back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Ismail Lulani – Piktori që krijoi në dy sisteme shoqërore nga Ylli Drishti – Studiues arti

Gazeta

Ismail Lulani Aquarel nga  Atankur Dogan
Ismail Lulani – Aquarel nga Atankur Dogan

Ismail Lulani – Piktori që krijoi në dy sisteme shoqërore

nga Ylli Drishti – Studiues arti

Ismail Lulani (Tuz, Mali i Zi, 26.03.1933 – Shkodër 06.10.2002) Piktor.
Ismail Lulani ishte një nga piktorët e shquar shqiptarë të shek. XX-të, ai ishte një nga artistët që ndikuan fuqishëm në modernizimin e artit shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.
Piktori Ismail Lulani kreu studimet e mesme për mjekësi, por shumë shpejt do t’i kushtohej plotësisht pasionit të tij të fëmijërisë – pikturës. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, gjatë viteve 1964 – 1968. Në veprat e tij sidomos rreth viteve ’80, ndjehet prirja drejt pasurimit të paletës piktorike e që gradualisht nga tabloja në tablo, e bën Lulanin të evidentohet si një artist me një stil të veçantë piktorik, i cili priret drejt dekorativitetit, motiveve të veçanta. Ismail Lulani dallohet koloriti i pasur dhe mënyra e vizatimit të personazheve. Krijimtaria artistike e piktorit Ismail Lulanit është e shumë e gjerë dhe e larmishme (mbi 30 vjet krijimtari). Ai ishte portretist, peizazhist dhe realizues i tablove kompozicionale me temë historike e sociale.
.
Ismail Lulani - Muji dhe Halili
Ismail Lulani – Muji dhe Halili
Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ishte peizazhi nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës (1969). Më tej Lulani do të ishte prezent me tablotë e tij në të gjitha ekspozitat, konkurset lokale dhe kombëtare. Temat e tablove piktorikë të Lulanit ishin të inspiruara nga ciklet e kreshnikëve (Muji dhe Halili), Gjergj Elez Alia, nga baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), nga historia e popullit shqiptar (Figura e Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena, Shote dhe Azem Galica). Lulani realizoi tablo për disa figura, ngjarje të luftës nacional-çlirimtare, dhe nga periudha e ndërtimit të socializmit, veçanërisht nga jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë. Në pikturën shqiptare artisti Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, ai ka krijuar personazhe (figurat e malësorëve) që vizatohen në mënyrë të stilizuar. Piktori Lulani ishte një artist që tërhiqej nga jeta e njerëzve të thjeshtë të zonës së veriut të Shqipërisë.
.
Zadrimorja - Ismail Lulani -1988-
Zadrimorja – Ismail Lulani -1988-
Pas viteve ’90, Ismail Lulani i kushtohet kryesisht peizazhit të zonave veriore shqiptare, që edhe më parë e tërhiqnin artistin. Lulani ka krijuar cikle të tëra tablosh me këto motive që mund të grupohen dhe sipas stinëve të vitit: cikli i peizazheve të vjeshtës, cikli i peizazheve të dimrit, cikli i bariut me dhi. Ai mund të konsiderohet si piktori i Shqipërisë së Veriut.
Ismail Lulani krijoi në dy sisteme shoqërore të ndryshëm, por ai mbetet një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të artit shqiptar të shek. të XX-të.
Mund të kujtojmë disa nga tablotë e tij në vite: “Skënderbeu në betejë”, (1968); “Ded Gjo Luli me trimat”, (1969, GKA,Tiranë); “Në hidrocentralin Mao Ce Dun” (GKA, Tiranë), “Peizazh malor”, (GKA, Tiranë) si dhe tabloja “Ndërtuesit e hidrocentralit” (1974, GKA, Tiranë).
.
Ismail Lulani - “Ndërtuesit e Hidrocentralit”, 1971
Ismail Lulani – “Ndërtuesit e Hidrocentralit”, 1971
Tabloja “Ndërtuesit e Hidrocentralit”, 1971, u realizua nga artisti për ekspozitën e 30 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në tablo janë pikturuar imazhet e tri punëtorëve, (portretet e tyre) janë paraqitur në plan të parë. Dy portretet e planit të parë janë me pamje përballë e me kapele letre dhe shami të lidhur mbi krye kurse punëtori i tretë shikon jashtë tablosë në anën e majtë të saj. Në sfondin prapa janë pikturuar strukturat e makinerive të ndërtimit të hidrocentralit (vinça) dhe struktura ndërtimore. Pikturimi i peizazhit është realizuar me dritë të fuqishme dhe me një gjuhë piktorike dekorative, ndërsa portrete pikturohen me ngjyra të ngrohta e me kalime tonesh dhe gjysëm tonesh delikatë që japin karakteret dhe fizionominë e veçantë të secilit prej tyre. Piktori Lulani nëpërmjet kësaj tabloje evidenton artistikisht vlerën dhe kontibutin e njerëzve të thjeshtë në ndërtimin e veprave të mëdha siç janë hidrocentralet. Pikturimi nga ana e artistit Lulani i tablosë “Ndërtuesit e Hidrocentralit”, është mbajtur i ekuilibruar si tonalitete koloristike dhe tabloja ka dritë të fuqishme. Piktori Ismail Lulani ka ekspozuar në shumë vende të Europës duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve në Francë, Austri, Itali, SHBA, Gjermani, etj. Në fondin e GKA,Tiranë ndodhen njëzetenëntë vepra të piktorit Ismail Lulani. Vepra të Lulanit ndodhen dhe në fondin e GA, Shkodër dhe të mjaft koleksionistëve privatë në Shqipëri e jashtë saj. “Mezuraj Muze”, në Tiranë ka në fondin e saj një koleksion të rëndësishëm me vepra të piktorit Ismail Lulani.
.
Ismail Lulani - Nusja
Ismail Lulani – Nusja

