back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Jaltë 1945. Stalini shpërthen kundër Shqipërisë

Gazeta

Konferenca e Yaltes 1945 - Churchill - Roosevelt - Stalin
Konferenca e Yaltes 1945 – Churchill – Roosevelt – Stalin

Jaltë 1945 – Stalini shpërthen kundër Shqipërisë

nga Thanas Mustaqi

Shqipëria, dhe vende të tilla të vogla nuk e meritojnë të jenë në tryezë me fuqitë e mëdha, kështu ka deklaruar Stalini, idhulli i Enver Hoxhës. E përjavshmja “Investigim” zbulon faktin tronditës të shpërfilljes së vendit tonë nga Cari i kuq në Konferencën e Jaltës. Në librin “Ruzvelti dhe rusët: Konferenca e Jaltës” ish-sekretari amerikan i shtetit përshkruan një ngjarje kureshtare që lidhet me historinë e Shqipërisë në prag të Luftës së Ftohtë. Rrëzohet miti që vendin e vogël ballkanik e bojkotuan vetëm anglo-amerikanët, të cilët, përkundrazi kërkonin të respektoheshin të drejtat e fuqive të vogla.
Për Stalinin më 4 shkurt 1945 do të ishte absurde të mendohej se një vend i vogël si Shqipëria duhet të kishte votë të barabartë me Trojkën e Madhe (Bashkimi Sovjetik, Amerika dhe Anglia). Deklarata deri tani e panjohur (për lexuesin shqiptar) e idhullit të Enver Hoxhës, shpreh qartë përbuzjen e shefit të Kremlinit, jo vetëm ndaj vendeve të vogla, por edhe ndaj Shqipërisë,: “A doni që Shqipëria të ketë statusin e njëjtë si Amerika? Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë për të merituar një pozitë të tillë?” Kështu do të pyeste në mënyrë retorike J.V. Stalini, bash ditën e parë të Konferencës së Jaltës (4-11 shkurt 1945), gjatë një darke në pallatin perandorak “Livadia”, teksa ngrinte dolli me Ruzveltin dhe Çërçllin.

Stalini shpërthen kundër Shqipërisë

Viktima e parë e luftës, viktima e parë e pas-luftës
Në librin, tashmë antikuar, me titullin “Ruzvelti dhe rusët: Konferenca e Jaltës” (Roosevelt and the Russians: The Yalta Conference), botuar në vitin 1949, ish-sekretari amerikan i shtetit, Stetinius (1900-1949), përshkruan dhe një ngjarje kureshtare që lidhet me historinë e Shqipërisë në prag të Luftës së Ftohtë. Më 4-11 shkurt 1945, u mbajt Konferenca e Jaltës, një takim i krerëve të qeverive amerikane, britanike dhe sovjetike, përkatësisht presidenti Frenklin D. Ruzvelt, kryeministri Uinston Çërçill dhe Josif Stalini, për të diskutuar riorganizimin e Evropës së pasluftës. Konferenca u mblodh në pallatin “Livadia” afër Jaltës, në Krime. Është një koincidencë e jashtëzakonshme që Shqipëria,viktima e parë e Luftës së Dytë Botërore, në fund të kësaj lufte, të hapte një konferencë të tillë si ajo e Jaltës, që do të merrej me rimodelimin e Evropës. Dhe, ndryshe nga sa dihet deri tani, Shqipërinë e lanë jashtë OKB-së, jo vetëm SHBA dhe Britania, por edhe Stalini qysh në shkurt 1945, teksa nuk e ftuan as në Konferencën themeluese të OKB-së të San-Françiskos, në prill-qershor 1945. Këtë gjë nuk mundën ta zhbënin sovjetikët dot për 10 vjet!

Sytë e Botës dhe të Enverit drejt Krimesë
Stetinuesi tregon se më 4 shkurt 1945, presidenti amerikan Ruzvelt shtroi një darkë në pallatin “Livadia” për Çërçillin dhe Stalinin. Sekretari i atëhershëm Amerikan i Shtetit, tregon se liderët e Tre Fuqive të Mëdha ishin në humor të mirë gjatë gjithë kohës që po hanin. U rrokëllyen duzina dolli. Në një nga dollitë e Çërçillit, ai vuri në dukje se gjithë bota i kishte drejtuar sytë te Konferenca. Siç tregojnë dokumentet diplomatike amerikane dhe ato të Zyrës së Shërbimeve Strategjike, Enver Hoxha vërdallisej pranë misionit amerikan për të mësuar diçka për Jaltën. Qeverinë e tij nuk po e njihnin as Amerika, as Anglia, por as Bashkimi Sovjetik. Lideri komunist shqiptar nuk e dinte se komunistët e Moskës nuk e përfillnin. Dhe e keqja do t’i vinte nga Kremlini.

