back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Injac Zamputi: “Kur e sulmonin Ndre Mjedën…”

Gazeta

Poeti Ndre Mjeda (1866-1937)
Poeti Ndre Mjeda (1866-1937)

Injac Zamputi:

“Kur e sulmonin Ndre Mjedën…”

Studiuesi Injac Zamputti (1910-1998) ka kaluar gjashtë vite si mësues me Dom Ndre Mjedën. Këtij takimi, por edhe ndikimit që ai pati në jetën e tij, i ka kushtuar disa kujtime, pak prej të cilave po i sjellim më poshtë:
Pak kohë përpara se ta takoja Mjedën në Kolegjën Saveriane, ai kishte rënë në marrëveshje me komunitetin jezuit që të jepte lëndën e letërsisë në klasat e Liceut. Kjo gjë kishte tingëlluar si diçka e çuditshme, pasi dihej se në rininë e vet, Mjeda kishte qenë pjesëtar i Urdhrit Jezuit dhe pastaj ishte larguar.
Si prift shekullar, selia e tij e fundit ka qenë Kukli. Me marrëveshjen e bërë me jezuitët, tashti ai jetonte në atë komunitet. Pa u bërë pjesëtar efektiv i këtij urdhri, shtatë vjetët e fundit të jetës së tij i kaloi si rregulltar, por me disa përjashtime. Ndryshe nga pjesëtarët efektivë jezuitë, qysh në veshje deri te liridalja, ashtu edhe me një autonomi vetjake ekonomike për shpenzimet e rastit. Për të tjera ai nuk bënte dallim nga kolektivi jezuit i Shkodrës. Edhe pushimin e fundit deshi ta kishte në varrezat e Kishës së Jezuitëve së bashku me jezuitët e tjerë. Edhe pse kishte lënë Kuklin, megjithatë vazhdonte të mbante lidhje me atë fshat ku, me nismën e shpenzimet e veta, kishte futur një farë mekanizmi në bujqësinë e fshatit. Javë për javë shkonte aty për shërbimin fetar. Në kuvendin e jezuitëve banoi gjithë kohën në një dhomë me një dritare në radhën e dhomave personale të pjesëtarëve të urdhrit dhe në atë dhomë vdiq.
Dom Ndre Mjeda nis karrierën kishtare. Gjatë rrugës, i shfaqet rasti të hyjë në Shoqërinë e Jezuitëve. Kur vjen puna, largohet nga ky urdhër, kalon jetën si meshtar shekullar dhe, më në fund, vjen e jeton në atë komunitet nga i cili ishte larguar dhe jep kontributin e çmueshëm në Kolegjën Saveriane dhe në Seminarin Papnuer të drejtuar prej jezuitëve. Së pari, duhet të theksoj mirë se, çdo gjë që do të them për këtë çështje, është vetëm rezultat i rrethanave të përgjithshme që unë ia zbatoj çështjes së veçantë, duke u përpjekur të gjej nëpër vërtetësi të vërtetën. Sepse, të kem dëgjuar vetë ndonjë fjalë zbuluese, nuk mund ta them, meqë kurrë nuk m’u paraqit rasti të depërtoja në sekretet e jetës së tij dhe komunitetit jezuit. Këtu mund të shtrohet pyetja: a qe Ndreu i prerë për karrierën kishtare apo u detyrua ta ndiqte sepse nuk i kishte mbetur tjetër rrugëdalje në jetë? Një pyetje e tillë mund të bëhet edhe për të tjerët, për të gjitha kohët dhe jo vetëm për karrierën kishtare, por për të gjitha drejtimet e rrugëve që merr njeriu në jetë.
Sido që të ketë qenë, fakti është se Mjeda u arsimua për karrierën kishtare dhe ia doli mbanë, jetoi dhe vdiq duke qenë klerik shembullor pa iu shmangur kurrë detyrave të veta kryesore si meshtar. Këtë nuk duhet ta harrojë kurrë ai që merret me biografinë dhe veprën e Dom Ndre Mjedës. Momentet e pashmangshme të kundërshtimeve dhe konflikteve mendore që i janë paraqitur Mjedës gjatë jetës, deri sa e çuan edhe në gjendje zhgënjimi, kurrë nuk kanë mbizotëruar tek ai aq sa ta detyronin të ndryshonte gjendjen e vet prej kleriku. Mjeda ishte me natyrë impulsive, por jo deri në atë shkallë sa të pendohej për gjendjen e vet. Nuk qe Dom Ndreu si qe, për shembull bashkëkohësi i tij, prifti Gasper Jakova Merturi. Jo, Dom Ndreu mbante larg vetes me çdo kusht skandalin dhe këtë e bënte jo për rrethana tokësore (të cilat madje do ta kishin joshur të vepronte të kundërtën), por për bindje shpirtërore. Kështu ka qenë karakteri i këtij Njeriu, ky ka qenë formacioni i tij trupor-shpirtëror. Padyshim, në momentet më të mprehta (dhe dihet sa i janë paraqitur!) për këtë qëndrim të tij, përveç bindjes personale dhe hirit të Zotit, duhet t’i ketë ardhur në ndihmë edhe ndikimi i vëllait të tij, Lazrit, i cili shpejt arriti të bëhej një nga prelatët e kohës, duke arritur më në fund të ishte kryepeshkop i Shkupit e, në fund, arqipeshkëv metropolit i Shkodrës.

