotë, nata e dita prekin/njana-tjetrën me një puthje,/ plot feksje e nuanca ngjyrash/ E pavarësisht dëshirave tona,/ zjarrmi i saj nuk zgjat shumë, – nga poezia “Muzgu”, shihen eksperimentimet e konceptit të “korelativitetit objektiv” të Eliotit dhe Montales që mbizotërojnë majën e poezisë (Ndoja: 2022). Duke vëzhguar se si janë gjërat jashtë, por si i sheh poeti, e përcjell kuptimin përmes një specifike të veçantë, me një qartësi morale si dhe me anën e përvojës së tjetërsimit, ku vetëdija reflektuese ndaj realitetit, nuk mund të jetë e rastësishme.
• Shpalosja e imazhit të kumtit jetësor, vjen nga poezi si: “Poetit”, “Pritje”, “Jeta”, “Inoçencë”, “Koha ime”, “Gjuha”, “Në sofa”, “Patriarku”, “Lutje” etj., janë imazhe impresioniste. Impresionistët nuk përfaqësonin subjekte të mëdha historike, fetare ose mitologjike, por subjekte të përditshme, si peisazhi urban dhe jeta natyrore, duke eksploruar dritën dhe lëvizjen. [Impresioníz/ëm,-mi emër i gjinisë mashkullore; term në letërsi; art. rrymë artistike që i paraqit drejtpërdrejt përshtypjet e çastit, ndijimet e holla dhe përjetimet vetjake të shkrimtarit a të artistit].
Impresionizmi përmes diskursit, si një rrymë letrare në mënyra të ndryshme, kuptohet si një shqetësim me perceptimin, si filozofik ashtu edhe artistik, si zëvendësues i një natyralizmi letrar, si teknikë moderniste e rrjedhës së ndërgjegjes, në përpjekjen e tij për të arritur tek thelbi i gjuhës (Wittgenstein: 1953: 11). Vargjet: O koha ime!/ E bukura e shëmtuara jeta ime!/ Një urë e hedhun n’dy shekuj,/ n’midisin e mijëvjeçarëve e jetueme, – në rrafshin krahasimor, me këto vargje: një muzg i Kozmogonive!/ Ah! se jeta është e përditshme…/ Dhe, më e vërtetë se sa e mbajmë mend, – të poetit francez impresionist Jules Laforgue (Abdiu: 2019). Në këtë mënyrë, ata (impresionistët), theksuan gjuhën plastike si një vlerë autonome dhe lanë mënjanë vlerësimin e artit bazuar në përmbajtjen e tij, qoftë nga një qasje racionaliste (neoklasicizmi), emocionale (romantizmi) ose kritikë sociale (realizmi), me “vullnetin e diferencimit të stilit”. Bota poetike e impresionizmit, sintetizohet me simbolizmin, e cila shpjegohet me ndjeshmëri, shprehje subjektive, mendje dhe muzikalitet. Megjithatë, këtu duhet theksuar dhe Baudelaire me “ligjin e pajtueshmërisë”, i kombinoi këto dy fusha. Në botën poetike në drejtim të impresionizmit ishin vetë poetët: (Paul Verlaine) dhe (Stéphane Mallarmé), si dhe shumë shkrimtarë të tjerë të mëdhenj të kohës. Të gjithë, për vizionin e tyre të botës, u bazuan në krijimin e një “ndjenjë” realiste të peisazhit.
• Shpalosja e imazhit të tharmit të vetvetes: që në fillesë togfjalëshi [njih vetveten] lidhet me thënien e Sokratit, të njohur edhe nga studiuesit (si një mbishkrim tashmë i humbur, i shkruar në portikun kryesor të orakullit të Delfit në Greqi), si një rebus kohor, ku edhe lidhet me filozofinë sokratiane. Në këtë ndarje, kemi shumë qasje ungaretiane përmes poezisë: “Përkohësi”: retë, këto depresione ujore,/ nxitimthi kah fronti parakalojnë/ të nemitura si në një paradë,/ sistem dinamik pikëzash uji,/ mbi kupolën e blusë qiellore,/ pafundësi formash ngjyrosin./ Me lëvizjen e akrepave t’orës,/ përkohësinë e jetës t’kujtojnë. Kombinimi mes hermetizmit dhe imazhi(zmi)t, tejkalon tashmë impresionizmin dhe ekspresionizmin, të lidhur me imazhi(zmi)n në zhvillimin e modernizmit letrar (Coman: 1972: 45).
