back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ismail Kadare, Pasdite – nga Ben Blushi dhe nje reagim nga Çerçiz Loloçi

Gazeta

Ismail Kadare - (foto Ben Blushi)
Ismail Kadare – (foto Ben Blushi)

Ismail Kadare, Pasdite

nga Ben Blushi

Duke i uruar Ismail Kadaresë ditëlindjen, po botoj bisedën që kam bërë me të si pjesë e librit tim “41 Sekrete”.
Alda Bardhyli, Ismail Kadare dhe unë u gjendëm një të dielë pasdite në një kafene në bllok.
Ata morën nga një kafe dhe ndezën një cigare. Unë mora një ujë.

-Del shpesh, Ismail? – e pyeta.
-Mundohem të dal sa më shpesh. – tha Ismaili.
-Lexon?
-Nuk lexoj më asgjë.
-Po televizor shef?
-Shof ndonjë film, po nuk e mbaroj.
-Pse e thua këtë, ti shef shumë filma. – tha Alda Bardhyli.
-Ashtu? Po çfarë filmi kam parë, ma thuaj pak! – tha Ismaili.
-Mos ma thuaj emrin e filmit, – thashë unë, – s’ka problem.
-Ismaili takon pak njerëz! – tha Alda.
-Kam përshtypjen se të japin bezdi njerëzit, Ismail? – thashë unë.
-Ashtu mendon? – pyeti Ismaili.
-Po, mendoj që ke malaise, bezdi nga njerëzit! – thashë unë.
-E lodhin njerëzit! – tha Alda.
-Ti duhet ta dish më mirë! – tha Ismaili.
-Po ti mua m’i tregon të gjitha! – tha Alda.
-Më thuaj pak, a ishte dje ky pallati pas teje? – pyeti Ismaili.
-Ismail, jemi në Tiranë, – tha Alda, – këtu ndërtohet çdo ditë.
-Pse, nuk jemi në Paris?! – pyeti Ismaili.
-Pimë një cigare! – tha Alda.
-Unë nuk pi më cigare! – i thashë.
-Edhe unë do pi një! – tha Ismaili.
-Pi shumë cigare? – e pyeta.
-Shumë rrallë! – tha Ismaili.
-Dje, takova një të çmendur që pinte cigare të përdorura! – thashë unë.
-Ku e takove? – pyeti Ismaili.
-Në Prezë, aty ku duken avionët mbi Rinas.
-Kemi qenë para gjashtë muajsh në Prezë! – tha Alda.
-Ismail, a i jep makinës? – e pyeta.
-Nuk i jap, – tha Ismaili, – i jepja kur isha i vogël.
-Kur ishe i ri! – tha Alda.
-Po ti i jep makinës? – pyeti Ismaili Alda Bardhylin.
-Po! Pse, sa herë ke hipur në makinën time, nuk e mban mend! – tha Alda.
-Po, e vërtetë, – tha Ismaili, – je shofere e kujdesshme.
-Ku keni shkuar me makinë? – e pyeta.
-Ku me kë çuar? – pyeti Ismaili.
-Gjithandej, – tha Alda, – kryesisht shkojmë në vende afër Durrësit.
-Po në Tiranë, ku shkoni? – e pyeta.
-Dalim nëpër kafet e Bllokut dhe shohim njerëzit! – tha Alda.
-Shiko kush po kalon! – tha Ismaili.
-Kush?! – tha Alda.
-Gruaja e vëllait tim, Shahinit.
-Nuk është ajo. – tha Alda.
-Ajo është! – tha Ismaili.
-Ua, vërtet ajo qenka, – tha Alda, – si e njohe?
-Ismaili i njeh gratë! – thashë unë.
-Po, – tha Alda, – Ismaili ka shumë qejf të shohë gratë.
-Kur ke dashuruar për herë të fundit? – e pyeta.
-Kur kam qenë i vogël, – tha Ismaili, – dashuroja shpesh.
-Kur ke qenë i ri, – tha Alda, – i di unë, m’i ke treguar.
-Ashtu? – pyeti Ismaili.
-Ismaili e ka pasur shumë qejf fotografinë, – tha Alda, – ka shumë foto nudo të të dashurave të veta në Moskë.
-Ke bërë vërtet foto nudo? – pyeta unë.
-Kjo i di. – tha Ismaili.
-Ja, i kam këtu! – tha Alda.
-Na i trego. – tha Ismaili.
-Nuk qenka nudo, – thashë unë, – por është fotografi shumë e bukur.
-E di kush është kjo, Ismail? – pyeti Alda.
-Kjo është Zhana. – tha Ismaili.
-E mban mend, e shef! – tha Alda.
-Moska ishte e mërzitshme, – tha Ismaili, – por njerëzit na donin shumë.
-Kush e fiton luftën? – thashë unë.
-Nuk e fiton Rusia, por as Ukraina nuk e fiton. -tha Ismaili.
-Po dikush do fitojë. – thashë unë.
-Po ti, pse bën kaq shumë pyetje? – tha Ismaili.
-Kam qejf të bisedoj për luftërat. – thashë unë.
-Po pse mendon kaq shumë? – më pyeti Ismaili.
-Pse, ti mund të jetosh pa menduar? – e pyeta unë.
-Fjala “jeton” është fjalë e madhe! – tha Ismaili.
-Pra, ti ke momente kur nuk mendon fare? e pyeta.
-Kam! – tha Ismaili.
-Ta kam zili! – thashë unë.