Injac Zamputti në vitet e fundit
Injac Zamputti në vitet e fundit

* * *
Më 1931, pra, edhe unë rashë në marrëveshje me Drejtorinë e Kolegjës Saveriane për të dhënë mësimin e gjuhës shqipe në klasat e ulëta të Gjimnazit-Seminar ku jepte mësim edhe Mjeda. Kështu, për gjashtë vjet kam qenë kolegu i vogël i Dom Ndreut. Një fat i tillë më ka lejuar të kem marrëdhënie të përditshme me Poetin-Mësues. Fjalët e para që më ka drejtuar kanë qenë fjalë inkurajimi për mua djaloshin njëzetvjeçar.
Mjeda, në këtë periudhë kohe kur e njoha unë, ka qenë shumë i kufizuar në fjalë. Zëri i tij ishte përherë i ulët dhe fjala nuk i dilte e qartë nga buzët që ia mbulonte mustaku i dendur. Duhej t’ia ngulje sytë gojës së tij kur fliste dhe të hapje mirë veshët, të thuash, për t’ia grabitur fjalën. Bisedën rrallë e kërkonte ai vetë. Përgjigjej sepse ishte edukata e tij që e detyronte, edukatë që e bënte të skuqej kur vihej në kushte bashkëbisedimi. Bashkëbiseduesin e vet, edhe i ri të ishte, edhe në gjendje shoqërore e intelektuale të ulët, e nderonte. Përgjigjej kur i drejtohej fjala, por shihej se pëlqente më fort të mos kishte takime të shpeshta. Edhe rrugës përherë dilte vetëm, kryesisht për të shkuar në arqipeshkvi, te vëllai i vet, Lazri. Këtë dukuri të karakterit të tij, përherë ia kam detyruar së kaluarës së tij, kur rrethi i bashkëbiseduesve të tij i kishte shkaktuar veprës dhe personit të tij shumë mosmarrëveshje, kundërshtime, keqkuptime. Kështu ndodhi te Shoqëria “Bashkimi” për çështjen e Alfabetit e në raste të tjera. Një polemikë e ashpër u ndez edhe në vitet e fundit të jetës së tij për disa pohime që ai bëri në një artikull në lidhje me peshkopin e Shkupit, sllavin Carev. Gjithashtu edhe në lidhje me përpjekjet për kopjimin e veprës së Budit “Pasqyra e të Rrëfyemit”. Shtypi i kohës i ka këto polemika. Unë jam dëshmitar i keqardhjes së tij të sinqertë kur më thoshte: “Nuk e kanë kuptua qëllimin tem, janë futë në këtë çashtje edhe disa ngatërrestarë!”. Kurrë nuk më harrohet dita kur e takova në oborrin e Kolegjës. U ndal ai vetë dhe, me fytyrë e zë që tregonin keqardhjen që ndiente, më tha: “I kanë shtrembëruar fjalët e mia dhe më vjen keq se duhet të nap përgjegje!”. Duhet ta them me keqardhje, por për të mirën e kujtimit të Dom Ndreut, se njeri prej atyre “ngatërrestarëve”, shumë vite më vonë, më ka rrëfyer se nuk kishte shkruar kundër Dom Ndreut me nismën e vet, por i nxitur prej të tjerëve që donin të fshiheshin. Me këto që po them unë nuk dua të bëj asnjë përpjekje për ta nxjerrë Dom Ndreun si viktimë të polemikës. Këto janë çështje të tjera që kërkojnë studim dhe nuk u përkasin shënimeve të kujtimeve të mia. Por duhet ta them haptas se fryma e sulmit poetik mbi veprën, mbi thëniet dhe, çka është më keq mbi personin e tij, e ndoqi edhe kujtimin e tij pas vdekjes me fjalët e pavenda dhe helmuese që u thanë sidomos në polemikat rreth Alfabetit të Manastirit. Në këto polemika, s’di se si, edhe emri im ka hyrë për një dëshmi gjysmë të trilluar.