Shqiponja dhe zogjtë e vegjël
Pas dollisë së Çërçillit, ngrihet Stalini, që bëri mjaft të qartë se ishte dakord me kryeministrin, se tri Fuqitë e Mëdha, të cilat kishin mbajtur barrën e luftës, po ato duhet ta mbrojnë paqen.
Cari i Kuq shpërthen: Do të ishte absurde të mendohet se një vend i vogël si Shqipëria duhet të ketë votë të barabartë me Trojkën e Madhe. Stalini tha se ishte i gatshëm, të bashkohej me Amerikën dhe Britaninë e Madhe për të mbrojtur të drejtat e shteteve të vogla, por kurrë nuk do të binte dakord me çfardo veprimi të ndonjë prej Fuqive të Mëdha për t’iu nënshtruar gjykimit të fuqive të vogla. Ruzvelti dhe Çërçilli u përgjigjën se duheshin respektuar të drejtat e kombeve më të vogla. Por Mareshali ua kthen: “Jugosllavia, Shqipëria, dhe vende të tilla të vogla nuk e meritojnë të jenë në këtë tryezë. A doni që Shqipëria të ketë status të njëjtë si Amerika? Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë për të merituar një pozitë të tillë?!”
Nobelisti i ardhshëm në letërsi, kryeministri britanik iu përgjigj me një frazë të hollë: “Shqiponja duhet të lejojë që zogjtë e vogël të këndojnë dhe të mos shqetësohet pse kënduan”. Tjetër koincidencë e hidhur: Shqiponja – simboli i shqiptarëve, tani ishte simboli i një fuqie të madhe, që ha zogjtë e vegjël.

San Françisko
Por sovjetikët nuk u mjaftuan me kaq. Në Jaltë, SHBA, BS, dhe Britania hartuan ftesa për një Konferencë, që do të fillonte punimet në prill 1945 në San Françisko dhe që do të krijonte zyrtarisht Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Konferenca e San Françiskos u hap më 25 prill 1945, me delegacionet nga pesëdhjetë vende. Pas zgjidhjes së çështjeve më të diskutuara, Konferenca e San Françiskos u mbyll më 26 qershor, 1945. Në shenjë mbështetjeje, Presidenti amerikan Truman mori pjesë në sesionin përfundimtar për nënshkrimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe i uroi delegatët për krijimin e një “strukture solide mbi të cilën ne mund të ndërtojmë një botë më të mirë”. OKB-ja zyrtarisht u quajt e themeluar më 24 tetor 1945, pasi Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Kina dhe Franca, si dhe shumica e nënshkruesve të tjera, kishte ratifikuar Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Hidhërimi
31 mars 1945, Enver Hoxha me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë u dërgon një Kërkesë tre kryetarëve të Fuqive të Mëdha, lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e San-Françiskos, ku ndërmjet të tjerave ai shkruan: “Ndër shtetet që kanë luftuar krah për krah me shtetet aleate për të mposhtur Gjermaninë hitleriane, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm për hir të luftës së pareshtur që ka bërë kundër armikut të përbashkët dhe për hir të sukseseve që kanë kurorëzuar përpjekjet dhe sakrificat e saja të panumërta. Me hidhërim konstatoj se shtete të tjerë, të cilët nuk kanë dhënë asnjë kontribut në këtë luftë, janë ftuar me kohë, dhe pregatiten të dërgojnë përfaqësitë e tyre në San-Françisko. Kjo është një arsye më tepër që provon se pjesëmarrja në Konferencën e San-Françiskos, i takon me të drejtë Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, e cila është shprehja më e gjallë e popullit tonë heroik që meriton në çdo pikëpamje të japë gjithashtu kontributin e tij në rregullimin e çështjeve që i përkasin paqes së ardhshme të popujve, ashtu sikurse nuk ka kursyer në kohë lufte gjakun e tij për kauzën e përbashkët”.
Por më kot. Trojka e Madhe e kishte vendosur: Shqipëria nuk do të ftohej.

Treshja... e Konferencës në Yaltë
Treshja… e Konferencës në Yaltë

Dokumenti:

Marshalli – Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë?

