back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Islamizmi dhe Kristianizmi në letërsinë shqipe Dr. Lazër Radi

Gazeta

Kongresi i Manastirit 1908
Kongresi i Manastirit 1908

Islamizmi dhe Kristianizmi në letërsinë shqipe

nga Dr. Lazër  Radi

Në shtjellimin e kësaj teme mjaft delikate
u mbështeta kryesisht në materialet që shqyrtoi Prof. Ernest Koliqi
në Seminarin në Universitetin e Padovës disa vite më parë.
.

Islamizmi dhe Kristianizmi, në asnjë vend tjetër të botës, nuk jetojnë ashtu krah për krah me njëri tjetrin si në Shqipërinë tonë. Letërsia, krahët e vet si prej shqiponje, i shtrin duke përqafuar shpirtëra dhe forma si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi. Të huajt, duke e vërejtur këtë simbozë bashkëjetese elementesh të ndryshëm, të bashkëjetesës së komunitetit mysliman me atë kristian shqiptar, arrijnë në disa përfundime të çuditëshme duke i konsideruar të krishterët si të pagëzuar keq dhe myslimanët si gjysëm fetarë dhe vetëm paksa të kallaisur me një shtresë islamizmi. Kjo, s’është fare e vërtetë!
Shqiptari, në përgjithësi, e ndjen thellësisht nevojën për të besuar diçka mbinjerëzore dhe e pëlqen disiplinën e një norme fetare. Nuk është ekspansiv dhe do që ta ruaj thellë në shpirtin e vet pa e reklamuar ndjenjën e tij fetare. Në kët drejtim është i rezervuar edhe në shfaqjen e dashurisë që ndjen për familjen e vet. Të huajve nuk ua shpreh kurrë vitalitetin e ndjenjave të veta fetare, dhe ka mundësi që ky i huaj – nëse nuk di të futet në kompleksin e psikologjisë së tij, – që t’i konsiderojë njerëz pa ndjenja fare. Zoti ose Perëndia, për të dy palët, është e njëjta gjë: ata betohen njisoj: “Pasha t’madhin Zot…” ose, “Pasha t’naltën Perëndi…”

Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Nuk i kemi vënë vetes për detyrë të përballemi këtu me problemin delikat të konvertimit të shqiptarëve në islamizëm. Nuk kemi për qëllim as të studjojmë pikat e kontaktit në mistikën e të dy besimeve dhe as mundësitë që ato mund të kenë për të gjetë në planin moral pikat e kuptimit dhe të bashkimit… Në fakt, këto janë probleme pasionale dhe shumë tërheqëse, por, këto çeshtje do t’ua lemë teologëve kompetentë t’i zgjidhin. Ne duam të theksojmë këtu faktin se islamizmi dhe kristianizmi, në vendin tonë, kanë gjetur një modus vivendi, gjë që provon se sa shpirt liberal dhe tolerant ka fisi i ynë, raca e jonë, dhe, pa asnji ndërhyrje autoritare, krijohen marrëdhënie të tilla të qëndrueshme që s’mund të hasen në asnjë vend të botës: p.sh. ka raste që brenda gjirit të një familjeje të ushtrohen dy besime të ndryshme, ose po marrim një shembull tjetër akoma ma tipik: Hoti, një nga fiset nga më katolike të Malsisë së Shkodrës, ka pasur si bajraktar të vetin nji mysliman.
Shpirti i tolerancës është i zhvilluar deri në atë shkallë saqë nji i huaj e ka të vështirë të mësojë ta dallojë kristianin nga myslimani, si ndër qytete ashtu edhe ndër fshatra. Bajroni pati dy rrogtarë shqiptarë, një muhamedan dhe një ortodoks, që e kanë shoqëruar në udhëtimet aventuroze nëpër Shqipëri e Greqi deri në vdekjen e tij në Missolongj. Ai thoshte se “nuk ishte në gjendje të dallonte se cili prej tyre ishte mysliman dhe cili ortodoks…”
Shqiptarët, turkun e kanë konsideruar gjithmonë uzurpator dhe pushtues. Këtë pushtim nuk e duronin edhe pse mund të ishin të një besimi! Kjo vërtetohet nga një letër që Monsinjori Budi, autori i Doktrinës së Krishterë, i dërgon Kardinalit Gozzadini me 15 Shtator 1621. Në këtë letër Prelati shqiptar e thotë haptas se të krishterët dhe myslimanët ishin të gatshëm të thyenin zgjedhën e Turqisë pushtuese, por duhej që Vatikani t’i ndihmonte me armë e me mjete të tjera të nevojshme për luftë.
Predispozimi shqiptar për ta kundërshtuar pushtuesin e huaj del në pah mrekullisht në të gjithë poezinë tonë popullor. Por, duhet theksuar se në këtë poezi bëhet një dallim shumë i qartë ndërmjet myslimanit dhe turkut aziatik. Dëshmia më e bukur për këtë është nji këngë e bukur anonime Zani i Kasnecave. Kjo poezi ka mundësi të jetë bërë nga ndonjë poet i përgatitur. Megjithatë, ajo, deri tek ne ka mbrritë ashtu siç na kanë ardhur të gjitha kangët e kreshnikëve dhe ato popullore. Kjo lirikë e mrekullueshme po i mundon prej kohësh studiuesit shqiptarë të poezisë popullore. Këtu ngrihet lart trimëria shqiptare, kristianë e muhamedanë, të bashkuar në luftë kundra Pazvan Ogllut. Pra Zani i Kasnecit, është nji këngë e nji gëzimi krenar për një fitore të arritur pikërisht mbi një ushtri të madhe të komanduar nga një pashë mysliman, por turk prej Azie.
Nga koha e Skënderbeut, gjithë shqiptarëve, pa dallim përkatësie fetare, u ka ngelur në shpirt një gjurmë zjarri që menjëherë shpërthen kur dikush e prek aty ku s’mban: në Atdhe, Këto hove prandaj mund të quhen ma tepër instikt se sa ndërgjegje kombëtare. Një instikt të tillë e ndeshim në episodin e Kupe Danes (Jakup Ramadanit), një mysliman Shkodre i cili, në gjysmën e parë të shekullit të XIX, vrau dy ushtarë turq të cilët, në rrethinat e qytetit, u përpoqën të dhunojnë një grua të krishterë.