-Vërtet?! – pyeti Ismaili.
-Kjo është e vetmja gjë që kam zili tek ti! -thashë unë.
-Ndoshta, duhet të ikim në shtëpi! – tha Alda Bardhyli.
-Jo, rrimë dhe pak! – tha Ismaili.
-Duhet të hamë drekë! – tha Alda.
-Çfarë ha më shumë, Ismail? – e pyeta.
-Ismaili ha shumë lehtë. – tha Alda.
-Nuk jam hamës! – tha Ismaili.
-Po me gjumin, si e ke raportin Ismail?! – e pyeta unë.
-Unë fle! – tha Ismaili.
-Kohët e fundit fle shumë! – tha Alda.
-Më pëlqejnë shumë njerëzit që flenë mirë! – thashë unë.
-Pse të pëlqejnë njerëzit që flenë? – tha Ismaili.
-Sepse vetë nuk fle dot pa u zgjuar dy-tri herë! – thashë unë.
-Po edhe unë nganjëherë zgjohem. – tha Ismaili.
-Ismail, ke ftohtë? – e pyeta.
-Kam gjithmonë ftohtë! – tha Ismaili.
-Sot është ngrohtë! – thashë unë.
-Nuk më duket! – tha Ismaili.
-Po këtë shallin e mban se ke ftohtë apo për modë? – e pyeta.
-Për të dyja! – tha Ismaili.
-Po në verë mban shall?
-Nuk e di, – tha Ismaili, – si thua ti Alda, a mbaj shall unë në verë?
-Hiqe atë shall, Ismail! – i tha Alda.
-Nuk dua ta heq! – tha Ismaili.
-Po hiqe, se Beni do të të fotografojë! – tha Alda.
-Mos e hiq, Ismail. – thashë unë.
-E shef që nuk duhet ta heq! – tha Ismaili.
-Po hiqe, që të dukesh më bukur! – tha Alda.
-Moj nuk e heq, po të them! – tha Ismaili.
-Ismail, ke frikë nga vdekja? – e pyeta.
-Nuk kam frikë, – tha Ismaili, – unë dua të rroj deri 90 vjeç, pastaj mund të vdes!
-Ke pak frikë nga vdekja, ke, – i tha Alda, – ma ke thënë mua.
-Po atëherë, më thuaj, çfarë kam bërë unë kur isha 50 vjeç, meqë ti di çdo gjë! – tha Ismaili.
-Unë e di çfarë ke bërë! – tha Alda.
-Ma thuaj… – tha Ismaili.
-Nuk mund ta them këtu! – tha Alda.
-Kemi pesë vjet që jemi miq me Aldën! – tha Ismaili.
-Ju keni një raport të pabalancuar! – thashë unë.
-Pse mendon kështu? – tha Ismaili.
-Sepse Alda bën pyetje dhe ti përgjigjesh, ndërsa kur ti bën pyetje, ajo nuk përgjigjet.
-Ndoshta kështu kam dashur unë të jetë! – tha Ismaili.
-E shef si më mbron, është shumë i mirë! – tha Alda.
-Dukesh në humor, Ismail! – thashë unë.
-Është shumë më mirë se gjithë moshatarët e vet shkrimtarë! – tha Alda.
-Ashtu? – pyeti Ismaili.
-Sigurisht, – tha Alda Bardhyli, – e ke parë Kunderën si ka përfunduar?
-Pse gjallë është Kundera? – pyeti Ismaili.
-Gjallë është, po ka mbaruar me atë grua që ka.
-Pse, ti mendon se gratë kanë ndikim në jetëgjatësinë e burrave? – pyeta unë.
-Mendoj se po! – tha Ismaili.
-Kanë shumë ndikim! – tha Alda.
-Po ti je e martuar? – pyeti Ismaili
-Ta kam thënë që nuk jam më e martuar! – tha Alda.
-Po pse nuk je më e martuar? tha Ismaili.
-Edhe dje më pyete dhe ta sqarova! – tha Alda, – edhe Elena ta ka sqaruar disa herë.
-Ismail a ke telefon? – e pyeta.
-Kam! – tha Ismaili.
-Nuk e përdor si ne, për të lexuar lajme? – thashë unë.
-Ismaili ka një telefon të vjetër, tregoja Ismail! – tha Alda.
-Ja, ky është! – tha Ismaili.
-Këtë telefon, vetëm dy veta e kanë në botë! -thashë unë.
-Kush e ka tjetër? – pyeti Ismaili.
-Vetëm ti dhe ai që e ka shpikur! – thashë unë.
-Ismaili ka shumë qejf kur e marrin njerëz në telefon! – tha Alda.
-Ku e di ti, – tha Ismaili, – ti nuk më merr fare në telefon.
-Po a folëm sot? – pyeti Alda.
-Je shoqe e mirë, – tha Ismaili, – po s’më the pse nuk je e martuar.
-Mbaj mend që njëherë ke ardhur në shtëpinë tonë! – i thashë.
-Ashtu?! Po pse erdha atje? – tha Ismaili.
-Ishe për vizitë, – thashë unë, – isha i vogël dhe e vetmja gjë që mbaj mend ishte se flisje për boksin.
-Më ka pëlqyer boksi. – tha Ismaili.
-Çfarë të pëlqen tek ai sport? – pyeta unë.
-Më pëlqen vetmia e boksierëve, – tha Ismaili, – mënyra si sillen kur humbin.
-Ndoshta e ke nga Xhek Londoni, – thashë unë, – ai ka shkruar shumë për boksierët që humbin.
