back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Intervistë me intelektualin Lek Pervizi – Kozeta Zylo

Gazeta

Leonard Pervizi 2013 (Figura e Lekës në të djathtë)
Leonard Pervizi 2013 (Figura e Lekës në të djathtë)

Intervistë me intelektualin erudit Lek Pervizi

Këze (Kozeta) Zylo (Albalife)

Lek Pervizi, ose libri i kujtesës sonë kolektive… 

nga Jozef Radi

Kjo që ju paraqesim asht nji intervistë mjaft e gjatë me intelektualin erudit: Lek Pervizi, piktor i njoftun, shkrimtar, përkthyes, poet, drejtues i nji prej revistave ma serioze të kulturës shqiptare “Kuq e Zi”, e cila sivjet mbush 20 vjetorin e daljes së saj dhe që nji mbetet nji prej revistave ma kontribuese në fushën e kulturës, historisë dhe kujtesës historike, në të cilën përfshihet kontributi i krejt asaj shtrese intelektuale e të përndjekun në gjithë këtij çerekshekulli postdiktaturë…
Sigurisht, kjo intervistë mbetet nga ma t’bukurat, ma domethanset dhe ma interesantet që ka dhanë ndonji intelektual i përndjekun, sepse në njifarë mënyre te ai bajnë nyje shumë sivllazën të tij, dhe ai sot asht zadhanës i krejt asaj shterse intelektuale që u dhunue në mënyrën ma të pamëshirshme dhe që mediat e sotme përpiqen me e përcjellë në heshtje krejt kontributin e tyne…
E pikërisht për kët, Lek Pervizi ka nji meritë të jashtzakonshme, sepse duke fillue nga skicat e grafikat e vetme të kampit të shfarosjes në masë të Tepelenës e deri te poezitë e ruajtuna me kujtesë; duke kujtue veprat e shumta artistike në pikturë, deri te përkthimet e jashtzakonshme historike, duke vazhdue me librat biografikë e deri te vazhdimësia stoike e revistës “Kuq e Zi”… në shpërfillje të moshës, (edhe pse afron te tetëdhjetëepesë vitet), ai punon dhe lufton si të ishte nji djalosh, dhe kryen punë si të ishte nji institucion i tanë…
Mund ta tham jo pa krenari: se Lek Pervizi asht Libër i Gjallë i Kujtesës sonë kolektive, asht Njeriu Institucion i të vërtetave të nji kohe prandej kjo intervistë e gjatë do të mbesë në histori si nji nga dëshmitë ma të pashembullta të vlerave të njeriut, intelektualit dhe artistit të kompletuem: Lek Pervizi…
Kam pasë rast me e njoftë Lekën dhe familjen e tij qysh fëmijë, kam pasë privilegjin të rritem nën dritën e artit dhe kulturës së tij, kam pasë fatin që qysh në shkrimet e mia ma t’para, të kisha vërejtjet, dashamirsinë dhe entusiazmin e këtij intelektuali… dhe mundem me thanë pa aspak droje se nëse ka ndonji vlerë vepra ime… aty asht edhe hija e Lek Pervizit… E s’mundem ta kapërcej faktin se Ai ka qenë nji nga miqtë ma të afërt të tim eti dhe se vitet e gjata e të vështira të asaj jete e forcuan edhe ma shumë kët miqsi… Prandaj në kët intervistë të jashtzakonshme nga hapësina e diskutimeve dhe kandshikimi i kohnave… nuk mund të ndodhte ndryshe, pa e dhanë edhe të vërtetën e kësaj miqsie mes intelektualësh… Ndërkohë mund të shtoj se edhe i biri i Lekës, Leonard Pervizi, asht sot nji nga piktorët ma të njoftun shqiptarë në Perëndim! Për dy vjet rresht, nën kujdesin e Presidentit francez Holland dhe të Ministres së Kulturës franceze, Ai hapi  ekspozita personale mjaft të sukseshme në Champs Elisé…
Sigurisht për lexuesit e thjeshtë kjo intervistë e gjatë mund të duket edhe e lodhshme, por ju them se kush gjen forcë me i dalë deri në fund asaj, do të kuptojë shumë të vërteta që s’duhen kapërcye në heshtje dhe shpirtnisht do të ndjehet i pasun…

Lek Pervizi (1929)
Lek Pervizi (1929)

Patjetër meritë të veçantë për kët intervistë ka edhe zonja Kozeta Zylo e AlbaLife, e cila i ka përcjellë me mjaft dinjitet të vërtetat historike të këtij intelektuali të paepur… i cili edhe pse në kufijtë e 85 viteve, e vazhdon jetën si të ishte nji djalosh…
Urime në kët 20 vjetor të afërt të revistës “Kuq e Zi” dhe në 85 vjetorin e ardhshëm të Lek Pervizit, këtij intelektuali për t’u marrë shembull…
18 maj 2013

Intervistë me intelektualin erudit Lek Pervizi

Këze (Kozeta) Zylo (Albalife) 23.11.2008

Z.Lek Pervizi është një ndër intelektualët e shquar të Kombit, që provoi ferrin komunist, kalvarin e vuajtjeve, si i burgosur, internuar, me 16 viktima në familjen e tij, varret e te cilëva akoma nuk dihen, përveç nënës dhe vëllait të tij Gencit. Dhe janë me mijëra viktima të pafajshme që pësuan kët fat tragjik!
Kultura e tij e gjerë, por mbi të gjitha një bashkëshort shembullor, bënë që të gjente edhe çastet romantike… në internim njihet me gruan e tij Beben, emër që e pagëzuan vetë të internuarit, pasi ishte ndër fëmijët e paktë që i shpëtoi vdekjes në kampin e Tepelenës. “…Bebës i kërkuan të plotësonte një formular ku pranonte me shkue me t’amën e vllaznit në Mal të Zi. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës duke i thanë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën!!”.
Sot në moshën 79 vjeçare ai jeton i lirë, dhe bën një jetë aktive në Bruksel.  Eshtë botuesi i revistës “Kuq e Zi”, ku për 15 vjet rresht janë pasqyruar krejt ngjarjet më të rëndësishme të Kombit, si dhe figurat më të shquara të letërsisë dhe artit…