Rilindja Shqiptare...
Rilindja Shqiptare…

***
Ndoshta fati i Shqipërisë nën pushtetin e Perandoria Osmane, krijoi mundësinë që ashtu e zaptuar të mund të fosilizohej.  Ndoshta nga ky fosilizim otoman mundi të na shpëtojë nga gllabërimi sllav nga Veriu dhe helenizimi grek nga Jugu. Kështu, ndjenja atdhetare mundi të shpërthejë e fuqishme, mbas pesë shekuj letargjie, në fund të shekullit të XIX-të
Shkundja kombëtare, që i zgjoi shqiptarët nga gjumi shekullor qe Kongresi i Berlinit, i vitit 1878. Të mpirë e të topitur, ata u zgjuan nga jehona e fitoreve ruse, dhe pavarësia e shumë shteteve ballkanike, përfundoi me Traktatin e Shën Stefanit. Sllavët e jugut dhe grekët u nisën të vendosur për t’ia rrëmbyer vendit tonë krahinat më pjellore e më të populluara të Shqipërisë, nën pretendimin se ishin toka të Perandorisë Turke. Propaganda tinzare helenike dhe ajo pansllaviste, edhe sot përpiqen të hallakasin ndër mendime, duke i paraqitur muhamedanët shqiptarë si turq dhe duke mos e shkëputur përkatësinë etnike nga ajo fetare.
Lëvizja e vërtetë për lirinë e Shqipërisë e ka zanafillën e vet tek Lidhja e Prizrenit (1878). Miti i gjakut të përbashkët dhe i gjuhës së përbashkët i dha flakë letërsisë shqipe, e cila pikërisht në ato vite të shqetësuara fillon të forcohet dhe të pasurohet me vepra letrare të rëndësishme të të gjitha zhanreve. Krijuesit dhe frymëzuesit e kursit të ri të ideve shqiptare dhe të ndjenjave atdhetare, në mënyrë të veçantë ishin tre vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe Samiu. Lëvizja bëri që brenda nji kohe të shkurtë të përfshihet gjithë masa e popullit – ajo kalli ndër shpirtra dëshirën për t’u çliruar nga ajo tirani shekullore. Të tre vëllezërit edhe pse myslimanë (bektashi) në shërbim tw Perandorisë të njëjtën kohë ishin edhe proshqiptarë të flaktë.
Nuk ishte e lehtë ta shkëpusje popullin fetar mysliman nga pushteti i sulltanit, pasi vegjëlia shikonte jo vetëm sundimtarin por edhe Kalifin, zëvendësin e Profetit mbi tokë. Sulltan Abdyl Hamiti, i donte shqiptarët sepse ata formonin nji bërthamë të fortë në gardën e tij perandorake.
Tre vëllezërit Frashëri kanë meritën e madhe se qenë nismëtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar duke e paraqitur sundimin turk si armikun e Shqipërisë dhe duke deklaruar, se nuk duhej ngatërruar aspak feja me racën dhe fisin. Naim Frashëri, në poemën e tij madhore “Skënderbeu”, nuk u kursen turqve pushtues akuzat ma të rënda bile edhe sharjet ma rrënqethëse! Vepra është e mbushur me episode ku numërohen dëmet dhe fatkeqësitë që i kanë shkaktuar otomanët Shqipërisë. Poeti, në fantazinë e tij, imagjinon sikur Fati i Shqipërisë, duke marrë pamjen e Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut, që i shfaqet në ëndërr në Adrianopojë, princi i ri, që jetonte në oborrin mbretëror të sulltanit. Aty Princi merr vesh vdekjen e të jatit dhe vuejtjet që po kalonte Atdheu nën sundimin e Turqisë.
Agzoti u ndez!
