Inxhinjeri Abdyl Sharra (1915-1946)
dhe procesi kundra të ashtuquajturëve “Sabotatorët e Maliqit”
Procesi i “Sabotatorëve të Maliqit” u kushtoi jetën shtatë njerëzve të kualifikuar, të cilët
e kishin treguar aftësinë dhe përkushtimin e tyre ndaj zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë.
Ai ishte fillimi i një kalvari të gjatë vuajtjesh për të gjithë të dënuarit dhe familjet e tyre.
Për fat të keq, ky ishte vetëm një episod nga shumë e shumë të tjerë
që i kushtuan Shqipërisë elitën intelektuale të vendit. Askush nga ne nuk mund të kthehet prapa
në kohë për të vënë në vend padrejtësitë e së djeshmes,
por ne kemi një mision shumë të rëndësishëm.
T’i analizojmë me objektivitet dhe paanshmëri dëshmitë dhe faktet e së shkuarës,
në mënyrë që të mos e lejojmë veten dhe shoqërinë që t’i përsërisë sërish ato gabime.
Sonila Boçi Pepivani
Abdyl Sharra (1915-1946) i lindi në Vlorë nga një familje që ishte mbështetëse e Pavarësisë Kombëtare, lëvizjeve demokratike dhe atdhetare në të gjitha kohërat. Ai kreu shkollën “Harry Fultz” në Tiranë dhe më pas kreu me sukses Fakultetin e Inxhinierisë në Romë.
Abdyl Sharra punoi si inxhinier në tharjen e kënetës së Maliqit, ku edhe u pushkatua bashkë me disa prej inxhinjerëve. U shpall “Dëshmor i Demokracisë”.
Kujtim Beqiri, Abdyl Sharra dhe shokët e tyre fatkeqë (të mbiquajtur nga Sigurimi si “Sabotatorët e Maliqit”) u arrestuan më 06 nëntor 1946, dhe u nxorën në gjyqin e improvizuar politik më 8 nëntor 1946 (ditën e 5 vjetorit të themelimit të PKSH prej emisarëve të Titos), vendimi i gjyqit me dënimet drastike u shpall më 19 nëntor 1946 dhe martirët u ekzekutuan tri ditë më pas (22 nëntor 1946) në sektorin e punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqit. Kujtim Beqiri e Abdyl Sharra u varën në litar, ndërsa Vasil e Zyraka Mano (çift), Mirush Përmeti dhe italiani Eugenio Scaturro u pushkatuan. Imagjinoni çfarë barbarie: për “drejtësinë” enveriste të përfaqësuar prej kriminelësh injorantë do të mjaftonin vetëm 16 ditë (06 nëntor 1946 – 22 nëntor 1946) për të arrestuar, hetuar, gjykuar dhe ekzekutuar të gjashtë “Sabotatorët e Maliqit”!
.
I kujtojmë sot këta djem nacionalistë atdhedashës, ku bën pjesë edhe Abdyl Sharra, që mbas shkollimit kërkuan t’i vinin dijet e tyre në shërbim të mëkëbjes së vendit dhe nuk pranuan të shërbenin atje ku kryen studimet, por me entuziazëm iu përkushtuan atdheut, e ta afronin atë me Europën. Por ardhja e diktaturës komuniste, rindërtimin e Shqipërisë së rrënuar nga lufta, e shëndrroi në tragjedi për shumë intelektualë e një ndër ta qe edhe 31 vjeçari Abdyl Sharra. Drama e gruas dhe fëmijve që u rritën pa praninë dhe edukimin e tij, mbetet ndër dëshmitë e shumta që diktatura dëshmoi, jo vetëm ndaj atyre si intelektualë e profesionistë të nivelit të lartë, po edhe ndaj familjeve dhe fëmijëve të tyre…
.