Kozeta Zylo 2010
Kozeta Zylo 2010

Ju keni jetuar ferrin komunist, cili ishte shkaku i dënimit dhe për sa kohë ndenjët në burg dhe të internuar? Shkaku kryesor i dënimeve që më përfshinë me gjithë familjen e fisin, ishte prindi im, Gjeneral Prenk Pervizi, i cili sa ishte në Shqipëri  i ishte kundërvenë regjimit komunist deri me 1946, kur u arratis jashtë shtetit. Si rrjedhim filloi persekutimi, i cili nisi me djegien e shtëpive në Laç e në Skuraj, si ne kohën e mesjetës, katër kulla gjithsejt, që ishin djegur dhe dy herë të tjera prej taborrëve turke,  bombarduar prej gjermanëve dhe së fundi  më 1944-1945,  u dogjën nga hordhitë barbare komuniste të ashtuquejtuna “çlirimtare”, që s’lanë  gja pa bërë mbi popullin e tyre, më keq se një ushtri e huaj pushtuese. Emërtimi “çlirimtar” ishte një gënjeshtër e madhe, që servirej për të mashtruar vendin e popullin.
Na konfiskuan pronat e grabitën pasuritë, bashkë me nji shtëpi tjetër në Tiranë, te blloku, rruga Vaso Pasha 19, që akoma s’na është kthyer. Na dëbuan nga shtëpia, në të cilën këshilli popullor futi disa partizanë që akoma e pushtojnë atë. Banesa ishte konfiskue me dekret qeveritar e me dekret duhej të kthehej, por kjo s’u bë; kemi 15 vjet me gjyqe pa kuptim. U internuam, së pari mama e gjyshja, vëllai i madh Valentini, oficer akademist, ishte arrestuar e burgosur që më dhjetor 1944 në Shkodër, ma pas edhe vëllai i dytë Genci, aviator,  ishte dënue 10 vjet. Unë si ma i vogli, shpëtova 5 vjetët e parë, pastaj në 1950, përfundova drejt e në kalanë mesjetare të Porto Palermos, me gjithë vëllanë Valentinin. Aty na pllakosën në guvat mesjetare të kalasë ku do të kishim lënë kockat bashkë me shumë të tjerë. Flinim mbi shtresën prej kalldrëmi gjithë lagështirë. Kthinat ngjanin si shpella ciklopësh. Ushqimi ishte për faqe të zezë dhe i pamjaftueshëm. Buka e qullosun. Filluen sëmundjet; kryesisht dizanteria.  U bë sebep një nëndetese greke që qarkulloi aty pari, dhe nji barkë transporti italiane që u kap, që na hoqën  e na çuen në Tepelenë.
Internimet në Shqiperi nisën që më 1945, fillimisht në Berat, për familjet Veriore dhe në Krujë për familjet Jugore. Gjithashtu u hap fjala se po i grumbullonin për t’i degdisun në Siberi, sipas nji plani sovjetiko-shqiptar. E vërtetë apo thashetheme, të internuarve ju hyri frika. Në vend të Siberisë më 1948, u krijua kampi famkeq i Tepelenës, ku u mbyllën në rrethim me tela me gjëmba për gjashtë vjet me mijra qenie njerëzore shqiptare të pafajshme, pleq e plaka, burra e gra, nana me fëmijë djepi, ku pati edhe lindje. Në atë kamp mizor vdiqën shumë fëmijë (33 fëmijë vdiqën vetëm në një natë) e pleq. Ajo gjendje nuk kurseu as burra as gra.  Të aftit për punë, i nënshtroheshin mundimeve skllavrore. Aty vdiq gjyshja ime 90 vjeçe, dy kushërinj dhe dy kushërira me fëmijët e tyre, sa i përket rrethit tonë familjar e fisnor.  Sigurisht që edhe familjet e tjera humbën të dashurit e tyne në ato kondita shtazarake. Ma e keqja, ajo makabre ishte se të vdekunve ua ndërruan tri herë varret, kastile me humbur gjurmët e varrezave të shumta që kishin mbulue vendin rreth kampit. Atyne varreve nuk u gjëndet ma gjurma. Në ato kushte skëterrore më erdhi frymëzimi me  përshkrue tmerrin që po përjetonin ato mijra viktima të pafajshme. Kisha bà edhe disa vizatime. Por nga një kontroll i rreptë që do bahej (më njoftoi nji njeri besnik) u detyrova me i djeg të tana. Në fakt i mori nana ime dhe i dogji në zjarret që ndiznin gratë për lamjen e rrobave të fëmijëve. Në disa raste ato zjarre shkaktuan plasjen e bombave të luftës italo-greke të mbetura nën dhe, pati të internuar që edhe u vranë. Edhe kjo nji pasojë e atij kampi.  Prej asaj dite  fillova t’i ngulis vargjet në mendje. Për t’u stërvitë  e mos humbë aftësinë e vargut poetik, u mora me përkthimin e Ferrit të Dantes, nga nji libër i “Komedisë Hyjnore” që ma dha një oficer italian i internuar edhe ai aty me ne. Ishte dhe nji anë justifikuese po të kërkonin se ç’shkruaja. Dante studiohej në shkollat shqiptare, pra njihej.  Letra nuk ekzistonte dhe unë mblidhja letrat e kaushëve të duhanit pleqve, te cilët i ruanin kastile për mua. Pasi mësoja vjershat e mija përmendsh letrat i digjja. Kështu munda me ruejtë përmendsh mjaft poezi. Pata mbledhë edhe vjersha rapsodike të krijuara nga vetë të internuarit, të cilat kam arritë t’i rindërtoj e t’i botoj në një vëllim “Lahutari Shqiptar”.

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Cilat janë disa nga poezitë, krijimet dhe pikturat tuaja që u krijuan gjatë kohës së izolimit, dhe si u bë e mundur ruajtja e tyre? Poezitë arrita t’i radhis e t’rindërtoj kur fitova lirinë në Belgjikë, në sajë të kujtesës së fortë që më ka karakterizuar gjithë jetën.  Poezinë e parë e kam krijuar përmendsh në nji birucë të burgut të vjetër ku më kishin izoluar në maj 1950, ku u arrestova.
Ajo poezi mban titullin, “Tinguj të Kobshëm”, e fillon me vargjet: “…Pushuen tashma kangët e rinisë…/ shpejt filloi në zemrën time brenga/   tinguj të kobshëm të nxjerrë prej lahutës…” Kjo poezi qëndron në ballë të librit, si një “prelud” ndaj tragjedisë së matejshme që do të shtjellohej  në librin e poezive me titullin: “Ankimi i Zanave”. E përdora kët titull simbas traditës së kangëve legjendare shqiptare, ku Zanat marrin pjesë në trimnitë e vuejtjet e heronjve të tyne, ju këndojnë trimnitë por edhe kjajnë për vuejtjet e vdekjen e tyre.
