back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ismail Kadare dhe Edi Rama në serbisht… nga Romeo Kodra

Gazeta

“Pallati i Endrrave" - (Palata Snova) - Ismail Kadare në serbisht
“Pallati i Endrrave” – (Palata Snova) – Ismail Kadare në serbisht

Ismail Kadare dhe Edi Rama në serbisht…

nga Romeo Kodra

Lajmi i botimit të Kadaresë,
me Nëpunësi i Pallatit të Ëndërrave,
dhe Edi Ramës, me Kurban, në serbisht,
është bërë i ditur prej disa ditësh.
Botimi, mesa duket nga lajmet në media,
vjen pas punës së këshilltarit të Kryeministrit Shkëlzen Maliqi.
http://www.balkanweb.com/site/shkelzen-maliqi-si-u-arrit-marreveshja-me-beogradin-per-kurbanin-e-edi-rames

Romeo Kodra
Romeo Kodra

Lidhja, e shumëfishtë, mes këtyre dy veprave dhe autorëve është sa paradigmatike, aq dhe simptomatike për impaktin gjeografik/ horizontal dhe historik/ vertikal të politikës dhe arti shqiptar në dimensionet më të gjera të politikës dhe artit rajonal, europian dhe/ose global.
Pikësëpari më duhet të pranoj se, personalisht, Kadarenë dhe letërsinë e tij nuk e honeps dot. Nuk kam mbërritur asnjëherë të përfundoj qoftë edhe një vepër të tij, përveç poezive rinore, ku kopjonte “rusët” e gjysmës së parë të shek. XX. Te ky pohim nuk ka asnjë lloj ironie apo kuptimi pezhorativ, sepse kam bindjen, duke cituar Oscar ëilde-in, që “vetëm gjenitë kopjojnë; mediokërit imitojnë”. Pra te poezitë e para të Kadaresë kam parë gjithmonë diçka gjeniale, ndërsa te veprat e mëvonshme, sidomos me kalimin në prozë, më është dukur gjithmonë një fillestar pompoz që fryhet për t’u dukur gjeni, por që nuk tregon tjetër veç mplakje të parakohshme. Ndoshta kjo, duke iu shtuar disa arsyeve që do i rendis më poshtë, Kadaresë shkrimtar i ka ardhur nga diplomimi në Moskë, në djepin e botës socialiste, dhe si çdo shqiptar me mentalitet provincial dhe ndjenja inferioriteti karshi gjithçkaje të “jashme”, “perëndimore”, “europiane”, ai, që herët, më është dukur sikur vuri maskën e “doktorit” të fshatit për t’i dhënë vetes gajret në vendin ku “lulet i hanë ende gomerët”.
Te Kadareja intelektual, ashtu si te shkrimtari, në mënyrë të përpiktë, vihet re në mos një mplakje, përsëpaku një vonesë edhe në zgjedhjen e tij për të marrë një pozicion të qartë kundër regjimit të shkuar totalitar. Mendoj se kjo vonesë i ka ardhur nga komoditeti i të qenurit xhevahir përfaqësues i regjimit, dhe si rrjedhojë, nga manipulimi i potencialit të tij intelektual prej kontrollit absolut të pushtetit të po atij regjimi që, si të tillë, e kishte përzgjedhur.
Fatkeqësia jonë si komb, sot, është që duam të shohim patjetër një filizë disidence te Kadareja, sa për të mos ngelur pa gjë, për t’u kapur pas saj si për të shpëtuar shpirtin prej fajit kolektiv. Fatkeqësisht besojmë ende te Kadareja disident, te ky fetus i ngjizur prej Babës Enver e që u mplak në mitrën e vyshkur të Nënës Parti.

Ismail Kadare 2009 - çmimin Prince of Asturias
Ismail Kadare 2009 – çmimin Prince of Asturias

