back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Jam Patriot… nga Mitrush Kuteli

Gazeta

Mitrush Kuteli (1907-1967)
Mitrush Kuteli (1907-1967) 

Jam Patriot… (pamflet)

nga Mitrush Kuteli

Rroftë Shqipërija!

Rroftë Atdheu kombëtar shqiptar!
Rroftë Flamuri nacional shqipar, kombëtar, kuq e zi me zhgabën madhështore, trimërore, dykrenore, shqiptare e Lekës, Pirros edhe e Skënderit, që e ngriti Ismail Qemali!
Rrofshin të gjithë dëshmorët edhe heronjtë e kombit që vdiqnë për Mëmëdhenë!
Rroftë! Rroftë! Rroftë!!!
I them këto të gjithë nga fundi i zemrës, i mëlçisë dhe i plënxit kombëtar, sepse jam patriot i vërtetë edhe i flaktë si flaka e zjarrit!
I kulluar si llomi!
I pastër si balta!
I drejtë si drapëri!
Kurdoherë kam qenë patriot kombëtar i drejtë dhe me qëndrim të patundur si shkëmbi. Kam prova sa të doni dhe sa të mos doni.
Betimi im dit për ditë dhe nat për natë veçanërisht kur pi raki me meze të mirë (qelepir kombëtar patriotic!) është:
-Për Flamur!
-Për Shqipëri!
-Për kokën e Skëndërbeut!
-Më vraftë palla e Skëndërbeut!
-Hëngsha eshtrat e Skëndërbeut!
Veçanërisht këtë të fundit që është shumë i fortë se vetëm qentë hanë eshtra, e përdor më dendur.
Jam kyenaltë se jam Ilir dhe se Leka i Madh zaptovi botën, vajti në Hindi…
Po ta lëmë Lekën e Madh dhe Pirron e të vijmë më këndej në Skëdërbeu që sih fatos mbi fatosa e që bëri armikun të dridhej (më qafsh, shtjemë një gotë raki dhe afroji ata kukurecë kombëtare se qenkan pjekur mirë)
Këstu pra, unë jam gati të vdes për Shqipëri, të vdes për Flamurë me zhgabën trimërore dykrenore arbënore e cila duhet t’u nxjerrë sytë gjithë tradhëtorëve të poshtër dhe rezilëve që s’pinë raki, raki rrushi pa ujë e që s’hanë kukurec kombëtar të pjekur në hell!
Sa të mbaroj këtë shishe raki jam gati të nisem e të vdes për Shqipëri në luftë kundra armikut shekullor, si kam vdekur e njëzet a tridhjet herë të tjera, dhe kur të kthehem që andej të më dyfishoni pensionin patriotic se pata derdhur gjakun si lumë për Atdhe.
-Më pyet në kam qënë fashist e në mora para nga Italija?
-Isha dhe mora?
Po këto i bëra si patriot kreshnik e fisnik se i gënjeva italianët. Qëllimi im ka qenë që t’ia mbaroj paratë Duçes edhe ta bëj fukara Italinë edhe pastaj Shqipërija ta zaptojë Italinë si bëri Pirrua i Madh edhe mua të më madhohet pensionioni patriotic kombëtar.
Unë kam thirrur në mes të kafenesë: Rroftë Flamuri dy-krenor me dy zhgaba, me tri, me pesë…Po të më çani zemrën me sëpatat e Liktorit do gjeni brenda Flamurin dy-krenor të Skëndërbeut.
Për kaqë vepra patriotike të pavdekshme e për kaqë thirrje “Rroftë Shqipërija” sa m’u ngjyr zëri nuk po i kërkoj Atdheut përveç se të ma paguajë pensionin në ar rregullisht, sepse karta po bëhet bakall. Dua të më lejojë përveç kësaj të marr çdo mot të dhjetat e dy tre katundeve ku ka vreshta që të pi raki e të ha kukurec patriotic.
Çmimin e të dhjetave duhet të ma falë Shteti sepse jam patriot kombëtar dhe betohem për kokën e Skëndërbeut.
E në ma falka mua këtë copë të dhjetë, a mos përmbyset bota? Vetëm kaqë gjë i kërkoj unë Shqipërisë sepse kam djegur plënxin me raki dhe jam ngjyrur duke thirrur se do të bije therror në fushën e nderit ku flamuri i Skënderit valon si trim me fletë (më qafsh afromë shishen se u mërzita me këto gotat e vogla!)
Rroftë Shqipërija!
Rrofshin patriotët kombëtarë kreshnikë nacionale!
Rrofshin dëshmorët që u bënë therror për Shqipëri!
…………………………………………………………….

