back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Jam krenar që jam shqiptar…!? – nga Bujar Kule

Gazeta

Kulla e dëmtuar e Krujës
Kulla e dëmtuar e Krujës

Jam krenar që jam shqiptar…!?

nga Bujar Kule

(Cili është kumti i zi, që do t’i japim Gjergj Kastriotit, heroi tonë kombëtar?)
 
Vallë, çfarë do të ndodhte në Greqi, nëse Akropoli dhe Partenoni i Athinës, për një arsye apo një tjetër, do të rrezikonte të shembej, të shkatërrohej, të zhdukej njëherë e përgjithnjë, nga thesari i pasurisë materiale historike të Greqisë?
Vallë, çfarë do të ndodhte në Itali, nëse, një monument historik, le të themi Kulla e Pizës, për një arsye apo një tjetër, do të rrezikonte të shembej, të shkatërrohej, të zhdukej njëherë e përgjithnjë, nga thesari i pasurisë materiale historike të kombit italian?
Pyetje të kota sepse tashmë, si në Greqi ashtu edhe në Itali, e dimë se çfarë ka ndodhur, kur qytetarët dhe qeveritë e këtyre shteteve, janë gjendur përballë një rreziku të tillë!
Një nga aktet e para që ndërmori qeveria e shtetit të ri grek menjëherë mbas shpalljes së pavarësisë, ishte restaurimi i Akropolit të Athinës. Një mision ky, që qeveritë e shtetit grek, pavarësisht nga mënyrat e ndryshme të qeverisjes që ka përdorur shteti grek gjatë fundit të shekullit të XIX, dhe shekullit të XX, pavarësisht se kujt krahu politik i përkisnin, e kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë deri në ditët e sotme sepse, kanë qenë gjithmonë të vetëdijshme që, mbi gjithçka tjetër, kujtesa historike (materiale apo shpirtërore) është faktori kryesor që mbars dhe mban gjallë një komb. Dhe që, shembja dhe shkatërrimi i Akropolit të Athinës, nuk do të ishte thjesht zhdukja e ca rrënojave gurësh të vjetër, por do të ishte vdekja e një pjesëze të historisë së Greqisë, histori pa të cilën, nuk do të ekzistonte më, as një komb i quajtur grek, dhe as një shtet i quajtur Greqi.
Në fillimin e viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, lajmi i shembjes së mundshme të asaj që njihet botërisht me emrin Kulla e Pizës (shiko shën. 1), u prit në Itali si lajmi i një mynxyre kombëtare. Shteti italian vendosi krijimin e menjëhershëm të një “Komiteti ndërkombëtar për shpëtimin e Kullës së Pizës”. Televizionet dhe gazetat italiane, njësoj sikur Italia të ishte në luftë, do të shpërndanin një buletin të përditshëm për të njoftuar kombin italian mbi gjendjen e Kullës.
Përveç hulumtimit dhe studimit të gjendjes së kullës për të gjetur një zgjidhje përfundimtare që do ta shpëtonte Kullës e Pizës nga shkatërrimi, drejtimit të punimeve të vazhdueshme që kryheshin për të ndaluar përkohësisht procesin shtrembërimit të mëtejshëm të kullës, “Komiteti ndërkombëtar për shpëtimin e kullës së Pizës”, merrej edhe me kqyrjen e qindra mijëra letrave nga Italia dhe mbarë bota (madje edhe nga Shqipëria), në të cilat, njerëz të ndryshëm dhe me profesione të ndryshme, i propozonin komitetit në fjalë, mënyra po kaq të ndryshme për shpëtimin e kullës.
Në të vërtet, kjo luftë e kombit italian kundër “armiqve” të Kullës, kishte shumë shekuj që kishte filluar dhe ishte vazhduar në mënyrë të pandërprerë, madje, edhe gjatë viteve të dy luftërave botërore. Edhe pse gjatë këtyre shekujve, italianët (njësoj si grekët) ishin qeverisur nga forma të ndryshme qeverisjeje (monarki absolute, monarki parlamentare, diktaturë, republikë parlamentare), nga qeveri me prirje të majta apo të djathta, asnjë prej këtyre qeverive nuk i kishte shkuar kurrë në mendje të nënvleftësonte apo të shpërfillte ruajtjen e pasurisë materiale historike që zotëronte kombi italian sepse, ishin të ndërgjegjshme që, pa histori, nuk do të ekzistonte më, as kombi dhe as shteti italian, të cilin, në një mënyrë apo një tjetër, qeverisnin. Të gjitha këto qeveri dhe qeveritarë, edhe pse kishin jetuar në epoka të ndryshme, ishin të ndërgjegjshëm që, mospërfillja (e pavetëdijshme, apo edhe më keq, e vetëdijshme) ndaj shkatërrimit të kujtesës historike, ishin tradhtia më e madhe që një qeveri, mund t’i bëj shtetit dhe kombit që qeverisë.
Edhe ne shqiptarët, kemi kullën tonë të Pizës, Akropolin dhe Partenonin tonë!
Kullën e Kalasë së Krujës…
E kapitur dhe e dërrmuar nga plagët e betejave me pushtuesit, nga plagët e betejave me renegatët e atdheut, nga plagët e betejave me tekat e natyrës, Kulla e Krujës nuk nuk mund të krahasohet nga bukuria dhe hijeshia, as me Partenonin dhe as me Kullën e Pizës, por ajo është Kulla jonë e Pizës, Akropoli dhe Partenoni ynë, djepi ku është ngjizur ekzistenca e kombit tonë. Dhe si e tillë, duhet të ishte për ne shqiptarët e sotëm, e shenjtë dhe e rëndësishme, po aq sa është i shenjtë dhe i rëndësishëm për kombin izraelit, muri i lutjeve në Jerusalem.
