back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Intelektualë në diktaturë Klodi Stralla (D.M)

Gazeta

Klodi Stralla
Klodi Stralla

 

Intelektualë në diktaturë Klodi Stralla (D.M)

Ka ndodhur edhe kështu…

Fragmenti i mëposhtëm është marrë nga libri me kujtime “Në panxhat e Sigurimit” i mësuesit të frëngjishtes Gaqo Peci, djali i patriotit dhe personalitetit politik korçar, Sotir Peci; ndaj të cilit dhe dy kolegëve të tij, muzikantit, matematicienit dhe mësuesit erudit Kiço Venetiku dhe piktorit të mirënjohur Vangjush Tushi, në vitin 1977, u inskenua një gjyq politik. Në sallën e gjyqit përveç dhjetra dëshmitarëve të pavlerë, u përballën me “armiqtë e popullit” edhe tre intelektualë të mirënjohur korçarë, deputeti – kompozitor Kristo Kono, poeti Vangjush Ziko dhe aktori i Trupës të Teatrit të Korçës, Aleko Skali. Pjesën e mëposhtme e kam sjellë besnikërisht nga kujtimet e autorit, duke përzgjedhur ato momente ku del në pah karakteri i ndryshëm i tyre, ndonse ishin përpara situatash të njëjta. Idea që dua t’ju përcjell është se: ndonse “daullja” ishte e njëjtë për të gjithë, jo të gjithë kishin të njëjtin zell për të kërcyer në ritmin e saj; disa e udhëhiqnin vallen, disa të tjerë, ju vinin pas; kishte edhe nga ata që bënin spektatorin, ndonse ishin të detyruar ta dëgjonin daullen dhe të jepnin përshtypjen se ju kishte pëlqyer!

Libri i Gaqo Pecit
Libri i Gaqo Pecit

“…Ktheva kokën nga vinte zëri. Ishte K.K. më këmbë, që kishte ngritur dorën dhe priste qe t’i jepej leja për të folur. Ky “shok”, që në çdo frazë kur fliste, do të përsëriste nja dy herë “që thua ti”, na ishte një goxha personalitet: deputet, kompozitor dhe për një kohë drejtues i korit të Pallatit të Kulturës dhe vite më parë edhe mësues i muzikës në shkollat e mesme. Kishte qënë mik i Enver Hoxhës, por dikur, sikurse kisha gjetur një dokument në AQSH, kur isha ngarkuar të meresha me historikun e arsimit në Rrethin e Korçës, kishte qënë “mik” edhe i Musa Jukës. Si kompozitor s’ia haje dot hakun, po në kulturë, linte shumë për të dëshëruar, zor se lexonte dy a tre libra në vit. Përditë, tërë mëngjesin e kalonte duke bërë muhabet tek pastiçeria më luksoze e qytetit. Nga mesdita kthehej në shtëpi, hante drekën, i hidhte një sy “Zërit të Popullit”, ia merte nja dy orë të mira me gjumë dhe pasdrekeve; kur ishte mot i bukur e shikoje të shëtiste bulevardit me bashkëshorten…
– Urdhëroni flisni shoku K., e nxiti me buzëqeshje gjyqtarja.
Kompozitori-deputet a deputeti-kompozitor, nxori nga xhepi një copë letër dhe ja bëri copë lëkurën Kiços, “këtij të pasionuari pas muzikës dekadente borgjezo-revizioniste” dhe “armikut të muzikës popullore”. Atë ç’kishte shkruar, e lexoi si ndonjë nxënës tetëvjecareje, pa ngritur sytë nga letra dhe si mbaroi së lexuari, e palosi fletën, e futi në xhep dhe u ul. Deputeti-kompozitor a kompozitori-deputet, dikur mik i Musa Jukës, sot i Enver Hoxhës, i dha dënimin kapital Kiços…”

“Pas K.K. e kërkoi fjalën poeti V. Z., mësues i letërsisë në një shkollë të mesme. Bir mikroborgjezi, i shkëlqyer në mësime, bukurosh, bjond, sykaltër. Studimet e larta i kreu në universitetin “Gorki” të Moskës, sepse qëkur kishte qënë në shkollë të mesme kishte shfaqur prirjet e tija poetike, duke i kushtuar një poemë Leninit dhe një tjetër Gjergj Dhimitrovit…
V.Z. ishte përgatitur mirë që në shtëpi . Edhe ai, si deputeti, nxori disa fletë nga xhepi dhe filloi të flasë për realizmin socialist dhe për veprat e pavdekshme dalë nga pena e pasuesve të kësaj metode. Ai bëri një parakalim shkrimtarësh sovjetikë duke e filluar nga Gorki e duke e mbyllur me Dimonovin. Pastaj foli për realizmin socialist në vendin tonë dhe profetizoi se e ardhmja i përkiste realizmit socialist. Ky diskutim a ky leksion ishte grusht kundër meje. Rolet i kishte ndarë me kohë Sigurimi. Kiçon do ta sulmonte deputeti-kompozitor, Vangjushin skulptori, mua poeti. Kësisoj u thyheshin brinjët bartësve të kulturës dhe të ideologjisë borgjezo-revizioniste në rradhët e arsimtarëve…”