Më 1954, kampi i Tepelenës u mbyll, nga presioni ndërkombëtar, por u krijuan kampet e punës së detyruar, në fushat e Myzeqesë, ku të internuarit u kthyen në bujkrobër. Por disa prej nesh u izoluan përsëri, në kampin e të burgosurve në Shtyllas, duke hapë nji kanal faraonik. E prej aty na degdisën në Kuç të Kurveleshit të Vlorës deri më 1958, në izolim total.  Nuk ishim shumë, nja 100 vetë, por prej tyre 70-të ishin intelektualë me tituj të lartë, që i kishin shpëtuar ekzekutimit, e shumta shkodranë, ish-ministra,ish-diplomatë, profesorë, muzikantë, piktorë, fetarë, inxhinierë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, oficerë madhorë, agronomë, juristë, gjuhëtarë, përkthyes, etj, të cilët i kishin kryer studimet në shkolla e universitete europiane. Pra një elitë e tërë e aftë me drejtue Akademi e Universitete.  Kështu kampi i Kuçit pati fatin të kthehet në një universitet dhe akademi e katakombave, me një elitë të tillë të zgjedhur intelektualësh të lartë, si: Kardinal Mikel Koliqi, Dr. Ali Erebara, Dr. Mykerem Janina, Prof. Ali Cungu, Prof. Guljelm Deda, Dr. Izedin Beshiraj, shkrimari Dr. Mit’hat Araniti, oficerët akademistë Lin Deda,  Luigj Berisha, Isa Kokalari, Ded Jakova, Valentin Pervizi, Zef Pali, vllaznit juristë Baldasar e Zef Benusi, Dr. Sabri Quku, Prof. Dr. Lazër Radi, agronomët Kadri Borshi, Faik Selenica, Jakov Milaj. Inxh. Estref Frasheri, Dr. Ibrahim Sokoli, Dr. Mark Temali, Dr. Sami Hysi, Dr. Mihal Sherko, Dr. Nedim Kokona, ish ministri i arsimit  Zef Shiroka – (vllai i doktor Shirokës), diplomatët ambasadorë Pandeli Nase e Remzi Çela, Dr.Dilaver Tartari, gazetari Fiqri Llagami, Dr.Karlo Çoba, etj. etj. i përmenda gjithë këto emna, për të treguar, se si diktatura, pasi i kishte pushkatuar shumicën e intelektualëve, ata që mbetën i degdisi burgjeve e kampeve për t’i shuar fare. Në këto kondita ne të rinjtë përfitonim nga dituritë e këtyre figurave  të shquara të kulturës shqiptare. Të rinjtë me të cilët ndaja shoqërinë në atë kamp ishin Fatbardh Kupi, Viktor e Ernest Dosti, Musa e Tomorr Maçi, Tomorr Dine, Thabit Rusi, Ylber Starova, etj.
Unë vazhdoja me poezitë e mija, gjithmonë me metodën e fiksimit të tyre në memorie. Këtu pata vizatuar disa portrete  të atyre personaliteteve, skica në letra dosido, prej të cilëve me kanë shpëtuar disa, nja 10-15 copë. Eshtë gruaja ime, ajo që ka meritën  e shpëtimit të tyne. Ajo pothuajse lindi në internim, ku përfundoi me t’amën që në moshën e njomë, katër muajshe më 1948, prej t’atit të arratisur jashte shtetit, Nikoll Malaj nga Vermoshi. Përjetoi gjashtë vjet të Tepelenës, e shpëtoi falë fatit nga shfarosja e fëmijëve dhe i mbeti emri Beba, nji bebe qe kishte shpëtue në at konfuzion mortor, ku i ishte  ngatërrue edhe emri. Ajo quhet Gjuliana, por gjithë të internuarit e shoqnia e njohin për Beba. Me këtë emën ajo u bà legjenda e kampeve!!
Cilët miq dhe bashkëvuajtesit tuaj kanë qenë më pranë jush në kohën e burgut dhe të internimit dhe a komunikonit me ta për pikëpamjet tuaja? Për kohën e vuajtjeve, miqtë e dashamirët ishin pothuej të gjithë të dënuemit. Por meqë pyetja kërkon nji përgjgje konkrete, mund të them, se nji ndër bashkëvuejtësit  mik e shkue mikut, ka qenë Prof. Guljelm Deda, që ne e thirrnim Lemi. Ky intelektual i lartë arriti me përkthye në kondita aq të vështira të internimit, kryeveprën epiko-heroike kalorsiake “Orlando Furioso” (Orlandi i çmendur)  të poetit të madh italian, Lodoviko Ariosto, prej 40 mijë vargjesh me rimë, në 17 vjet punë të kurajshme. Ishte nji punë me mbajtë gjallë aftësinë e tij prej letrari e intelektuali të shquem, nji punë prej murgu. Ai konsultohej me mua, që megjithëse  i ri, kisha lexue krejt poemat e asaj kohe të Rilindjes së hershme italiane, me Dante, Petrarka, Bocaccio, Ariosto, Tasso, Bojardo, Pulci, etj. Kështu që kisha nji përvojë të fortë mbi letërsinë e gjuhën italiane, edhe at të vjetrën. Lemi kishte kalue 45 vjet dënim ndër burgje e kampe internimi, prej të cilëve 10 vjet së bashku me ne.  Miqsi të ngushtë kisha edhe me Mit’hat Aranitin, shkrimtar e gjuhëtar, përkthyes në shumë gjuhë, me një kulture poliedrike. Pastaj dua të përmend prof. Lazër Radin me të cilin kam punue gati 20 vjet herësi marangoz, herë si mekanik e dizenjator, po edhe Ibrahim Sokolin, Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazrreku, Ali Erebara, Ali Cungu, e mjaft te tjerë. Patjetër që komunikonim mes nesh lirshëm, zhvillonim edhe biseda pa asnji rezervë, nga ato “të rrezikshmet”. Ishte nji shoqni e fortë dhe e vendosun, ku njerzit ruenin cilësitë dhe virtytet ma t’mira të shqiptarit.
Me këta njerëz, ishte kultura që zinte vendin e nderit në çdo bisedë. Sigurisht se për ne të rinjtë si unë me shokë, ky kontakt me të tille intelektualë, vlente sa nji auditor universiteti ose akademi. Nji gjà më kujtohet mirë, se krejt temat e bisedave ishte se si do të vepronim në lirinë e fituar, kur të na lejohej shprehja e fjalës dhe e mendimit dhe Liria e qarkullimit në botën perëndimore. Flisnim për revista e gazeta që do të botonim, si dhe për ekzpozitat e pikturave që do të hapnim,  për botimin e librave, etje.
Nji perspektive në dukje e paarritshme, e supozueme, por që andrronim se mund të realizohej. Siç e shihni, në ato katakomba vlonte shpirti i qëndresës në forma të ndryshme. Kjo na jepte kurajo me shty ditët, deri sa të mbrrinte dita e shpëtimit. Kjo asht e gjitha!

