back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Injac Zamputti (1910 – 1998) nga Jozef Zamputti*

Gazeta

Injac Zamputti - në moshë të re
Injac Zamputti – në moshë të re

Injac Zamputti (1910 – 1998)

nga Jozef Zamputti*

Jeta e Injac Zamputtit

Njeriu i mirë, historiani i shquar, studjuesi i përkryer, letrari i talentuar, Injac Zamputi, lindi në Shkodër më 12 shkurt 1910. Babai i tij, Romolo, me origjinë italiane, zyrtar poste në qytetin e Shkodrës, e la atë në moshën 1 vjeçare, së bashku me tri motra, edhe ato të vogla, si pasojë e vdekjes së parakohshme, kur ishte rreth 30 vjeç, nga një aksident banal… E ëma, Nine, me origjinë nga Malësia, nga Temali, i rriti këta fëmijë me mundime e sakrifica të mëdha…
Injaci studioi në Kolegjin Saverian të qytetit të tij të lindjes, ku u shqua për korrektesë të lartë dhe rezultate shumë të mira në mësime. Prandaj që në moshën 21 vjeçare mbahet si mësues në atë Kolegj, ku jep lëndën e letërsisë shqipe, si koleg i ri i të madhit Dom Ndre Mjeda, te i cili gjeti mbështetje dhe mirëkuptim të plotë, që u shndërrua midis tyre, me kohë, në një miqësi e një dashmirësi të veçantë.
Me natyrën e tij artistike, merr pjesë në mjaft shfaqje teatrale, në fillim si nxënës e më pas si mësues, edhe si drejtues i tyre. Në shfaqjet muzikore, traditë e shkollave të asaj kohe, është aktiv e si amator me talent, në orkestër i bie violinës. Jep një ndihmesë të madhe me shkrimet e tij, në revistën “LEKA”.
I dashur e i respektuar nga nxënësit dhe mësuesit e tjerë të Kolegjit, merr pjesë bashkë me ta në aktivitete kulturore, artistike e sportive.
Duke patur parasysh se në Kolegj mësonin edhe fëmijë të besimeve të tjera, ai pat si nxënësa të tij edhe Veli e Qemal Stafën, Loro Boriçin, Selaudin Bekteshin, e shumë të tjerë.
Në vitin 1937, martohet me një vajzë nga familja Prela e Shkodrës, me të cilën kaloi një jetë plot dashuri, mirëkuptim e harmoni, duke përballuar së bashku edhe të gjitha vështirësitë e jetës që u ranë në pjesë. Me Rozën e tij ai bëri 6 fëmijë, 5 vajza dhe një djalë të vetëm.
Mbaron universitetin në Trieste të Italisë dhe doktorohet në Shkencat Politike. Mbron temën historike: “700-a Veneciane dhe Shqipëria”, pa menduar aspak në atë kohë se e ardhmja e tij do të lidhej pikërisht me historinë, historinë e mesjetës Shqiptare.
Në vitin 1945, punon si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, ndërsa në vitt 1946-1948 e transferojnë në Gjirokastër, larg familjes së tij, ku jep lëndën e letërsisë në Liceun e atij qyteti.
Me hapjen e Institutit të Shkencave, thirret në Tiranë pranë këtij Instituti ku i caktohet dega e Historisë së Mesjetës. Në vitin 1953, më në fund, si i jepet një apartament banimi (një dhomë me një paradhomë të vogël, e një guzhinë po të tille arrin të bashkohet përsëri me familjen e tij të madhe prej 10 personash (e ëma, motra, gruaja dhe 6 fëmijët), në atë hyrje ku strehoheshin edhe katër familje të tjera, me korridor e banjë të përbashkët, tamam ambient i përshtatshëm për këtë historian, tashmë edhe të afirmuar. Aty, ai me familjen e tij jetoi e punoi për 40 vjet. Aty ai shkroi të gjitha punimet e tij, herë në stol, herë në një tryezë të vogël, e ndonjëherë edhe në prehër, duke u kërrusur gjithnjë e më shumë mbi dokumentat e historisë shqiptare, pa i trokitur në derë askujt…
Në vitin 1993, riatdhesohet në Itali ku deri sa vdiq, më 28 shkurt 1998, vazhdoi me ngulm punën e tij të nisur që në rini, duke lënë dorëshkrime të mrekullueshme familiare e të kohës, por edhe studime historike.
Me gjithë këtë punë të madhe ne dobi të historisë së Shqipërisë, atij nuk iu dha asnjë titull shkencor.
Në vitin 1995, më në fund, i jepet dekorata “Punonjës i shquar i Shkencës dhe i teknikës” nga Presidenti i Republikës Sali Berisha, me motivacionin: “Për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike”.
Edhe pse në moshë të thyer, mbi 80 vjeç, ai vazhdimisht shkruante, botonte duke lënë kujtime të vyera të jetës së tij, të mbushur me punë të mirëfilltë shkencore, por edhe me vështirësi e keqtrajtime, të cilat, me natyrën e tij të butë, fisnike e shume fetare, ai arriti t’i përballojë.
Amaneti i tij i fundit në prak të vdekjes (në Tivoli të Italisë) ishte që eshtrat e tij të preheshin në truallin shqiptar, të cilit i kishte shërbyer me devotshmëri dhe aftësi të admirueshme, për më tepër se 60 vjet.
…U varros në varrezat e Sharrës, pranë të ëmës, motrës Xhina dhe një djali foshnjë të tij ë vdekur, si një shqiptar i vërtetë…

