Jam trishtuar… Përse nuk gëzoni?
nga Mark Simoni
Më ka trishtuar shumë një fakt.
Para ca ditësh, një djalë i ri 19 vjeçar ftoi në promovimin e librit të tij të parë shkrimtarët e qytetit ku banonte. Dhe askush nuk i mori pjesë në promovim.
1.Në mes qindra e qindra librave të bibliotekës sime, dora më përzgjodhi librin e Gertrud Shtaine. Francezja thotë në kujtimet e saj se “Pavarësisht sherreve e shamatave, mendimeve alternative, tendencave të ndryshme letrare, shkrimtarët mblidheshin në Paris, dhe të tërë bashkë financonin çdo libër të autorëve, pavarësisht mardhënieve!!”.
Sa fisnike atmosfera e shkrimtarëve francezë para një shekulli. Sot, tek lexoja Gertrud Shtaine, m’u kujtuan fisnikët e mi, poetët e mëdhenj…
2.Para 90 vjetësh Lasgushi dhe Asdreni udhëtuan 6 ditë të tëra për të mbrritur tek qelat e Fishtës dhe Mjedës. Poradeci dhe Asdreni e kishin kohën shumë të çmuar, por duke shkuar në veri, sajdisnin veten me veprat e Fishtës dhe Mjedës, ashtu si dhe respektonin, si fisnikë të mëdhenj, kolegët e famshëm të tyre. Asnjëri s’bëri si i pamundur e i sëmurë, asnjëri s’bëri sikur kishte ca punë të mëdha, apo do të flinte gjumin e zhegut. Por rrugëtuan gjashtë ditë për të mbërritur
.
3.Mbaj mend, kur isha adoleshent, që në Lezhë mbrrinte Bashkim Shehu, djali i Kryeministrit të atëhershëm. Dhe rrinte tre katër ditë tek shtëpia modeste e Ndoc Gjetjes në fshatin Shënkoll të Bregut të Matës. Ndoshta dëgjonte herë pas here poezitë e Ndocit dhe ndoshta fliste për tregimet e tij. Nga Blloku e në përdheset e një fshati të humbur, nga luksi i kryeministrit tek modestia e një punonjësi të vatrës së kulturës, me minderët e thjeshtë. Por shkonte nxënësi i dashur tek mjeshtri frymëzues, shkonte Bashkimi për ta sajdisur poetin e talentuar me vizitën e tij plot frymëzim
4.“Korbi”, emri letrar i njërit prej kolegëve dhe miqve të Migjenit në Shkodër, shkruan në kujtimet e tij, para se të vdiste se: “Deri në Vrakë, madje dhe në Pukën e largët, vinin shpesh njerëz që takonin e bisedonin me Milloshin, për tre katër ditë, rreth letërsisë e mendimeve të kohës. Disa qenë dhe të huaj, ballkanikë.”
Dhe patjetër që ata shkrimtarë që vinin, nuk kanë qenë të mbytur nga inati dhe mllefi se, atje në Shkodër të Shqipërisë është një poet i veçantë ndryshme tyre, por janë mrekulluar nga një fakt i tillë. Madje ata udhëtarë të ditur as nuk janë tunduar nga zijafetet dhe darkat në vendet e tyre, as nga gostitë e synetlleqeve dhe qofteritë tymuese, për ta ndalur rrugën e gjatë tek Migjeni ynë. S’janë mbërthyer as nga inate të vogla e të verbëra pipizanësh.
5.Bukovski thotë se “Unë jam shkrimtari më i mirë në botë. Por akoma më i mirë se unë është Xhon Fante…” Sa fisnikëri dhe koshiencë reale ka në këtë realitet të egos së Bukovskit.
Dhe ndodh që ndonjë shkrimtar ndahet nga jeta. Dhe bash ata që nuk e deshën kurrë, turren me vrap të bëjnë shkrime, (“me lot në sy”), për të treguar sa më parë se sa shumë e kanë dashur shkrimtarin që vdiq, (“e kanë dashur me gjithë shpirt”), atë që s’është më, dhe që s’mund të flasë për hipokritët që la mbi dhè.