Ariosto - Orlando i çmendun 2013
Ariosto – “Orlando i çmendun” 2013

Cilët shkrimtarë disidentë janë për ju shkrimtarë bashkëkohorë dhe a janë vlerësuar ata si duhet nga kritika e Letërsisë shqiptare? Eshtë nji pyetje shumë e zorshme. Disidenca në ato kondita të terrorit ma t’egër që mund të mendohet, s’mund të zhvillohej, as mund të guxonte  kush të bante sikur gjoja  zhvillohej.
As edhe nji shkrimtar shqiptar s’mund ta pretendojë të ketë qenë disident apo të jetë i përfolun si i tillë. Të mos harrojmë se si u shpreh shkrimtari arbëresho-argjentinas Sabato, kur erdhi në Shqipëri pas diktaturës: “I urrej ato shkrimtarë që kanë bashkëpunue me diktaturën!” E kishte fjalën për disa shkrimtarë shqiptarë që e mbanin veten si “disidentë” të padeklaruem, sepse po të deklaroheshin përfundonin keq, ose u pritej koka ose pllakoseshin në skëterrën e burgjeve e kampeve!|!
Flitet për disidencë pa e kuptue mire at veprimtari që në nji regjim totalitar duhej të zhvillohej që të merrte nji emertim të tillë, siç ndodhi me Havelin apo Pasternakun e Solzhenicinin. Po a kishte mundësi kjo në ato kushte të diktaturës totalitare komuniste shqiptare, ku vetëm me një shikim të diktatorit të shkonte koka për fiq? E jo ma të merrte formë  nji disidence sado embrionale? Them embrionale, sepse ajo çka quhej vigjilenca e organeve te Sigurimit e te partisë ishte aq e organizueme, saqë edhe fluturimi i nji mize kontrollohej, jo ma dikush të shpaloste shkrime e libra ose të fliste apo llomotiste sipas qejfit e në kundërshtim me vijën e partisë e të qeverisë!!
S’po përmend emna, por sipas mendimit tim, duhen vlerësue ma tepër ata shkrimtarë dhe artistë, që qëndruan kundërshtarë të regjimit dhe u dënuan! Edhe pse u dënuan, ata mbajtën nji qëndrim të pamposhtun, duke iu kushtue nji krijimtarie  të fshehur mendore, që në rast se zbulohej ose spiunohej, u kushtonte dhe jetën, siç ndodhi me dy poetët e rinj, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka dhe së fundi me poetin Havzi Nela ose shkrimtarë si Astrit Delvina, që dihej botnisht se shkruente, por jo për lavdinë e partisë e të shokut Merhum!! Astriti përfundoi në burg. Nga vuajtjet e torturat u sëmur aty. Mori kancerin dhe vdiq sapo  u lirua më 1990. Ku futet ky shkrimtar? Pse nuk qenka i përshtatshëm të quhet disident? Aq edhe ma mirë të quhet kundështar. Ka ma nder. Kemi të tjerë si Nikoll Mazrrekun (me të cilin ndava Tepelenën e Lushnjen), i cili ka shkrue libra në gjendje burgu. Dorëshkrimet e tij i nxorrën të burgosunit me marifete të pamendueshme, duke rrezikue edhe jetën e tyne, po të zbuloheshin. Ku janë ato dorëshkrime e pse nuk botohen? A s’qenka disidencë kjo të krijosh e të shkruesh në gjendje burgu e internimi? Dikush më kërkonte të më shpjegonte, se disidentë quhen vetëm ata shkrimtarë e intelektualë komunistë, që kundërshtojnë partinë dhe sistemin e tyne dhe i kundërvihen me vepra shkrimore apo artistike, partisë. Po si qenka e mundun që nën diktaturën komuniste në Shqipëri t’i lejohej këtij farlloj disidenti komunist “ndaj partisë e sistemit” që te shkruej e të botojë vepra që s’ndjekin vijën e realizmit socialist? Pra kalojmë në nji gjendje absurditeti. Kurse te tjerët që u mbyllën në burgje e kampe, duhet të quhen shkrimtarë kundërshtarë. Sepse s’janë disidentë ndaj partisë dhe regjimit, por e kundërshtojnë atë e prandaj janë dënue. Këto janë dokrra që krijohen enkas për te krijue konfuzion dhe me nënvleftësue ata që mbajtën peshën e randë te Kryqit mbi shpatullat e tyne, njikohsisht për t’ju njohë ish-shkrimtarëve komunistë të drejtën me çue përpara letërsinë e kulturën shqiptare, siç po ndodh edhe sot.
Përfundimisht, unë personalisht s’e kam dallue as e dalloj nji disidencë të mirëfilltë, bile as edhe nji pseudodisidencë të meritueshme me u quejtë e tillë. Do t’ishte mirë që vëmendja e kritikëve dhe shkrimtarëve që merren me studimin e letërsisë, të përqëndrohej mbi kët kategori shkrimtarësh të dënuem e të masakruem. Kaq kisha me thanë!!