Për datën 22 nëntor 1946 (simbas dokumentave, ka një seri datash të ekzekutimit, mbasi nuk gjendet një proces verbal i ekzekutimit) por fakti që me 21 nëntor ka një letër të shkruar nga Kujtim Beqiri, dhe mbështetur nga dokumentet e shkruara në gazetën bashkimi dita e ekzekutimit me varje e Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit, ka ndodhur 74 vjet më parë, me 22 nëntor 1946. Po sjellim një seri fotosh nga albumi i familjes Sharra rreth Jetës së inxhinjieri Abdyl Musa Sharra, ku në mars-tetor ka qenë duke bërë kursin si oficer në Romë dhe Shkup të Maqedonisë, mbas dipllomimit në shkurt të vitit 1940. Mbasi të gjithë universitarët bënin 6 muaj kurs për oficer rezervist, mbas mbarimit të shkollës së lartë, në vitin 1940.
Ing. Abdyl Sharra kreu studimet në Romë Itali me medalje ari. Mbas lufte ai punoi në rindërtimin e Portit të Vlores, Urës së Drashovicës, Urës së Mifolit, të cilat u hodhën në erë nga gjermanët… Ai sëbashku me ing. Kujtim Beqirin, (njeri drejtor i punimeve dhe tjetri k/ing) thanë Kënetën e Maliqit gjë që s’e kishin bërë dot as inxhinjerët austriakë dhe as ata serbë. Por kanibalët e kuq i shpërblyen duke i varur të dy në vendin e punës në Maliq.
.
Drama e Familjes Sharra
Në tetor të vitit 1943, u vra në Vlorë, Haziz Sharra 29 vjeç, në një atentat –
Në 22 qershor 1945 dënohet me pushkatim vëllai i Hazizit, Muharrem Sharra, 32 vjeç. Ekzekutohet si pjesëtar i Ballit Kombëtar.
Në vitin 1946, ekzekutohet me litar me varje, inxhinier Abdyl Sharra, rreth 32 vjeç. Inxhinieri ishte një prej grupit të të pestëve që u akuzuan si “sabotatorë” në tharjen e Kënetës së Maliqit, si dhe agjentë të shërbimit amerikan, drejtuar nga Harri Fullc.
.
Shyqyri Sharra, 38 vjeç, vëllai i Abdylit. Vret veten në vitin 1950, në Burgun e Rrushbullit, në Kampet e Punës, akt të cilin e kreu 6 muaj para se të përfundonte afatin e izolimit.
Lekmi Sharra 36 vjeç, vëllai tjetër i Abdyl Sharrës, vdes në vitin 1953. E arrestojnë 6 muaj pas martesës, kur e shoqja ishte shtatzënë me një vajzë. Familjarët thonë se vdiq si pasojë e torturave në hetuesinë e Vlorës.
Astrit Sharra dënohet me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë e tentativë arratisje. Vdes 7 vjet më pas nga sëmundja e kancerit.
Në vitin 1953, arrestohet për agjitacion dhe propagandë Muço Sharra, 65 vjeç. Vuajti dënimin prej 5 vjetësh. Vdiq në azil disa vjet më vonë.
Musa Sharra u internua familjarisht në fshatin Sherishtë të Vlorës në vitet 1950-1954.
Hasan Sharra (djali i Astritit), arratiset me not në Sarandë. Sot ndodhet në Amerikë.Familja e Astrit Sharrës u dënua 5 vjet në fshatin Vërmik, pas dënimit të kryefamiljarit dhe arratisjes së djalit.
Hysni Sharra dhe Ymer Sharra, vëllezër të Abdylit, u larguan në vitin 1940, në Itali dhe nuk u kthyen më në Shqipëri. Shkak ishte persekutimi i familjarëve të tyre. Aty edhe ndërruan jetë.
Muharrem Sharra, djali i xhaxhait të Abdylit, u dënua me vdekje në vitin 1945, pasi kishte bërë pas 9 muaj burg.
.
Materiali u mblodh dhe u pergatit nga Jozef Radi
.
https://kujto.al/abdyl-sharra-inxhinieri-i-diplomuar-ne-rome-qe-u-var-ne-litar-nga-komunistet/
.