back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Jeta me shumë të panjohura e një mendimtari evolucionist, Branko – Aleksandër Merxhani nga Çamëria – nga Pertefe Leka

Gazeta

Branko Merxhani (1894-1981)
Branko Merxhani (1894-1981)

Jeta me shumë të panjohura e një mendimtari evolucionist,

Branko – Aleksandër  Merxhani nga Çamëria

nga Pertefe Leka

Uroj të jeni mirë familjarisht, Jozef
Shkrimin që po të dëgoj për Branko Merxhanin, (tani i plotësuar edhe në Wikipedia – Aleksander B. Merxhani) kam shfrytëzuar korrespondencën me Afroditën, të bijën e B.Merxhanit, takimin me Petro Markon, 1991. Kujtime nga bisedat me Prof. Nexhat Hakiun dhe Fadil Repishtin, Dr. Jakov Milaj, Ditarin e Dh. Shuteriqit, shkrimet e Sh. Musarajt, Dr. K. Shtëmbarit e të tjerë, dhe së fundmi edhe shkrimet e Alex Teplitzky, stërnip i Merxhanit. Me këte shkrim, shpresoj të nxiten studiuesit e veprës së Merxhanit që të përmbledhin shkrimet e kolosit të publicistikës shqiptare edhe në Turqi, me emrin Baha Ôzler.
Uroj çdo të mirë dhe suksese në angazhimin tuaj dinjitoz dhe shumë të admiruar.

pertefe leka

Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018
Në vitin 1932, Merxhani shkroi tregimin “Gëte si një përrallë”. Po të hedhësh një vështrim nga jeta e tij mund ta përshkruash edhe jetën e tij si një përrallë. Duke parë se po zbulohen të dhëna të reja nga jeta dhe familja e tij besoj se është me vlerë për studiuesit që të vazhdojnë kërkimet, edhe në Turqi, atje ku ka jetuar para vitit 1926 edhe 40 vjet, pas largimit nga Shqipëria me 1939. Atje ku ka botuar pjesën më të madhe të shkrimeve.
Këto thërrime të mbledhura nga bashkëkohësit e tij, personalitete të njohura, nga vajzat e tij Afrodita, Eleftheria dhe nipërit e saj, po i plotësojnë sado pak të panjohurat rreth jetës së tij.
Babai i Branko Merxhanit, ishte nëpunës (gjykatës) i Perandorisë turke në Nish. Atje u martua me një vendase, shqiptare, ku kishin hedhur kthetrat serbët. Ai vetë ishte nga Sopiku i Pogonit, çam i krishterë, vend, ku pretendohej prej grekërve, ndaj dominonte greqishtja.
Kjo ishte fillimisht familja e Brankos me nënë shqiptare nga Nishi, e cila me përkëdheli e therriste Branko dhe me baba nga Sopiku i Pogonit, i cili e kishte pagëzuar djalin me emrin Aleksandër. Atje ku Aleksandri i Madh e kishte origjinën, nga Epiri, ku shtriheshin Mollosët, Çamëria e sotme (një fis i madh Pellazgo-ilir, e ku lindi nëna e Aleksandrit të Madh.)
Politika antishqiptare greko-sllave, dominonte në të dy ekstremet e Shqipërisë dhe vazhdon edhe sot për të tjetërsuar popullsinë autoktone mijëravjeçare.
.
Afro në Itali me veshje festive Çame
Afro në Itali me veshje festive Çame
Kur familja e Brankos u transferua në Turqi, i jati e regjistroi në një shkollë priftërinjsh gjermanë në Bursa.
Atje ai u dallua për zgjuarsi dhe përvetësues shumë i mirë i gjuhëve të huaja. Për këte drejtori i shkollës e përdorte si (dragoman), përkthyes dhe shoqërues të vizitorve të huaj që vinin nga Gjermania në këtë shkollë.
Këte e shpjegon Branko më së miri në tregimin “Gëte si një Përrallë” shkruar me 1932. “…Një ditë më kishte thërritur drejtori si dragoman i një profesori gjerman… Pas 3 ditësh, ditën që do të ikte nxori nga valica një libër të vogël… dhe shkroi: “Këtë libër të vogël ta fal për mundimin t’and dhe sjelljet e tua të fisme, miku im i vogël, po këndo-e vetëm kur të bëhesh i madh…Bursa 1910, Dr. Kerschen-Steiner, (Manchen)... Ishte Fausti!
Në vazhdimësi të edukimit shkollor Merxhani ndoqi jetën universitare në Turqi e Austri për filozofi, histori turke e sociologji. Kur u kthye pas studimeve në Turqi me një bagazh diturish, u bë shpejt i njohur në rrethet e gazetarisë turke, si qytetar modern me kulturë evropiane, duke u bë kështu edhe njeriu më i afërt i Ataturkut.