Ekzistonte nji kombësi shqiptare… por e zhytur në harresën e kohërave, na e shpalos aq bukur Jeronim de Rada, duke na tregoi se ky komb mund të ringjallej dhe me gjithë karakteristikat e veta kombëtare dhe me fizionominë e vet shpirtërore  në jetën e krejt popujve të Europës. Këto ide premtuese e shpresëdhënëse shpërthyen aty rreth vitit 1835. N’atë kohë kur ishte duke mbledhur këngët popullore shqiptare ndër kolonitë arbëreshe. Pikërisht në veprën e tij madhore Kangët Milosaos, në vitin 1836, ai flet për çlirimin e Shqipërisë. Frymën e këtij mendimi e përvetësoi dhe i përhapi Shoqëria “Drita” e Kostandinopolit; ma pas kët flakë e përhapën Faik Konica me revistën e tij “Albania”, Mjeda, Çajupi, Zef Skiroi Plaku dhe Fishta me epikën e tij madhështore “Lahuta e Malcis”. Para dhe pas tyre janë nji varg i madh poetësh, shkrimtarësh e intelektualësh të tjerë. Gjatë gjithë periudhës luftarake të Rilindjes, Shqipëria është përpjekë që me mënyrat ma të përshtatshme e ma të volitshme të bashkëjetesës e kurrë njiherë ato të përplasjes me konceptet negative ndërmjet kristianizmit dhe islamizmit. Nji nga dëshmitë ma të bukura të kësaj harmonie, bazuar në shpirtin liberal dhe mirëkuptimit reciprok, është pikërisht bashkëjetesa vllaznore e myslimanëve dhe e kristianëve në Shqipëri. Ky është një shembull i dobishëm për të gjithë popujt e Mesdheut, djep i aq besimeve dhe i aq qytetërimeve, të cilat duhet t’i gjejnë pikat e nevojshme të kontaktit për t’u zhvilluar dhe për të mbijetuar duke iu shmangur dredhive të politikës së sotme ndërkombëtare.

Ernest Koliqi (1903-1975)
Ernest Koliqi (1903-1975)

***
Islamizmi dhe kristalizmi gjejnë një platformë mirëkuptimi dhe baza të shëndosha bashkëjetese edhe ndër vargjet e poetit franceskan Pater Gjergj Fishta. Pranë personazhit Marash Ucit, katolik, mishërim i urtësisë tradicionale shqiptare, ai vendos figurën e  myslimanit Oso Kuka, që ka dashuri të madhe për Atdhe dhe e ndjen në shpirt sensin e vllaznisë. Kupe Dana thotë: “nderi asht  nji trashëgim i barabartë si ndër myslimanë edhe ndër katolikë.”
Të qënit besimtar i vërtetë dhe ndjekës i Muhametit nuk i pengoi kurrë as myslimanët ma fanatikë shqiptarë që t’i konsiderojnë osmanllinjtë si pushtues dhe si uzurpatorë.
Pater Gjoni, frat shqiptar, nxiti Kelmendin që të ngrihej në kambë dhe t’i shkonte në ndihmë vëllezërve myslimanë që po luftonin me Malin e Zi, dhe gjatë luftimit, i kërkoi Mark Milanit një armëpushim të shkurtër për të mbledhur të plagosurit e për të varrosur të vdekurit. Mark Milani e pranon kërkesën e Fratit katolik, por i thotë: “Ti i krishterë dhe unë i krishterë, ti me Kryq në dorë, e me Krisht në zemër, ke dalë për t’i ndihmuar “turqit” në luftë.!!”
Përgjigja krenare e Pater Gjonit: “Kam dalë të ndihmoj shqiptarët në luftë me Malin e Zi, megjithëse janë të besimeve të ndryshme, por, qoftë ai qi beson në Krishtin apo ai tjetri që respekton Kuranin, ka për Nanë Shqipninë dhe për të vdes…
…pra, Rilindasit tanë apo Dërgimtarët e Kombit, siç i quan Lasgush Poradeci, u vërsulën drejt qiellit të Kombit, si parathënës të fatit të Shqipërisë: Naun Veqilharxhi në Rumani, Eftim Mitkua në Egjipt, Anastas Kullorioti në Greqi, Harallamb Koçi në Rusi, pastaj dërgimtarë të tjerë Naim Frashëri, Pashko Vasë Shkodrani, Mihal Grameno, etj.