Lek Pervizi: Beteja e Fushkuqes 1457 (288-160)
Lek Pervizi: Beteja e Fushkuqes 1457 (288-160)

Cilët shkrimtarë shqiptarë do të vlerësoni në kohën e diktaturës dhe postdiktatoriale? Që nji shkrimtar të vlerësohet duhet që vepra e tij të pasqyrojë anën e mirë të shoqnisë dhe të dënojë anën e keqe të saj. Në kuptimin që të ruaj ato vlera të mirëfillta që shprehin lirinë e mendimit e të fjalës, të veshur me art, të dyja këto në shënjestrën e censurës së nji sistemi diktatorial.
Nga ana ime, mbaj mend (e them për krahasim) kur vazhdoja studimet në Itali, në Romë, nën regjimin fashist kishte lindë e zhvillohej një linjë letrare, zàdhanëse e asaj diktature, (siç ndodhi edhe te ne)  që nuk honepsej nga lexuesit, të mësuem me lexue vepra të paangazhueme me ideologji, ku liria e fjalës dhe e mendimit shprehej nëpërmjet talentit dhe aftësive letrare te shkrimtarëve. Kështu, lexuesi italian, lexonte kryesisht veprat e përkthyeme nga vendet e tjera perëndimore, ku përparësi kishin shkrimtarët anglezë e amerikanë, si Kronin, Shteinbek,  Leëis, Mitchell, Galsëorthy, ëalpoole, Mann, etj. E për çudi edhe Shollohovi me Donin e Qetë, disa shkrimarë hungarezë, si Foldi, Zilahy, Kölmendi, Herzog, etj. Gjermanët si Fallada, Rilke, Remarku, etj. Preferoheshin romane, ku stili letrar ishte i përsosun dhe i lidhur me formën dhe përmbajtjen e lirë.  Aq të shpëlamë ishin librat e autorëve konformistë të fashizmit, plot lëvdata e propaganda për sistemin, sa që s’i blinte as i lexonte kush, dhe unë nga ana ime s’mbaj mend të kem lexue ndonji të tillë. Aq neveritës ishin ata, siç ishin neveritës dengjet e romaneve të epokës së diktaturës, fund e krye propagandë komuniste. Edhe pse në anën tjetër propaganda fashiste i ngrinte në qiell si shkrimtarë të mëdhej (siç ndodhte në Shqipni). Tani ato kanë përfundue në koshin e plehnave e s’ua di kush as emrin, as përmenden kund në ndonji bisedë letrare. U është vënë viza. Nuk vlenin sepse i kishin shërbye nji sistemi diktatorial të urryem.
Tek ne po ndodh e kundërta. U orvatën që me çdo kusht të vlerësohen po ata shkrimtarë e krijues ish komunistë, që veprat e tyne i kanë kthye në propagandë të partisë në fuqi e të diktatorit sundues, me justifikimin se e pasqyrojnë at epokë!!
Prandaj nji letërsi e kushtëzueme ideologjikisht e në shërbim të nji sistemi që ka shtypë e terrorizue popullin e vet, s’ka si të marrë kunorën e lavdisë. Unë për vete time s’mund t’i radhis në radhën e shkrimtarëve të mirëfilltë, që veprat e tyne ua kanë kushtue subjekteve të lira dhe i kanë trajtue me aftësi profesionale e me  frymëzim të lirë.
Shkrimtarët e kohës së diktaturës s’kanë si të vlerësohen as mund të vlerësohen, veçse negativisht, si konformistë dhe në shërbim të atij sistemi, si përçues të ideologjisë dhe parimeve të imponueme të komunizmit. Çdo vepër e tyne ka veprue si gryka e automatikut që ka vra shkrimtarë, poetë, artistë e intelektualë shqiptarë me vlerë, vllezën të tyne. Ajo letërsi mund të quhet letërsia e mohimit, sepse mohoi kryesisht lirinë dhe të drejtat e njeriut. Mohon popullin e vet dhe krejt kulturën e mirëfilltë shqiptare.
Tash, mbas komunizmit, jemi në nji fazë kërkuese, prove, orvajtjesh. S’ka dalë akoma  shkrimtari i madh që të pasqyroje epopenë  tragjike të nji populli të tanë. Aftësia e shkrimtarëve të mëdhej, është me pasqyrue ato vlera të mëdha të nji populli, që në rastin tonë, janë qëndresa vetmohuese e bijve ma të denjë të tij, në luftën e së mirës kundër se keqes, e lirisë dhe e demokracisë kundër diktaturës.
Kthehemi gjithmonë te Iliada e Homerit, te Lufta e Trojës, që mishëron të gjithë luftnat, por që merr kuptimin e paraqitjes së botës së vjetër me gjithë mjedisin e saj e personazhet, që u përjetësuen nga ai poet i madh. Ajo mbetet kryevepra e përhershme e qytetnimit botnor, që frymëzoi e frymëzon të tanë shkrimtarët pasardhës. Por të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, janë përfaqësues të kohëve që jetuan. Homeri, Virgjili, Dante, Ariosto, Firdusi, Shekspiri, Omar Kajami, Cervantes, Goethe, Hugo, Balzak, etj. na dhanë epokat e tyne  me nivel të lartë artistik.
Na dhanë jetën, medimin, traditat, botëkuptimet,  njerzit e thjeshtë e të shquem, pra botën e tyne shpirtnore e materiale, me të cilën ne njihemi e marrim mësim. Në kët kontekst, edhe  Gjergj Fishta,  quhet poet i madh  kombëtar, pse na dha at botë shqiptare, shpirnore, materiale, njerzore, në  nivelin e nji epopeje epiko-heroike të nji kohe që s’përsëritet mà. Lahuta e Malcisë përban nji fakt unikal, ku u pasqyrue dhe u vulos bota e traditave, luftnave, zakoneve, dokeve e kanuneve, heroizmi, krenaria, vetmohimi, trimnia, besa e burrnia, bukuria e karakteri i femnës shqiptare, etj, veti e virtyte që s’janë mà. Na dha personazhe të nivelit heroik si herojt e Iliadës… figura të përmasave homerike, si Oso Kuka, Mic Sokoli, Marash Uci, Ali Pasha i Gucisë, Tringa, etj. jo më kot u quejt “Homeri Shqiptar”, Dostojevski i anatemuem zuni vendin e vet në podiumin e nderit… Prandaj na duhet nji Bjelinsk shqiptar, ose disa Bjelinskë, me vù rregull në letërsinë tonë.
Do të thoni, pse kaq skeptik dhe kundërvenës ndaj shkrimtarëve që i shërbyen regjimit dhe atyre të postdiktaturës. Si mos te jem i tillë? Kam njohë talente të vërteta,  që mund të ishin bà shkrimtarë, poetë  e artistë të nivelit ma të lartë. Por sistemi i degdisi me hapë kanale, me tha këneta, me prashit misër e lakna. Njoh nji të ri të talentuem, piktor, të cilin “lufta e klasave” ia mohonte meritat dhe e çoi me gërrye arat e parcelat e bujqësisë, pa asnji të drejtë studimi artistik.  Më 1990, ai kalon në botën perëndimore, dhe pranohet menjëherë e pa konkurs, në nji akademi arti prestigjoze, ku shkëlqen e dipllomohet me notat ma të larta, me çmim të para në pikturë. Tani është piktor i afirmuem, bile ka hy në enciklopedinë e artistëve të atij vendi!!
Shqipëria vazhdon mos me e njoftë, sepse i përkiste asaj shtrese që ishte persekutue. Ato talente që hynin në radhën e të deklasuemve e të dënuemve, kosa e diktaturës s’i kurseu, i zhduku nga faqja e dheut dhe ua mori jetën ma aktive. Sot, ata që s’vdiqën, mund të jenë pleq që mezi ecin, që mezi shohin, ose që u dridhet dora, ajo dorë që në liri do të kishte qendisë vepra artistike të mrekullueshme. Prandaj e kam zorshme me dhanë mendime kur shapi asht i përziem me sheqerin. A thue ka me dalë dikush i aftë që ta bajë kët punë?
Po e përfundoj me nji dëshmi të rrallë, nga nji mik i imi profesor e shkrimtar, bashkëvuajtës, që mbasi e kishin dënue disa vjet dhe liruen, nuk kaloi shumë dhe e arrestuan përsëri dhe u gjet para shefit të degës të qytetit të tij. Shiko i tha shefi, t’i njohim e t’i vlerësojmë aftësitë, prandaj partia ka mendue me ta dhanë dorën! Do të emnohesh profesor dhe do të keshë mundësi të shkruash e të botosh libra. Me nji konditë: të pranosh bashkëpunimin me Sigurimin e me institucionet e partisë. Qysh tash je i lirë të japësh mësim si profesor e të tregosh aftësitë e tua letrare, po qe se firmos kët dokument. Miku im u përgjigj se nuk e pranonte kurrsesi at lloj propozimi të turpshëm. “Paç veten në qafë, – i tha shefi – të pret ose pushkatimi ose të kalbesh gjithë jetën në burgje e kampe internimi!” Ja ku më keni, më vrisni që tani, më dënoni sa të doni, po at turp s’ia lejoi vetes. Nuk e pushkatuen, por gjithë jeta i kaloi në burgje e internime, ku u sëmur randë dhe mbas ngjarjeve të 90-s vdiq.  Pra, kishte edhe nga ato burra që s’u bënte terr syni para terrorit të diktaturës!!