Besimi që pati Ataturku, në personalitetin dinjitoz të Merxhanit, i ngarkoi një detyrë të rëndësishme që të hulumtonte disa dokumente në arkivat austriake. Këte ftesë, e kemi mësuar nga një shkrim i Dr. Milajt shkruar në gjuhën italiane… (inviato da Mustafa Qemal a Vienna per indagare all’archivio famoso austriaco i documenti che avevanno revoluzioni con il governo turko. Ma verso 1926, lui si esprime solo verbalmente o per iscritto contro Ataturk per le pronuncioni gravi dati del capo della stato alcune personalità che nei primi anni della rivoluzione erano stati amici fedeli del loro Comandante. Il governa di Ancara, appena informato aveva deciso di condannare Branko… (Këtë shkrim e kam marrë me fax, 1993 nga Dr. Jakov Milaj)
.
Vajza e Branko Merxhanit, Afrodita Kiçi, zonja e Gaspër Kiçit me kostum festiv të Çamërisë
Vajza e Branko Merxhanit, Afrodita Kiçi, zonja e Gaspër Kiçit me kostum festiv të Çamërisë
Dokumenti i gjetur nga ana e Merxhanit, për të cilin shprehet verbalisht, bën fjalë për besnikët e Ataturkut të cilët kishin përgatitur grusht shteti kundër Komandantit tyre. Për këtë zbulim, qeveria e Ankarasë vendosi dënimin e Brankos.
I ndodhur në këto rrethana, i jati, njeriu i drejtësisë, e këshilloi të birin që të mos kthehej në Turqi, por të shkonte në Shqipëri, Gjirokastër, të kërkonte për një pronë, që kishin në Sopik dhe të qëndronte atje.
Më 1926, Branko u kthye nga Austria dhe u vendos në pronën e paraardhësve të tij. Atje u martua me një vendase grekofone, të dy bashkëshortët nuk e flisnin gjuhën shqipe.
Nuk vonoi shumë, pasioni i gazetarisë nuk e la të qëndronte larg atij investimi që kishte bërë ndër vite, prandaj gjeti një lidhje me gazetën “Demokratia” të Jorgji Meksit dhe Vangjel Koçës. Edhe pse nuk dinte shqip, artikujt që shkruante, ia përkthenin miqtë e bashkëpunëtorët e gazetës duke përfituar prej tyre mësimin e gjuhës shqipe që e përvetësoi në një kohë rekord. Ai shihte shumë mangësi në veten e tij që të ishte një shqiptar i vërtetë. Prandaj shkruan: “Edukatën e parë e mora në një shkollë të priftërinjve, në Bursa. U rritëm pa gjurmën më të vogël të kulturës kombëtare dhe krejt antikombëtarisht. Duhet të përpiqemi që t’i mbushim këto të meta…” Demokratia, 23 korik 1932.
.
Alex Teplitzky, stërnip i Branko Merxhanit, gjyshja e tij është Eleftheria, vajza e Madhe e Branko Merxhanit
Alex Teplitzky, stërnip i Branko Merxhanit, gjyshja e tij është Eleftheria, vajza e Madhe e Branko Merxhanit
Me një vullnet të çeliktë, Branko, kërkonte nga vetja të plotësonte ato që i kishin munguar gjatë edukimit shkollor në shtete të huaja, ndaj shkruante: “Mos e humb besimin nëqoftëse t’është shkrirë idea atdhetare në zemrën t’ënde as që mund ta besosh më, prap mund të jesh një njeri i drejtë mjaft t’i mbetesh besnik Atdheut t’ënd dhe të mos të vijë turp të përmendësh emrin e tij. Një Fe është edhe kjo. Ndërgjegja kombëtare që të rritet dhe të ngjallet kërkon përpjekje të reja, do vepra të reja”. B. M.
Ato që nuk i mësoj për vendin e vet, kur ishte jashtë Shqipërisë u përpoq t’i kompensonte me studime të thelluara në historinë e paraardhësve të tij mijëra vjeçare dhe ndjente dhëmbje për trojet shqiptare të coptuara. Branko e shihte vetë sa pak territor i kishte mbetur Shqipërisë, edhe atë pjesë pjesë me popullsi të asimiluar nga fqinjët grabitqarë. I kuptonte dhe o shikonte synimet armiqësore të fqinjëve për të përvetësuar toka të tjera. Branko e ndiente thellë në shpirt përçarjen që kishin sjellë fqinjët: Nëna shqiptare nga Nishi fliste sllavisht, babai nga Sopiku, zonë shqiptare e dominuar nga greqishtja.
