back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Jeta e një Zonje, një nënë, një motre të varfër, me pasuri të mëdha shpirtërore në librin “Cirka kujtimesh të hidhura” – nga Pertefe Leka

Gazeta

Marije Mazrreku - Gjoka
Marije Mazrreku – Gjoka
Jozef,
s’e di sa asht i përshtatshëm ky shkrim për ditën e nënave 10 Maj,
por e pashë të arsyeshme ta evidentoj sepse
Zonja në fjalë ishte heroinë e vërtetë, e kam njohur personalisht.
Respekt Pertefe
 

Jeta e një Zonje, një nënë, një motre të varfër, me pasuri të

mëdha shpirtërore në librin “Cirka kujtimesh të hidhura”

nga Pertefe Leka

 
Një letër shkruar nga Zonjë shkodrane, Marije Mazrreku Gjoka,
dërguar Dr. Agim Lekës, në N.Y. më nxiti të shkruaj për një grua të rrallë,
fisnike, që dallgët e jetës e kishin përplasur pa mëshirë,
por ajo si besimtare u kishte bërë ballë me dinjitet.
Letra fillon me fjalë mirënjohje për Dr. Lekën.
Dr. Agim Leka & Dom Nikolle Mazrreku
Dr. Agim Leka & Dom Nikolle Mazrreku
“Unë që po ju shkruaj në ket letër jam Marije Mazrreku Gjoka, motër e të ndjerit Monsinjor Nikollë Mazrrekut…” Qëllimi i kësaj letre asht për t’ju falemnderue, për artikullin e shkrumunnga ju, në gazetën Shqiptare, për vllaun tem datë 12 Prill 2001. U befasuem kur e pamë artikullin të argumetuem aq bukur… (Artikulli për të cilin bën fjalë letërshkruesja është me titullin “Nikë Barcolla dhe profesorët e Shkodrës në mbrojtje të kombit shqiptar” botuar te Gazeta Illyria me 29 Janar 2001. Një kujtim i hershëm i i Dr. Lekës në moshën 18 vjeçare, kur kishte lexuar broshurën, “Skandali Kordiniano dhe mbrojta e kombit shqiptar.” e Nikollë Mazrrekut me pseudonimin Nikë Barcolla)
Ishte viti 1942, kur ky shkrim u bë shkëndijë frymëzimi, jo vetëm për të riun A. Leka, por për të gjithë rininë shqiptare. Me këte entuziazëm i Riu Leka mori përsipër ta përkthente broshurën në italisht, që ta shpërndante si trakt në vendqendrimet e zyrtarëve fashistë, ne rezidencat e tyre dhe në institucionet diplomatike të huaja.
.
Dom Nikolle Mazrreku - ne vitet '40
Dom Nikolle Mazrreku – ne vitet ’40
Kështu, i Riu me origjinë nga Borshi e bashkoi rezistencën e tij me profesorët e Shkodrës dhe të At Fishtës, i cili para vdekjes ishte shprehur “Çka i ka ba Shkodra Kordinianos…”
Në atë kohë Dom Nikolla ishte në famullinë e Tiranës, ku Leka gjeti rastin ta takonte, për t’i marrë leje për ta botuar përkthimin në italisht.
E përshkruan me mallëngjim këtë takim: “Fjala e ëmbël e tij dhe idealizmi i tij për Atdheun e shtypur ishin mbizotëruese në bisedën tonë… penda e tij kishte nxitur mijëra studentë të demonstronin për liri… pas këtij takimi Dom Nikollën nuk e takova më, sepse e larguan nga Tirana për veprimtari kombëtare…”
Në Tetor të vitit 1994, me anë të një kolegut tim, shkruan Dr. Leka, i dërgova Dom Nikollë Mazrrekut përshendetjet e mija më të përzemërta. Ai m’u përgjegj me një fotografi të tijën si kujtim me shenimin “Të fala me shumë mallë…”
Letrën e Zj. Marije, Dr. Leka ma solli, kur une isha në Shqipëri, me porosi për ta takuar. Takimin e bëmë në Shkodër, pasi e kisha numrin e tel. të shkruar në letër. Në atë kohë ajo ishte mbi 70 vjeç, kur erdhi me biçikletë më habiti shkathtësia dhe pamja e saj sikur të ishte një amazonë. Folëm pak, sepse kishte shumë për të me treguar, por në librin që më dhuroi i kishte përmbledhur të gjitha.