Fragment nga libri i Edward R. Stettinius Jr. “Roosevelt and the Russians: The Yalta Conference”. Doubleday & Company, Inc., Garden City, New York, 1949
Në 8:30 të mbrëmjes1] Presidenti2] shtroi një darkë në pallatin “Livadia” për Çërçillin dhe Stalinin. Të vetmit amerikanët të pranishëm, përveç Presidentit, ishin Harrimani3], Bohleni4], Bërnsi5] dhe unë6]. Liderët e Tre Fuqive të Mëdha ishin në humor të mirë gjatë gjithë kohës që po hanim. U rrokëllyen duzina dolli. U zbavita së tepërmi kur vërejta se Stalini piu gjysmë gote vodkë dhe, kur po mendonte se askush nuk po e shihte, fshehurazi hodhi ujë në gotë. Gjithashtu vura re se ai me sa dukej parapëlqente më tepër cigare amerikane sesa ruse.
Në një nga dollitë e Çërçillit, ai vuri në dukje se gjithë bota i kishte drejtuar sytë te Konferenca, dhe, nëse ne kemi qenë të suksesshëm, mund të kishim paqe për njëqind vjet. Me tone të sigurta shprehu besimin se të tri fuqitë, që kanë derdhur gjak dhe kanë luftuar, do të mbronin paqen.
Stalini e bëri mjaft të qartë në dollitë e tij se ishte dakord me Kryeministrin se tri Fuqitë e Mëdha, të cilat kishin mbajtur barrën e luftës, po ato duhet ta mbrojnë paqen. Ai tha se ishte absurde të mendohet se një vend i vogël si Shqipëria duhet të ketë votë të barabartë me Trojkën e Madhe. Ai ishte i gatshëm, deklaroi, të bashkohej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe për të mbrojtur të drejtat e shteteve të vogla, por kurrë nuk do të binte dakord me çfardo veprimi të ndonjë prej Fuqive të Mëdha për t’iu nënshtruar gjykimit të fuqive të vogla.
Presidenti dhe Kryeministri u përgjigjën se ishin dakord që Trojka e Madhe domosdo duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore për paqen, por ata vunë në dukje se ishte thelbësore që kjo forcë të ushtrohej në mënyrë të moderuar dhe duke respektuar të drejtat e kombeve më të vogla. “Jugosllavia, Shqipëria, dhe vende të tilla të vogla nuk e meritojnë të jenë në këtë tryezë”, deklaroi Mareshalli. “A doni që Shqipëria të ketë statusin e njëjtë si Amerika?” pyeti ai. “Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë për të merituar një pozitë të tillë? Ne tre duhet të vendosim se si të ruajmë paqen në botë, dhe nuk do të ruhet nëse nuk vendosim ne të tre për ta bërë këtë”.
Kryeministri iu përgjigj kësaj deklarate: “Shqiponja duhet të lejojë zogjtë të vogël të këndojnë dhe të mos shqetësohet pse kënduan”.
Gjatë bisedës në darkë, Vishinski7] thirri mënjanë Bohlenin dhe e paralajmëroi se Rusia asnjëherë nuk do të jetë dakord që shtetet e vogla të kenë të drejtën e gjykimit të një akti të Fuqive të Mëdha. Kur Bohleni tha se delegacioni amerikan në Jaltë duhej të kishte parasysh shqetësimin e popullit amerikan për mbrojtjen e të drejtave të popujve të vegjël, Vishinski u përgjigj: “Amerikanët duhet të mësojnë t’u binden udhëheqësve të tyre”. Bohleni tha pastaj se nëse Vishinski do të vizitonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të donte ta shihte të merrte përsipër t’ia thoshte këtë popullit amerikan, Vishinski u përgjigj se ai do ishte i kënaqur të vinte në Amerikë dhe t’ua thoshte këtë gjë amerikanëve.
Përkthimi, titulli dhe shënimet janë të “Investigim-it”

Bota simbas Yaltes...
Bota simbas Yaltes…

1]Më 4 shkurt 1945, dita e parë të Konferencës së Jaltës.
2]Presidenti amerikan Ruzvelt.
3]Harriman, në atë kohë ambasador amerikan në Moskë.
4]Bohlen, në atë kohë përkthyes nga rusishtja i presidentit Ruzvelt.
5]Burnes, në atë kohë këshilltar pranë presidentit Ruzvelt, pas disa muajsh presidenti Truman e emëron Sekretar Shteti.
6]Autori i librit, Stettinius, në atë kohë Sekretar i Shtetit.
7]Vishinski, atë kohë zëvendës-komisar i popullit i Punëve të Jashtme i BRSS.

Yalta - Skulpture nga Zurab Tseretel
Yalta – Skulpture nga Zurab Tseretel

Personazhet e darkës në Jaltë (1945)

Frenklin Ruzvel
Franklin Delano Roosevelt (1882-1945), President i SHBA-së (1933-1945), figurë qendrore në ngjarjet botërore në mesin e shekullit XX, udhëhoqi Amerikën në kohë krize botërore ekonomike dhe lufte botërore. Presidenti i vetëm i zgjedhur në më shumë se dy mandate, ai kontribuoi në ndërtimin e një koalicioni të qëndrueshëm që e ristrukturoi politikën amerikane. Ka punuar nga afër me Çërçillin dhe Stalinin në udhëheqjen e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, por vdiq atëherë kur fitorja ishte në horizont.