Familja që krijoi me zonjën nga Sopiku dhe vajzat që erdhen më pas nuk e flisnin shqipen… Për këte i vuri detyrë vetes të evidentonte këto padrejtësi. Plotësimin e tyre e shihte vetëm te përhapja e shkollave shqipe ndaj shkruante: “Një luftë ka filluar në fundin e shekullit të kaluar dhe një nga fitoret më të rëndësishme të kësaj lufte ka qenë shkolla e parë shqipe në Korçë… Një ditë erdhi lajmi se në Stamboll rron… Naim Bej Frashëri, që do të shkruaj shqip dhe që thërret të bashkohen nën një flamur, gjithë shqipo-fonët e Shqipërisë tej e përtej pa bërë asnjë dallim feje. Në Qesorat rronte Koto Hoxhi që ishte takuar në Stamboll me Naimin dhe u kthye me mendime të reja: Nuk jemi grekër, – thoshte – jemi shqiptarë, flasim shqip. Jemi shumë milion n’Epir, Labëri, në malet e Korçës, në fushat e Myzeqesë, lart Alpeve të Shkodrës dhe tutje deri në thellësirat e kufirit serb. Me grekërit na ndan, gjëja, gjuha, gjaku, lebërit janë vëllezërit tanë… Merxhani e shikonte pengesën e qeverisë turke dhe greke për hapjen e shkollave shqipe, megjithate shkruante: “Shkolla normale greke “Ta Zografia” mblodhi 200 nxënës të Llunxhit, Dropullit, Pogonit dhe të Labërisë orthodokse e myslimane… kjo normale në zemër të Labërisë dhe Zosimea në Janinë, në qendrën e Epirit përhapnin gjuhën greke dhe mbillnin farën “Megali-Idhe-së” nën hijën e kryqit t’orthodhok-së… por nga Zosimea e Janinës ashtu edhe nga Normalja greke e Qesoratit duallën edhe: Pandeli Sotiri, Petro Luarasi që e vazhdoi për 25 vjet rrugën e të Parit… për hapjen e shkollave shqipe, që mbaheshin nga shoqëria “Drita” e Bukureshtit që kryesohej nga Nikollë Naçi. Aktivitetin e tyre e përshkruan gjatë, si u flijuan për gjuhën shqipe te Illyria, Nr. 42. 1936 “Jemi Nacionalista!”
Në Tiranë, qendra kryesore, ku ishte përqëndruar elita intelektuale, tërhoqi edhe Brankon, të bashkëpunonte në gazetën “Illyria” ku u miqësua me Petro Markon, i cili shkruante: “E admiroja Brankon për karakterin, kulturën e gjerë dhe penden e tij.
Ai u bë mësuesi im… Ai mendonte për një revistë që të bëhej “shkollë” për rininë e etur për dije, kështu lindi revista e përmujshme “Përpjekja shqiptare” ku bashkëpunëtorët ishin intelektualët më të shquar e përparimtarë të kohës si: Aleksandër Xhuvani, Lumo Skendo, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Eqrem Çabej, Ernest Koliqi, Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Shefqet Musaraj…
Personaliteti shumë dimensional i letrave shqipe at Gjergj Fishta, kishte shprehur kënaqësinë që ishte takuar me Brankon, në Stamboll 1930. Për Brankon, ishte një takim historik, një vlerësim, që kishte marrë, prej At Fishtës. Fjalët që kishte shprehur Ati i Shejtë, në atë takim, Merxhani i kishte ngulitur në kujtesë duke i lënë të shkruara: “Ah, ju jeni, pra, Zoti Merxhani? Sa doja t’ju njihja, veçanërisht, Patër Anton Harapi, shumë herë m’ka folë për ju dhe për “Demokracinë” do t’i shkruej që ju takova. Sa do të kënaqet!” (marrë nga artikulli i K. Shtembari, 1999 “Kush ishte B. Merxhani”)
Sa më e madhe filloi të rritej fama e Brankos aq më shumë e shoqëronte varfëria ekonomike. Merrte shumë pak para nga shteti për revisten që botonte, të gjitha i plotësonte vetë, bënte jetë modeste, kishte raste që i shiste edhe vetë gazetat për mbijetesë… më thoshte Prof. Nexhat Hakiu (kolegu im në Gjimnazin Kristoforidhi) Varfërinë ekonomike të tij e pohojnë edhe Dh. Shuteriqi te “Ditari”, Dr. Milaj, K. Shtëmbari, Prof. Fadil Repishti etj.
Nuk kishte asnjë mundësi ekonomike të merrte në Tiranë gruan me dy vajzat, sepse s’kishte me çfarë t’i mbante, prandaj ata u rriten me ata pak të ardhura që mund të siguronte Zonja Merxhani nga prona familjare.
Viti 1939 ishte ditë e zezë për gjithë shqiptarët, e pritën më armë në dorë. Ata që ishin aktivë në organizimin e demostratave u internuan nga fashistët. Një pjesë u larguan, po përmend ata me të cilët u takua Branko, gjatë rrugëtimit në emigracion pasi historitë e tyre ishin shumë të ngjashme: Ishin Mirash Ivanaj me të vëllanë, Martinin të parët që kërkonin armë për t’u organizuar në luftë kundër pushtuesit. Si kundërshtarë të fashizmit ikën, por gjithmonë me mendimin se do të ktheheshin për t’i shërbyer vendit vet. Duke qenë financiarisht pa të ardhura, Martini u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë, 1940. Mirashi punoi për pak kohë me Brankon në një radiostacion në Egjipt, për Zërin e Amerikës.) Kur Mirashi u kthye në Shqipëri, për t’i shërbyer arsimit u burgos nga diktatori dhe vdiq në burg).
Pas emigrimit të Ivanajve në shtëpi mbeti gruaja e Martinit, porfesoresha G. Polgioti me vajzën 6 vjeçare, Drita.
Kështu veproi edhe Branko Merxhani, i cili e mori vendimin për t’u larguar, sepse qeveria fashiste ia konfiskoi numrat e fundit të revistës “Përpjekja Shqiptare”. Ata e detyruan që ta zëvendësonte, “Përpjekja Shqiptare” me revistën “Përpjekja fashiste”. I ndodhur përpara këtij presioni Branko si shumë të tjerë (sëbashku me Inxh. Qemal Butkën, Dr. Demir Zavalanin) u largua duke lënë në Sopik, gruan me dy vajzat e mitura, më e madhja Elefteria ishte 8 vjeçare.
