back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Irena Papas… Legjenda Greko-Shqiptare… – In Memoriam nga Skënder Sherifi

Gazeta

Irene Papas (1929-2022)
Irene Papas (1929-2022)

Irena Papas… Legjenda Greko-Shqiptare…

In Memoriam nga Skënder Sherifi

Ka momente, që i thua vetes në jetë: “Bullshit, po pse të gjithë ata Persona,
të cilët i kam dashur dhe më kanë përcjellë në jetë, po na kalojnë njëri pas tjetri,
si në ligjin e serialeve, në botën tjetër… duke na lënë neve të shkretit tokësorë,
pak a shumë jetimë, nostalgjikë dhe të mërzitur!?”
Ma sillni një dubël Ekspreso që të kthjellohemi!

E dashura Irenë;
të erdhi tani rralla ty në moshën 93 vjeçare, për ta përfaquar misterin e pafundësisë? M’i lejon disa fjalë, e nderuar, se nuk mund të harroj aq lehtë. Që në fillim, me ka pasë prekur shpirtërisht, gati emocionalisht silhueta e jote aq e veçantë, ajo bukuri klasike e tipit greko-romak, do kisha shtuar edhe malësore e ardhur nga alpet tona, një bukuri plot fisnikëri, madhështi dhe karakter, siç janë nënat dhe gjyshet tona anonime, por dikund edhe legjendare. Diçka estetike, të nivelit sublim dhe të lartë, si në pikturat apo skulpturat e antikitetit, e cila na imponon menjëherë respektin e plotë, dhe jo lazdrimin e papërmbajtur të tipit post-adoleshent. Je përjetësisht e bukur dhe madhështore, e dashura Irenë…
Do e kisha ëndërruar një darkë rituale me ty, në Sofrat tona malësore, për të marrë një erë të lashtë poetike, një lidhje me të kaluarën tonë të përbashkët, të cilën me Silikon Valejt kaliforniane, me botën e ekraneve dhe të bixhozeve të ndryshme, alla Las-Vegas, e kemi shkelur me kohë dhe po e vazhdojnë Jetën tonë të quajtur moderne, pa asnjë trashëgimi, pa asnjë busull, pa asnjë vijë drejtuese, pa asnjë rrënjë, pa asnjë kujtesë… në një improvizim patetik alla Beckett dhe Ionesco.

Irene Papas
Irene Papas

Te ti, e madhja Irenë, kam shijuar parfume historie, shije traditash antike, diçka që me ka lidhur me pikënisjet tona… të falënderoj përjetësisht!
Je me siguri sikurse unë, poeti frankofon, por malësor i odave, por edhe i të gjitha aventurave avanguardiste planetare, një koktejl përzierjesh greko-shqiptare, por ti vet mundesh për ta ndarë atë punë siç duhet. Mirëpo, mua, më ke frymëzuar me vlerat e tua njerëzore dhe artistike. Ma ke dhënë një shembull unik… që mundesh me qenë super e bukur si Femër, por edhe super fisnike, antike, burrërrore, tradicionale dhe me karakter të pamposhtur… me një frymë gati kanunore dhe zakonore të lashtë, ashtu siç ke qenë në rolet e tua si tragjediane greke antike.
Antigona (1961) e regjisorit Tzavellas, – Elektra (1962) – Trojanët (1971) – Ifigenia (1977) të regjisorit tënd të preferuar dhe ikonik zoti Michael Cacoyannis, pa e harruar filmin tënd mitik – Zorba, i vitit 1964, të cilin çdokush e ka akoma në memorie, ngaqë ka hyrë si vepër filmike, në referencat tona kolektive, ose në shpirtin tonë koshient apo subkoshient. Në një farë mënyre, e dashura Irenë… me bukurinë tënde magjike dhe hyjnore, aq dinjitoze dhe gati të përjetshme, ke qenë mund të themi: “anti Marilina dhe Brixhidë Bardot” dhe kjo gjë të nderon jashtë mase. Edhe pse, po e pohoj që i kam dashur të dyja edhe unë, por për arsye pak më të rëndomta, të rangut më tepër fantasmatik dhe erotik. Mirëpo si aventurist i ri, pa limite, besoj që do më falësh!
Të imagjinoj duke e ndarë një pite apo një flijë në një fshat të Tropojes, të Dibrës, apo të Malit të Zi, bashkë me nënën time dhe pastaj duke dëgjuar këngë të vjetra me sharki dhe çifteli, disa rapsodi tradicionale, duke qeshur nga gëzimi i momentit. Përkundër meje, i lindur pa zinxhirë, as vargonj dhe në improvizim autodidakt permanent, gjer në ditën e sotit, e nderuar Irena, ti ke ardhur nga një familje mjaft e shkolluar, intelektuale. Nëna e jote: Elena Lelekou, e lindur Prevezanou, ishte Profesore që në atë kohë, ndërsa Babai juaj zoti Stavros Lelekos, me origjinë nga Epiri, ishte Profesor i Teatrit klasik dhe i gjuhës greke antike. Mund ta supozoj krejt intuitivisht, që do keni pasur dikund ndonjë origjinë shqiptare nga njëri prej prindërve të tu. Nëse e heq për qejfin tim poetik prapashtesën e emrit tuaj (ou – dhe os) a mos është nëna e juaj Elena Leleku ose Preveza? Por nuk ka aq rëndësi, se çdokush e përjeton dhe e definon vetën e tij, siç do vetë, siç e ndien shpirtërisht? Nuk mund të vijmë ne të jashtmit, për të vendosur në filan apo filan kategorie, se nuk ka shumë sens ajo punë! Tek e fundit, ngelet problemi im personal dhe intim, a e ndiej unë vetën shqiptar, apo francez, apo belg. Nuk është problemi i shqiptarëve! Rezulton që unë e ndiej vetën si shqiptaro-frankofon! Pikë!