Mitrush Kuteli... në Pogradecin e tij
Mitrush Kuteli… në Pogradecin e tij

Edhe un’ jam Patriot!

Nuk kam dashur të dal sheshit e ta bëj fora, po ja që e solli puna e zamani. Doli i bir’i botës në gazetë edhe lëvdoi veten se është patriot kombëtar i zjarrtë dhe për mua nuk tha një fjalë!
Dale, mor zotni, dalë, se edhe neve hamë bukë e pimë raki me meze! Edhe bile raki të fortë pa një pikë ujë! Në kini për të pyetur për patriot të vërtetë, unë jam! Unë jam e s’ka tjatër! Dhe jo vetëm s’ka po as që do të ketë.
Patriotizmi im është më i vjetër se i atij mikut që u lëvdua në gazetë me kukurec e me raki. Se unë rakinë e pi pe rrushi edhe kukurecnë e ha me gishtrinjtë e dorës që t’i lëpij mirë.
Kur u bë, mor zotni, Shqipërija republikë kombëtare më 1925, unë kam thirrur i pari majë ballkonit të prefekturës ku ish mbledhur mileti pa brekë:
-Popull kreshnik pa brekë!
Rroftë Republika shqiptare: Rroftë Presidenti, Rroftë Qeverija kombëtare republikane shqiptare e arbënore me gjithë trimat e saj dëshmorë që u vranë për Shqipëri e na bënë buxhet për rrogat tona!
Bile asaj dite historike kam mbajtur edhe një fjalë të madhe përpara miletit pa brekë se trajta më e mirë e qeverisë është republika, se ne ngahera kemi qënë republika të vogla e tani duhet të bëjmë një republikë të madhe e kreshnike kombëtare atdhetare, e cila duhet t’i bjerë Evropës ta bëjë shesh e lëndinë të lozë macja me minë. Kam hequr pastaj edhe një telegram urimi në emrin e popullit pa brekë e pa misër dhe kam marrë përgjigje. Këta përgjigje e kam në xhep si hajmali e më ka hyrë në punë shumë herë kur kam patur ngatërresa me kontrabandat e me të dhjetat që edhe nuk i kam paguar, si patriot kombëtar që jam. Kur më shtrëngonin fort vinja e tregonja telegrafin dhe e trembnja drejtorin e financave se kam miq e do ta dërgoj në Pukë edhe ay më jepte një afat të ri gjer sa borxhi harrohej dhe vinte berajeti. Me këto para edhe me disa të tjera që mora kur nga Bashkija, kur nga Prefektura kur bënim donomara (nga dhjetë festa në vit) kur këtej e kur andej, bëra një ndërtesaë të madeh që ia dhashë me qira Shtetit si patriot që jam, sepse Shteti paguante qira të madhe.
Vendin ma dha dikush si ryshfet biçimi për një punë që s’duhet ta dijë populli kreshnik pa brekë. (Vetëm juve mund t’ju them në vesh: ia kallzova djalën atij mikut se bën polatikë edhe e tremba se ia djeg shtëpinë e ia shuaj farën… Edhe ay tha: hap gojën e kërko. Unë, domosdo, e hapa gojën time patriotike edhe mora vendin)
Donjë tjatër allish-verish të madh nuk kam bërë, po për të rrojtur kam rrojtur mirë, edhe, shyqyr, ca flori e kam për ditë të zeza.
Kur u mërzit bota me republikë – se e mirë është jahnija po s’hahet çdo ditë… – mblidha përsëri miletnë dhe thirra:
Popull kreshinik!
Isaf, bre, me republikë! Ne frëng nuk jemi, po shqiptarë bre! Ne duhet të jemi mbretëri si në kohën e Skëndërbeut edhe po s’fituam botën ja unë këto mustaqe i hedh ku të doni! Pra poshtë republika e rroftë mbretërija!
Me një herë u ngrita e hoqa një tel në Tiranë se është mbledhur populli e kërkon mbretëri.
Me mbretëri më vajti mjaft mirë, bereqaversën, se kisha mjaft allish-verish. Çunat i dërgova me bursë në Evropë; mallin e shtova, bëra ca ndërtesa të reja e napolonat me gjel i mblodha në kotec të tyre.
Po njeriu mërzitet dyke ngrënë për ditë pilaf e hoshaf. Edhe unë e pashë se populli u mërzit me mbretëri. Ç’të bëj? A të këthehemi prapë në republikë? Jo! Atëhere haj të bëhemi prapë perandori kombëtare! Si pashë se u qelb puna e nuk paguhen rrogat e pensionet u ngrita e i hoqa një tel Duçes të vijë me axhele të na shpëtojë nga tiranija.
Kur ardhi Italija më gjet majë ballkonit veshur teptil si lugat.
-Mir se ardhtë o shpëtimtarë të këtij populli kreshnik pa brekë! – thirra unë. Jemi krenaltë të quhemi të poshtër e të hyjmë nënë zgjedhën tuaj fisnike. Po amani ca para, se u fikmë!
Pastaj si e do puna thirra:
Duçe! Duçe! Duçe!
Evviva!
Që aty hypa në automobile teptil me devizë, së bashku me të tjerë shokë patriotë kombëtarë kreshnikë, hypmë në pampor të ujit e dualmë në Romë. Kurorën e Skëndërbeut ia dhamë Viktorbeut edhe na i mbushi xhepat me napolona.
Vajta me shokë ne Duçja edhe dualmë në resme bashkë. Po këto resme tashi duhen djegur se na bëjnë rezil në gazetë.
Me atë resme jam bërë mimic me kaqë gjeneralë edhe kolonelë italianë edhe kam fituar napolona shumë. Ushqimet e ushtërisë unë i kisha, nozullimet unë, gazin unë!
Ç’të them, tre a katër vjet puna më vajti majë më majë, gjersa u ngritnë ca jezitë e ma prenë yryshnë patriotic.
Tashi Viktorbeu ra.
Kurorën ia mora prapë, se vëlla me babanë nuk e kisha as Viktorbenë e as Duçe-vezirnë. Edhe atij paraja iu unj e iu bë kartë…
Si patriot që jam, pres ta shes edhe një herë, kush jep më shumë.
Unë katër a pesë telegrame, sipas punës, i kam në xhep.
Sa të ndreqet puna vetë edhe ia heq atij që do vijë pas Viktorbeut edhe do mbaj një fjalë që do të çuditet bota.
-Më pyete ç’zanat kam?
-Zanat? S’ke turp të më pyesësh kësilloj? Ç’zanat të kem, kur jam patriot kombëtar? Ky është zanati im!
……………………………………………………….