Ishin kohë të turbullta kur ikën, por edhe ata vetë nuk e dinin se ku do të përfundonin. Fashistët filluan hakmarrjen ndaj familjeve të tyre. Ata e bastisën shtëpinë e Ivanajve dhe Zonja Ivanaj e mbetur pa asnjë përkrahje u detyrua të largohej me të bijën në drejtim të Italisë te prindërit e saj. Po këtë fat pati edhe zonja Merxhani, kur filloi lufta italo-greke në jug të Shqipërisë dhe luftimet po ashpërsoheshin, ajo e ndodhur pa përkrahje mori dy vajzat dhe u nis drejt Italisë, ku u strehuan në një kamp refugjatësh në Ostia afër Romës.
Atje vajzat u shkolluan, fituan gjuhën dhe kulturën italiane. Qëndrimi 15 vjeçarë në Itali bënë që vajzat të krijonin shoqëri të reja, ku u njohën me dy djem nga Shkodra, që më vonë u bënë bashkëshortet e tyre. Eleftheria (Licia, dt. 1931) u martua me Adalbert Fekeçin, kur ajo ishte 19 vjeç dhe pas 5 vjetësh lindën vajzën Cristina në prag të krishtlindjeve të vitit 1954, dhe djalin Willfrid 1958. Kur çifti Fëkeçi emigruan në Sh.B.A. Monterey, California, morën me vete nënën, zonjën Merxhani, dhe motrën Afrodita, (Afro) me bashkëshortin e saj, Gaspër Kici.
Të dy dhëndurët e njihnin Brankon për emrin e mirë që kishte në Shqipëri dhe e quanin veten me fat që kishin marrë vajzat e tij.
Adalbert J. Fekeçi (i lindur 1918, në Shkodër me baba austriak, Josef Fëkeçi dhe me nënë nga dera e Boriçëve e besimit katolik në Shkodër) kishte mbaruar për Jurisprudencë në Torino, ishte studiues dhe përkthyes i gjuhës shqipe. Bashkë me Gasprin, bashkeshorti i Afroditës jepnin mësime shqip në “Albanian at the Defense Language Institut” në Monterey. Adalbert u bë i njohur me përkthimin në shqip të veprës së Nermin Vlorës “E nesërmja e kohës” (Romë biblioteka Casa Museo Angelo di Mario). Atë kohë Nermin Vlora fitoi dy herë çmimin letrar Viareggio, me romanet Bivio dhe Ex duke themeluar kështu letërsinë feministe në gjuhën italiane dhe këto të përkthyera nga Adalbert Fekeçi. Vepra e N. Vlorës “Il signore del Tempo” (Zotëronjësi i kohës) ishte përkthyer mjeshtërisht prej tij… Adalbert, si atdhetar nacionalist kishte marrë pjesë me “Ballin Kombëtar” ku kishte bashkëpunuar me Prof. Nexhat Pëshkëpinë. Duke e pasë mik për zemër për 30 vjet, ishte pikëlluar shumë për vdekjen e tij. Pas pjesëmarrjes në ceremoninë mortore i dedikoi shkrimin “Një Yll që ndriçoi dhe u shua” ku ndër të tjera e cilëson si: “…njeri të virtytshëm shpirtmadh dhe i përvujtë, e që gjenë më të shtrejtë kishte Lirinë, Atdheun, Bashkimin, Vëllazërimin dhe Urtësinë për ushqim shpirtëror. “Vdekja e rrembeu Nexhatin: Edukatorin, humanitarin, poetin, shkrimtarin, idealistin…” Adalbert shkruante bukur me ndjenjë, por si përkthyes ishte më i talentuar.
Ndërsa i vëllai, Anton Fëkeçi (dt. 1917, Shkodër) nuk e ndoqi Adalbertin në emigrim, sepse nuk ishte përfshirë në ndonjë organizatë politike si i vëllai te “Balli Kombëtar”. Ai ishte mësues i italishtes në Gjimnazin e Tiranës.
Megjithatë, Antoni nuk i shpëtoi terrorit komunist, pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore, mori dënimin kapital si filoitalian së bashku me vëllezërit Kokalari e shumë intelektualë të tjerë
Vajza tjetër e Brankos, Afrodita (Afro) e martuar me Gaspër Kicin nga Shkodra. Ata jetuan disa kohë në Monterey dhe pastaj u transferuan në Washington ku Gaspri u mirëprit te “Zëri Amerikës”. Gaspër Kici si studiues-albanolog sëbashku me Hysni Aliko kishin punuar për fjalorin “Albanian English Dictionary, English Albanian”. Ai punoi me përkushtim si shefi i shërbimit në gjuhën shqipe te VOA, ku i ndihmoi shumë gazetarët e rinj dhe i mbështeti me dashuri atdhetare pasuesit e tij, si Elez Biberaj, Frank Shkreli, Izabela Çocoli…
.