Ju keni 15 vjet që drejtoni revistën “Kuq e Zi”, cili është kontributi i kësaj reviste në Diasporë, dhe cilat janë temat që zënë një vend të gjerë aty? Koha kalon shumë shpejt në botën e lirë, dhe 15 vjetët e revistës me duken si 15 ditë!!
Ideja e nji reviste, siç e kam thanë, kishte lindë qysh në at kohë të dënimeve, ku shpresa për nji lirim të plotë, s’ishte shue kurrë… dhe ja që e fituem edhe lirinë dhe dolëm në kët vend, në Belgjikë, ku shqiptarët kishin gjetë strehim politik, qysh me kohën e Faik Konicës, e ku kishte pa dritën revista e famshme “Albania”, nga 1897 deri 1903, e që vazhdoi me dalë në Londër deri më 1909. Pra, qysh nga koha e asaj reviste kishin kalue 100 vjet, e nji tjetër shtyp shqiptar i atij lloj s’ishte dukë kund, as si nji fletë e vetme letre.
Ne erdhëm në Belgjikë, më tetor 1990, dhe nuk m’u desh shumë kohë me kuptue mangësinë e shtypit shqiptar. Fillimisht isha i zanun me redaktimin e poezive të mia të kohës së burgjeve e kampeve, që arrita t’i mbledh në nji libërth: “Ankimi i Zanave”, të cilin e përktheva në dy gjuhë të tjera që i zotnoja, frëngjisht dhe italisht. Pastaj iu vura punës me krijue revistën. Punë që e mora përsipër vetë, mbasi isha mjaft i prirun dhe praktik për të tilla gjana, njikohësisht si piktor, më lehtësohej detyra. Kështu, në tetor – nantor 1993, doli numri i parë, sigurisht me pakicë, që i shpërndava ndër shokët e tjerë të vuejtjeve, si Guljelm Deda, Mark Dema, Mikel Koliqi, Lazër Radi, Ded Gjomarkaj, Eugjen Merlika, Nush Radovani, Gjosho Vasija, Injac zamputi, At Zef Pllumi, Hans-Joachim Lanksch, e të tjerë, që më uruen për kët nismë. Po ashtu i dhurova dhe bibliotekës kombtare e bibliotekave të tjera,  dhe disa figurave të njohura të diaporës, si Prof. Arshi Pipa, Nermin Vlora, Sali Toptani, Dervish Duma, Ton Koka, etj. Të gjithë sa përmenda deri sa qenë gjallë, u banë anëtarë nderi e bashkëpunëtorë, dhe ky është nji nder i madh që i mbetet revistës.
Revista mori përsipër me zhvillue nji kulturë të shëndoshë të bazueme mbi parimet e Rilindasve, si nji tribunë e vërtetë shqiptarizmi. Ajo trajton tema të ndryshme, kulturore, letrare, historike, gjuhësore, dokumentare, e të tjera fusha të kulturës shqiptare e botnore, por kryesisht ato çështje që u përkasin shqiptarëve. Botohet pa qëllime fitimi dhe gjithë ata që punojnë për të e bajnë falas. Nji rast unikal për të cilin krenohemi.
Pra randësia e revistës, qëndron në faktin që ajo në njifarë mënyre vazhdoi në gjurmët e Konicës, dhe me kambëngulje u botue kaq vjet rresht dhe mendon se do të vazhdojë edhe për shumë kohë.
Në 15 vjetorin e saj, revista gjen rastin nëpërmjet jush, t’ju urojë bashkatdhetarve kudo janë, mbarësi ne familje e jetë, e suksese në detyrë, në punë dhe në veprimtarinë e tyre intelektuale në dobi të Kombit Shqiptar.
Në prag të festës kombtare, Gëzuar festën e Flamurit e të 28 Nëntorit.
Cilat janë librat tuaja të botuara dhe a keni gati ndonjë për botim? Mbasi mori udhë botimi i revistës, u përqëndrova në shkrimet e mia, ku më dolën shumë variante e detyra: Së pari duhej shkrue për at kohë dhe për at pjesë të historisë shqiptare që ishte mbulue me harresën deformuar e sakatuar, duke qenë vetë dëshmitar i shumë fakteve, nëpërmjet prindit tim, Gjeneral Prenk Pervizi, një figurë prestigjoze ushtarake që kishte përcjellë gjithë historinë e re shqiptare, nga 1918 deri kur vdiq më 1977, në Belgjikë, ku kishte gjetë strehim politik, si rrjedhim duhej shkrue edhe biografia e tij e plotë.
Duhej shkrue për denimet, burgje e kampet, për kujtimet e mia, për vllaznit e familjen në tansi, por ja që liria të jep shumë mundësi dhe të hap të gjitha dritaret e dyert e mundshme të bibliotekave e të arkivave. I dhanun edhe mbas historisë, e mbas figurës kombtare të Gjergj Kastriot Skanderbeut, përkrah të cilit kishin luftue të parët e mi, ja që më bie në dorë vepra origjinale e Dhimitër Frangut, këshilltarit e shoqnuesit të Skanderbeut, që i kishte ndenjtë pranë gjithë kohën  e luftnave dhe të veprimtarisë së Princit të madh krutan. Menjiherë e përktheva dhe e botova në Shqipni, si nji dokument faktik i jetës dhe veprave të Skanderbeut, me hedhë poshtë gjithë trillimet dhe hamendjet për të, që filluen me përhapë paturpësisht disa individë pseudohistorianë,  fatkeqësisht shqiptarë, sepse të huajt edhe mund ta banin at punë, por për çudi s’e kanë bà, në të kundërt u kanë thurë lavde. Akademia dhe Instituti i Historisë me historianët e njihnin veprën e Frangut, por s’i kishin dhanë randësi duke ngritë në qiell si ‘bibël” veprën e Barletit. Ndërsa Barleti vetë e kishte marrë (vjedhë) veprën latinisht të Frangut, duke ndërtue veprën e tij mbi të, e duke i shtue rrëfime absurde e fantastike dhe fjalime të pavend të Skanderbeut.
Për kët përkthim pata nji vlerësim dhe Unioni Kombëtar i Artistëve më dekoroi me nji çmim.  Historianët dhe akademikët mbetën gojëmbyllë, sepse kishin shkelë të drejtën eskluzive të At Dhimitër Frangut, si shkrimtari i parë që shkruejti veprën e parë, jetën e veprat e Skanderbeut, e cila ma vonë u përkthye italisht, dhe njohu botime të shumta, 17 vetëm në Venecia, si dhe të tjera në vende të ndryshme europiane. Kjo s’i heq asgja veprës së Barletit, por është mirë që haka të shkojë te i zoti. Përkthimi u realizue nga italishtja e vjetër, ku isha mjaft i thelluem duke pasë lexue pothuejse krejt librat e asaj kohe, nga Dante e ma vonë.  Kështu më doli prap punë me përkthye nji autor e historian italian të Rilindjes, 1531, që dhe ky kishte përvetësue librin latinisht të Frangut dhe e kishte përkthye e botue si të vetin. Ky ishte Paolo Jovio, peshkop i Noçerës dhe koleksionist i madh veprash artistike, portretet e njerzve të shquem, ku figuronte dhe portreti i Skanderbeut, që quhet ma i sakti dhe që është ai që ruhet në “Galeria degli  Uffizi” në Firenze.
Kjo valë përkthimesh më shtyu me përkthye nga frëngjishtja nji libër mbi pellazget e  pasardhësit e tyne, që simbas autorit, Eduard Shnaider, ishin Shqiptarët. Libri ishte botue në Paris më 1894. Duke qenë se e ndjek fillin historik të prejardhjes së shqiptarëve nga Pellasgët, e përktheva dhe është gati për botim, vitin e ardhshëm. Edhe libri i Paolo Jovios është për t’u botue. Gjithashtu për botim kam nji libër mbi babën tim, sipas relacioneve të tia origjinale për luftën e Abisinise 1935-36, ku ai përfaqësonte Shqipninë në Komisionin e Vëzhguesve Ndërkombtarë dhe manovrat e Mëdha. Kam dhe librin “Lahutari Shqiptar”, nji përmbledhje kangësh rapsodike popullore të krijuara nga të burgosun e të internuem nën diktaturë. Nji libër me randësi unike, sepse aty shprehet fjala e mendimi i popullit. Nji tjetër vepër origjinale e imja për botim,  është edhe nji libër mbi historinë e shqiptarëve, nga origjina deri më sot, sipas nji teorie të re. Kët libër e kam çue për botim frëngjisht në Paris, sepse e kam shkrue fillimisht frëngjisht, duke pa se historia e  Shqipnisë nuk njihet fare në vendet e huaja, me titull “Albanie, pays à connaître” (Shqiperia vend për t’u njohur). Kam në shkrim e sipër, nji përmbledhje poezish të krijueme në kushtet e reja të lirisë, si dhe të tjera lidhun me familjen, si nji poemë familjare në tingëllima njimbëdhjetë rrokshe. Monografitë e vllazënve të mi, Valentin e Genci, të dy të vdekun, Genci – në kampin e Gradishtës, pas 42 vjet burgje e kampe, dhe tjeri, Valentini, që pas 47 vjet burgjesh e kampesh, u bashkue në Itali me të shoqen italiane,  dhe ku vdiq me 1999, në Bologna.