Disidenca te ne nuk është shprehur kurrë, përveçse në mënyrë indirekte, simbolike, “artistike”, në mënyrë të tkurrur, gjymtuar, tredhur. Dhe për një popull që në mitologjinë dhe mitopoiesis-in e vet ka shenjtërinë e fjalës së dhënë dhe thënë, burrërisht, përkundrejt çdo force universale, atëherë kuptohet edhe degradimi i ndjeshëm i thelbit të kulturës sonë dhe shqetësimi i thënë apo i pathënë (varet nga tredhja personale) që pa përjashtim ndjejmë. Në pak fjalë po them se një herë e një kohë ishim popull që kërkonte të njihte veten në heronj, ndërsa sot jemi një popull që kërkon të njohë veten në strategji strategësh me ego të stratifikuar/shtresëzuar, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse fragmente të tredhura, siç është edhe vetë egoja karshi dëshirës së brendshme (ES) dhe Tjetrit. Thjesht: më parë promovonim heronj; sot promovojmë të tredhur.
Nga kjo pikëpamje, po nuk kuptuam impaktin e kontrollit të pushtetit mbi manipulimin intelektual të intellighencija-s autoktone, pak do të kuptojmë edhe të sotmen e marrëdhënies së kulturës, artit dhe pushtetit; po nuk kuptuam fuqinë subjektivizuese të pushtetit politik të regjimit të shkuar mbi artistë, shkrimtarë, intelektualë, pak do kuptojmë edhe fuqinë subjektivizuese të kapitalit të sotëm mbi ta. Në pak fjalë, po nuk kuptuam kontrollin e sistemit totalitar enverist mbi njerëz të përzgjedhur si Kadareja, nuk do kuptojmë retushimet apo modifikimet e vetvetes që kryen Kadareja sot për të rimarrë fjalën e tij të tredhur (dikur) prej pushtetit, si dhe për të mbajtur rolin/pozitën e pushtetshme (sot) të shkrimtarit kombëtar par exellance. Pra, duhet ndjekur itinerari se si pushteti – në mënyrë graduale dhe të pandalshme – infekton, manipulon, modifikon dhe tjetërson duke u ripërsëritur dhe rigjeneruar nga sistemi në sistem, nga subjekti në subjekt. [Kadareja i përzgjedhur prej pushtetit për të studiuar në Moskë – Kadareja i talentuar dhe diplomuar i njohur prej të “huajve/Tjetrit” – Kadareja i promovuar si arritje artistike dhe kulturore e pushtetit dhe për këtë i toleruar – Rënia e pushtetit/ rënia e Kadaresë – Kacavjerrja e Kadaresë/Artit për të rimarrë ose për të qenë vendimtar për pushtetin (ëndërra e çdo artisti gregar/garues/ushtar/subjekt/nënpunës/ i nënshtruar i Pallatit të Ëndërrave] Ndoshta kështu do kuptojmë edhe vlerat reale artistiko-kulturore të Edi Ramës, që nuk ka kuptuar ende Pallatin e Ëndërrave (le të shihet që nga Refleksionet).
Tani le të kthehemi tek botimi në serbisht i Kadaresë dhe Ramës. Në rradhë të parë duhet specifikuar se, në fund të fundit, çfarëdo që të thuhet për Kadarenë, dy gjëra i duhen njohur: talenti dhe gjenialiteti i atij kopjaci pompoz të viteve të Moskës dhe të qenurit fetus, edhe pse i mplakur, i disidencës së orëve të mbrame të regjimit totalitar. Por ç’është dhe si duhet marrë Edi Rama shkrimtar dhe intelektual?