-Nuk e kam nga ai, sepse nuk e kam lexuar, – tha Ismaili, – por boksierët e mundur janë të vetmuar!
-Ke frikë nga vetmia? – e pyeta.
-Vetmia është si vdekja! – tha Ismaili.
-Është më keq! – thashë unë.
-Pse është më keq! – tha Ismaili.
-Sepse kur je i vetmuar, e kupton që je i vetmuar, kurse kur vdes, nuk e di që je i vetmuar, sepse ke vdekur!
-Ndoshta, – tha Ismaili, – po ti, je i vetmuar?
-Sa më shumë mendoj, aq më shumë jam vetëm! – thashë unë.
-Kurse Ismaili nuk është i vetmuar! – tha Alda.
-Ismail, ti nuk shkruan më? – e pyeta.
-Nuk shkruaj më! – tha Ismaili.
-Ke frikë se pas 100 vjetësh nuk do lexohet më gjuha shqipe?
-Çdo të thuash, – tha Ismaili, – gjuha shqipe është shkruar që në shekullin e 15-të.
-Por në të ardhmen mund të zhduket dhe ti nuk do lexohesh më! – thashë unë.
-Nuk e kam menduar këtë! – tha Ismaili.
-Fëmijët konsumojnë gjithçka anglisht, thashë unë, dhe pas shumë vitesh, gjuha shqipe mund të kthehet në gjuhë shtëpiake!
-Çdo të thuash me gjuhë shtëpiake? – pyeti Ismaili.
-Gjuhë shtëpiake është një gjuhë që përdoret vetëm në shtëpi, por jo në punë dhe jo në komunikimin shoqëror e kulturor.
-Nuk dua të mendoj për këto gjëra! – tha Ismaili, – po ti pse mendon kaq shumë?
-Beni është shkrimtar. – tha Alda.
-Ke emër të bukur, – tha Ismaili, – nga vjen mbiemri Blushi?
-Blush, është emri i fshatit tonë të origjinës në Kolonjë. – thashë unë.
-Kurse unë kam një emër shumë të shëmtuar! – tha Ismaili.
-Nuk të pëlqen emri Ismail? – e pyeta.
-Fare, – tha Ismaili, – duket si një emër i lagësht.
-Prandaj ke gjithmonë ftohtë, – thashë unë, – e ka fajin emri!
-Ndoshta, – tha Ismaili, – po ty si të duket emri im?
-Më duket si emri i një tregtari arab! – thashë unë.
-Po ty të njohin si Kadare, – tha Alda, – dhe unë të them zoti Kadare.
-Më adhurojnë si Kadare, por jam Ismail! – tha Ismaili.
-Çfarë emri do doje të kishe? e pyeta.
-Nuk e di, një emër tjetër! – tha Ismaili.
-Ramazan! – thashë unë.
-Nuk më pëlqen. – tha Ismaili.
-Rexhep, – thashë unë, – në osmanisht do të thotë qershor. Është emër i thatë dhe nuk ke asnjëherë ftohtë!
-As ky nuk më pëlqen! – tha Ismaili.
-Ismaili do donte të quhej Rudjan! – tha Alda Bardhyli.
-Po pse Rudjan? – pyeta unë.
-Kjo e tha! – tha Ismaili.
-Ma ke thënë vetë! – tha Alda.
-Çfarë është ky Rudjani? – thashë unë.
-Është një personazh i Ismailit në librin “Hija”, – tha Alda, – është emri që Ismaili i ka vënë vetes në letërsi.
-Nuk e kam lexuar këtë libër! – thashë.
-Unë jam njeri i mërzitshëm në bisedë! – tha Ismaili.
-Ismail, njerëzit rrinë me ty për ato që shkruan, jo për ato që flet! – thashë unë.
-E vërtetë! – tha Ismaili.
-Ismaili është madhështor! – tha Alda.
-Më kishin thënë që ti bën grevë fjale herë pas here! – thashë unë.
-Çdo të thuash! – pyeti Ismaili.
-Që refuzon të flasësh me ditë të tëra!
-Ka ndodhur, – tha Ismaili, – por nuk e bëj me qëllim.
-Tani duhet të ikim të hamë drekë! – tha Alda.
-Çfarë do hamë? – tha Ismaili.
-Do ketë bërë patjetër diçka Elena, – tha Alda.
-Tani do jetë ftohur! – thashë unë.
-Njëlloj është, e ftohtë, e ngrohtë. – tha Ismaili.
-Fute telefonin në xhep dhe ikim! – tha Alda.
-Çudi, – thashë unë, – Ismaili ka shumë xhepa, po telefonin e futi në xhepin nga e nxori.
-Ismaili nuk harron asgjë, – tha Alda, – si mendon ti?
-Edhe unë mendoj se ai nuk harron asgjë! – i thashë.
-Po atëherë, pse bën sikur harron! – pyeti Alda.
-Ismaili luan, – thashë unë, – bën sikur harron, për të vënë njerëzit në lojë.
-Po pse e bën këtë! – tha Alda.
-Duke qenë shumë i madh, do të sillet si i vogël, – thashë unë, – është një tekë e tij.
-Vërtet, beson se Ismaili nuk harron asgjë? – pyeti Alda.
-Harroj, harroj, – tha Ismaili, – më thuaj dhe një herë, a je e martuar?!
-E shef! – thashë unë.
-E shof! – tha Alda.