Uinston Çërçill
Winston Churchill (1874-1965), politikan konservator britanik dhe burrë shteti i njohur për udhëheqjen e e Mbretërisë së Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është konsideruar gjerësisht si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të shekullit të kohës së luftës dhe ka qenë dy herë Kryeministër (1940-1945 dhe 1951-1955). Përveçse burrë shteti dhe orator, Çërçilli ka qenë oficer në ushtri, historian, shkrimtar dhe artist. Është i vetmi kryeministër britanik që kanë marrë çmimin Nobel në letërsi.

Josif V. Stalin
Josif Visarionoviç Stalin (1879-1953), politikan dhe diktator sovjetik. Në vitet 1917-1922, komisar i popullit për kombësitë. Nga viti 1922 ishte sekretar i përgjithshëm i partisë. Në gusht 1939, nënshkroi paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Nga viti 1941, kryetar i këshillit të komisariatit të popullit, komandant dhe shef suprem i Ushtrisë së Kuqe, në vitin 1943 mareshall. Pas vdekjes së tij, Kongresi XX i PK të BS (1956) ndërmori fushatën e destalinizimit dhe të rehabilitimit të viktimave të tij.

Edjuard Stetinius
Edward Reilly Stettinius, Jr. (1900-1949) ka qenë Sekretar i Shtetit nga 1 dhjetori 1944 deri më 27 qershor 1945. Ai luajti rol të madh si ndihmës i posaçëm i Presidentit në vitin 1941, deri në vitin 1943, kur u emërua nën-Sekretar i Shtetit. Pas daljes në pension të Sekretarit të Shtetit Kordell Hall, Stetiniusi zuri vendin e tij. Shoqëroi Ruzveltin në Konferencën e Jaltës në shkurt 1945. Dha dorëheqjen më 27 qershor 1945, për t’u bërë i pari ambasador i SHBA në OKB, deri në qershor 1946.

Çarls Bohlen
Charles Bohlen  (1904-1974) ishte diplomat amerikan në periudhën 1929-1969 dhe ekspert për problemet sovjetike, shërbeu në Moskë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si përkthyes nga rusishtja i Presidentit Ruzvelt në Konferencën e Teheranit (1943) dhe në Konferencën e Jaltës (1945), ambasador në Moskë (1953-1957), ambasador në Filipine (1957-1959) dhe në Francë (1962-1968). Ai u bë shembull i politikës së jashtme jopartiake në grupin e njohur me emrin “Të Urtët”.

Xhejms Frensis Bërns
James Francis Byrnes (1882-1972) burrë shteti amerikan. Ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve (1911-1925), senator (1931-1941), anëtar i Gjykatës së Lartë (1941-1942), Sekretar Shteti (3 korrik 1945 – 21 janar 1947) dhe Guvernatori i Karolinës së Jugut (1951-1955). Ishte një nga politikanë e pakët që ka punuar aktivisht në të tri degët e qeverisë federale, Ishte konfident i Presidentit Ruzvelt, dhe një nga njerëzit më të fuqishëm në politikën amerikane të brendshme dhe të jashtme në mesin e viteve 1940.

Andrej Vishinski
Andrej Januarjeviç Vishinski (1883-1954), politikan, jurist dhe diplomat sovjetik. Në vitin 1935, Prokuror i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik. Zëvendëskryeministër (1939-1944), zëvendës-komisar i popullit i Punëve të Jashtme i BRSS (1940-1946), zëvendësministër i parë i Punëve të Jashtme (1946-1949), Ministër i Punëve të Jashtme (1949-1953), zëvendësministër i parë i Punëve të Jashtme dhe përfaqësues i përhershëm i BRSS-së në OKB (1953-1954). I famshëm për gjyqet staliniane.

Uilliam Averell Harriman
William Averell Harriman (1891-1986) politikan, biznesmen dhe diplomat amerikan. Kryetar, ambasador dhe përfaqësuesi i posaçëm i misionit special të Presidentit të SHBA-së në BRSS (1941-1943); ambasador në Moskë (1943-46); Sekretar i Tregtisë (1946-1948), në kohën e Presidentit Herri Truman; Guvernator i Nju Jorkut (1955-1958); koordinator i SHBA në Planin Mareshal (1948-1950). Ka shërbyer në pozicione të ndryshme në administratat e presidentëve Kenedi dhe Xhonson.
http://gazeta-lajmi.info E premte, 9 dhjetor 2011

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.