Piktura të Afroditës të ekspozuara nga Alex Teplitzky
Piktura të Afroditës të ekspozuara nga Alex Teplitzky
Me Afroditën jam njohur në vitin 1995, kur gazeta Illyria, botoi një shkrim timin “Vizionet e një publicisti të viteve 30-të” Ajo më telefonoi e entuziazmuar sapo kishte lexuar artikullin në fjalë dhe më tha: “Jam vajza e Branko Merxhanit…” Që nga ajo ditë kemi këmbyer mesazhe me Afron prej së cilës kam mësuar shumë të reja që nuk diheshin më parë, as edhe nga studiusit e veprimtarisë së Merxhanit. Prej saj mësova emrin e vërtetë të babait saj, Aleksandër, të cilin nëna e tij, me origjinë nga Nishi e thërriste Branko. Prej saj mësova se nëna e Afros ishte nga ekstremi tjetër i Shqipërisë nga Sopiku i Pogonit.
Të dyja si gjyshja e Afros (nëna e Brankos) nga Nishi, nga ekstremi verior dhe nëna e Afros nga Çamëria ishin asimiluar nga politikat shoveniste të fqinjëve barbarë. Kur ia dërgova Afros letrën e Dr. Milajt, të shkruar italisht, “Cenni biografici di B. Merxhani” ajo u habit kur mësoi shkakun e ardhjes të Brankos në Shqipëri, kur Ai ishte ithtar i Ataturkut, dhe që kishte shkuar disa herë në Turqi edhe pas kësaj ngjarje?! (Hello Pertefe, thank you very much for this prompt delivery of the document of Zoti Milaj As i mentioned yesterday on the phone, most of it is neë to me. I always thought that he, my father admired Mustafa Kemal than how could back to turkey shortly after he came to Albania while he was in danger, condannato on his return) Me të drejtë Afro e shpreh habinë për këtë dokument, por edhe kjo do të marri rrugën e zgjidhjes pozitivisht si shumë të panjohura të tjera që ishin enigëm deri tani. Këto që janë shkruar më sipër, kanë pak rëndësi, përpara trashigimisë që ka lënë në publicistikë për albanologjinë, jashtë Shqipërisë, të cilat akoma nuk janë përmbledhur. Sipas Nexhip Alpan janë me vlera bashkëkohore dhe udhërrëfyes për njësimin e Shqipërisë me vendet e qytetëruara.
Publikimi i të dhënave nga Afro dhe dokumenti i Dr. Milajt më lidhën me shumë studentë të U.SH.T. po përmend ato me të cilat kam komunikuar me email si Besmira Pelushaj Pelinçi e cila kishte si Temë “Veçoritë gjuhësore në shkrimet e B. Merxhanit” Kur i thashë se Branko kishte mësuar gjuhën shqipe, kur erdhi në Shqipëri, ajo hezitoi ta vazhdonte temën.
Denisa Xhoga, ishte studente në prag të doktoraturës. Kur mësova se ajo ishte mbesa e Dr. Milajt, i vura në dispozicion letrën e Dr. Milajt, nr. tel dhe email të Afros. Ajo arriti të komunikonte me tel. me Afron, por përgjigjen e mori nga Alexi, nipi i saj, pa marrë asnjë informacion për pyetjet që ajo kishte drejtuar. Kështu informacioni mbeti vetëm me çfarë unë kisha publikuar.
Interesante ishte me studentën kosovare për sociologji në Stamboll, Merjem Gashi, e cila më kishte kërkuar nepërmjet Fondacionit Ivanaj, duke ju drejtuar Dritës Ivanaj, Presidente e Fondacionit. (I am Merjem Gashi, from Kosova, PhD candidate in Istanbul University in Sociology Department. I am researching thesis on some Albanian figures such as Branko Merxhani, Vangjel Koça, Mehdi Frashëri, etc. While I was searching on Merxhani I come to an article written by Mis Pertefe Leka on Merxhani’s life. Would you please give me her email -address? I really appreciate it. Thank you. Merjem…)
.
Pikturë e Afroditës ekspozuar nga Alex Teplitzky
Pikturë e Afroditës ekspozuar nga Alex Teplitzky
Në momentin, kur Merjem, një studente e shkëlqyer, shumë kërkuese, të cilës ia dhashë gjithë informacionin e duhur, po përpiqej të lidhej me Afron, (16 Shkurt 2016) mësoi nëpërmjet të FB, shkruar nga Alex Teplitzky, se me 15 Shkurt 2016, Afrodita kishte ndërruar jetë. (Alex, ishte stërnip i Brankos, i cili kishte marrë emrin e tij, Aleksandër) Alex, lajmëronte në FB për vdekjen e Afros që ishte tezja e nënës tij. Lajmërimin e shoqëronte me një shkrim të gjatë, duke treguar se çfarë thesari kishte zbuluar kur kishte hapur shtëpinë e saj, “ishte nje museum”. Prej Alexit mësuam se sa e kursyer kishte qenë Afro në përgjigje të pyetjeve të studenteve shqiptarë për B. Merxhani, njëkohësisht sqaronte, pse Afro nuk jepte informacion për të jatin. Ajo donte të ruante privatësinë familjare, por edhe që të mos keq interpretoheshin të dhënat e saj… Kështu, Alex i autorizuar prej Afros e kishte shkruar përgjigjen shkurt me email duke thënë se di shumë pak rreth stërgjyshit…
Një fragment nga shkrimi anglisht i Alex, që e trajtova më sipër: (“Her was a famous Albanian writer who lived in Istanbul and wrote for the paper Milliyet, so she held on to this prestige.