Edi Rama - Kurbani
Edi Rama – Kurbani

Sipas Shkëlzen Maliqit, këshilltar rajonal i Kryeministrit për kulturën, Edi Rama mund të merret seriozisht si artist dhe shkrimtar. Por, siç pohon vetë Rama, ai duhet marrë seriozish në punën e tij të njëkohësishme dhe të pandashme si artist dhe politikan. Dhe këtë e konfirmojnë kuratorë bythëlëpirës, shqiptarë dhe të huaj, kur traplliqet dhe shkarravinat (doodles) ia ekspozojnë si vepra arti. Dhe këtu, unë, nuk kuptoj pse Maliqi mundohet të na mbushë mendjen se Rama “i bën në kohën e lirë” ato palo-vepra, siç i pohon Gazetës Shqiptare, kur vetë Rama ka thënë se i bën teksa dëgjon njerëzit në zyrën e tij apo gjatë mbledhjeve qeveritare. Ndoshta, përshtypja ime kjo, Shkëlzen Maliqi, duke qenë më i lëçitur se gazetarë e artistë mejhanelëpirës të zakonshëm, me të cilët rrethohet gjithmonë Kryeministri shqiptar, është nga të paktët që kupton idiotësinë e Ramës në kërkimin e të qenurit medoemos edhe artist edhe politikan njëkohësisht, dhe duke u ndjerë në siklet për punëdhënësin e tij mundohet t’ia zbusë idiotësinë dhe t’i rikthejë toruan, të paktën në sytë e publikut, prej delirit që pushteti/kapitali i ka injektuar në tru.
Gjithashtu praktika e Shkëlzen Maliqit në këshillimin e Ramës për kulturën rajonale, ka, për mendimin tim, edhe një paqartësi të mëtejshme: është këshilltar i Kryeministrit apo i Edi Ramës?! Është këshilltar i figurës institucionale të taksapaguesve shqiptarë apo siç dyshoj i personit privat Edi Rama? Nëse është rasti i dytë, atëherë duhet kuptuar se këshilltarë ka plot Edi Rama, madje po aq të lëçitur, si p.sh. Artan Shkreli apo Artan Lame, të cilët, duke “këshilluar shefin” që s’pjerdh për ta, janë diskretituar deri në atë pikë sa nuk kanë më sy e faqe – jo vetëm profesionalisht, por edhe si persona me një integritet minimal qytetar – të flasin përpara shqiptarëve duke ajrosur gojën, siç e kishin zakon. Prandaj nuk do të doja të gjendej në këtë pozicion edhe Shkëlzen Maliqi.
Dhe që fatin e Shkrelrave dhe Lamrave e rrezikon edhe Maliqi duket nga fakti që ai vetë bëhet promovues (është Maliqi që i sugjeron Ramën botuesit serb… dhe këtu lindin dyshime nëse është këshilltar i Ramës apo i Kryeministrit) i bashkëbotimit të Kadaresë dhe Ramës, krah për krah, ku ndihet dukshëm tendenca për të futur Ramën në qerthullin e përfaqësuesve të artit dhe kulturës shqiptare në sytë e fqinjëve tanë serbë. (Mbaruan njerëzit e letrave shqipe që të promovojmë Kryeministrin në Serbi? Jemi akoma në kohërat e promovimit të veprave të Enver Hoxhës?) Kështu që ndodhemi përpara faktit të tentativës së futjes së Ramës si përfaqësues, jo vetëm politik (më i madhi, më i jashtëzakonshmi, më inteligjenti më… më… më… më i politikanëve) por edhe artistik, krah për krah me Kadarenë, që shumëkush e supozon si ajkën e shkrimeve të kombit.
Interesant, dhe kyç, është gjithashtu fakti që botues në serbisht i Kadaresë dhe Ramës është një produkt i Soros-it dhe USAID-it: Samizdat B92, një satelit i rrjetit B92, ngritur “rastësisht” pak para trazirave në ish-Jugosllavi në ’89 dhe aktive në epokën (kundër) Millosheviçit e deri në ditët e sotme (Ah, Millosheviçi doli i pafajshëm nga gjyqi ndërkombëtar dhe nuk e di pse nuk po revoltohet askush për këtë “skandal”!). Praktikisht mediumi me të cilin kapitali/pushtet shpreh trendet e tij në Serbi, por edhe “in direkt” në Shqipëri. Logjika manipuluese e tij, që duhet t’i përcillet opinionit publik, është një version i ri i marrdhënies art/pushtet, një evoluim i Kadaresë që arrin me Edi Ramën tashmë një stad të ri, një model/fytyrë të re. Dhe ky evoluim kuptohet kur, jo më kot, Shkëlzen Maliqi s’harron të evidentojë pikërisht faktin që Kadare pas ndryshimit të regjimit totalitar ka retushuar veten, sikur të ketë dashur të shpëtojë prej damkës së pushtetit për të rifituar fjalën, por që nuk ia ka arritur, sepse Maliqi parapëlqen variantin e parë të veprës. Dhe konkluzioni kuptohet: tani kemi një artist të ri, që, më në fund, është treguar aq “kodosh” sa ia ka dalë mbanë të kontrollojë pushtetin e korruptuar politik dhe po shpalos vizionin e vet sa politik aq edhe artistik, siç shihet te Kurban. Nuk jemi më tek artisti/ nënpunës i përpirë prej Pallatit të Ëndërrave, por tek i sakrifikuari i pushtetit të mëparshëm, që rilindi, si Mesia, edhe një herë.
Por Maliqi, Samizdat B92, Soros, USAID, kapitali/pushtet dhe mediat – sa pordhace e aq të dhjera – shqiptare, që publikojnë këto arritje të Karabushit të Kryeministrisë, nuk u japin serbëve dhe shqiptarëve fytyrën e plotë të Ramës, atë të liderit që i ka shpallur luftë jo varfërisë, por të varfërve. Pse ky melting pot i prostituimit të artit për përfitime politike nuk u jep serbëve dhe shqiptarëve informacion mbi “dëmet [e reja] kolaterale” (Kurban, fq. 55), siç i quante Rama, “Kryetari” i Tiranës, hallet e njerëzve kur u kishte shitur menderen oligarkëve të tullës e llaçit, të promovuar sot e asokohe si e vetmja “mundësi e zhvillimit”, që tani, kur Rama është në karriken më të lartë të pushtetit, nuk bën më dëme, por viktima (shih romët/egjiptianët, studentët, fshatarët, punëtorët që lënë kockat duke u ripërpunuar në grumbuj “mbetjesh t’flliqta rreth e përqark tryezës mbi t’cilën hangri darkën një qen i pamshirshëm me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.”). Pse ky llum e lluc prostitucional nuk tregon shndërrimin e “mesianik” të Edi Ramës, nga Mesia në Sfinks që ruan, i gjunjëzuar në këmbë të Piramidës, jetën e përtejme të faraonit/pushtetit/kapitalit?
Marrë nga https://aksrevista.wordpress.com/2016/09/13/ismail-kadare-dhe-edi-rama-ne-serbisht-romeo-kodra/
13 Shtator 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.