Lek Pervizi: Zdrukthtar...
Lek Pervizi: Zdrukthtar…

Ju keni qenë një jetë të tërë burgjeve, internimeve, çfarë tmerresh do të kujtonit më së shumti për atë kohe? Kjo pyetje e ka përgjigjen direkte. Tmerri që nuk mund të hiqet nga kujtimi është terrori që u ushtrue mbi intelektualët shqiptarë që u zhdukën nëpërmjet pushkatimeve me dhe pa gjyqe, që u burgosën masivisht duke iu nënshtrue punës së detyrueshme shumë të randë, sa ato kampe pune u quejtën edhe kampe shfarosjeje. Tmerri i kampit të Tepelenës, që u bà sinonim i terrorit që ushtrohej mbi qenie njerzore krejtsisht të pafajshme, si pleq e plaka, nëna e fëmijë, burra e gra, familje të tana,  nga të gjitha anët e Shqipnisë, pa dallim.
Por tmerri ma i randë është ai personal, ku të dashurit tanë vdiqën në ato kushte mizore: gjyshja, quhej Nanëvogla, që vdiq në kampin e Tepelenës, 90 vjeçe. A ka akuzë ma të randë për kriminelët? Sa pleq të tjerë si ajo humbën jetën, e varret nuk u gjenden? Mama, edhe ajo e internuar me 1945, njohu vetëm kampe internimi nga Berati, ne Tepelenë, Porto-palermo, Gradishtë e Plug të Lushnjes, ku vdiq më 1977, në moshën 77 vjeçe, mbas 32 vjet internim. Vllai Genci, i cili vdiq në Gradishtë të Lushnjës, më 1989, mbas 42 vjet burg – internim. Me vdekjen e pjesëtarve të familjes  dhe të kushërinjve në Tepelenë, me të vramë, të pushkatuar e të vdekun në burgje e kampe, familja jonë e pagoi me 16 viktima: 12 burra, dy gra e dy fëmijë, varri i të cilëve, përveç të mamës e të Gencit, s’dihen ku janë. Këtyne, t’u shtohet eliminimi i  njerzve, besnikëve e miqve tanë. Janë me dhjetra që u pushkatuen. Ndër ta shume intelektualë, të cilët u zhdukën pa lanë gjurmë, disa prej atyne figurave të shqueme vinin në shtëpinë tonë: si Gjeneralët Aqif Përmeti e Gustav Mirdashi, Patër Anton Harapi, Patër Lek Luli, Dom Shtjefën Kurti, Cen Elez Ndreu, Patër Klement Miraj, Mark e Llesh Gjomarakaj, Dom Ndue (Anton) Zogaj, të gjithe të pushkatuar.
Si e pritët vdekjen e Enver Hoxhës, dhe ku ishit në atë kohë? Ishte nji lajm i papritun që na solli nji lehtësim shpirtnor.  Diktatori u hiqej qafet shqiptarëve, mbi të cilët kishte ushtrue terror të papamë gjatë 40 vjetëve. Ngjallej shpresa e nji ndryshimi që duhej ta çonte Shqipërinë në drejtimin e saj të natyrshëm, drejt Europës. Nji e keqe e madhe i hiqej Shqipnisë. Njerzit s’e përmbanin në vetvete at ndjenjë lehtësuese që ishte edhe nji shpresë e gëzim për nji shpëtim t’ardhshëm. Të gjithë, edhe vetë komunistët, paçka se derdhnin lot krokodili, edhe ata e ndjenin  shpëtimin nga hija e tij e randë që peshonte si shpata e Demokleut edhe mbi ta, e që kishte qërue hesapet edhe me shumë prej tyne!!
Unë gjendesha në shtëpi me gjithë gruen e djalin e vogël, 9 vjeç. Lajmin e morëm nga radio. Nuk lëvizëm fare nga shtëpia. Por pak ma përpara kisha pasë punë te zyrat e sektorit, dhe po vëreja se ata të zyrave më shikonin sikur s’më kishin njoftë kurrë. Ata e paskan ditë dhe kërkonin të kuptonin nëse unë dija gja a jo… dhe nëse dija, çfarë shprehje kisha, i gëzuar apo… hiç asgja. Ec e merre vesh se ku iu shkonte mendja!!
Të nesermen në mëngjes herët, kisha dalë para zyrave ku më bahej apeli. Isha i vetmi që bëja apel dy-tri herë në ditë aty në Plug. Bante ftohtë dhe kisha veshë pallton. Prit e prit, kryetari i Këshillit s’po dukej. Kur ndigjoj nji zà, ai kishte dalë në dritaren e pallatit kundruell, ku banonte e ma bante me dorë që të shkoja.
Të nesërmen, brigadat mbajtën nji mbledhje ku u tha se: Lek Pervizi, ndërsa bëhej ceremonia mortore, shetiste si kapadai, poshtë e lart sektorit nga gëzimi. Ndërsa për gruan time, kishin thanë se ajo ia kishte marrë kangës duke këndue arie operash në fushë!! Çështja ime u mbyll, sepse ishte kryetari i këshillit që e dinte se unë isha duke prit apelin pa luajtur vendit. Kurse gruan e banë problem. Erdhi operativi, i cili thirri ato vajzat që kishin nxjerrë llafin e kangëve e që punonin në nji brigadë me gruan time, për me ba nji proces-verbal për incidentin. Me at proces verbal gruaja mund të arrestohej e të dënohej.
Operativi u kërkoi vajzave të tregonin të vërteten sepse përndryshe e çonin shoqen e tyre në burg. Ishte sekretarja e partisë së sektorit që e kishte kurdisë at punë. Kur operativi i pyeti vajzat, se a kishte këndue Beba at ditë në fushë, ato i thanë se Beba këndonte gjithmonë në fushë, po at ditë ajo s’kishte qenë në punë. Doli problemi pse nuk kishte shkue në punë?!? Shyqyr që brigadieri pohoi se e kishte lanë gruen pushim dy ditë sepse ajo kishte punue dy të diela.  Edhe kjo çështje u mbyll… dhe lindi tjetra. Doli  problemi i djalit tim 9 vjeç, që gjoja i paska thanë nji shoku të vet 5 vjeç, kur po luenin, se aty po më rreh mua se ka vdek Enveri.  U mblodh shkolla. Erdhën operativi e sekretarja e partisë, e cila e mbante në prehër fëmijën 5 vjeçe, duke i kërkue të thoshte se ç’kishte thanë Aureli, djali im. Aureli përgjigjej që s’kishte  thanë asgja. Nji komedi e sajuar nga sekretarja, për me goditë si mua dhe familjen. Të nesërmen kur Aureli shkoi në shkollë, e sulmojnë fëmijët e tjerë dhe e rrahin, bile njeri e kërcënoi me kacavidë që të pranonte se kishte thanë: “aty po më rreh mua se ka vdekë Enveri”. Në fushë qarkullonte fjala e partisë, se duhet të  shikoni se kush janë armiqtë e popullit. Djali i Lek Pervizit, kështu ka thënë, e i ati Leka shetit nëpër sektor si kapadai, ditën e varrimit, e shoqja këndon opera në fushë, me shprehë gëzimin për vdekjen e udhëheqësit tonë të ndritur… etj. etj. Në fakt vdekja e diktatorit ishte nji shpëtim për të gjithë. Për ata që kanë ndjekë televizionin shqiptar, sa ishte gjallë  Enveri, kohët e fundit, gjithë anëtarët e Byrosë politike ishin thà e bà si ceraga të tymosuna e s’u qeshte fytyra. Ata e ndienin shpatën që u rrinte varë mbi kokë. Mbas nji muaji  nga vdekja e diktatorit, ata e kishin marrë veten. Dukeshin të ripërtërirë e të shëndoshë, gjithë shend e verë, si të kishin shpëtue nga nji rrezik i madh. Kur ata? Po populli? Edhe populli, po e ndiente afrimin e paevitueshëm të ndryshimit për ma mirë, që ishte shembja e diktaturës.
Ç’ndjeu Lek Pervizi kur u rrëzua busti i Enverit dhe a kishit shpresë se po vinte demokracia e vërtetë? Isha në Bruksel, në shtëpi duke ndjekë lajmet televizive, ku pa pritur doli pamja e shëmbjes së monumentit të diktatorit me turmën e madhe të popullit në eufori festive. Diktatura komuniste kishte marrë fund. Ishte nji ndjenjë gëzimi që na pushtoi… E gjithë familja, gruaja dhe tre djemtë u grumbulluan aty për me pa at ngjarje të madhe historike, që u shfaq gjithë at ditë po edhe ditë të tjera. Populli shqiptar po i jepte fund me guxim, njiherë e përgjithmonë, sistemit të urryer komunist, ku me shembjen e statujës së Enver Hoxhës, mbyllej  epoka ma e  errët dhe ma e përgjakun e historisë sonë. Patjetër që kjo ngjarje i hapte rrugën e Shqipnisë, drejt lirisë e demokracisë. Shqiptarët duhej të kuptonin e të kuptojnë se vendi ndodhej si para nji tërmeti shkatërrues, ku paraqitej nevoja që të rindërtohej bashkarisht. Pra duhej punë e mirëkuptim nga nji anë, por duhej edhe vendosmëri nga ana tjetër, ku ata që kanë qenë shkaktarë krimesh e persekutimesh, të largohen në shtëpitë e tyne e të gëzojnë at pension që u jepet. Të lozin domino e të shëtisin ku ta kenë qejfin, por të mos fusin përsëri turinjtë  aty ku s’duhet e ku s’kanë të drejtë të përziehen. Pas shembjes së bustit patjetër lindën  shpresat për vendosjen e demokracisë edhe në Shqipni. Sipas meje, pavarësisht nga disa probleme të brendshme, Shqipnia do ta gjejë vendin e vet kur të hyjë në Europë, atëhere është më se e sigurt se demokracia do të vendoset e të lulëzojë në Shqipni si në vendet e tjera europiane.