Injac Zamputti në vitet e fundit
Injac Zamputti në vitet e fundit

Aktiviteti Letrar i Injac Zamputtit

Aktivitetin e tij letrar Injac Zamputi e ka filluar në moshë fare të re. Është autor i dhjetra e dhjetra shkrimeve, artikujve letrarë, kryesisht kulturorë, gjuhësorë, shoqërorë e poetikë, në shtypin e kohës, duke përdorur, përveç emrit të tij edhe pseudonime të ndryshme (si Ales, Notarios, Pol-Iglota, Rosea, Sila, Sirena, Stal, Z=i Zeta (j), R.N.)
Në vitin 1937, botoi në revistën “LEKA” melodramën “Damjani Himarjot”, e cila u botua më vete më 1943. Në vitin 1943, botoi librin e parë me novela “Zemra Njerëzish” dhe më 1944 librin e dytë me novela “Atje, nën hijen e Rozafës”, të cilën ja dedikoi: “Nanës seme, qi më përkundi në djep druni…”
Në vitet ’50, dhe fillimin e viteve ’60, merret përseri me letërsi. Shkruan tri drama, një melodramë, dy tregime të gjata, një poemë për luftën e Himarës të vitit 1481. Por nuk e lejojnë të botojë. Kështu detyrohet të heqë dorë, përkohësisht nga letërsia dhe t’i kushtohet vetëm historisë e paleografisë.
Iu kthye përsëri kësaj fushe të ndërprerë me vite, në 10 vjeçarin e fundit të jetës së tij. Në fund të viteve ’80, e ndjeu se po afroheshin ndryshime të mëdha dhe fillon ta zgjerojë aktivitetin e tij. Përkthen e boton në vitin 1989, librin “Burgimet e mija” të Pashko Vasës dhe merr pjesë në një emision televiziv, kushtuar figurës së atij rilindasi të madh…
Ndërkaq, në vitin 1993, boton dy veprat e tij të titulluara: “Fishta – Koha, Njeriu, Vepra” dhe “Ekskursion në dy vepra të Kadaresë”. Këto dy vepra, nën një frymë kritike miqësore dhe thellimi historik të fakteve të përshkruara, janë edhe veprat e fundit të botuara, të aktivitetit të tij letrar…
Por ai ka lënë disa dorëshkrime, të cilat me kohë, sigurisht qe do të shohin dritën e botimit.

