back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

In Memoriam të Nokë Sinishtaj – nga Albert Bikaj

Gazeta

Nokë Sinishtaj
Nokë Sinishtaj

In Memoriam të Nokë Sinishtaj 

nga Albert Bikaj

“Oratio, ose lutje”
Nuk janë vuejtjet fizike ato
që gjithaq e torturojnë korpin.
Janë gozhdat psiqike, shkaku
qi e gozhdojnë shpirtin.
E Shpirti, kur ndahet prej trupit,
lyp sferat e Qiellit.
Por, po e lëshove Globusin
Nuk dihet ma orientimi…
Je nalt, apo teposhtë?
Majtas, a djathtas?
Truni, hum’ në Êter…
Mbetet veç: “At’ ynë që je në qiell!”
.
Albert Bikaj
Albert Bikaj
Këto janë vargjet e fundit që m’i dërgoi Nokë Sinishtaj në nëntorin e vitit që shkoi. Gjendja shendetësore edhe mosha e kishin munduar poetin, e ndiente se ishte afër udhëtimit për në amshim. Nokën e kam takuar një herë kur isha në klasë të dytë; e kujtoj fare mirë atë ditë. Një burrë i veshur klasik, me pallto e kapele, fliste gegnishten e amël shkodrane. Mësuesja më tregoi se ky ishte daja i nënës sime, poeti e poligloti me të cilin ndiheshim krenarë. Deri në atë ditë, e kisha parë vetëm në libra e televizion; natyrisht, për të më bisedonte shpesh nëna ime (nipja e tij). E admiroja shumë, atëherë edhe sot. Miqësi me të krijova vite më vonë nëpërmjet e-maileve e telefonatave të shpeshta. Me të nuk më lidhte vetëm gjaku, por edhe temat e shumta që i kishim të përbashkëta. Bisedat me të ishin të këndshme, të thella e frymëzuese – njësoj si librat e tij. Kryefjalë për opusin e tij poetik ishte Zoti, familja e Malësia – e cila i mungonte shumë. Kam pas nderin që t’i lexoj, redaktoj e publikoj poezitë e tij përgjat viteve të fundit. Shpresoja se kishte mbetur prap kohë, për të biseduar e bashkëpunuar në projekte tjera me të; dëshiroja shumë ta takoja e t’i jepja një përqafim. Por koha e bëri të vetën, e nesërmja nuk është premtim për të gjithë. Për koinçidencë poezia e tij e fundit ishte një lutje. Si besimtar e teolog ai e dinte se ky nuk është fundi, por udhëtim drejtë perjetësisë në amshim!
Dilectus Antonius… requiescat in pace!
 
***
Nokë Sinishtaj (1944-2021) ishte poet e teolog i formuar intelektualisht në kryeqendrat kulturore si Zara, Rijeka, Zagrebi, Firenca e Freiburgu. Kishte studiuar gjuhët klasike, teologjinë katolike, filozofinë perendimore si edhe letërsinë italiane. Është autor i mbi njëzet vëllimeve poetike, si dhe i tre veprave publicistike. Ndër to janë botuar në kroatisht, italisht e gjermanisht. Pavarësisht talentit ishte njeri modest, por që është vlerësuar nga poetë e mëdhenj si Martin Camaj, Fatos Arapi; si dhe kritikët Hans-Joachim Lanksch, Anton Paplekaj e Ak. Gjovalin Shkurtaj. Jam i bindur se në të ardhmën opusi i tij do vazhdojë të studiohet e vlerësohet ashtu siç e meriton klasiku i fundit i Malësisë së Mbishkodrës!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.