Gjuliana (Beba) Pervizi - Malaj
Gjuliana (Beba) Pervizi – Malaj

Si u njohët me bashkëshorten tuaj, të quajtur ndryshe Beba? Si ishte martesa juaj, çastet romantike në internim, dhe a mund të më flisni pak edhe për femijët tuaj? Edhe çastet romantike s’kanë mungue në at errësinë skëterrore, si rrezet e diellit mbas stuhisë. Kështu e mendoj unë njohjen dhe martesën me shoqen time të jetës. Ajo quhej Gjuliana Malaj, e bija e Nikoll Malajt, i cili ishte arratisë në korrik 1948, kur u prishën marrdhaniet me Jugosllavinë. Gjuliana katër muajshe, me t’amën Zorka, me origjinë malazeze, u intenuan menjiherë dhe degdisen në Berat, në korrik 1948, dhe pastaj në Tepelenë, ku ajo u rrit e u ba gjashtë vjeçe… Aty fitoi emrin “Beba”, sepse ishte nji nga fëmijët e paktë, dhe ma i vogli, që i shpëtoi vdekjes masive të fëmijëve.
Kështu Beba erdhi në Plug të Lushnjës, ku u rrit e u ba nji vajzë e bukur, që tërhiqte vëmendjen e të rinjve që i vinin rrotull, por më kot. Ajo i kishte ba planet e veta dhe e kishte fiksue mendjen aty ku s’i shkonte mendja askujt, aq ma pak të interesuarit, që e shoqnonte dhe e respektonte me sinqeritet e me shpirt kalorsiak si nji vajzë e kampit. Kjo kishte në njifarë mënyre një ngjasim me filmin me Zhan Marene, i cili rriti vajzën që ia kishte lanë amanet i ati i vrarë, dhe ma në fund kur vajza u rrit u dashurua dhe u martua me të. Kjo pak a shumë është historia sentimentale që na bashkoi neve, prej 43 vitesh, me tre djem.  Në Tepelenë, ku kisha nanën time, e ama e Bebes, që shkonte në punë, ia linte vajzën asaj dhe mua, që asokohe isha i sëmurë randë e s’më nxirrnin në punë. Kështu që Beba u rrit pothuajse me ne. Dhe erdhën ditët e mavonshme, kur ajo u rrit dhe zgjodhi të bashkohet me mua, bile të qëndrojë në Shqipni, sepse s’amës së saj i doli leja me u kthye të prindët në Mal të Zi, me tre femijtë e tjerë të mitur. Bebës i kërkuan të plotësonte nji formular ku ajo pranonte me shkue me t’amën e vllaznit. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës që ia kishte dhanë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën”. Operativi kishte tundë kokën si me thënë, a e di se me kë je bashkuar? Me të birin e Gjeneralit. E armikut nr.1 të popullit.  Zi e ma zi ka me të shkue jeta!!
Kështu ajo ndejti me mua për të shijuar jetën e internimit e të punës në fushat dhe  parcelat e Myzeqesë nga mëngjesi në darkë, pa pushue nji ditë.  Ishte fati yne që u shemb diktatura dhe dolëm në Belgjikë, për ta harrue at të kalueme të kobshme dhe shijue pakëz jetën e lirë, nga koha që na ka mbetë për të jetue.
U preka shumë që ju midis personaliteteve që keni pasur kontakt direkt, përmendni dhe intelektualin erudit prej Prizreni, z.Lazër Radi, me të cilin kam pasur një miqësi familjare disavjecare, deri sa na ndau viti i mbrapshtë i 97-es, ç’mund të kujtoni nga bisedat intelektuale me të, dhe si ndihej ai për Kosovën, por që ishte burgosur dhe internuar tërë jetën në tokën amë? Emnin dhe shkrimet e jueja znj.Zylo i kam ndjekur, dhe më vjen mirë që i përkisni asaj shtrese intelektualësh që e kanë të qartë se diktatura komuniste e katandisi Shqipninë si nji vathë bagëtish, ku kasapi zgjedh berrat që do të theri. Ndryshe s’mund të mendohet ajo e kalueme që bani kërdinë, kryesisht mbi shtresën intelektuale të formueme në shkollat ma të mira të Europës.
Me Lazër Radin jam njoftë për pamje në Savër më 1954. Kam kaluar 20 vjet me të në kondita të ndryshme. Së pari na mbyllën në kampin e Shtyllasit e Radostinës (Fier) me nja 90 të internuar të tjerë ngjitë me kampin e të burgosurve, që hapnin nji kanal vaditës, ku na kishin futë dhe neve me punue.
Pastaj na hoqën e na çuen në Kuç të Kurveleshit ku ndejtëm të izoluar tre vjet, 1955-1958. Këtu u njohëm ma mirë dhe zumë miqsi, ai kishte njoftë edhe babanë tim dhe kështu miqsia u forcua.
Siç e kam theksue, aty në Kuç ishte mbledhë ajka e intelektualëve, që i kishin shpëtue pushkatimit, por jo burgjeve dhe internimeve. Lazri ishte nji intelektual i mirë dhe shumë i përgatitun, nga ana kulturore vlerësohej nga të gjithë. Bisedat tona, në at mjedis i përkisnin ma tepër letërsisë, sepse kishim disa profesorë dhe shkrimtarë që ngjallnin këto biseda. Nga Kuçi na çuen në Lushnje, e këtu na caktuan me punue si marangoza dhe si dizenjatorë të fermës “29 Nantori”. Nga viti 1958 e deri 1978, plot njëzet vjet punova me Lazrin, dhe veçanërisht në punë si disenjatorë e piktorë, kishim kohë edhe me u prrallisë në bisedat tona, ku gjithmonë rrihnin mbi kulturën, letërsinë, poezinë, librat, të ardhmen… etj. Kur të shkojmë në Itali e gjetkë, më thoshte  Lazri ndër të tjera, ti do të merresh me pikturë, dhe unë do të bahem menaxheri yt, sepse ti si piktor s’merresh dot me punën e organizimit të ekzpozitave dhe porosive që mund të vijnë. Lazri më konsideronte si nji piktor të madh, të cilit ia kishte pre rriskun diktatura, por do të vinte ajo kohë që të fitonim lirinë dhe talenti im do të afirmohej. Kjo ndër të tjera ishte njilloj bisede. Flisnim dhe për shkrime. Ai diçka merrej me shkrime, por me shumë kujdes, pa ra në sy. Me mua bisedonte çdo gja, edhe nga ato bisedat ma komprometuese e ma të rrezikshme. Por gjithçka mbetej brenda nesh. Edhe për perspektivën e botimit të nji reviste kulturore flisnim, se si mund të botohej jashtë shtetit, si Konica. Pra ishin biseda frymëzuese për t’ardhmen, në kuptimin se edhe në konditat pa rrugëdalje, na mbante shpresa e shpëtimit.
Për Kosovën ai kishte nostalgji të madhe. Emocionohej kur kujtonte fëmininë. Familje jo e pasur. Mbante mend  e dëshpërohej për keqtrajtimin nga ana e serbëve, që donin me kolonizue vendin dhe i detyruen me e braktisë Kosovën e me kërkue shpëtim në Shqipëri. Kur erdhën në Shqipëri në kohën e Zogut, patën vështirësi. Ai e ndoqi dhe e mbaroi shkollën në Shkodër, me bursë shteti. Por u dallue shumë në mësime e doli shkëlqyeshëm në maturë.  Fitoi bursën për në Itali, ku zgjodhi drejtësinë, dhe në mbrojtjen e dipllomës, mori komentimin dhe analizën e Kanunit të Lek Dukagjinit, duke befasuar komisionin dhe duke u dipllomue me notat ma të larta, 30 me lode. U mor me gazetari dhe artikuj të ndryshëm edhe me tema letrare, si poezi e shkrime të tjera. Nga ana politike, ai kishte besim se Kosova do ta fitojë Pavarësinë dhe se nuk do të shkojë vonë e do të bashkohej me Shqipninë në nji shtet të vetëm. Për atë ishte një arritje e pashmangshme, sepse kohët kishin ndryshue dhe forca e Serbisë sa vinte e dobësohej. Serbia do të dorëzohej pa shpresë ndaj fitimit të pavarësisë së Kosovës, dhe bashkimit të saj me shtetin amë. Kur u shemb diktatura desh me shkrue çka kishte blue në mendje gjithë kohën e dënimeve, dhe botoi disa libra, sa me ndie kënaqësinë intelektuale për të cilën ishte i prirun. Por ishte tepër vonë. Mosha dhe vuajtjet e pësueme, ia prenë edhe at pak jetë që i kishte mbetur. Në ’97, m’i dërgoi me një mik, të gjithë librat e tij me këto fjale: “Po ti çoj t’i ruejsh, se mos kthehet prapë komunizmi, na bare t’i shpëtojnë këto pak vepra, sa mos me na u harrue emni”. Ai kishte besim te madh tek unë. Por edhe unë s’mund të bëja mrekullira, pavarësisht se e kisha natyrën e tillë, të organizimit e të vendosmërisë si dhe kapacitetin krijues. Por si thonë, trimi i mirë me shokë shumë, ndërsa  kisha mbetë vetëm në dhe të huaj. Ato shokë  s’ishin ma, mua s’më mbetej tjetër veçse me përcjellë amanetin e tyne, mos me mbetë të harruem!!
Ju faleminderit për mundësinë që më dhatë për të shprehur disa mendime vetjake. Të pakta, por të sakta.
Ishte kënaqësia jonë z.Pervizi t’ju intervistonim për publikun e gjerë dhe për ta njohur atë më nga afër me vuajtjet dhe tmerret tuaja nga sistemi diktatorial!
Ju urojmë jetë të gjate ju dhe znj. Beba, shëndet dhe lumturi në familjen tuaj!
Nga Këze (Kozeta) Zylo
New York Nëntor, 2008

 

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. E lexova me një frymë.
    Sepse kur lexon emrat dhe numron titujt shkencorë të shkencave ekonomike-juridike- shkencore dhe pedagogjike të personaliteteve, që punonin tokat, në vend që të aktivizoheshin mendjet e tyre për përmirësimin e jetës së popullit, që do të shërbenin të kishim një shtet si gjithë Europa… Krimet e regjimit hoxhist janë të pakrahasueshme me regjimet e vendeve të tjera të Lindjes…
    Vetëm një mendje perverse si ajo e tij… mund t’i shpikte dhe t’i realizonte…

  2. Eshtë fat për Kombin Shqiptar që kane mbijetuar intelektualë eruditësi Lek Pervizi, që i përket asaj shtrese që u internuan, persekutuan, dëbuan, por që me gojën dhe sytë e tyre zjarr për Atdheun i dëshmojnë shqiptarëve dhe brezave te ardhshëm për të vërtetat e hidhura që kaluan të internuarit, të persekutuar keqas nga regjimi hoxhist. Lavdi dhe respekt për gjithë shtresën fisnike të persekutuarve, të cilet medoemos duhet të jenë NDERI I KOMBIT! Shpresoj t’i shoh tek Presidenti një ditë, edhe pse për mua është vetëm një letër e shkruajtur, se në fakt ne zemrat e atyre që i çmojnë dhe i duan aq shumë, ata janë stamposur me kohë. Personalisht këtë po bëj me vajzat e mia dhe mbeskat që do të rriten më vonë! I paharruar kujtimi i burrit të shquar të Kombit, Lazër Radit, që e kemi njohur dhe komunikuar direkt familjarisht!

  3. E lexova dy herë, përveçse është një nga intervistat që mund ta lexosh pa fund se e gjejmë veten të gjithë ne që vuajtëm ne atë periudhë, po edhe piktura tregon dhe flet vetë… e adhuroj atë që adhuron gruan dhe Leo e ka bërë figurën e gruas madhështore… nuk di të shkruaj bukur, por di të them faleminderit të gjithëve që morët pjesë në këtë intervistë…!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.