Last year, some PhD students contacted Afro through email to get some specific on the dates when he lived in some town. They ëere ëriting their thesis on him and thought it ëas a great discovery to have found the email of the long lost daughter of this writer, even though she had been there all along. Afro, by this time, was confined to her bed, but she still read and could respond to email, yet going through her iPad I noticed that it had been a few weeks she had not respond to this one. When I asked her about it, she was evasive. I couldn’t understand first of all why the PhD students about dates, when they could have asked her so much more; she, a scholar, herself, on her father, the writer, whom she had only met once. I also couldn’t understand why she didn’t tell them the dates. But as I asked her about it, it became clear to me that she wanted sole proprietorship of her father history He, ëho had abandoned her, her sister and mother in Albania to return to his writer lifestyle in Istanbul. Nonetheless, she was proud of him and all that he meant to Albania, in his day, writing abroad about its troubled history and vague future. She didn’t want some PhD students, young perhaps, and not respecting of his legacy as she no doubt was, going and writing something that ëas untrue or dismissive. So I helped her craft a vague response that allowed her to answer the questions, while showing she couldn’t cooperate any further. I wrote the email, and mentioned that I was CC’ing myself, in hopes that I could be of some assistance later, although I know very little about him, my great grandfather. She dictated the email, and I typed it onto iPad as I sat at her beside. I changed some of the phrasing because
I knew it made her sound like that stereotypical writer’s daughter I imagined: elderly, cranky, uncooperative, curmudgeon, and yet I knew she was much more than that. She was the intellectual aunt that I loved and respected. I didn’t want them to see her like that. I ëanted them to see her as I did: strange still as smart as she ever was. I am who I am today because of she…
Më vonë Alex Teplitzky publikoi shkrimin duke analizuar veprat artistike të Afroditës: “Reflections on My Great Aunt, an Artist Who Painted for No One but Herself”
(My great Aunt Afrodita was the first artist I knew, and she profoundly affected my idea of art…, my family called Afro for short and her sister Licia (my grandmother) Afro spent her time in California taking watercolour and oil painting classes.
From local artists… she loved painting wildflowers and still life… portraits of figures in Albania attire… Her house (outside of Washington) was a museum. Any object might in her house remind Afro of her childhood, her deceased husband, friends or family.
Or her homeland in Albania, so she didn’t want to throw them away… when I asked her about a photo… she said, “Just beyond that ridge is the house where I was born…”)
.
Pikturë e Afroditës ekspozuar nga Alex Teplitzky
Pikturë e Afroditës ekspozuar nga Alex Teplitzky
Alex, nipi i Lefterisë, e thërriste, Licia, gjyshen e vet, ishte shumë i lidhur me Afron, e cila nuk pati fëmijë. Si artist ai komentoi në shkrimin Refleksione… rreth pikturave të Afroditës që edhe për atë ishin një zbulim, të cilat u shfaqen pas vdekjes saj. E vleresonte Afroditën si talent, por ajo asnjëherë nuk i kishte ekspozuar pikturat e saj, asnjëhere nuk kishte kontaktuar në ndonjë ekspozitë ose qendër televizive edhe pse i shoqi ishte shumë aktiv te Zëri Amerikës. Alex duke treguar rrugën e tij artistike theksonte se, ky që jam sot, jam prej teze Afros, prej se cilës kam mësuar shumë.
Edhe unë, (P. L.) që munda të marr disa të dhëna prej saj ishte se ajo dhe Gaspri njihnin Dr. Agim Leka (kunati im) dhe besonte, për sa më kishte treguar, se do të mbeteshin ashtu siç i kishte thënë Ajo.
Afro e ruante shumë privatësinë e familjes aq më tepër që kishte qenë tërë jetën e saj larg të jatit. Ajo e vuante shumë këte ndarje, por nuk i dinte arsyet. Nëna i kishte folur shumë për të jatin dhe Afro kishte shkuar në Turqi për ta takuar babanë të cilin e respektonte me krenari. E theksonte se babai në Turqi njihej me emrin Baha Ôzler dhe me ate emër vazhdonte të shkruante, në shumë gazeta turke. Këtë e pohonte edhe Albanologu turk, Necip Alpan, i cili shkruante: “Branko punoi në shumë organe shtypi të Stambollit, “Tan” (Agimi), “Yeni gazete” (Gazeta e Re), “Gunaydin” (Mirëmëngjes), “Hurriyet” (Liria)... kishte një aftësi të shkëlqyer analize. Ai bënte komente rreth Albanologjisë dhe Gjeopolitikës duke e trajtuar Shqipërinë në shumë artikuj siç ishte artikulli, “Shqipëria dhe përpjekjet e saj për zhvillimin ekonomik” botuar në “Yeni Gazete” Korrik 1970… N. Alpan. (për dijeni, besohet se Nexhip Alpan të ketë marrë prej Brankos nje kopje të Aktit të Pavarësisë të cilin Merxhani e kishte botuar, Janar 1938, te Revista “Përpjekja Shqiptare” me pak ndyshim nga botimi i mikut tij L. Nosi)
Afrodita, edhe pse e kursyer në informacion, shprehu shumë kënaqësi kur më tha se kishte udhëtuar dy herë për Shqipëri pas viteve 90-të.