https://www.facebook.com/benblushi.al/posts/723259732706604

Kadare dhe vepra e tij nga "Onufri"
Kadare dhe vepra e tij nga “Onufri”

Mero Baze: Njeriu i pasuruar prej plehrave

nga Çerçiz Loloçi

Ben Blushi ka arritur të nxjerrë në pritë Ismail Kadarenë, me shpresë se po e poshtëron. E ka thirrur me ngulm të pijë një kafe në Tiranë dhe gjithë bezdinë e Ismailit për të folur me të dhe njerëzit përreth tij në këtë moshë, e ka paraqitur si intervistë, me shpresë se po zbulon “një sekret” që ne nuk e dimë rreth pleqërisë së tij.
Për shkak të distancës që kam me të, nuk e kisha lexuar dhe ndoshta nuk do ta lexoja, nëse dikush nga familjarët e Ismailit, nuk do të më niste linkun e asaj paçavureje që e kishte botuar edhe gazeta “TemA”, siç bëjnë shumica e gazetave në këto kohë, që janë në garë me njëra-tjetrën pas çdo marrëzie që u del para.
Nuk po merrem me anën etike të shkrimit, pasi është luks i madh ta kërkosh nga Blushi. As me faktin që është dhe çështje ligjore kur dikë e thërret për kafe në një bisedë të rëndomtë dhe pastaj e paraqet si intervistë.
Por përpjekja e tij për të nxjerrë në pritë një gjeni në moshë të thyer, me shpresë se lexuesit tani e tutje nuk do të mbajnë mend veprën e Kadaresë, por “intervistën” e Blushit për të, tregon gjithë vrerin që Kadareja shkakton tek gjysmë shkrimtarët, gjysmë gazetarët, gjysmë biznesmenët, gjysmë politikanët, gjysmë të korruptuarit, gjysmë intelektualët dhe gjysmë qytetarët realë të Shqipërisë, që duke mos shkëlqyer në asgjë në jetë, përveç ligësisë, duan t’i shikojnë dhe të tjerët si gjysmë njerëz.
Nuk është vetëm Blushi i tillë. Është një duzinë njerëzish të paplotësuar dhe të paarrirë në këtë vend, që dështimet dhe mediokritetin e tyre përpiqen ta kompensojnë me përpjekjen për të poshtëruar atë që nuk arrijnë dot.
Dhe duket që është vrer i madh. Nëse ke durim ta lexosh deri në fund intervistën gjysmë imagjinare të Blushit dhe përgjigjet plot bezdi të Kadaresë për të, e kupton realisht çfarë e lumturon Ben Blushin. E lumturon fakti që Ismaili ka dëshirë që disa herë të mos mendojë për asgjë dhe sidomos fakti që shqipja, sipas tij, do kthehet në gjuhë shtëpiake, afërsisht si gjuha e vllehëve të Voskopojës që vazhdon përdoret vetëm në stane.
Të dyja këto “ëndërra” të tij e bëjnë të lumtur. E para, ajo që shkrimtari ka dëshirë të mos mendojë për asgjë i duket ëndrra më e madhe e tij në jetë për Ismailin, pasi i krijon idenë se ka një moment në jetë që ai e mund Kadarenë dhe ai është momenti kur Kadareja nuk mendon për asgjë.
Aty i duket vetja i barabartë, siç mund t’u duket vetja dy astronautëve në Hënë ku mungon graviteti dhe ata janë njësoj të rëndë, pavarësisht peshës.
E dyta, ka lidhje me ëndërrën e tij për zhdukjen e shqipes. Ajo i jep atij një qetësi të madhe për makthet e tij për të ardhmen si gjysmë shkrimtar, pasi Kadareja nuk do të lexohet më në të ardhmen, pasi nuk do ketë gjuhë shqipe.
Dhe kjo e ardhme e ëndërruar për fundin e shqipes, i jep lumturinë që nuk ia jep dot koha e sotme, e cila e ka vendosur Kadarenë në piedestalin e letrave shqipe.