.
Marije Mazrreku - Gjoka - Cirka Kujtimesh te Hidhura
Marije Mazrreku – Gjoka – Cirka Kujtimesh te Hidhura
Libri “Cirka kujtimesh të hidhura” shkruar prej saj, në gjuhën letrare, hera herës edhe në dialekt, në fletën e parë, në vend të parathënies kishte të shkruar: “I ra drurit, e dogji/ I ra gurit, e copëtoi/ I ra zemrës, e duroi…”
Këto vargje me një domethënie të thellë, të paralajmërojnë jetën e saj plot vuajtje.
Nga libri mësova siç e ka shkruar vetë: “E kam kryer shkollën pranë murgeshave stigmatine, e rritur me ndjenjën e fesë dhe me dashni për njeni-tjetrin. Ndihesha e lumtur, kur ndihmonim në punët e kishës edhe pse ishim të varfër… Kur vëllai, Dom Nikolli, që ishte famulltar në Tiranë, iu përgjegj Jezuitit Cordigniano me broshurën “Skandali Cordigniano” si masë dënimi, Ministria e brendshme e largoi nga Tirana dhe e dërgoi si famulltar në Kryezi të Pukës…”
Këtu fillojnë peripecitë, vështirësitë dhe vuajtjet e saj deri në ngjarje tragjike. Në moshën 18 vjeçare, ajo me nënen dhe vëlla Rrokun e ndoqën nga mbas Dom Nikollën në një fshat të largët të Pukës, pa infrastrukturë dhe me një klimë të ashpër. Ata ishin të katërt bashkë edhe pse bënin punë të rënda, ishin rreth familjes. Nëntori i vitit 1943, solli trupat gjermane që vinin nga Kukësi, ndërsa forcat partizane ishin vendosur në periferi të fshatit. Ajo i përjetoi përleshjet mes dy forcave dhe pati fatin e keq të dëgjonte britmat e një vajze të re që thërriste “ku, ku ma vranë babën…” Marija, e prekur thellë i shkoi afër vajzës, e ndihmoi për t’ia bërë vetë shërbimet e rastit pasi nuk kishte njerëz perreth, sepse ishin larguar prej bombardimeve. Nuk shkoi shumë dhe vitet e luftës me okupatorin, shpejt u zëvendësuan me një luftë më të ashpër, me diktaturën komuniste, ku u prek edhe familja e saj. U arrestuan dy vëllezërit e Marijes pa shkak, me akuza absurde.
Në Kryezi të Pukës, kishte njohur shumë nga spiunët e sigurimit me të cilët kishte debatuar sepse e kërcënonin. Kishte parë gjithashtu talljen që u bënin kufomave të fshatarëve të vrarë, si Mark Bajraktarin apo Ndoc Kolë Biba Mirakaj e të tjerë, duke i shetitur nëpër katund për të i tmerruar njerëzit e thjeshtë. E ndodhur në këto kushte, e mbetur vetëm me nënën, pa mbrojtje, Marija vendosi të martohet me një fshatar shumë të varfër, por të ndershëm, sepse ishte e vështirë t’i shpëtoje shpifjeve të spijunëve të sigurimit që ishin të shumtë në atë vend. Mbas 10 muaj martesë, kur i lindi fëmija i parë, Nentor të 1947, i arrestojnë edhe burrin pa asnje shkak. Këtij momenti i ka kushtuar vargjet të cilat i ka përmbledhur në librin “Lot nane”. Tani ishte e detyruar të ndiqte tre të dashurit e saj në hetusitë dhe burgjet e shfarosjes. Ngjarja ma tragjike që ajo përjetoi ishte kur Natën e Krishtlindjeve të vitit 1950, i pushkatojnë vëllanë e pafajshëm Rrokun, me ceremoni para popullit. Porosia e tij që i la familjarëve ishte: “Unë po pushkatohem për nji faj të pabamë. Më çoni ndonjë medalje sermi, që të më gjindet varri ndonjëherë…”
“Zemren teme, – shkruan Marija, – e përshkoi një dhimbje ma e hidhur se një shigjetë, por Zoti më dha forcë me ja krye porositë vëllaut deri në nji. Hidhërimin, motërshkreta e thuri në vargje: “Festë fetare pat qillue/ Dit motmoti e dallueme/ Kje caktue jo pa qëllim/ Me kthye festën në trishtim…”
Plumbat që i vranë Rrokun e pafajshëm, vranë edhe shpirtin e nji nane që nuk e duroj dhimbjen, ajo nuk vdiq, por plasi nga vdekja makabre e padrejtësisë.