Ajo kishte qëndruar në Shkodër me Gasprin, në vendlindjen e tij. Kur komunikonim, Afro fliste shkurt dhe s’pata rast të merrja ndonjë përshtypje për njohjet, që ata kishin në Shkodër, (vend prej të cilit jam edhe vetë).
Ishte shumë e interesuar të dinte për kulturën shqiptare, për veshjet tradicionale, siç shkruante Alex, i cili ekspozoi në F. B. një foto të saj në moshë të re, me një kostum mahnitës, veshje festive, nga Çamëria, ku dallohet bukuria fizike dhe eleganca e saj. Një bukuri të tillë për vashat Shqiptare të asaj zone e përshkruan Bajroni në letrën që i dërgon nënës së tij. (edhe Bajroni kostumin shqiptar me të cilin pozoi e kishte blerë në Prevezë, gjithashtu edhe Faik Konica e mbajti veshur me krenari fustanellen e Çamërisë.)
Në një portret gruaje të pikturuar prej Afroditës, duket një refleksion i një fshatareje nga Sopiku, me një fytyrë të bukur të sinqertë, me veshje të thjeshtë, të zakonshme të krahinës, me një shami të lidhur në kokë, tipike nga Çamëria, kujtesë nga koha e kaluar e saj në ate vend. Besoj se shumë kritikë arti mund të komentojnë pikturat e Afros për aqë sa ka mundur të ekspozojë, Alex.
Kur doli “Gazeta Illyria” në NY, ajo e kishte mirëpritur me shumë interes. Kureshtja për të ditur më shumë nga vendlindja e saj e nxiti të mësonte, të lexonte dhe të kuptonte shkrimet në gjuhën shqipe, sepse nuk kishte frekuentuar asnjëherë një shkollë shqipe. Si greqishtfolëse në fëmijëri ishte e dëshiruar të mësonte histori nga vendlindja e saj. Në të vërtetë, apartamenti i saj, siç e përshkruan Alex, kishte rreth e rrotull shumë fotografi dhe sende që i kujtonin vitet e hershme të jetës saj në Shqipëri… Afro ishte shumë e kulturuar. Shkolla italiane i kishte hapur dritaren e diturisë, më vonë edhe shkollat artistike që ndoqi në SH.B.A. jeta bashkëshortore me një albanolog, siç ishte Gaspër Kici dhe vetë studimet e saj e kishin kompletuar si një intelektuale me diapazon të gjerë, por Ajo nuk ishte shumë sociale, gjithë puna e saj ishte mbyllur brenda “Muzeut” familjar. Të gjitha punët artistike të saj u zbuluan pas vdekjes nga Alex, djali i Cristines (Branko kishte mbesë Cristinen dt.1954, dhe nip Willfrid dt.1958, nga Vajza Elefteri).
Janë shumë gjëra për t’u zbuluar për Kollosin e Publicistikës Shqiptare. Ai kishte dy dhendurë universitarë të jurisprudencës, të cilët ishin edhe studiues – albanologë. Pasardhësit, vajzat, nipërit… të gjithë ishin të shkolluar e të kulturuar. Alex, shkruante për stërgjyshin “Famous Writer”, (shkrimtar i famshëm) pa ia përmendur emrin, emrin e të cilit ai e trashëgonte. Si duket jeta e varfër e një publicisti të famshëm, që edhe ato pak të ardhura i kishte vënë në funksion të idealit e kishin veçuar nga familja. Merxhani nuk ishte as i pari dhe as i fundit që u sakrifikua për progresin shoqëror. Ai e adhuronte, Nikollë Naçin, Petro Nini Luarasin… e shumë e shumë të tjerë, që u flijuan për të përhapur shkollimin në gjuhën shqipe, për te zgjuar ndërgjegjen kombëtare. Çdo gjë që shkruante e mendonte të ishte në funksion të edukimit dhe zhvillimit kulturor të rinisë.
Këto janë vetëm disa thërrime nga jeta e tij në Shqipëri, ku qëndroi në vitet 1926-‘39, ndërsa pas këtyre viteve qëndroi edhe 40 vjet në Turqi (1939-1981) ku nuk ka reshtur së shkruari sipas albanologut, Necip Allpan… Nuk është bërë asnjë studim dhe përmbledhje e shkrimeve të tij në Turqi siç bëri Dr. Aurel Plasari për botimin e veprës së Branko Merxhanit “Formula të Neo-Shqiptarizmës” dhe esesë “Kundërbota e Branko Merxhanit” që janë një vlerësim dhe nderim për këte figurë madhore si filozof e sociolog që iu përkushtua me vetëmohim kombit të tij. Madhështia e Merxhanit qëndron sepse kërkoi të ndriçojë bashkëkombësit e tij me idenë e evolucionit shoqëror drejtë ndryshimit nëpërmjet kulturës dhe moralit. “Politikë s’ka! Vetëm Kulturë…!” Ndër të tjera theksonte: “Të krijojmë jetë mendore… për një gjurmim shkencor, të vazhduar, për realizimin dhe spjegimin e vonesave historike dhe sociologjike të jetës kombëtare. Vetëm me një punë të tillë mund të mbështetet mendimi dhe sistemi i reformave. Dhe vetëm për një zbatim besnik të kësaj pune do të mundemi dhe ne të krijojmë një ditë në qarkun e popujve të qytetëruar…” Shkruante te “Neoshqiptarizma” 1930.