Shpresa e vetme e armiqve të Kadaresë është vdekja e gjuhës shqipe, pasi Kadaresë, nuk ka çfarë t’i bëjë më as mosha, dhe as dëshira për të mos menduar asgjë.
Ai e ka bërë “dëmin” për mediokrit, ziliqarët, gjysmë shkrimtarët dhe të mllefosurit me të. E ka shkruar veprën e tij dhe ua ka lënë shqiptarëve dhe botës në dhjetëra gjuhë. Shpresa e tyre tani është të zhduket shqipja që të zhduket dhe Kadareja si shkrimtar bashkë me të.
Kjo është një lloj gjobe që ai ëndërron t’i vërë historia Ismail Kadaresë, meqë as gjyshi i tij, as baba i tij dhe as ai vetë nuk janë të krahasueshëm me të. Është si një hakmarrje në emër të gjithë mediokritetit të fisit të tij.
Por e vërteta biologjike është se Ben Blushi ka shanse si gjithë njerëzit, të bëhet një ditë aq vjeç sa Kadareja është sot, por nuk ka asnjë shans të bëhet aq i madh sa është Kadareja sot. Ndaj e ka gjithë këtë vrer ndaj tij.
Dhe nuk është se mbetem pa fjalë kur këtë e bën Ben Blushi. Kudo ku ka shkuar ai, ka qenë një lloj gjobaxhiu në çdo profesion.
Kur ishte pjesë e administratës shtetërore afër kryeministrit Nano, u shqua si i korruptuar dhe përfitues favoresh nga kryeministri i asaj kohe, që e kishte të vetin.
Kur ishte pjesë e politikës dhe mbetej jashtë tavës së pushtetit, merrte pozat e njeriut që mendonte për vegjëlinë dhe luftonte bandat e korruptuara të pushtetit por, befas përfundoi pjesë dhe madje në krye të një prej bandave më të pështira të korrupsionit qeveritar, asaj të inceneratorëve, duke kthyer televizionin më të madh në vend, në një grup të gatshëm të tyre, që përndiqte çdo makinë që nuk dorëzonte plehrat tek ata.
Dhe shpërblimi është publik. Nga një “përfaqësues i vegjëlisë” që i bënte opozitë Edi Ramës, përfundoi në një njeri që paguhej 246 milion lekë të vjetra në muaj, afërisht 210 mijë euro në muaj, një rrogë afërsisht sa rroga vjetore e presidentit të SHBA.
Është kjo arsyeja që sot atë e shikon pas Edi Ramës në çdo vend, pas atij kryeministri, të cilin e ka anatemuar se ka shokë banditë apo hajdutë në Parlament.
Tani i ngjitet nga pas në avion për në Ukrainë apo Hagë, duke bërë qoftë dhe si fotograf, me shpresë që ata të SPAK do ta shikojnë dhe nuk do ta prekin. Dhe Edi Ramës i shijon kaq shumë, deri në perversitet ky lloj poshtërimi, duke bërë si njeri tolerant, që i fal “tradhtart”.
Dhe falë këtyre historive korruptive të tij, tani i ka realizuar të gjitha ëndërrat materiale. Është bërë milioner, siç ka ëndërruar. Ka miliona euro në llogari bankare të marrë formalisht prej TV, me të cilin u zu për ndarje plaçke. Por duket se milionat nuk i japin dot qetësinë e njeriut të realizuar.
Emri nuk fitohet aq lehtë sa lekët. Dhe për ta kompensuar këtë, mendon se një rrugë më e lehtë është të poshtërojë ata që e kanë bërë vetë emrin e tyre. Siç është Ismail Kadareja.
Në botimin e tij të fundit, në të cilin ai pretendon se po na zbulon 41 sekrete, në fakt ai zbulon vetëm një sekret, atë që nuk është i realizuar si shkrimtar. Në fund të fundit nuk i ka kërkuar njeri 41 sekrete. Shqiptarët prej tij presin t’u tregojë vetëm një sekret, si ka mundur të pasurohet prej plehrave.