Ekspozita të artistit në vite

1973 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 30 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore. Pjesmarrës me veprat: “Partizania”, “Nuse nga malësia”, “Ushtri e popullit”.
1975 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 30 vjetorit të krijimit të Flotës Ushtarake Detare. Pjesmarrës me veprat: “Marinari”, “Portret”.
1976 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të krijimit të Partisë së Punës së Shqipërisë. Pjesmarrës me veprën: “29 nëntor 1944”.
1977 – Ekspozita Kombëtare e bujqësisë. Pjesmarrës me veprat: “Peizazh”, “Në tokën e lirë”, “Bjeshkë”, “Baresha delegate”.
1978 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore. Pjesmarrës me veprën: “Shtigje lufte”.
1978 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pjesmarrës me veprat: “Drejt Vlorës historike”, “Ali Pashë Tepelena”.
1978 – Ekspozita Kombëtare me temë fshatin. Pjesmarrës me veprat: “Peizazh”, “Në tokën e lirë”, “Bjeshkë”, “Baresha delegate”.
1979 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Pjesmarrës me veprën: “Bisedë mes vëllezërish”.
1981 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 40 vjetorit vjetorit të krijimit të Partisë së Punës së Shqipërisë. Pjesmarrës me veprat: “Suhagora 1945”, “Në kohë pushimi”, “Kreshnikët”, “Fushë Kosova”.
1982 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 70 vjetorit vjetorit të Pavarësisë. Pjesmarrës me veprat: “Tokë e përflakur”, “Legjenda e misrit”.
1984 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 40 vjetorit vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Pjesmarrës me veprat: “Në kantieret e dritës”, “Vjeshtë”, “Dimri”.
1986 – Ekspozita Kombëtare me rastin e 45 vjetorit të krijimit të PPSH. Pjesmarrës me veprat: “Vajzat e fushës”, “Peizazh”.
.
Ismail Lulani - Plaku me Gjel - 1999
Ismail Lulani – Plaku me Gjel – 1999
2009 – Ekspozitë vetjake me titull “Retrospektivë” në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, me rastin e 75 vjetorit të lindjes së artistit. U ekspozuan 150 punime të artistit, pjesa më e madhe e punimeve ishte nga koleksioni i familjes Lulani.
2017 – Ekspozita “Vepra të kthyera”. Pjesmarrës me veprën “Vjeshta”, 1984 (fondi i GKA,Tiranë).
Vlerësime artistike, dekorata të artistit në vite
1979 – Vlerësohet me titullin “Piktor i Merituar”
1989 – Vlerësohet me titullin “Piktor i Popullit”. – Lulani është vlerësuar me urdhërin “Naim Frashëri i klasit të Parë”.
1999 – Në Bienalen e Romës për artet vizive, vlerësohet me çmimin e dytë dhe i jepet medalja e argjendë me tablonë “Ikja në Egjipt”.
2003 – Pas vdekjes së artistit qyteti i Shkodrës (Këshilli Bashkiak) e ka dekoruar Ismail Lulanin me titullin “Krenaria e Shkodrës”.
.
Ismail Lulani Valle me Veshje te Veriut
Ismail Lulani Valle me Veshje te Veriut
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.