Tre Frashërllinjtë e Mëdhenj
Tre Frashërllinjtë e Mëdhenj

Poeti Naim Frashëri, një bektashi shqiptar, puth Krishtin në emër të Kombit dhe lajmëron bashkimin e shqiptarëve në fenë e përbashkët të Atdhedashurisë. Diplomati Pashko Vasa, katolik shqiptar, depërton në shpirtin e vet për të gjetë Mendimin e Kombit dhe porositë me himnin e tij:

“Çoniu, shqiptarë prej gjumit çoniu,/ e të gjithë si vllazën n’nji besë shtrëngoniu,
e mos shikoni kisha e xhamia/ feja e shqyptarit asht shqyptaria”.

Kryengritësi Mihal Grameno, ortodoks, shqiptar këndon:

“Njëri në kisha, tjetri në xhamija/ jemi vllezër s’na ndajnë dot”.

Frati Gjergj Fishta bëri që shqiptarët e feve të ndryshme “të lidhin besë e fe shqiptare” dhe, në “Lahutën e Malcis” bani kombtarizimin e Oso Kukës, të Ali Pashë Gucisë dhe Hajrijes, duke i bashkuar me Marash Ucin, me pater Gjonin e me Tringën. Një prift tjetër, ortodoks ky, Fan Noli, Dërgimtar i shqipes futi mendimin e Kombit në mendimin e Flamurit: bashkimin e shejtë kombëtar.

“Flamur që linde Shën Konstandinë,/ pajton islam e krishtërimin/ çpall midis feve vllazërimin…”

E gjithë kjo lëvizje atdhetare, e gjithë kjo kambëngulje e shqiptarëve bëri që të detyrohet Bismarku të mendohej për vendimet që kishte marrë pa i pyetur shqiptarët.
Traktati i përgatitur u rishikua! Europa, e habitur, u kujtua se me të vërtetë ekzistonka nji popull shqiptar – i bashkuar dhe i vendosur për të mbrojtur me pushkë kufijtë e vet etnikë dhe të drejtat e veta. Në fillim u tha dhe u besua ndërmjet nesh se qe nji mrekulli që ndodhi me Shqipërinë e me shqiptarët e që shpëtoi vendin tonë. Por… në qoftë se do ta quajmë mrekulli, atëhere le të themi se kjo meritë është e tolerancës së gjerë të popullit shqiptar, e rilindasve tanë, e udhërrëfyesve tanë politikë të kohës, por mjaft edhe e poetëve dhe e shkrimtarëve, të cilët, pa marrë parasysh të qenit i këtij apo atij besimi, ditën të realizojnë triumfin e gjakut të përbashkët dhe gjuhës së përbashkët: d.m.th. vllazërimin e gjithë shqiptarëve që e njohin Shqipërinë për Nënë…

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shkrimi masiparm asht shuma bindës për të gjithë, se tek ne asnjiherë feja katolike dhe islame nuk kanë punu për përçarje të popullit.
    Në Shkodër ka pas qindra shembuj pozitiv në këtë drejtim: Dashni dhe martesa persona me fe te ndryshme, frekuentim të kishave dhe xhamive nga persona të fesë tjetër, vizita për festat fetare në familje të miqve të fesë tjetër, etj. Për të organizu meshën e parë në kishën e Vorrezave Katolike me 1990, Dom Simoni u ruejt nga familjet muslimane në Kiras, nga ku i shoqënuem prej tyne shkoi për të dhanë meshën në prani të qindra personave katolikë dhe muslimanë. Ishte një festë e shqiptarëve dhe jo vetëm e katolikëve.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.