https://alb-spirit.com/2023/01/31/mero-baze-njeriu-pasuruar-prej-plehrave

Ben Blushi dhe Kadare - Interpretim i intervistës nga Avni Delvina
Ben Blushi dhe Kadare – Interpretim i intervistës nga Avni Delvina

Ben Blushi ka krijuar një intervistë pa dijeninë e tim ati

reagim nga Besiana Kadare

“Intervista” e Blushit, reagon Besiana Kadare: Ben Blushi ka krijuar një intervistë bazuar në një bisedë të rëndomtë private.
Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit Ismail Kadare ka reaguar pas debateve mbi “intervistën” e Ben Blushit me shkrimtarin pas një kafeje të rëndomtë në Tiranë.
Besiana shkruan se: Ben Blushi në fakt ka krijuar një intervistë pa “Dijeninë e tim ati, bazuar në një bisedë të rëndomtë private”.
Ajo thekson se “duke pasur parasysh moshën e thyer të tim ati, çdo përpjekje e këtij lloji është vërtet mjerane”.

Postimi i plotë i Besianës:
“Duke qenë se plot miq e të njohur më kanë pyetur këto dite nëse Kadareja vërtet i ka dhënë një intervistë Ben Blushit, dua të sqaroj publikisht se Ben Blushi, në fakt, ka krijuar një intervistë, pa dijeninë e tim ati, bazuar në një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafene me Kadarenë dhe shoqëruesen e tij, Alda Bardhyli.
Kohë më pas, Ben Blushi e ka publikuar bisedën në formë “interviste”, pa marrë pëlqimin e bashkëbiseduesit, duke abuzuar kështu me besimin që iu akordua, dhe me “kurajën” e çuditshme se po i zbulon publikut shqiptar sekrete të paditura. Një gjest ky sa imoral aq dhe i paligjshëm.
Fatkeqësisht është bërë praktikë tashmë që gjithfarë njerëzish shpresojnë të bëjnë publicitet, duke u përpjekur të shfrytëzojnë në forma te ndryshme figurën e Kadaresë dhe kontaktin me të. Duke pasur parasysh moshën e thyer të tim ati, çdo përpjekje e këtij lloji është vërtet mjerane…”
Marrë nga gazeta Tema

Ben Blushi - Zëri oponent i Kongresit të PS 2016
Ben Blushi

Ben Blushi versus Besiana Kadare

Kjo ka sjellë edhe reagimin nga Ben Blushi, i cili ka treguar se jo vetëm që e ka vënë në dijeni shkrimtarin Kadare që do e publikonte bisedën, por thotë se ia ka dërguar tekstin paraprakisht dhe i ka thënë se “i ka pëlqyer shumë”.