Poezitë: “Vetja”, “Fytyra e dashur”, “Dëshira”, “Njih (vet)vedin”, “Zanusha”, “Fqinjave plazhiste” etj., – na shtrojnë pyetjen: a është poezia çështje shkrimi? Çdo poet e sendërton botën sipas veçantisë së tij. E shkrueshme dhe e lexueshme [S/Z e Barthes-it], ku secili poetshkrues lë shenjën e tij individual(ist)e, në një mënyrë të veçantë të vështrimit të gjërave, si dhe mënyra e shprehive artistike, duke gjetur fjalët e duhura, me metafora të zgjedhura. Si një vëzhgues mendjehollë, poeti mund të habitet, edhe nga një zog, një re, dhe të shprehet në mënyrën e habisë absolute, apo në formën e një lloj eksperimenti(zi)mi (Carver: 2019: 114). Vargjet: po unë, vallë, kush jam?/ Vedin shpesh e pyes./ I njajti me t’djeshmin, s’besoj t’jem./ Kurrsesi!, – nga poezia: “Njih (vet)vedin” dekodon çdo algoritëm të lexuesit dhe (përtej) vetvetes. Çdo kush pyet: kush jam unë! Është një dilemë edhe hamletiane, pse jo edhe karteziane, (o dekartiane): mendoj, pra jam, si thelbi i një filozofie racionaliste, duke e dekoduar poezinë me një seri kodesh, që shumëzojnë referencat e informacioneve filozofike me “sintagma”, në pritje të lexuesit me plot detaje të reja intertekstuale (Frye: 1983: 21).
Lirika erotike është një qasje më përtej ëndrrave rinore, në një arrati lirie, përtej imazhit të vetes, por edhe në kërkim të një dashurie dhe lumturie absurde, të një shoqërie, ku shprehjet liriko-erotike sendërtohen përmes formave të ëndrrave si tek poezia: “Fqinjave plazhiste”: pak u desh të afroheshim,/ Fqinjë e përkohëshme./ Të pashë më pe/ kaq u desh/ Pastaj njohja jonë nga larg/ mjediseve të plazhit u vodh/ Ka sekret dashuria?/ Ka vetëm një,/ shikimi i parë, – personalizimi i të jashtëzakonshmes, nuk përrok të pambërritshmen. Nuk e kufizon dinamizmin poetik, ku komunikimi autor/lexues ka dy dimensione; horizontal dhe vertikal, ku subjekti njerëzor dhe poetik sendërton:
a) gjuhën në situatë sociale specifike,
b) përbashkësinë e tekstit dhe tekstualitetit,
c) tekstin si praktikë dhe prodhimtari stilistikor eksplisit.
• Shpalosja e imazhit të dekodimit të mallit: brenda këtij habitati, poeti bën një radhitje poezish retrospektive nga fëmijëra: “Nana”, “Rreze malli”, “Golemi i kujtesës”, “Bisedë”, “Agmuzgje kujtese”, “Koha”, “Akorde kujtese”, “Peisazh tiranas” etj. Eptimi i fjalës: [nanë/gegnisht] ka një plotshmëri, ku vetë tharmi i kësaj fjale, ngjizet përmes shumë dashurive të munguara edhe të mallit për [nanën/nënën/mamëm], kur poeti segmentohet: në ujdhesat e kujtesës/ mbitokësore, nëntokësore/ hapsirat ekzistencës tonë, – ekzistencializmi nuk është asgjë, thjesht vetëm se një mirazh i absurdit të njeriut në përgjithësi, e atij modern, në veçanti. Njerëzorja udhëton përtej kohësisë tredimensionale të kohës së tij jetësore (por edhe poetike), në kërkim të vetvetes.
A është kjo dilema e poetit Artan Kafexhiu?! Duke vëzhguar se si janë gjërat jashtë, por si i sheh poeti, e përcjell kuptimin nëpërmjet një specifike të veçantë, përmes një qartësie morale si dhe me anën e përvojës së tjetërsimit, ku vetëdija reflektuese ndaj realitetit, nuk mund të jetë e rastësishme. Shpeshherë, zëri unik i një poeti, përmes vizionit të tij poetik, modelohet edhe nga psikoza sociale e përditshmërisë përmes dy njësive: a) njësia e kujtesës fëminore: (koha e shkuar): dikur ai një fëmijë ishte/ n’oborre shumë pëlqente me lujt, b) njësia e imazhit përmes impresionit të kujtimeve: (retrospektive/koha e shkuar): Golem,/ Emër që më zgjon kujtesën/ Lloj-lloj imazhesh/ Verë/ Fëmijërinë në plazh/ Kabinat e dërrasës…/ …/Plazhe ditore të dielave/ Buka e mbështjellë me gazetë…/…/ Kontraste të panumërta plazhiste socialiste/ Aranxhatat, akulloret dhe kasatat e Ushqimores Tiranë, – në fund të fundit, cilësitë e vargut imazhist kombinohen për të formuar një përshkrim vizual, që rezulton një imazh dhe një kompleks intelektual dhe emocional (Levenson: 1984: 149). Një shkrimtar impresionist shpesh e lë lexuesin të nxjerrë përfundimet e tij, duke i detyruar ata të “lexojnë midis rreshtave”, në mënyrë që të nxjerrin kuptimin e saktë nga teksti, nëpërmjet: a) peisazhit emocional, b) pikëpamjes personale, c) përshkrimit narrativ përmes këndvështrimit subjektiv.