Aktiviteti Shkencor i Injac Zamputtit

Në vitet e fundit të Kolegjit Saverian, së bashku e nën drejtimin e At Zef Valentinit, hedh bazat e albanologjisë shqiptare, e kjo do t’i shërbejë si bazë e mirë për studimet e mëvonshme historike të shumta të tij.
Me ardhjen në Institut, iu fut punës me seriozitet e pasion të paparë, sepse aty edhe gjeti mënyrën për të shprehur intelektin dhe bagazhin e tij kulturor si dhe mënyrën për të mbajtur familjen e tij, për të mbijetuar.
Ndër punimet e tij të para është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur “Anonimi i Elbasanit”, transkriptimi e komentimi i tij, duke e çuar se paku në shek. XVII lëvizjen e ritit ortodoks, për një liturgji në gjuhën shqipe. Po kështu zbërtheu alfabetin e panjohur të shek. XIX, të një poezie me përmbajtje bektashiane.
Më pas boton librin: “Përpjekjet Shqiptare për liri i pavarësi në shek. XVI-XVII”. Fillon të përgatisë kuadrin e ri për dokumentacionin e asaj periudhe edh u jep drejtime se ku duhet të shkojnë, në arkivat e ndryshme të Venecias, Vatikanit, Raguzës, etj. Ja sjellin këto dokumenta me mikrofilma e ai, nga fotokopjet, duke përdorur edhe lentet (lupën), i transkripton, i përkthen, i komenton. Kështu botohen disa vëllime në kuadrin e Institutit të Historisë, me relacione, regjistra e shënime të ndryshme të asaj kohe.
Një punë kjo kolosale, e papërsëritshme. Ndërsa ai vetë, koka e të gjithë kësaj pune madhore për historinë e Shqipërisë, nuk u lejua asnjëherë të dilte jashtë Shqipërisë, as për gjetjen e dokumentave të nevojshme e as për të marrë pjesë në simpoziume apo konferenca ndërkombëtare, ku ftohej edhe nominalisht nga historianët dhe shkencëtarët e huaj, të cilët e njihnin historianin Zamputi nga punimet e tij.
Shkolla që kishte kryer, kultura që kishte marrë në Shkollën Saveriane, origjina, kontaktet që kishte pasur para luftës (At Valentini ishte konsideruar reaksionar nga regjimi i diktaturës së proletariatit), besimi i spikatur fetar, e bënin për regjimin e Enver Hoxhës, person të dyshueshëm, që duhej mbajtur nën kontroll e mbikqyrje.
Ndërkaq, ai me punën e tij të palodhur, mbushi atë boshllëk të madh që ekzistonte në periudhën e historisë së Shqipërisë pas vdekjes së Skënderbeut, duke nxjerrë në pah organizimin e maleve për luftën kundër otomanëve, kuvendet shqiptare, kontaktet me Europën etj.
Konkluzionet e studimeve të dokumentacionit, botoheshin në formë artikujsh në revistën “Studime Historike”. Nga dokumentacioni i kohës zbulon e studion mjaft hollësi të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani e të humanistëve të tjerë shqiptarë si Barleti e Beçikemi.

Revista Studime historike 1983
Revista Studime historike 1983

Të periudhës 1960-1990 janë librat e botuar:
-“Relacione mbi gjëndjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shek. XVII (1610-1634)” – Vëll.I (1963);
-Me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut botohet: “Dokumente të shek. XV për Historinë e Shqipërisë (1479-1499)” – (1967);
-Seriali i librave “Dokumente për Historinë e Shqipërisë” për periudhat:
– 1499-1506 – pjesa e II – (1979);
– 1400-1405 – (1987);
– 1507-1592 – Vëll.I (1989)
– 1603-1621 – Vëll. III (1989);
– 1593-1602 – Vëll. II (1990);
– 1675-1699 – Vëll. IV (1990).
Disa nga këto vëllime janë me bashkëautorë.
Të gjitha këto vëllime janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatëse e me indekset e emrave të personave e të vendeve. Vetëm në këto vëllime dokumentash numërohen rreth 4500 faqe.
Vitet e zeza 1967-68 revolucioni kultural – e ai është në shenjestër për ideologjinë fetare, por mbahet akoma në Institut vetëm sepse, dokumentacioni i mesjetës do të mbetej edhe për shumë kohë pa u lexuar nga askush. E ai me pasion, i mbyllur në shtëpi, vazhdon e punon duke jetuar në botën e Budit, Bogdanit, Bardhit etj. Asnjëherë nuk ia njohën titullin doktor e diplomën e Triestes, megjithëse të gjithë e thërrisnin “Profesor”.
Viti 1988, është edhe punimi i tij me shumë interes për leximin e “Mbishkrimit të Arbërit” e të “Mbishkrimit të Brarit”, të cilët lexohen për herë të parë në mënyrë të plotë dhe që vendosin gurë themeli në historinë e popullit shqiptar. Në vitet 1995-1997 boton artikuj e studime me shumë interes në revistën “Hylli i Dritës”, për çështje të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe dhe, i fundit, për aksionin kolonizues të Dionisit e luftrat iliro-romake.
Injac Zamputi ka botuar shumë artikuj, studime etj. Përveç botimeve në “Buletinin e Shkencave” ai ka botuar edhe te revista “Studime Historike”, te “Studime Filologjike”, materiale këto me karakter historik, etik, gjuhësor, arkeologjik, sociologjik etj. Si një studjues për një kohë të gjatë i historisë shqiptare edhe i periudhës së pushtimit osman, ai ka bërë kujdes për visaret shpirtërore dhe fizike të popullit shqiptar, por pa cënuar aspak visaret e popujve fqinjë e njëkohësisht, pa nguruar aspak të kundërshtojë me këmbëngulje, shkencërisht, shtrëmbërimet historike të studjuesve të huaj dashakeqë.
Kështu kjo figurë madhore për Historinë e Shqipërisë, nga duart e të cilit u përgatitën edhe shumë studjues të tjerë e historianë të rinj të talentuar, mbeti në hije edhe pse nuk dijti t’i bënte lajka askujt në regjimin e atëhershëm.

(*Jozef Zamputti, është i biri i Profesor Injac Zamputtit)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.