Mitrush Kuteli "E madhe është gjëma e mëkatit"
Mitrush Kuteli “E madhe është gjëma e mëkatit”

Tradita

Jam adhuronjës pa rezerva i traditave të vendit. Arësyet janë të shumta. E para se tradita na shquan nga popujt e tjerë. Të dytën dhe të tretën i harrova, po mjafton e para.
Pra, jam adhuronjës i traditave të vendit që na shquajnë nga vendet e popujt e tjerë, të cilët, me do e mos, janë të poshtër e barbarë.
Tradita e vendit tim e do që kur bëhet dikush ministër të vejë gjithë populli në dikasterin përkatës për urimet e rastit. E do, s’e do; e quan të mënçmë a budalla; e quan të ndershmë ose jo – për të uruar duhet të vesh ta urosh. Kjo që të kesh nesër derën çelur për do-një favor personal ose të do-një miku ose të do-një miku të mikut- si e do tradita e vendit. Po të jesh i afërmi i ministrit shtrohesh në kolltuk të butë edhe bën muhabet, dyke pirë kafe e duhan (se punët e Dikasterit venë vetë…) kurse po të jesh vetëm “turmë”, kënaqesh me një cigare e me një shkëmbim buzëqeshje të ëmbël si hallva e si kadaifi bashkë. Fundi i fundit, mor zotni, ti nuk vete për cigare, po që ta dijë Ministri se je në jetë, se e urove, si i the “Shkëlqesë” dhe dora dorës, kaqë mjafton.
Më anë tjatër tradita e do që vendi të ketë buxhet – qoftë edhe se arka s’ka një metelik.
Dhe tradita s’ka si të shkelet!
Gjith tradita e do që në buxhet të jenë shkruar shpenzimet për një vit. Po për fat të keq, viti është i gjatë fort dhe durimi ynë i shkurtër fort. Pra, ministri, në është ministër me zile, e jo frikacak i nderçmë, lipset të bëjë dy gjëra: a)t’i marrë fondet e një viti që në muajin e parë; b)t’i prishë sapo i përlau.
Këtë e lejon tradita edhe tradita nuk shkelet.
S’prish punë në mbeten 11 muajt e tjerë pa fonde. Qëllimi i buxhetit dhe i qeverimit u prek, si e do tradita kombëtare.
Pikat e mësipërme duhen vënë në zbatim aq më fort se mund të bjerë qeveria, dhe, kuptohet, një qeveri që ik nuk lipset t’i lerë qeverisë që vjen asnjë lekë në arkë.
Tradita e do që bosh e mora, bosh e lashë.
– e ç’nxora, prisha! Fund i fundit, mor zotni, vetë i mblodha vetë i harxhova!
Pra nëse një qeveri ha fondet e një viti në një muaj a dy, tradita e do që qeverija tjatër të krijojë fonde të tjera gjith për një vit e t’i marrë që në fillim në xhep, pse në arkt dikasteriale-private për t’i shpenzuar brenda një muaji. Kur në një vit kemi katër a pesë qeveri, kjo do të thotë katër a pesë lumturi buxhetore!
Kuptohet se shtesat edhe bartjet e fondeve janë bashkë!
S’ka lumtëri më të madhe se atëhere kur ndërrohen qeveritë!
Pasurohen kaqë njerëz – vetë edhe miqtë – mbulohen kaqë halle, boshatiset arka e madhe edhe mbushen arkat e vogla.
Sepse tradita e do që kur vjen një ministër i ri të fillojë me favore dhe kur ik ta mbyllë gjestionin gjithë favore. Veçanërisht kur ik duhet të jetë dorë-hapur “për buon’ uscita” e më fort që ministry-trashëgimtar të trashëgojë arkën bosh.
Kështu e do tradita edhe tradita nuk duhet shkelur!
Sepse, e para: tradita na shquan nga vendet e popujt e tjerë, që janë me do e mos barbarë edhe të poshtër dhe sepse, e dyta, e treta…
Ishallah kemi çdo muaj një qeveri, që kësilloj kombi të jetë i lumtëruar më çdo muaj.
Ishallah…
Ishallah…

