back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Janë Gjomarkajt, shpí e parë, dera e atij qi preu Milloshin” – nga “L’Albania Libre”, 1958

Gazeta

Lleshi i Zi Gjonmarkajve
Lleshi i Zi Gjonmarkajve

“Janë Gjomarkajt, shpí e parë, dera e atij qi preu Milloshin”

nga “L’Albania Libre”, 1958

“Këtu do të permendet njerí i famshëm i kangëvet serbe, Millosh Obiliqi (ase Kobiliqi, Kobiloviqi apo edhe Kopiliqi), ai qi mbyti Sulltan Muradin. Si mbas Jeriçekut, këta ndodhi para se të niste lufta. Natën përpara, si e difton punën Hammer, ishin shtrue katërmbëdhetësh Lazri i Serbisë e shokë tjerë në tryesë e natyrisht po i çojshin, gotat tue i u falë njâni tjetrit. Lazri, ndoshta njatý mbasi e kishte pasë shpikë ndoj gotë mâ tepër se nevoja, i falet Milloshit me këto fjalë: “Çoje gotën, Millosh, me shndet e me zemër të mirë e me jetë të gjatë, edhe pse je i paditun si trathtár!” – “Të falem nderit!” – po ia dredhë Milloshi – “dita e nesres ká me qitë në shesh a jam trathtár a por jo”. Duket se disa smirëzez e kishin pasë paditë Milloshin te Lazri per trathtár. Milloshi, për të dhanë nji provë të besnikísë së vet, çohet në nade e nget në llogor të Turqvet, tue e paraqitë veten si nji t’arratisun e qi ká për të prû njî lajm të randsishëm për Sulltanin. Roja e len me kalue e përcjellë të Sulltani. Milloshi bán kinse po ulet në gjùj e po don me i puthë kambën Sulltanit, por pa pritë pa kujtue nxjerrë shishín e ia ngulë Sulltanit në bark. Milloshi mundohet me hikë, por e mbyti rrethi Sulltanit, mbasi edhe ai pat mbytë disá të rojës, natyrishi ngjau për do minuta nji pështjellim n’anën e Turqvet, deri sa princi trashigimtar Bajezidí, shumë i urtë e energjik, vûni rend e rregull e kështù lufta mujti me u zhvillue e me marrë përfundimin në favor të Turqvet. Lazri, princi i Serbís, e nji morí prej oborrtarësh e bujarësh serbë kjén xânë rob prej Gjeneralit Sarixhe, e me urdhën të Bajezídit u kje pré kryet të gjithëvet para kufomës së Muradit. Ndokush thotë se Sulltani enè nuk pat dhanë shpirt, kur ranë në dorë Lazri e shokët e tij e se prandej kje Sulltani vetë qi dha urdhnin t’u u pritëte kryet Serbvet atý për atý nder sý të tij. (…)

Milosh Obiliq dhe Sulltan Murati i I
Milosh Obiliq dhe Sulltan Murati i I

Prá, dy protagonistët e kësaj lufte së famshme në historínë e Ballkanit, si Sulltani i Turqvet si edhe Lazri i Serbís, kanë mbetë dekun jashta luftet. Gjithashtû edhe MilIoshi ká rá dekun para se të niste lufta. Ká asish qi thonë se Milloshi u dá prej rreshtavet të vet, mbasi pat fillue ndeshja e ngau drejt te Sulltani, tue e paraqitë veten ashtú si u shkrue sypri. Si thám, kje njí çast i luftës kúr krahi i rrmaktë i ushtrís turke u zmbrap e kje atëherë qi ndër rreshta të Lazrît u brohorit fitim e lajmi i u dha mejherë krajlit të Bosnjes, qi ishte në krah tjetër. Ky, për pá pritë sonin e luftës, e dërgoi lajmin e fitores n’Europë, kû njimend kje festue si nji fitore e krishtênë kundra Tuqvet. Edhe nji arsye tjetër, pse kjo luftë pat kenë dukë në fillim si fitore e krishtenë kundra Turqvet, kje fakti qi Sulltani i ri Bajezidi u ritirue me ushtrî të veten mejherë mbas luftës; por na e pámë se arsyeja, pse ai do t’u ritironte ishte me vû për fije punët e fronit mbretnuer, i cili mund do t’ishte në rrezik prej anmiqsh së mbrendshëm, qi ka mujtë me pasë Bajezidi. Asohere Europjanët, të rrêjtun prej lajmit të marrun prej krajlit të Bosnjes e prej ritiratës s’ushtrísë turke, patën kujtue se lufta u dá me fitim të të Krishtênëvet, por në realitet luftën e fituen Turqët e ata u ritiruen mbasi patën dërmue ushtrínë e krishtênë. Me thyemjen e kësaj ushtrije, ku merrshin pjesë, pos Serbëvet, Boshnjakëvet e Shqiptarëvet, edhe reparte bullgare, vllehe, polake e ungareze, u dá fatí i Slavëvet të Ballkanit, qi ndejtën q’atherë e deri në shekullin XIX-të nën zgjedhën turke. Bernardin Palaj në poemin e vet “Ndërmjet të Shën Gjergjavet” – njî novelë ilire – ká dy rreshta, kû thohen këto fjalë: “Janë Gjomarkajt, shpí e parë, Dera e atij qi preu Milloshin”. Në fund të fjala Milloshi ká Palaj ket notë: “Në vjetë 1912, tue pvetë Princ Marka Gjonin, bashkë me do tjerë të Gjomarkaj përmbí lidhjen e tyne me familjen e Dukagjinvet, pat mirsínë me më diftue, se familja e tyne rrjedhë prej Pal Dukagjinit e se Gjon Marku, nji t’familjes së Dukagjinvet të Prizrendit, kje nji qi mbyti Millosh Obiliqin në Fushë të Kosovës” (Shif Hylli i Dritës, 1938, faqe 404!). Mund të jetë qi Mirditasit kanë kenë n’anë e Turqvet në kët luftë, me gjithëse mbas të gjitha gjasësh aso kohe enè nuk ishin të njoftun me kët êmën, por ishin të përfshimë nën êmnin Dukagjin. Por se kush kje aî qi mbyti me dorë të vet Milloshin, vetë enè nuk kam mujtë me e gjetë, Milloshi, mbasi i nguli thikën Sulltanit, pat provue me hikë, si thám syprî, por roja e Sulltanit iu vû mbrapa e mbyti. Po kje, se rojen e Sulltanit e kanë pasë aso kohe Mirditast, ateherë atëherë mund të jetë kollaj qi shi princi i tyne ta ketë mbytë Milloshin. Të shkrueme e të dokumentueme s’e kam gjetë deri tash kurrkund kët gjâ përpos se në notën e syperme të Bernardin Palaj. E e besoj se ndoj dokument të shkruem nuk do të kenë pasë as ata qi e informuen Palaj në vjetin 1912. Po kje ndoj lexues, qi din mâ gjatë e mund të na o përvojë kët fakt me ndoj dokument, atëherë të vêhet e të shkruej ndoj artikull në ndoj gazetë. Sá për vete drue shumë, se Mirëditasit, tue pasë pasë rasë me mbytë shpesh herë kësi Milloshash nder lufta të shumëta qi ata bân krah per krah me Turq, i a kanë pershtatë Milloshit të famëshem të Fushës së Kosovës ndoj gojëdhanë tjetër të tyne.” (Pjesë nga artikulli botuar në “L’Albania Libre”, 1958) Publikimi: Agim Morina2021

Marrë nga muri i fb Dashamirës të Gjuhës

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.