back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Introspekcion poezi filozofike nga Isuf Luzaj

Gazeta

Profesor Isuf Luzaj (1913-2000)
Profesor Isuf Luzaj (1913-2000)

Introspekcion…

poezi filozofike nga Isuf Luzaj

(Isuf Luzaj “Vallja e Lulevet”)

Çdo natë pas mesnate, aty afër agimi
Një gjysëm shekulli, një shekull mërgimi
Më zgjuan ndërgjegjja lodhur udhëtimi
Që larg, shumë larg, tej malesh mërguar
Nga shqotash vullkani, tronditje tërmetesh
Anijesh të mbytura, fundrrimesh të detesh
Mikja cinike që kërkova harrimin
M’afrohet ngadalë në majë të gishtërinje
Si nusja e varfër, vjerrit pasanik
Një çikë si e trembur, një çikë si me dhimbje
Si mik i vërtetë, si shoku besnik
Më bje një libër të vjetër të shkruar
Patriarkësh; të gjetur në detin e tharë
Duke hedhur fallin, arixhofka e zgjuar
Me shenjë me gjeste, shkaqet të kulluar
Verdiktin e sajë në mermer të shkruar
Të djegur me zjarr, të qëndisur me ar
Si një pasqyrë kristali, me radhë
M’i shkon në varg shtigjet e harruar
E shoh qartë sa shumë kam ndryshuar
Koha mizore, pa mëshirë, pa u penduar
Ku e shkeli këmba, s’mbiu lule as bar.

E shoh qartas udhën në pasqyrë
Që kur u nisa, sapo ngritur në këmbë
Aty bjer, aty ngrihu, thyer eshtra e gjymtyrë
Helmin e cfurkut përtyp nëpër dhëmbë
Dersa mbaron ndërmarrja e madhe
Më sulmojnë fantazmat, si shtrigat në valle
Korbër e sqifterë nëpër errësirë.

***
Njëmijë e njëqind e njëmijë më gabime
Sa s’e njoh mëndjen, të ketë qenë mëndja ime
Pyes Historinë të më japë shpjegime
Pse u çmenda pas një ëndrre trime
-
Kurrë njerëzimi s’e desh të sinqertin
Ti nuk e pe dot qartë realitetin
Mirazhi i Saharës ty, ta mbushi detin
Anije thesarësh të shtrenjta ideali
T’u bë theroria m’e ëmbël se mjalti
T’u duk mëmëdheu m’i madh se rrëmeti
Mendja e përhedhur: ja trimi, ja djali
Ja zëri i gjakut trashëgim brez pas brezi

***
Nga Qafa e Vreshtavet përsipër mbi Vlorë
Nga varri i Qazimit, Avniut, Qemalit
Një zë Salarie, si zëri i Selamit
Si zë Perëndie, kur lindin shenjtorë:

Mos u dëshpëro, fakir, mor i gjorë
Ti ishje i ri, i zije me dorë
Hekura zjarri që villte baroti
Pa e menduar, pa ndrojtje pa frikë
Kur është mrekulli, është misteri i Zotit
Mëshira e atij pikon pikë-pikë:
Ti bëre mirë, ashtu duhej bërë
Duhej mbaruar ndërmarrja e tërë
Besime idealesh, janë besime fisnike

Njoh ty siç njoh thellësisht detet
Njoh hapësirën përtej Universit
Kam lindur me kohën përtej ligjesh t’Rrëmetit
Principit të parë që për zjarr më dha etin
Besa dhe Ideja më kanë vëlla besnikë

Njëqind herë të vdeçë, njëqind herë të ngjallesh
Do marrësh prapë atë udhë që more
Rrethuar fantazmash u dogje që i ri
Jemi shumë që bëmë, ashtu siç bëre ti.

Ajo qe e vërteta udhë, udha jote
Ndërmarrjet e mëdha, vijnë fuqiplote
Yçi i mbëshehur shija e kësaj bote
Misteri vepron në njëmijë mënyra.

Askush s’i shpëtoi, kurrë fatcaktimit
Janë motër dhe vëlla humbja dhe fitimi
Lexoi më mirë librat e mësimit
Nuk i duket kurrë fundi i udhëtimit
Duhen davaritur mjegullat errësirës
Përtej së ligës e përtej së mirës
Është traguardi që arrin çdo njeri

Po që s’gjen dot paqe me të gjallët
Mbylli panxhat e kullës prej dylli
Lundro detrat që lundruan të parët
Kërkoua valëvet librat e mësimit

Bindju vullnetit, kur të merr përdore
Qetëso mërinë, bishën malësore
Vuri frë imagjinatës së krijimit
Gjurmë pas gjurme heronjt e mendimit
Kulloje mendjen në sitë akullore
Udhëtojmë bashkë si vëllezër binjakë
E marrëm kujtesën besnike për dore
Mësoje ballin të gjerbë në mjaltë
T’atyre që zgjidhën problema qiellore

Gjej veten qetësohu, me paqe pa lotë,
Sa të arrijë një ditë, dita jote
Të të zërë gjumi, larg nga kjo botë
Q’është një aventurë e çmëndur, e kotë
Legjone fakirësh kanë qarë më të kotë
Duke kërkuar një udhë shpëtimi
Për të zgjuar nga gjumi njerëzimin
E mbrujtën bukën me helm e me lotë

Zgjase në peshë mendjen dhe shpirtin
Largoi ethet e imagjinatës
Qetësoi nervat si i zgjuari pas së piri
Harroje legjendën e Gjin Bue Shpatës.