"Havadan më havadan" Mitrush Kuteli
“Havadan më havadan” Mitrush Kuteli

Shënim: Ky pamflet është marrë nga përmledhja “Havadan më havadan” i Mitrush Kutelit…

“Havadan më havadan” i Mitrush Kutelit është një përmbledhje pamfletesh që u botuan në shtypin e kohës në vitet 1930-’40. Në vitin 1944 autori i nxori si libërth më vete, me pseudonimin Lugati. Tek ky libërth bazohet ribotimi që kemi në duar, bërë nga trashëgimtarët e Dhimitër Paskos në vitin 2010.
Të denja për pamfletet e Kutelit janë patriotizmi i rremë, autoriteti turkoshak i shtetit dhe administratës shqiptare, servilizmi i radhës së pordhashëve me pushtet, shitja e vendit të huajve dhe pasiviteti i një “mileti pa brekë”.
Autoriteti i Kutelit ndaj fjalës shqipe shfaqet në këto faqe me atë forcë, që heronjve dhe realiteteve shqiptare t’u gjejë regjistrin e saktë gjuhësor, me leksikun brilant, dispozitën e dialekteve, repertorin frazeologjik, zërin rrëfimtar. Me toposin havadan ai na ka bërë të qartë se jemi në vendin e boshit e të fjalëve në erë, ku ulku nuk e ha ulkun po arbëri e ha arbërin, si urdhëron kanuni i Lek Dukagjinit: “Në këtë vend të uruar s’di njeriu si t’i ketë sytë që të mos e vrasin…”
“Jam patriot” është pjesa e një triptiku pamfletesh për “tregtarë flamujsh”, për ata që bëjnë biznes me patriotizmin, edhe për ata që ngrohen në diell me krenarinë e gjenezës ilire apo trashëgimisë skenderbegane. Ilustrimi që shoqëron pamfletin, mban titullin “Të shkrirët e një statuje prej hallve” dhe është marrë nga “Dielli” i Konicës i vitit 1923. Konica i bën këtë përshkrim karikaturës: “Shqipëria i ngreu një statujë (shtat) një Heroi. Po ngaqë statuja nuk ish as prej mermeri, as prej bronzi, po ish prej hallve, ngjau një gjë e mërzitur: Statuja prej hallve nisi të shkrijë nënë rrezet e “Diellit”.
Të dyja rrethanat që përshkruajnë me gjuhë koncize Kuteli dhe Konica tek bien dakord dhe plotësojnë njëri-tjetrin me idetë se kush shfaqet patriot në këtë vend dhe kush merr shtatore, i gjejmë aktuale në këtë vit të jubileut të Pavarësisë ku është shpallur me urdhër nga qeveria shkuarja më 28 nëntor me një listë patriotizmash nga vende dhe njerëz.
Është aftësia e gjuhës së Kutelit dhe Konicës për të kapur thelbin shqiptarisë që ngre kokë në punët e shtetit dhe në çmimin që i vë jetës dhe punës së njeriut. Është po aq aftësia e realiteteve që përsëriten për të parë te e shkuara fytyrën e vet si në pasqyrë. (nga Elsa Demo)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.