Vajza e mbetur tani edhe pa nënë, lotët i derdh ndër vargje: “…Nana shkret, shumë e vajtoj/ T’tana hallet ia numroi/ Për torturat qi ka kalue/ Faj t’pakryem me pranue/…
Mbas vdekjes së nanës, Marija, atëhere, e martuar, shkoi të banonte në qelë (Shtëpia e kishës), sipas këshillës së Imzot Vinçens Prennushit, i cili edhe ai ma vonë vdiq në burgjet komuniste. Si motër prifti, amanetin e vëlla Nikollës: “Kishën, nanën dhe qelën” duhej ta çonte në vend. Ta mbante kishën të hapur, në mungesë të meshtarit, të ndihmonte të interesuemit me dëshmi pagëzimi nga regjistri përkatës, t’u binte kumonëve tri here në dite. Por nuk shkoi shumë, shtëpinë ia morën për të hapë shkollën, duke i lanë vetëm guzhinën për banim, por ma vonë edhe ate ia morën, ku u strehuan dy mësuese nga Shkodra. Kështu u detyrua të shkojë në familjen e burrit me 30 frymë në një varfëri të tejskajshme, si në tregimet e Migjenit. Atje e humbi fëmijën e parë, mungesa e ushqimit, sëmundja, i ftohti i papërballueshëm ia morën frymën ferishtës.
Vitet iknin dhe ngjarjet rridhnin njera pas tjetres. Pas lirimit të të shoqit nga burgu, familja po shtohej. Me besim të fortë, ajo ndihej e kënaqur në jetën e saj familjare. “Zoti m’i fali 6 fëmijë si drita. I rritëm fëmijët në vorfni, nën persekutimin komunist. Vërtet me punë të randa dhe rroga të vogla e me shumë mundime, por harmoninë, bekimin e mirëkuptimin i patëm më të fortë se varfërinë.” Duke pasë përkrahjen e të shoqit, Marija ishte në gjendje ta ndiqte Dom Nikollën nepër burgje. I përshkruan me detaje rrugët e gjata, e ngarkuar me trasta deri në kripore të Vlorës, në Tepelenë dhe e quante më të lehte rrugën kur e transferuan në Lushnje, sepse atje kishte ndonjë mundësi të merrte edhe fëmijët për ta gëzuar dajën e respektuar. Ajo e bënte gjithçka me dashuri e përkushtim dhe çdo sakrificë që bënte e quante sprovë njerëzore. Një përshkrim të veçantë ia ka kushtua takimeve me Dom Mikel Koliqin të cilin e takonte saherë që shkonte për të vëllanë. “Ai me priste me zemërgjerësi dhe respekt të veçantë dhe me natyrën e tij të butë shprehte keqardhje për mundimin tim e për mërzitjen që kisha për vllanë e pushkatuar. Me thjeshtësinë e tij e pa përtesë më jepte ujë, kafe… Bisedonim të tre bashkë ngadalë si njerëz të zhuritur nga malli për të afërmit tonë, për Shkodrën që e donte aq fort… Me Dom Mikelin më ka lidhë jeta që herët kur isha 10 vjeç, bëja pjesë në korin e kishës së “Shën Kollit” në Rus, ku ishte famulltar Dom Mikeli… Kur fëmijët kishin filluar të bëheshin zot të vetes, ajo gëzonte: “…m’u rriten ndër sy si 6 lule. Bamë çmos që t’u jepnim një edukatë të mirë me mësime në shkollë dhe me ndjenja fetare.”