Lëvduar qofshin heronjtë e mendimit
Që vijnë në ndihmë si nënë e mirë
Vetëm me ata gjen urë kalimi
Jeto i vetmuar që të jetosh i lirë
Ftohe mendjen nga zjarri i imagjinatës
Përtej ç’është e ligë, përtej ç’është e mirë
Është misteri në urë kapërcimi
Nuk fiken kurrë zjarret me lot
E nuk numërohen orët e natës
….
Kështu e gjete, kështu do e leçë këtë botë.
(marrë nga Muri i fb. i Asllan Togut)

Prof. Dr. Isuf Luzaj (1913-2000)
Prof. Dr. Isuf Luzaj i ri (1913-2000)

Prof. Dr. Isuf Luzaj
Lindi në Kaninë më 21 shkurt 1913. Shkollën fillore e kreu në Vlorë, gjimnazin në Shkodër. Në vitin e dytë fitoi bursë nga gjimnazi për të studiuar jashtë vendit. Aplikoi për bursë, por iu refuzua. Për të shkuar me studime u detyrua të shesë pjesën e vet të tokës me ullinj.
Në vitin 1931 kishte marrë rrugën për në Paris. Pasi kishte regjistruar dhe kryer liceun, u regjistrua pranë Universitetit të Sorbonës. Në vitin 1936, pranë këtij Universiteti mbrojti dy doktoratura, një për filozofi tjetrën për letërsi. Pas një suksesi të këtillë arriti të regjistrohej në listën e nderit, për të cilën kishin shkruar gazetat e kohës në Europë. 
Në Shqipëri kthehet në vitin 1936. 
Pas betimit para mbretit Zog filloi punë në Normalen e Elbasanit, drejtor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani. Mandej u transferua në liceun e Korçës, ku asokohe punonte edhe diktatori i ardhshëm Enver Hoxha. 
Në vitin 1938, botoi përmbledhjen e parë poetike me titull “Rrëfime”. Pasi botoi këtë përmbledhje, e cila nuk arriti as të shpërndahej si duhej, u burgos, dhe si shkas ishte poezia “Neroni”. Pasi u dërgua në gjyq, u lirua si i pafajshëm.
Me 120 studentë kishte vendosur të luftonte kundër trupave italiane që zbarkuan më 7 prill të vitit 1939.
I dyshuar për vrasjen e një polici italian, burgoset në Vlorë, transferohet në Durrës, nga ku pas disa muajve transferohet në Brindizi të Italisë. Mandej në Gaeta e prej andej në Ventotene (ishull). Aty takon Abaz Ermenjin e Llazar Fundon. Këtu mbahet deri në vitin 1942. Mandej transferohet në kështjellën “Cortona d’Arezzo”. Aty u njoh me Ali Këlcyrën, i cili kishte formuar Ballin Kombëtar, me Mithat Frashërin, Fuad bej Dibrën e Lef Nosin. Në kështjellë kishin shkruar Dekalogun e Ballit Kombëtar.
Me intervenimin e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi, lirohet nga burgu dhe kthehet në Shqipëri. Iu bashkua patriotëve të vendit dhe ishte pjesëmarrës aktiv i Konferencës së Mukjes. 
Në vitin 1945, ikën nga Shqipëria, shkoi në Itali e aty arrestohet si i dyshuar për vrasjen e gjeneral Zaninit. Burgoset dhe dënohet me vdekje. Pas amnistisë del nga burgu. Në një gazetë vëren një konkurs për profesor të filozofisë me diplomë të Sorbonës për të punuar në Universitetin e Argjentinës. Në Argjentinë punoi në Universitet për 18 vjet. 
Në vitin 1965 anëtarët e Ballit e thërrasin në Amerikë, pasi kishte vdekur Ali Këlcyra. Në kongresin e mbajtur në Nju-Jork zgjidhet kryetar i Balli Kombëtar. 
Isuf Luzaj kishte marrë titullin “Professor emmeritus” në SHBA, një dekoratë që mban shënimin “Profesor i Amerikës”, të cilën ia pati dorëzuar vetë presidenti Regan, se kishte dhënë mësime në universitetet amerikane: në Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois etj. Në vitin 1979, ishte emëruar titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Ilinoisit. Profesor Isuf Luzaj vdiq në vitin 2000, në Çikago dhe sipas amanetit që la u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri. 
Profesor Isuf Luzaj la në dorëshkrim 32 vëllime në poezi, filozofi, histori e ditarë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.