“…Alekoja – ishte një i njohuri im. Kishte hyrë në Trupën teatrale të Korçës që ditën e parë të themelimit të saj. Duke qënë djalë me vullnet të madh, inteligjent dhe i ndihmuar nga regjizori veteran Sokrat Mio, ai arriti të dallohej në skenë. Shpesh me Alekon kisha shkëmbyer mendime mbi letërsinë dhe sidomos mbi teatrin . Kur pashë se edhe Alekoja kishte ngritur dorën dhe po i kërkonte trupit gjykues t’i jepej fjala, u çudita pa masë. ‘Edhe ky do të më sulmojë?’ – thashë me vete. Ai theksoi se duhet të kishe një botkuptim materialist, një kulturë të shëndoshë e një besim se e ardhmja i takonte socializmit që të mund t’i bëje ballë kësaj trysnie të gjithanshme që u bënte kapitalizmi intelektualëve të vendeve socialiste.
‘Për fat të keq, Gaqo Peci – tha ai, – nuk e kishte këtë botkuptim materialist. Ai është njëfarë romantiku i vonuar dhe nuk ka mundur t’i shpëtojë trysnisë së egër kapitaliste. Megjithatë, – tha, është qytetar luajal, mësues i mirë, luftëtar i progresit. Që në bankat e shkollës ka qënë antifashist i paepur, gjatë Luftës ka dalë partizan, po për arësye shëndetësore e caktuan mësues në fshatrat e Kolonjës. Mua personalisht më vjen shumë keq që ndodhet në bankën e të akuzuarve të armiqve të popullit, vend që nuk e meriton.’ I vetmi njeri që doli dhe foli një fjalë të mirë për mua, ishte ky. Duke më mbrojtur, ndoshta rrezikonte. Po ndërgjegja nuk e la të më bënte sehir aty ku ndodhesha.”

No comment!!

PS. Gjyqi dënoi me 25 vjet burg Kiço Venetikun, i cili vdiq aty pas pak kohë nga keqtrajtimi (helmimi); Gaqo Peci u dënua me 10 vjet burg dhe pas kryerjes të dënimit kaloj vitet e fundit të jetës tek çupa e tij në Berat; ndërsa Vangjush Tushi u dënua me 10 vjet burg dhe vdiq aty, në Ballsh. Ndërsa kompozitori-deputet dhe poeti i mirënjohur, vazhduan, edhe në kohën e demokracisë, të vjelin frutet morale të bëmave të tyre dhe nuk është çudi të jenë bërë apo të jenë propozuar për të qënë Qytetarë Nderi të Korçës!!
Kur punoja në Gjykatën e Korçës munda, të siguroj nga Arkivi, leximin e dosjes hetimore dhe gjyqësore të Kiço Venetikut, Vangjush Tushit, Gaqo Pecit dhe Krisanthi Venetikut. Kujtimet e Z.Peci janë një pjesë fare e vogël, por shumë e vlefshme, e kalvarit të vuajtjeve fizike dhe psikike të këtyre katër intelektualeve të mirëfilltë korçarë, nëpërmjet goditjes të së cilëve, ju dërgohej një mesazh i qartë gjithë familjeve korçare të traditës.

Një shënim: Përshëndetje z.Klodi Strallës për këtë informacion të munguar në shumë dekada, aq sa s’e kam ditur se egziston një libër i tillë!!
Në jetën time Kristaq Venetikun e njoha në Pallat të Kulturës ku ai më mësoi kitarrën me nota. Pas disa javësh kurs, Kristaqi u zhduk s’morëm vesh pse. Po kështu z. Vangjush Tushin e njoha më shumë se Kristaqin, sepse na bënte kursin e vizatimit në Pallat të Kulturës për dy vite. Ky burrë i ndërshem me kulturë dhe edukatë ka meritën që hapi Liceun e Pikturës në Korçë pas pune. U diplomuan shumë qytetarë korçarë, veçan ata që punonin në artistike… Nga mësuesit e qytetit isha i vetmi që ndoqa Liceun.
Të tre këta burra puro qytetarë korçarë, kanë qenë jo vetëm me talent dhe horizont, por edhe me përkushtim të math në arsimimin e qytetarëve të Korçës. Ishte dhe mbetet një krim shumë i madh, antihuman, eleminimi i këtyre tre talenteve të qytetit. Ata meritojnë bustet e tyre në Korçë… T’i njohin brezat që vijnë, të kuptojnë tmerret që ka hequr inteligjenca korçare dhe shqiptare… vetëm pse kishin horizont, kulturë, edukatë… Asnjë mëkat s’bënë në jetën e tyre. Eleminimi i tyre ishte fakt i paranojës së politikanëve të kohës, ndërsa zhdukja tyre kish qëllim futjen e frikës midis inteligjencës së popullit, sepse dihet kjo shtresë i kuptonte qartë djallëzitë e sundimtarëve. Bashkia e qytetit të Korçës nuk duhet i lerë këta burra të shquar pa bustet e tyre në qytet, githashtu organizatat qytetarë korçarë të ngrehin zërin me fuqi për t’i përjetësuar këta martirë me bustet e tyre në Korçë.
13 tetor 2013, SHBA Ligor Luarasi
(Marrë nga “Dashamirës të Mendimit”, 13 tetor 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.