“Vajza e Ismail Kadaresë ka bërë një reagim shumë të padenjë në adresën time, të cilit nuk do i përgjigjem siç e meriton, meqë është vajza e Ismail Kadaresë. Shkak i këtij reagimi, është një bisedë e imja me Ismailin, e cila është botuar në librin tim të fundit 41 Sekrete.
Me Ismail Kadarenë nuk isha takuar asnjëherë deri në tetor të vitit të kaluar. Shumë njerëz, në disa raste miq të përbashkët, më sillnin herë pas here gjykime të Ismailit mbi librat e mi, por kjo nuk ishte një nxitje për ta takuar. Unë kisha mendimin tim për letërsine e tij dhe kjo më mjaftonte.
Ndoshta nuk do ishim takuar ndonjëherë, nëse vitin e kaluar Alda Bardhyli, një mikeshë e afërt e familjes Kadare, nuk do më kishte dërguar një mesazh ku thoshte: Beni a do të pish një kafe me Kadarenë? I thashë se atë ditë ishte e pamundur sepse po nisesha për varrimin e një njeriu të dashur, në Korçë. Një muaj më vonë, Alda më ftoi sërish për një kafe me Ismailin dhe i thashë se atë ditë duhet të shkoja në Shëngjin, për të fotografuar një basketbolliste afgane.
Me këmbënguljen e Aldës dhe sigurisht për kënaqësinë time, u takuam të tre, tetorin e vitit të kaluar. Në atë kohë, unë merresha shumë me fotografi, duke rendur nga veriu në jug, nëpër plazhe të boshatisura e nëpër provinca, për të kapur fytyra njerëzish të cilët në fakt më mësuan të fotografoj. Kur u mundësua ky takim, mendova se ja vlente ta kisha edhe Ismailin në katalogun tim të portreteve të cilat sot janë më shumë se 50 mijë.
Megjithëse nuk njiheshim, biseda jonë ishte aq e thjeshtë dhe spontane saqë, mendova ta shkruaj dhe ta botoj në librin tim 41 Sekrete, ku përveç Ismailit janë dhe 40 personazhe të tjerë disa të njohur, disa të panjohur dhe disa shumë të njohur siç ishte dhe rasti i Kadaresë. Këtë plan, të cilin nuk e kisha, në fakt ma imponoi vetë Ismaili. Ai foli aq qetë, saqë mua më lindi dëshira për ta shkruar atë tekst në mënyrë artistike. Në këtë mënyrë, Ismail Kadare u bë pjesë e librit që u botua në nëntor.
Sidoqoftë, për të qenë i kujdesshëm deri në fund, para botimit të librit 41 Sekrete e kam marrë Ismail Kadarenë në telefon dhe i kam thënë se kam ndërmend të botoj bisedën që zhvilluam bashkë. Natyrisht i thashë, kam treguar gjërat e thjeshta për të cilat folëm, çfarë ha, sa fle, kur zgjohesh, a shef televizor, a lexon, a pi cigare, a i jep makinës, a ke ftohtë, si do doje ta kishte emrin, a je i vetmuar,a ke frikë të vdesësh etj. Ismaili u gëzua dhe më falendëroi.
Kur libri 41 Sekrete u botua, i dërgova një kopje edhe Ismail Kadaresë. Pasi lexoi pjesën e vet të titulluar, Ismail Kadare Pasdite, ai më mori në telefon dhë më falënderoi, duke më thënë se i kishte pëlqyer ai tekst. Që nga dita që jemi njohur, flas me Ismailin në telefon dhe siç më merr edhe e marr sa herë mendoj se ky komunikim shumë i thjeshtë, nuk përbën asnjë angazhim për asnjërin, por është një mirësjellje reciproke. Herën e fundit Ismaili më mori dhe më uroi Krishtlindjen, siç e urova unë përpara disa ditësh për ditlindjen.
Kjo është historia ime me Ismail Kadarenë, për të cilin dikur kam menduar se është një shkrimtar i shkëlqyer, tani mendoj se është një shkrimtar shumë i mirë. Së fundi, kur e njoha, e simpatizova shumë edhe si njeri. Meqë vajza e Ismail Kadaresë pretendon se unë nuk kam marrë pëlqimin e tij, duhet t’i them se kjo është e pavërtetë çka vlen edhe për tekstin, i cili respekton në çdo gërmë gjithçka që kemi biseduar unë, ai dhe Alda Bardhyli. Në këtë pikë, unë e mirëkuptoj vajzën, sepse natyrisht Ismaili nuk ka pse t’i tregojë asaj çfarë flet me mua, siç edhe nuk i tregoj vajzës sime çfarë flas me Ismailin.
Megjithatë nuk është kaq.
Ismail Kadare është jo rrallë, një temë bisede në rrethet që unë frekuentoj dhe prandaj kohët e fundit, nga njerëz që e takojnë, kisha dëgjuar se ai refuzon të bisedojë, se mbyllet dhe nuk flet për ditë të tëra me njeri, se bën sikur nuk njeh ata që takon, ose edhe nuk i njeh vërtet dhe se për shkak të perëndimit të moshës mund të mos jetë shumë i kthjellët.
Për hir të së vërtetës, kur e takova, nuk gjeta asnjë gjurmë përhumbjeje apo seniliteti gjatë gjithë kohës që qëndrova me të, por edhe më pas kur kemi komunikuar. Ismaili ishte plotësisht i qartë, lucid dhe i përqëndruar dhe nëse bënte sikur harronte apo nuk kuptonte gjë, kjo ishte një lojë e tij. Sipas meje një kapricio. Kjo është pikërisht ajo që kam shkruar dhe ky tekst ka vetëm këtë qëllim: të fotografojë një shkrimtar në pasditen e jetës së tij.
Nisur nga ky qëllim, nuk do kisha menduar kurrë se vajza e Ismail Kadaresë dhe rrethi i tij, do ishin përgjigjur kaq pa takt dhe në mënyrë agresive, fyese dhe ofenduese për mua siç natyrisht nuk kisha pritur të më falënderonin. Por tani që lexoj çfarë kanë shkruar, që nga vajza e tij e para, kuptoj se unë dhe ata kemi një dallim të madh: ata mendojnë se Ismaili është i përhumbur, nuk është i kthjellët, nuk është fare lucid dhe për këtë shkak mendojnë se duhet mbrojtur dhe izoluar në mënyrë që bota mos njohë Ismailin që është, por atë që ka qenë. Me shumë pakujdesi, duke menduar më shumë se si të më fyente mua dhe jo si të mbronte babain e saj, këtë gjë kishte pohuar vajza e Ismailit në ndërhyrjen e shëmtuar ndaj meje.
Ndërsa unë mendoj të kundërtën. Ismail Kadare po luan me ata dhe ndoshta edhe me veten. Kështuqë çdo përpjekje për ta mbrojtur nga unë është e kotë. Siç është pa kuptim mbrojtja e Kadaresë nga Ismaili, edhe kur kjo vjen nga një vajzë e paedukuar siç është rasti i të bijës”, shkruan Blushi.