Një shkrim të veçantë nanë Marija ia ka kushtuar djalit Andrea… “Ai dallohej në shkollë, në punë dhe përmendej për talentin e tij si muzikant. Shpesh e merrnin edhe në grupet amatore, sa kojshitë e kishin cilësuar si “bylbyli i mahallës”. Nuk ishte larguar asnjëherë nga shtëpia, por thirrjen për ushtar ishte i detyruar ta kryente. Sikur ia ndjeu zemra nanës shkretë se djali nuk do t’i kthehej ma, e përcolli atë ditë me lot… Lajmi i tmerrshën u përhap shpejt. Aksidenti qe shkaktuar nga një kapter i dehur, i cili e detyroj ushtarin e ri, ta mbante mbi supe për të kaluar Drinin në këmbë. Kur djali i lodhur e nxori në breg katilin, ishte e pa mundur të dilte vetë, kështu e përpiu vala e Drinit. Ishte në moshën më të mirë, 21 vjeç, e me andrra të bukura për jetën. Pa u tharë lotët e motrës për vëllanë, lotët për djalin nuk po shteronin, por besonte dhe lutej… lutej, e gjithmonë lutej duke thënë: “Zot, Ti qi m’ke çue prova kaq të randa, më dërgo edhe forcën tande qi të mund t’i përballoj, më ruej mendtë e kresë dhe dritën e syve që të mos më humbin, se po qaj pa pushim…”
.
Familja e Marijes dhe 6 fëmijët e saj
Familja e Marijes dhe 6 fëmijët e saj
Ardhja e vitit 1990, gëzoi zemrat e gjithë shqiptarëve e sidomos për ata që pësuen persekutime pafund… për ta lindi një ditë e re.
Dom Nikollë Mazreku e shpreh këtë moment në një letër që la të shkruar për motrën Marije: “Vërtet kam vuajtur shumë në burgje, të cilat zgjatën 37 vjet, por burgun e madh e ka ba kjo! Kjo motër e nderueme ishte tepër e re, në fillim e në vazhdim kishte nevojë për mbështetjen vllaznore, por ja që mbeti vetëm për t’i dale zot vetes edhe ne. Ka kalue shumë raste vuajtje dhe trishtime, për t’u rrënqethë trupi. Padrejtësitë, presionet, keqtrajtimet, përbuzjet, kurthet e ulëta të djajve komunistë e sa të zeza të tjera… udhëtimet mbi kamionë të ngarkuar… Po kjo motër, nuk m’asht ndarë asnjëherë, edhe pse mbi të randonte barra e familjes, me të ardhuna të pakta, tue rritë 6 fëmijë. Burri i saj, Bibë M. Gjoka, ishte i urtë e zemërgjanë, jo vetëm nuk e ka pengue me ardhë tek ne, por vinte edhe vete në takimet, e për shkakun tonë ka ba dy vjet burg politik… Ma në fund, arrita pragun e lirisë, motra e dashtun Marije, me dishirën dhe zemërbardhësinë e të gjithë familjes saj, erdhën e më morën nga burgu, më strehuan në shtëpinë e tyne dhe organizuen ma s’miri festën e lirimit tem…”
Marija, kjo Zonjë e rrallë që u rezistoi goditjeve me forcën e karakterit, arma e saj e fuqishme, gëzonte kur shihte vëllanë të lirë që po aktivizohej në punët e Kishës, në Mesha e sidomos kur e merrnin për konsultime, për rindërtimin e Altarit të Katedrales (Kishës së Madhe). Por, edhe viti 1993, erdhi i zymtë për Nanë Marijen, gëzimin e ndryshimeve ja errësoi një pikëllim tjetër. Një sëmundje e pashërueshme i goditi djalin e martuar me dy femije, Paulinin 37 vjeçar. Ai kishte bërë punë të rënda si i persekutuar dhe kishte pësuar edhe dëmtime që e kishin parapërgatitë trupin e tij për kët sëmundje edhe pse ishte vigan. Me përkrahjen që pati nga bashkësitë fetare iu krijua mundësia të shkonte në spitalet më të mira të Italisë, por i Riu, nuk gjeti shpëtim… Cilin të qante ma parë nanëshkreta. Dhimbjen e thellë, Marija poete e përshkroi me vargje, në një poezi të gjatë, ku vajton shpirti i një nane të plagosur, si Ajkuna kjanë Omerin… “More bir, nji fjalë ma thuej/ Si e kalove n’dhe te huej/ Larg nga Shkodra e nga shtepia/ A t’u dhimt’ ndopak rinia/ A t’u dhimt’ ndopak nanë shkreta/ Që me halle i kaloi jeta…?!/”
