back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ismail Qemal Vlora (1844-1919) – përjetësuar në poezi nga Ali Asllani

Gazeta

Ismail Qemal Vlora - Portret nga Arben Morina
Ismail Qemal Vlora – Portret nga Arben Morina

Ismail Qemal Vlora (1844-1919)

përjetësuar në poezi nga Ali Asllani

Ismail Qemal Vlora, ndërroi jetë në Peruxhia (24 janar 1919), ku ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë. I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. «…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit…”[61].
Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme Jone të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante Marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.
Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.
Marre nga Wikipedia
.
Shpallja e Pavarsise (foto1913)
Nji vjetori i Shpalljes së Pavarsisë (foto1913)

Poeti Ali Asllani e ka perjetesuar ne këto vargje…

.

Ismail Qemali nga Ali Asllani

Mbyllur det’ edhe stere
Kush do pyes? … edhe përse?
E kush pyet për Shqipërinë,
Rreth me male një shketinë
E pa zë dhe e pa zotë
Vetëm vlente për një botë
Që të bënej ndonjë ditë,
Një thërime një kafshitë
Për atë e për këtë,
Vleft’e saja hë për hë,
Dele dajos……..
 
Kur nji ditë,
Vjen e çfaqet një Profitë;
Ish njI plak i bardhë borë,
Nji bajrak me zok në dorë;
Çan tokë e çan detë
Si i çan rrufeja retë;
Edhe zbriti mu atje
Ku i than nga se për se
Po atje në atë vëndë,
Dy të prishurit na mëndë,
Jo që nuk i than “miserdhe”
Po i than dhe “shko nga erdhe!”
 
Plaku gjorë e plaku mjerë,
Ku do vejë e ku do bjerë,
Nëpër erë e nëpër shira
Nëpër gropa me shëllira?
 
Iku ditë e iku natë
I mungon dhe buk’ e thatë;
Edhe buka i mungonte,
Vëtan zêmra i valonte.
 
Si ish baltë, këmba kridhej,
Si ish plakë, trupi dridhej,
Andej ruhej nga armiku,
Këtej ruhej nga i ligu.
 
Mirpo plaku bëri krahë;
Kaloj male, kaloj brigje,
Kaloj pellgje të pa vahë,
Kaloj pyje të pa shtigje
Syr’ i tija një yll shihte
Dita yllin po e fshihte.
 
Plaku iku, iku, iku
Pas ca dite një mëngjes,
Kur dëgjon një zë kikiku,
Një qytet i gjithë u ndes.
 
Ish një vend, një vend i lirë
Që në gjuhën më të mirë
Që në gjuhën e Asllanit,
I thon vëndi i jataganit;
 
I thon Vlon’ e i thon Vlorë
Ku Shqiponja dy krenorë,
Gjeti gjithë ata që deshi,
Djem baroti, djem arbreshi,
Me besë burri armatosur,
Trimëri që s’ka të sosur,
 
E kush ishte ai plakë?
E kush ishte ajo flakë?
Si një yll që është këputur
Në një arqe brenda futur,
 
Na harriti…. Kuje sotë
Nuk na erdhi si e deshëm,
Po në dhe se fusëm dotë
Pra në zêmra do t’a ngjeshim.
Dhe aty do rroj sa malet
Shpirti tija nuk do falet
Nuk do falet po si Dielli,
Ku bashkohen det e qielli,
Atje shuhet ashtu duhet,
Qarko botës zë e muhet;
 
Mirpo dielli dhe atëherë,
Shkrep dhe shtie mbi të tjerë;
Dielli mbet gjithnjë Diell,
Kurdoherë me kokë në qiellë,
 
Edhe Plaku këtë ditë,
Si njeri mbaroi jetë
Mir po Plaku i vërtetë
Ish Profit dhe mbet Profit;
Dhe qëndron ashtu si ishë;
Do mbaj emrin si e kishë;
Emr’i tija i vërtetë;
Eshtë Nëntor njëzet’ e tetë.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.