Kanë kaluar 90 vjet nga këto studime sociologjike dhe qindra vjet nga themeluesit e Pozitivizmit që përcaktuan ligjet natyrale si universale dhe ligjet njerëzore si derivat i tyre, ndërsa ne akoma s’kemi arritur t’i zbatojmë detyrimisht ato, për të riparuar vonesat historike, për t’ju afruar zhvillimeve të shteteve të përparuara.
.
Revista e Neoshqiptarizmes - Perpjekja shqiptare
Revista e Neoshqiptarizmes – Perpjekja shqiptare
Vepra e Ndriçim Kulla “Bota Shqiptare e Branko Merxhanit” botim i vitit 1920, është një dëshmi tjetër se duhen vazhduar hulumtimet për këte figurë, sepse idetë e tij evolucioniste vlejnë edhe per sot.
Branko si demokrat idealist kishte zgjedhur studimet e tija nga filozofia pozitiviste franceze e A. Komte, nga pragmatizmi amerikan W. James e sidomos nga filozofia gjermane Niçe, Frojd, Gëte, për t’ia përshtatur kushteve aktuale ekonomiko-shoqërore të Shqipërisë.
Ndërsa, Afro, e bija, theksonte më shumë ndikimin e Dekarte, (filozof francez, 1596-1650 themelues i filozofisë moderne përendimore, i ashtuquajtur “Revolucion Shkencor”) Në qoftë se te artikulli “Pse nuk jam marksist”, Branko shpreh mendimin se socializmi në Shqipëri ishte një utopi ose, siç e quante vetë “një eksperiment pa të ardhme” në botimin “Fjala e metodes” të Dekartit, botuar te “Përpjekja Shqiptare”, dallohet ndikimi i pozitivizmit… që lidhej me Neopozitivizmin që lindi rreth viteve ‘30-të të shek.XX. Një përpjekje që shkonte drejt shkencores, ekzaktes, arsyes njerëzore të përshtatura prej Brankos te lëvizja kulturore: “Neoshqiptarizma” si një filozofi optimiste.
Ai ishte një idealist që tërë pasurinë mendore e vuri në dispozicion të një studimi sociologjik, të një lëvizjeje reformuese, të një sistemi të nevojave kombëtare, që të kishin vlerë historike, duke i dhënë prioritet fuqisë së arsyes njerëzore. Autoriteti i Brankos u dallua edhe si polemist, janë të njohura polemikat me Tajar Zavalanin, Nebil Çikën, Selim Shpuzën… prej të cilëve kërkonte zhvillim miqësor të pikëpamjeve, në mënyrë, që debati të ishte në funksion të ndërtimit dhe jo të asgjesimit. (kur mendon sot, si zhvillohen në Shqipëri, polemikat në mes kundërshtarëve politikë, pa asnjë princip e moral, vetëm të asgjësojnë njeri tjetrin pa ndërtuar asgjë) Kërkesa e Brankos për një lëvizje reformuese me vlerë historike, bazohej në zbatimin e një sistemi sociologjik mbi bazën e nevojave kombëtare, duke treguar respekt të thellë për fatin historik të së ardhmes të Atdheut.
Para së gjithash, Merxhani, theksonte një thënie të Niçes “Çdo njeri, çdo popull, që të rrojë dhe të tregojë veten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë kaosin që gjendet brenda në ‘Unin’ e tij.”
Si adhurues i Ataturkut (me origjinë shqiptare), Ai e dëshironte një udhëheqës të tillë edhe për Shqipërinë, që ligjet të formuluara nga të Urtët, të zbatohen rreptësisht duke i trajtuar të gjithë të barabartë para ligjit. Ligjet janë ligje e duhen zbatuar! Prandaj sot, të zgjedhurit e drejtësisë Shqiptare, nuk duhet të shkojnë derë më derë me letra nepër duar për të interpretuar ligjet për të cilët kanë studiuar dhe janë betuar. Atyre nuk iu mungon aftësia për të bërë analiza dhe interpretime të veprimeve sociale, që të përfshijnë realitete të shumta të shoqërisë, që të kuptohen nga njerëzit. Vetëm me një disiplinë shtetërore efikase, mund të rregullohet kaosi, që zotëron, sidomos në një vend me korrupsion të lartë.
E Shqipëria sot i ka të domosdoshëm ideologët, juristët guximtarë, sociologët – patriotë, jo vetëm për mendime, por edhe për veprime paqësore, që të bashkojnë shqiptarët si një njësi etnike, pavarësisht kufijëve shtetëror të cunguar; sigurisht duke pasë edhe mbështetjen e një force madhore të sinqertë, siç kemi pasë deri tani ShBA.
.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.