Si gjithmonë ajo grua me karakter të fortë, qëndronte e nuk e dha veten para fëmijëve, nipërve e mbesave që e rrethonin me dashuri. Ajo, e nisur nga ekperiencat e hidhura, nuk donte ta kishin të tjera nana fatin e saj. Me optimizëm e kurajo shkruan poezi të bukura duke transmetuar mesazhe pozitive për shoqërinë, len porosi të vlefshme për femijët e saj që vlejnë për të gjithë. Shkruan kundër ikjes së rinisë, kundër vllavrasjes, kundër padrejtësive të gjyqësorit… disa vargje të shkëputura: “…Sa ma parë kthehuni, o bijtë tanë/ Se ju pret vendi, nana e shpia/ Asht tokë e bukur aty ku jeni/ Por ma e bukur asht shqipnia…// “Tek ne s’dënohet kush faj ka ba/ por dënohet ai që s’ka/ Vriten sa njerëz, bahet rrëmujë/ por ferrë në këmbë nuk i hyn kuj…” etj etj.
.
Letra që Marije Mazrreku - Gjoka i ka shkruar Dr. Lekës
Letra që Marije Mazrreku – Gjoka i ka shkruar Dr. Lekës
Me 2 Maj 1996, ndërron jetë edhe Dom Nikollë Mazrreku në krah të motrës vet, Marije. I ndjeri kishte lindur në ditën e pavarësisë 28 Nëntor 1912, por që nuk e gëzoi lirinë për 37 vjet. Nderimi dhe respekti që iu bë në ceremoninë mortore ishte madhështor, jo vetëm ceremonia fetare nga drejtuesit me të lartë, por edhe pjesëmarrja nga familja e farefisi deri tek njerëzit më të thjeshtë të qytetit. Përpara pjesëmarrësve, oratorët evidentuan vlerat e një kleriku të sakrifikuar për fe e Atdhe e një dijetari të shquar shumë dimensional. Ai la një bibliotekë të pasur me vepra letrare e historike, në prozë e poezi e në publicistikë me tema patriotike, shumica të pabotuara. Vlen për t’u përmendur, vepra madhore “Flamujt e Kastriotit” ku evokon kohën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, Skenderbeut. Porosia që na ka lanë, vlen për sot e për çdo kohë “Mos me u idhnue kur duhet, asht marri” është një motiv për ta luftue të keqen në çdo rrethanë që të ndodhesh. Studiusit, besoj se do ta marrin në konsideratë punen e tij kolosale me vlera historike për ta njohur brezat në vazhdim. Motra bëri sa mundi, mblodhi dhe ruajti shkrime e dokumente të vlefshme për sa fuqi kishte por gjithmonë me kryet lart: “Me ndihmë të Zotit”. Ajo në libër e plotëson figurën e vëllait, Dom Nikollës edhe me figura tjera dijetarësh klerikë si Kardinali Mikel Koliqi, Atë Pjetër Meshkalla, Atë Zef Pëllumbi e të tjerë figura të ndritura të persekutuara që i kishte njohur personalisht, duke shprehur mirënjohje për gjithë veprimtarinë e tyre, në dobi të mirës së përgjithshme.
Libri mbyllet me poezi malli e dashurie, ku ajo i përjetësoi me fjalë zemre djemtë e shpirtit saj, vëllezërit dhe bashkshortin të cilëve iu gjend pranë deri në frymën e fundit. Kjo zonjë e rrallë, Marie Mazrreku Gjoka, do të mbetet shembull i qëndresës, i guximit, i sakrificës në emër të dashurisë njerëzore.
.
* Titulli i ndryshuar nga radiandradi.com
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.