I çliruar nga konvencionet dhe zbukurimet, imazhi i poetit është kështu i lirë, për të paraqitur një imazh “kompleks”, që të jep atë ndjenjën e “çlirimit të papritur”, nga ajo ndjenjë e lirisë nga kufijtë kohorë dhe hapësinorë; ajo ndjenjë e rritjes së papritur, të cilën ne e përjetojmë në praninë e veprave më të mëdha të artit.
Së fundmi: nga “Unfinished journey”, poezia në anglisht:
There is a place
Manhattan, were you see
Skyscrapers, also green and trees. (“The Island”)

Versioni im i përkthimit:
Është një vend, Manhattani,
ku ju shihni rrokaqiejt,
gjithashtu dhe pemë jeshile (“Ishulli”).

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Bibliografia:

1.Abdiu, Juxhin. (2019): “Vajtimet” impresioniste e simboliste të Jules Laforgue, “Obseverekult”: https://observerkult.com/vajtimet-impresioniste-e…/
2.Coman, Stanley. (1972): Imagism: A Chapter for the History of Modern Poetry . New York: Octagon Books.
3.Carver, Raymond. (2019): Rreth të shkruarit, përkth: Albert Gjoka, “Palimpsest”, nr. 6, Tiranë.
4.Cani, Dëfrim. (2010): “Dielli i vështirë” dhe koha e poezisë, “OMBRA GVG”, Tiranë.
5.Carver, Raymond. (2019): Rreth të shkruarit, përkth: Albert Gjoka, “Palimpsest”, nr. 6, Tiranë
6.Cohen, Leonard. (2009): Samizdat il dissenso è un tam-tam di carta. La Repubblica
7.Coman, Stanley. (1972): Imagism: A Chapter for the History of Modern Poetry . New York: Octagon Books.
8.Frye, Northop: (1983): The Great Code – The Bible and Literature, San Diego, New York, London: A Harvest Book, Harcout, INC.
9.Jauss, Hans Robert, (1982): “Literary History as a Challenge to Literary Theory,” Ed. Towards an Aesthetics of Reception, trans. Timothy Bahti. Minneapolis: University of Minnesota Press.
10.Kafexhiu, Artan. (2022): Pa moshë, “Gent Grafik”, Tiranë
11.Levenson, Michael. (1984): A Genealogy of Modernism. Cambridge: Cambridge University Press.
12.Ndoja, Leka. (2022): Një lirik në Nju Jork, mbi poezinë “Pa moshë” të Artan Kafexhiut; 28 nëntor 2022: https://www.radiandradi.com/nje-lirik-ne-new-york-leka…
13.Prince, Gerald (2003): Dictionary of Narratology, Lincoln and London: University of Nebraska, Press.
14.Rugova, Ibrahim. (2005): Refuzimi estetik, “Rilindja”, Prishtinë
15.Wittgenstein, Ludwig. (1953): Philosophical Investigations. Basil Blackwell Ltd.

*Autorja Emi Krosi është një nga zërat e rinj të literaturës bashkëkohore shqiptare. Ndër të tjera, si kritike letrare ka një dhunti intelektuale menjëherë të dallueshme; ajo reflekton një njohje erudite të tekstit e teorisë të kritikës letrare, thellësi mendimi dhe versatilitet unik në fushën pothuajse joekzistuese të kritikës së mirëfilltë shqiptare të letërsisë.
Kritika e sjellur është një iniciative krejt private e Emit, që ma paraqiti shkrimin me entuziazmin dhe dëshirën e mirë për t’i bërë një njohje me të detajuar dhe vlerësim librit tim poetik “Pa Moshë” për lexuesin. Emi ka mirënjohjen time të gjithanëshme! Emi duhet përkrahur si një e re, që dhuntia e saj letrare të marrë krahë e të fluturojë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.