back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Inkuizicioni mesjetar në mes të shekullit XX – nga Shaip Beqiri – Në Ditën e Lindjes së Shkrimtarit Kasëm Trebeshina

Gazeta

Kasem Trebeshina (1926-2017) - punim grafik A. Vataj
Kasem Trebeshina (1926-2017) – punim grafik A. Vataj

Inkuizicioni mesjetar në mes të shekullit XX

nga Shaip Beqiri

Në Ditën e Lindjes së Shkrimtarit Kasëm Trebeshina

X. Kërkimi i udhës drejt shekullit XXI

Kaptina X e bisedës së madhe te libri “Mozaiku i mbuzur”,
botuar nga SHB “Faik Konica”, 2022, Prishtinë, f. 478 – 591

-Tashti le të kthehemi tek problemi që e kishim. Pjesa tjetër është krijimtari letrare dhe burgje politike. U shkëputa përfundimisht nga komunizmi dhe fillova të mbyllem në vetvete e të gjej rrugët e vërteta të krijimtarisë. Kësaj ia kushtova gjithë vëmendjen: herë arrija të gjeja diçka nëpërmjet studimeve të së kaluarës, herë kapja ndonjë leksikon, ndonjë kritikë letrare për të verifikuar ato që kërkoja. Këtë e bëja duke trilluar vetë, duke u përpjekur për të krijuar, jam munduar të gjej rrugët drejt shekullit XXI. Por isha i vetëdijshëm se duheshin gjetur rrugë të reja. Dhe kërkoja të gjithë shtigjet që mund të çonin te shek. XXI. Kjo ishte detyra ime!
Në anën tjetër, në krijimtarinë letrare jam munduar që jo vetëm të mbetem gjithmonë te tradita, por të pasqyroj të gjitha tendencat historike të letërsisë shqipe gjatë këtyre pesë shekujve; të jenë të gjitha tendencat brenda. Për shembull, kam filluar që nga shek. XVI deri tashti, biles jam munduar që të kem edhe në metrikë variacione të ndryshëm. Pse e bëra këtë? Kisha idenë, e kam edhe tashti, që letërsia jonë nuk i ka kaluar kufijtë e saj në mënyrë natyrale; edhe në ditën që bisedojmë ne nuk i ka kaluar në mënyrë natyrale ata kufij. Unë kam dashur që letërsia t’i kalojë kufijtë e saj dhe të vijë te letërsitë e tjera në mënyrë të natyrshme: pa dhunë, pa paguar shteti, pa interesa politikë; domethënë që të tjerët të na duan thjesht për interesa tona letrare dhe të na pranojnë në gjirin e tyre letrar për atë vlerë thjesht letrare që kemi ne. Që të vete atje, unë kam menduar që të kem një bagazh të tërë të letërsisë sonë, të jem përfaqësuesi kombëtar i letërsisë sonë dhe të vete me tërë ata elementë të letërsisë sonë tek ata. Prandaj shkruaj në mënyrë tradicionale, në mënyrë popullore dhe në çdo mënyrë. Kështu e kam kuptuar unë; edhe të vjetrat, edhe të rejat. Kjo ka qenë përpjekja ime. Koha do të tregojë sa ia kam arritur kësaj në të dy drejtimet: në të kaluarën dhe në të ardhmen. Kjo ishte kërkesa ime që i vura vetes.

*Kjo është një kërkesë shumë e madhe, madje edhe së tepërmi pretencioze, sidomos kur nuk mungon mëtimi që të inkorporohet një shumësi kaq e gjerë, duke përfshirë të gjitha gjinitë, zhanret dhe llojet e letërsisë…!
-Pikërisht ky është pretendimi. Për shembull, në dramaturgji kam komedi situacioni, komedi karakteri, komedi festive; tragjedi, dramë, tragjikomedi. Të jetë e gjithë gama që ka dramaturgjia. Te poezia t’i kem të gjitha; te romani t’i kem të gjithë aty brenda tij.