Irene Papas - Bekim Fehmiu - (Odisea)
Irene Papas – Bekim Fehmiu – (Odisea)

Tani, si e ke përjetuar ti vet qenien tënde, e dashur Irena, origjinën tënde, përkatësinë tënde: sinqerisht nuk e di, por kjo punë të takon vetëm ty! Por e ndiej shpirtërisht, që je e afërt dikund me mua, që kemi diçka të përbashkët, që komunikojmë me ndonjë frymëzim apo antenë të lashtë. Dhe kjo më mjafton. Më kujtohet spontanisht filmi politik francez “Z” i vitit 1969, kundër regjimit të kolonelëve grekë, i xhiruar nga franko-greku Costa Gavras, të cilin e kam takuar disa vite më vonë në Paris. Po ashtu, “Topat e Navarones” 1961 nga regjisori J. Lee Thompson, me të madhin Anthony Quinn. Nuk e di pse, as nga vjen ajo ndenjë, por te pamja jote estetike, mbretëron dikund, esenca e përjetshme e qenies femërore, diçka e paluhatshme, që i tejkalon të gjitha periudhat, modat dhe shekujt, diçka që imponohet me një kualitet maksimal dhe që mbijeton. A thua, jam i qartë?!
Ma sillni një birrë belge me pak djathë… që ta përfundoj këtë retrospektivë intime, këtë aventurë imagjinare me motrën dhe nënën time kinematografike nga Epiri i lashtë, Irena Papas… Waou, 93 vjeçare… çfarë Jete. Ke pas lindë në Korinti nga Chiliomodi, në vitin 1929 dhe na u largove gati bashkë me mikun tim Jean-Luc Godard. Një surrealizëm total… Ha… ha… ha… Më kujtohet rrushi tipik dhe vera e Korintisë greke. Me vite kam pas qenë i abonuar me disa miq dhe fanse të mia të shthurrura, pak rock and roll dhe provokante, në Kinematekat e Parisit dhe të Brukselit, ku i kam pa të gjitha veprat e regjisorëve kryesorë botërorë.
Më rivjen tani filmi i Francesco Rosit (1979) “Krishti u ndal në Eboli “i cili më ka pasë inspiruar edhe një tekst poetik. Disa filma pak më autorialë dhe margjinalë të regjisorit madhor portugez Manoel de Oliveira: Party (1996) – Shqetësimi (1998) – Film i folur (2003)… Por filmi yt i parë, ka qenë ai i vitit 1948, i regjisorit grek Nikos Tsiforios me titullin “Engjujt e humbur”. Më erdhi një pyetje spontane, e nderuar Irena: pse nuk ke punuar kurrë me regjisorin grekë të famshëm, që unë e konsideroj në topin planetar, të cilit ja kam pas prezantuar në Bruksel, një aktore franceze e cila fillonte atëherë karrierën e saj me emrin Elsa Zylberstein (sot është aktore super e konsoliduar në Francë), po flas për Theo Angelopoulos? Kam kaluar momente interesante me atë kineast në Bruksel, një intelektual super i përgatitur, një kinofil dhe një frankofil i vërtetë. Por keni qenë me siguri në botëra kulturore dhe në kërkesa artistike të ndryshme? Por ai takim, jam i sigurt që do kishte qenë i bukur dhe i frytshëm mes jush! Tani, mund të flasim për karrierën tënde gjigante në teatër, kur ke lënë gjurma të forta në Greqi, në Itali, duke luajtur Pirandellon nën drejtimin e Mauro Bologninit, në Portugali, ku ke jetuar disa vite, por edhe në Amerikë, pasiqë ke luajtur edhe në lagjen e famshme Broadway me aktorin Jon Voight, i cili më ka pasë bërë përshtypje të parën herë, në filmin sublim të John Bormanit “Delivrance”, pastaj, e dashura Irenë, pakkush e di që ke marrë pjesë edhe në disa projekte muzikore, duke kënduar ti vetë disa tekste apo duke i recituar me një sfond muzike, me artistat më të njohur grekofonë të asaj fushe, siç janë Mikis Theodorakis për shembull, Demis Roussos, Vangjelis, Lucas Sideras, etjerë… Ke qenë 100 përqind mesdhetare, moderne dhe antike, ndoshta edhe mesjetare, pse jo?! Por fabuloze, e mrrekullueshme… Ah, sa do ishim kuptuar mirë sëbashku! Do e kishim adoptuar njëri-tjetrin me siguri! Greke, Shqiptare, Italiane, Portugeze, djepi i civilizmit evropian… Muzikë, meze dhe pije për shpirtin e Irena Papas!