E ndërtuar me shumë gjasa, gjatë shekujve XI-XII (shiko shën. 2), nën hije e kësaj kulle, pasardhësit e fundit të ilirëve antik, u bënë të vetëdijshëm për identitetin e tyre kombëtar, u bënë të vetëdijshëm se nuk ishin as bizantin dhe as latin. Dhe ishte fitimi i kësaj vetëdije që mbarsi në vitin 1190, krijimin e shtetit të tyre të parë: “Principatën e Arbrit” me qendër Krujën, që dëshmoi përpara gjyqit të historisë sw Arbwrit, pasardhësit e ilirëve antikw, nuk ishin një mbetje e përçartur njerëzish të egër, por ishin një popull i aftë të ndërtonte dhe të qeveriste një shtet.
Nga kambanat e kullës së Kalasë së Krujës, arbwrit do të lajmëronin thyerjen dhe zmbrapsjen e dallgës të dyndjeve sllave, e më pas akoma, për thuajse një shekull, do të lajmëronin edhe thyerjen dhe zmbrapsjen e dyndjeve të hordhive otomane. Në vitin 1405, kambanat e kësaj kulle, do të lajmëronin popullin e arbrit për lindjen e Gjergj Kastrioti, birit të fisnikut Gjon Kastrioti. Tridhjetenëntë vite më pas, kambanat e po kësaj kulle, do të lajmëronin edhe krijimin e “Lidhje së fisnikëve të Arbërisë”, që do të kishte si qendër Kalanë e Krujës, dhe do të prihej nga Gjergj Kastrioti, nën udhëheqjen e së cilit, populli i Arbërit do të shkruante faqen më të lavdishme të historisë së tij. Do të ishte kujtimi thuajse ëndërror i kësaj lufte shekullore kundër pushtuesve otoman, që në shekullin e XVII, do t’i dhuronte popullit të Arbrit, fuqinë që të mbijetonte, e edhe pse tashmë i ndarë në tre fe të ndryshme, ta ndjente veten një komb më vete, i ndryshëm nga turqit, nga grekët, nga sllavët, nga latinët, dhe të quhej “shqiptar”, emër të cilin, e mbajmë edhe ne, shqiptarët e sotëm.
Vallë, çfarë do të ndodhte në Shqipëri, çfarë do të bënte qeveria e shtet’thit shqiptar, çfarë do të bënin ata shqiptarë që çirren dhe ngjiren duke bërtitur: “Jam krenar që jam shqiptar…”, nëse Kulla e Krujës do të rrezikonte të shwmbej?
Edhe kjo, një tjetër pyetje e kotë, sepse tashmë, e dimë edhe se çfarë do të bënte qeveria e shtet’thit shqiptar, edhe se çfarë do të bënin shqiptarët e sotëm…
Asgjë!
Nuk do të bënin asgjë!
Do ta linin të rrëzohej… E madje shumëkush prej tyre, në një mënyrë apo një tjetër, do të bënte gjithçka që mundej, që kjo dëshmi materiale e ekzistencës të një kombi të quajtur shqiptar mbi faqen e rruzullit tokësor, të shembej një orë e më parë!
E braktisur tërësisht në mëshirë të fatit për thuajse tre dekada, tërmeti i 21 shtatorit 2019 (Kujdes! Tërmeti i shtatorit dhe jo ai nëntorit!) i shkaktoi kullës një krisje të rëndë, por në vend që shtet’thi shqiptar të niste urgjentisht punimet për të ndaluar përkohësisht dëmtimin e mëtejshëm të kullës, ajo u braktis përsëri në mëshirë të fatit, deri kur mbrriti tërmeti i 26 nëntorit (tërmet ky, theksojnë: i pritshëm për sizmologët, por jo për qeverinë shqiptare që ndërkohë, kërcënonte me burg këdo që guxonte të përmendte fjalën “tërmet”!), që i rëndoi edhe më tej krisjen dhe dëmet që i kishte shkaktuar tërmeti i shtatorit. Tashmë jemi në janar, dhe kulla, edhe pse i mbijetoi, fuqisë shkatërruese të dy tërmeteve, gjendet e braktisur në furinë e shiut, të borës, të ngricave të dimrit.
Edhe për sa kohë, kjo kullë: djep i kombit shqiptar, që i ka mbijetuar dhjetëra betejave e dhjetëra tërmeteve, do të mundet t’i mbijetojë uraganit të armiqësisë, të tradhtisë dhe të horrllëkut të qeveritarëve të shtet’thit shqiptar, dhe atij të kokëboshësisë dhe shpërfilljes të shqiptarëve të sotëm?
.
(Kushtuar “patriotëve” të mejhaneve, “patriotëve” të tepsive, dhe atyre të stadiumeve kuq e zi, që ngjiren duke gërthitur: “Jam krenar që jam shqiptar…”, dhe Kullës së Krujës, djepit të kombit shqiptar, që këlthet nga dhimbja, si një nënë e braktisur nga të bijtë!)
Krujë, 16. 01. 2020.
 
* * *
1.Kulla e kambanores së Katedrales të Shën Mërisë (Santa Maria Assunta), e njohur me emrin “Kulla e Pizës”, filloi të ndërtohej në vitin 1173, është e lartë 56 metra, ka tetë kate, dhe shtatë kambana.
2.Gjerak Karaiskaj, “Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri” (kap V). Duhet nënvizuar që, hulumtimet e studiuesve shqiptarë dhe të huaj mbi kohën e ndërtimit të Kalasë së Krujës, janë ende të përcipta dhe të paplota, e si të tilla, nuk kanë mundur të arrijnë në përcaktimin e datës të ndërtimit të kalasë, që, me shumë gjasa, mund të ketë ndodhur përpara shekullit XI.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.