Shkrimtari Kadare midis "Mjaft-istave" 2006
Shkrimtari Kadare midis “Mjaft-istave” 2006

Debati i fundit Blushi-Kadare – nga Edmond Bejtaj

Ismail Kadare, sidoqoftë po them se unë ende i lexoj me ëndje librat e tij, siç do lexoja pa u druajtur hiç edhe shkrimet e bukura të dikujt që e gjithë shoqëria njerëzore përveç meje do e kishte përjashtuar nga gjiri i saj si të padenjë për të, apo do e kish mbyllur atë përjetësisht në hapsanë si keqbërës monstruoz.
Tani të vij pak tek ky debati i fundit që pati për protagonistë Blushin dhe të bijën e shkrimtarit që replikuan mbi një intervistë të tij marrë shkrimtarit e pastaj botuar.
E lexova atë intervistë dhe për nga stili ishte e njëjtë me disa të tjera që Blushi u ka marrë personazheve të tjerë e që i kam lexuar diku nëpër portale, pra diçka e përmbledhur në një stil konciz, i cili në fakt përtej mënyrës zbavitëse të rrëfimit, i ofron lexuesit në formën e fjalëve një ushqim apo pije të përpunuar të cilën ai duhet ose ta mbajë në gojë gjatë para se ta gëlltisë, e ose ta ripërtypë për t’i marrë shijen e duhur.
E kështu unë e interpretova apo shijova në mënyrën time atë që lexova dhe natyrisht e bija e shkrimtarit në mënyrën e saj, dhe këtu më duhet të them disa gjëra;
-Ata që e nxjerrin Kadarenë në shëtitje për ajër të pastër dhe shmpirje këmbësh, nuk i gjykoj keq pse e lanë shkrimtarin në duart e Blushit, por pse e lënë atë rregullisht në duart e kujtdo që i afrohet, duke e katandisur të fotografohet edhe në shoqërinë e ca politikanëve analfabetë, të cilët boshllëkun e llahtarshëm në kulturë dhe lexim mundohen ta mbushin me një foto në krah të shkrimtarit, duke bërë kështu që Kadare të duket herë si një ari pa dhëmbë e çataj nga ata të cirkut, e herë si një kalë poni të cilit mund t’i hipë kushdo në kurriz, sado xhuxh të jetë.
-Të afërmit e Kadaresë i gjykoj keq jo vetëm ngaqë nuk po tregojnë kujdesin e duhur për njeriun e tyre, duke e lënë kujdesin ndaj tij në duart e njerëzve që nuk e kanë asgjë, por edhe që nuk i gjejnë atij as edhe një kapele për të qenë, duke i vendosur mbi kokë diçka si biçim kapele ushtarake austro-hungarezësh që duket si e marrë nga koleksionet e Tan Lames.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.