Ndre Mjeda mes deputetëve të Shkodrës
Ndre Mjeda mes deputetëve të Shkodrës

Sikundër polemikat që përfundonin edhe me fjalë të ashpra, me fyerje e sfida, po ashtu, nga ana tjetër, Dom Ndreu nuk i donte lavdërimet. Më kujtohet rasti i kremtimeve të shtatëdhjetëvjetorit të lindjes së tij. Pjesëmarrjen e intelektualëve në faqet e revistës LEKA ai e pranoi në heshtje, sigurisht edhe me kënaqësi të pashprehur, duke parë se mundi e djersa nuk i kishin shkuar kot.
Duke rimarrë fillin e kujtimeve për karakterin e tij të ndrojtur, që e bënte më të shumtën të ishte i vetmuar, do të kujtoj se një ditë, duke e përcjellë rrugës, ndërsa po kthehej prej vizitës që i kishte bërë të vëllait, unë i thashë: “Pse, Dom Ndre, nuk të kam ndigjue me predikue?”. M’u përgjigj se nuk ishte në natyrën e tij të fliste publikisht. Nuk e di, as nuk e pyeta nëse, kur ushtronte detyrën e famullitarit, do t’u kishte folur në kishë besimtarëve. Këtë edhe mund ta ketë bërë, sepse ia kërkonte detyra, por të dilte para popullit të Shkodrës ku shkëlqenin oratorët, qysh nga Fishta, Prennushi, Dom Ndre Zadeja e sa e sa të tjerë, do të thosha popullorçe, nuk ia mbante. Sipas mendimit tim bënte shumë mirë: ishte kryesisht poet e studimtar, nuk kishte komunikativë oratorie dhe e ruajti të pacenuar aureolën e vet. Edhe në këtë terren mund të bëhet dallimi ndërmjet tij dhe Fishtës, sepse ky i fundit, kur gjendej në shoqëri, ishte pika përqendruese e vëmendjes.
Vdekja e Dom Ndreut më dha rastin të mos druhesha më të flas ato që ndieja për të. Funeralet solemne, me sjellje të gjatë nëpër rrugët kryesore të qytetit, i mori në dorë rinia. Për fjalët që do të shkruheshin në kurorën që do të përcillte në pushimin e fundit Poetin, m’u drejtuan mua, dhe u pranuan dy fjalët: “Universitarët-Mësuesit”. Varrin shprehimisht e kishte dashur në kishën e jezuitëve dhe aty u varros. Ku kanë përfunduar eshtrat e tij?
Kujtimet e përgatitura nga Jozef Zamputti janë botuar në numrin e ri të “Hylli i Dritës”

*Titulli i redaksisë – Botuar ne “Gazetën Shqiptare” 08 shkurt 2011

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.