Irene Papas (1929-2022)
Irene Papas (1929-2022)

Të kërcejmë sëbashku, t’i thejmë disa pjata, gota dhe sahana për ta rikujtuar Zorbën…
Oh Irena: kam marrë lajmin e fundit për ty, çka nuk e kam pas ditur fare deri sot… Keni përjetuar një lidhje dashurie të fortë me aktorin më mitik botëror, zotin Marlon Brando, një dashuri sekrete, jashtë cirkut mediatik dhe paparazive parazite, të cilët na helmosin apo na argëtojnë jetën me thash e të theme…
Jeni njohur në Romë në vitin 1954, tamam kur kam pas lindur unë… Ja pra, edhe një Film në vete, e dashur dhe e përjetshmja Irena!
Përqafime aty ku je dhe ku do të shkosh më vonë… Na i thuaj Zotit nëse e takon: që të kenë pak mëshirë për neve mbi këtë tokë, sepse jemi çoroditur për së tepërmi, e kemi humbur sensin real të gjërave, respektin e vlerave dhe nuk e dimë as vetë se çka jemi duke bërë, të shtyrë nga një puls freudian i thanatosit, një energji supershkatërruese dhe vetëvrasëse… Stop motherfuckers… respektoni jetën, vlerat, humanitetin, planetin tokësor, natyrën, se sinqerisht na turpëruat!
Një gotë vere greke apo franceze të fundit për shpirtin e Irena Papas… ajo Penelopa e jonë që priste Bekim Fehmiun (Ulisin) në serialin sublim televiziv i vitit1968 – Odiseja – e Franco Rosit… kurse unë me rrymat anarshiste planetare mjedis Parisit dhe Brukselit, i shijoja të gjitha deliret dhe orgjitë e improvizuara, nën tingujt e Jimmy Hendrix, Eric Clapton, Santana, the Who, Led Zeppelin, The Beatles, The Stones, The Doors, Dire Straits, Bluesmen-ve amerikanë legjendarë, Jazzmenëve si Miles Davis, Duke Ellington, Charlie Parker, Keith Jarret, Chet Baker… Waou shit, na shkuan kujtimet dhe gati Jeta!

Skënder Sherifi – në improvizim … Bruksel, me datën 17 shtator 2022 – nga Poeti shqiptaro- frankofon i odave në Planetin tokësorë aq të dëmtuar. Malësor dhe i Mërgatës së Qyqëve

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.