back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Jeta e Lazër Radit e gjitha si dëshmi… – nga Kazanova Aliaj

Gazeta

 

Kazanova Aliaj
Kazanova Aliaj

Jeta e Lazër Radit e gjitha si dëshmi…

nga Kazanova Aliaj

Jeta e Lazër Radit, asht e përplotë.
I matun, i rafinuem dhe fin, vazhdoi në gjithë sfidat e jetës, ku ai ishte prioritet i vetvetes. Nuk ndryshoi, as u lakue, po i shkoi deri në fund misionit të vet si nji shpërfillës i fuqishëm në gjithë dimensionet e tij, mbi gjithçka si nji model intelektual i asaj kohe prej nga erdhi… e që shkoi përtej sajë!
Jeta e Lazër Radit mbetet e gjitha dëshmi e asaj çka u luejt shëmtuet mbas shpinës së kombit shqiptar, në veçanti Kosovës dhe individëve atdhetarë… Kur kombi lëngonte e vdiste përditë nga pak, dëshmitë e këtij atdhetari shfaqen si nji realitet tragjik po edhe si shpresë… e prap ai vazhdon të flasë edhe në heshtjen e tij të detyrueme.
Krejt bota e qytetnueme duke fillue nga kohët e lashta, kishte identitetin e sajë artistik sipas treguesve që ajo u afronte qytetarëve të sajë. Në realitetet artistike ku promovoheshin libra të pafund e ndër sallonet ku komentoheshin personazhet apo ngjarjet e romaneve apo trilogjitë që ishin kontribute shpirtnore e artistike të nalta, e që tregonin standartet e shoqërive në zhvillim, si
Gollsuorthi me Sagën e Forsajtëve, Çarl Dikensi me David Koperfildin, Tolstoi me Lufta dhe Paqja… me gjithë historinë e luftrave të Napoleon Bonapartit me Rusinë… Kutuzovin e fuqishëm, Rasputinin e gjithçka të paraqitun artistikisht, apo “Të mjerët” e Viktor Hygoit, “Njeriu që qesh” Ledi Xhozana e Guimpleni. “Viti 93”… historia, Godeni dhe Leveni, Maratë e Robespierë personazhe që të trondisin edhe sot artistikisht.
Hyri fjala ndër libra dhe u ba pushtet i fuqishëm.
E gjithë kjo rrymë hyni edhe në Shqipni, kur sapo kishin fillue elementet e para të qytetnimit europian, me shkrimtarët e Viteve ‘30.
“Tre shokët” e Remarkut, Patris Holman me Robin e Lencin me Kadillakun… o Zot, ndërsa Shqipnia, për nivelin e sajë, i kishte me pakicë. Ata që emigruen, ishin studentat ma të mirë. Kur u kthyen prekën diferencat e dukëshme midis asaj çka lanë, dhe asaj çka gjetën… Ata s’gjetën terrenin e duhun, e megjithatë rezistuen dhe i dhanë jetë nji frymë të re.

Lazer Radi - Poetika - 2019
Lazer Radi – Poetika – 2019

Por ato vende s’kishin kalue nëpër të famshmin “Gjyq Special”, (1945) i cili vendosi para syve të krejt botës, eleminimin e krejt elitës intelektuale shqiptare dhe vendosjen e diktaturës. E këtu fillon tragjedia e krejt atyne individëve të cilët përfaqësonin elitën e shqiptarëve atdhedashëse. “Drapër e çekani” u ba simbol i diktaturës ndër shqiptarë edhe Shqipnia vetë nji lloj Mat’hauzeni, Treblinke apo Bukenvaldi – modele të kampeve naziste…
Deri më sot askush prej këtyne ndërtuesve të së Keqes s’u dënuen… Heshtja e ligjeve vret edhe sot…!!
Diktatura vrau, sekuestroi dhe burgosi librin dhe autorët… Po në galerat e katakombeve u shkruen gjana të bukura si: “Triologjia e Lazër Radi” dhe jo vetëm, por libra pafund historikë, u përkthyn Enciklopedi, u shkruejtën Poezi, ku dhimbja u dëshmue me fjalët e përjetimet e atyne që sot shumica nuk janë fizikisht, veçse në Stendat e Panaireve, janë me dhjetra e qindra libra për të cilat autorët që u burgosën, që u internuen, që shtynë vagonat e kromit si skllevër duke i kthye galerat e vdekjes në auditorë të mshehun!!
Kjo ishte sfida e fuqishme e Dr. Lazër Radit, që i bëri diktaturës…
E ja sot, koha ofron të tjera raporte me fjalën dhe pushtetin e padiskutueshëm. Ajo e kapërceu kohën dhe bijtë e tij s’u ndalën po e vazhdojnë sfidën (Sot diktatura asht e nji forme tjetër, po thelbi mbetet i njajti), amanetin e Dr. Lazër Radit, ku triologjia përfshin gjithë jetën e tij dhe gjithçka çfarë përjetoi ky mjeshtër i fjalës në diktaturë dhe si ai e sfidoi kohën e vet.
I uroj fat kësaj vepre në ecjen e dinjitoze mbi shinat e qytetnimit, sepse Lazër Radi mbetet model! Përmes fjalës Ai e superoi diktaturën dhe e shpërfilli pushtetin e barbarisë! Me peshën e fjalës së vërtetë, unë e pashë diktaturën të krrusun. Pashë atypari edhe nji kalorës pa kalë, pa Rosinantin i Don Kishotit… Sa komike dhe tragjike figura e oborrtarit konformist edhe ekstremist që u msheh mbas fjalës së pushtetit edhe e ndëshkoi fjalën e lirë me dogmat ideollogjike gjatë gjithë jetës… Po ka edhe Zot…!
Vetëm mirënjohje për ata që konstruktojnë të vërtetën dhe i krijojnë auditor fjalës përmes së vërtetës që gjithçka të bahet e fuqishme. Pushteti artistik i fjalës së vërtetë triumfon mbi dogmat falso të diktaturës, ku fjala diabolike vazhdon ende të deformojë formimin e subkoshiencës së gjeneratave, ku qytetarët e vërtetë dinë shumë mirë ta bajnë dallimin dhe vetë zgjedhjet pse ata tashma dijnë me e ba diferencën.
25 nantor 2023
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.