*Domethënë për ju nuk është tema ajo që e imponon gjininë e llojin, por është intencë thjesht estetike për krijimin e një game të shumëfishtë apo totale?
-Pikërisht. Në këtë drejtim…

Kasëm Trebeshina dhe Shaip Beqiri
Kasëm Trebeshina dhe Shaip Beqiri

*Desha të thosha se ka autorë që thonë se e bëjnë në prozë atë s’e bëjnë dot në poezi dhe kështu me radhë…
-Kjo është e vërtetë. Por ky ka qenë shpëtimi im në këtë drejtim, them sipas meje gjithnjë. Shpëtimi im ishte ky: kur jam ushtarak jam vetëm ushtarak, nuk ekzistojnë të tjerat, dhe gjithë fantazia punon për të; kur jam letrar jam vetëm letrar, për të tjerat nuk interesohem; kur shkruaj poezi, drama për mua nuk ekziston, s’jam as dramaturg e as prozator; kur shkruaj një lloj poezie, të gjithë llojet e tjerë i mbyll në mënyrë magjike në sirtar dhe nuk ekzistojnë: ekziston vetëm ajo që kam përpara, tek e cila poetikën e saj e përmbledh te kjo. Sa ta mbaroj këtë, kjo u harrua, vjen tjetra… Unë i mbyll të gjitha gjërat. Mbetem vetëm me atë që kam përballë, zgjidh vetëm problemin që kam përpara. Kam një komedi feherike, ato të tjerat, bie fjala, janë të panjohura për mua, unë shkruaj atë. Pasi e mbaroj atë, ik dhe ajo. Hoqa dorë, për shembull, nga poezia, kam bërë prozën; nuk ekziston as poezia e as drama. Kështu kam bërë në jetën time vazhdimisht. Prandaj them që ia kam arritur që deri në njëfarë mase ta përfaqësoj letërsinë kombëtare me të gjithë llojet që ka një letërsi kombëtare.

*Do të doja të kthehemi te qasja kronologjike që kishim nisur. Mbetëm te vjeti 1954. Nuk mora një përgjigje më të hollësishme nga ajo që del te dëshmia e gjykatës së Tiranës, lidhur me arrestimin dhe ndëshkimin tuaj, tek e cila duket lehtësisht edhe motivi i pikëpamjes estetike i akuzës, ku përmendet qartë krijimi i një shkolle të re letrare.
-Edhe para burgosjes unë kam bërë ndonjë tentativë që të liberalizohet botimi i shkrimtarëve shqiptarë, të mos shikohet në mënyrë fanatike. Por në mënyrë të veçantë, pas burgut, me anë të miqve të mi, disa nga të cilët mblodhën edhe të holla, bëmë përpjekje për të botuar një antologji të plotë të letërsisë shqipe në Çekosllovaki. Nuk mundëm, se punët atje nuk ecën siç donim ne. Unë tjetër lidhje nuk kisha…

*Kush e ishte autor i asaj antologjie dhe a mund të thoni diçka për të?
-Antologjinë si skemë e kisha bërë unë. Do të përfshiheshin të gjithë autorët shqiptarë. Poezia shqipe do të paraqitej ashtu siç është, kurse për prozën unë ngulja këmbë që të paraqitej në këtë formë: t’i jepej një vend i merituar Mit’hat Frashëri për tregimet e tij, t’i jepej vendi që duhej Konicës për shkrimet e tij në prozë dhe në mënyrë të veçantë doja të vihej në dukje kontributi i madh i Kutelit dhe i Koliqit. Për Migjenin, ai kishte dalë, domethënë nuk ishte ndonjë gjë e veçantë ajo e tij… Ndërsa doja të pasqyroheshin aty – se historisë së letërsisë shqipe i duhen të gjithë – edhe ajo tendenca klasike e Et’hem Haxhiademit. Pse? Pavarësisht që klasicizmi tek ne erdhi me dy-tre shekuj vonesë (edhe në letërsinë ruse me vonesë erdhi), ishte një shfaqje. Edhe sentimentalizmi, që përfaqësohet nga Haki Stërmilli me atë që ka. Të tjerët le të jenë në vendet e tyre. Për dramën ashtu do të mbeteshin tentativat. Për shembull, adaptimet e Floqit, ato të dyja të Çajupit, ndonjë tentativë e Nolit dhe e Fishtës. Sepse ne duhet ta pranojmë që, sado ta fryjmë qoftë Nolin, qoftë Fishtën apo qoftë dhe Çajupin, dramë nuk kemi. Edhe madje mund të themi që dramë s’ka fare në asnjë kuptim. Me dramën jemi shumë poshtë. Domethënë që unë kërkoja që letërsia shqipe të përfaqësohej pa diskriminim.
Ishin rrethanat objektive që nuk e arritëm. [1992]

Foto: Takimi i fundit më 7 Kallnor 2006 në Tiranë: Kasëm Trebeshina dhe Shaip Beqiri

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.