back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Jeta në fshat nën terrorin e stalinizmit- hoxhist nga av. Xhafer Sadiku

Gazeta

Xhaferr Sadiku
Xhaferr Sadiku

Jeta në fshat nën terrorin e stalinizmit- hoxhist

nga av. Xhafer Sadiku

Në librin e tij, “Rreth politikës së PPSH për likujdimin e kulakëve si klasë”, Apostol Kotani, shkruante: “Të armatosur me vijën politike të partisë, komunistët, kuadrot, të rinjtë e të rejat luftuan pa pushim kundër kulakëve dhe armiqve të tjerë. Ato u bënë mbështetje e sigurtë e organeve të sigurimit të shtetit për zbulimin e komploteve, sabotimeve e diversioneve të armiqve. Masat informonin partinë, pushtetin dhe organet e sigurimit të shtetit për çdo parrullë, për çdo qëndrim a veprim që ishte në kundërshtim me vijën dhe direktivat e partisë, për çdo lëvizje të dyshimtë, duke u krijuar armiqve një atmosferë mbytëse”.
Për të nxitur luftën kundër fshatarëve të cilësuar kulakë, regjimi zhvilloi plenume, aktive, seminare me sekretarët e organizatave bazë të partisë. Botime të posaçme propagandonin ashpërsimin e luftës kundër tyre.

Qëllimi i ekstremistëve të fshatit

Në raportet nga terreni, instruktorët e regjimit informonin udhëheqjen se tendencat e komunistëve për t’i larguar nga fshati familjet e cilësuara kulakë, ishin për dy arsye: “Nga një anë mendojnë se ashtu do të shpëtojnë nga lufta kundër këtyre dhe nga ana tjetër kërkojnë t’u marrin pasurinë e tyre si tokën, shtëpinë për veten e tyre.
Në katundin Imshtë të Lushnjes, ku ishin cilësuar 15 kulakë, komunistët i larguan me dhunë nga fshati, madje shpreheshin: “tani që çporrëm kulakët që këtej, shpëtuam prej tyre dhe s’kemi punë armike”.
Raste të tilla ishin të shumta. Kështu, sekretari i organizatës bazë të partise, në katundin Shalës të Tepelenës, propozonte “për likujdimin e kulakëve që ka në fshat, me qëllim që të përfitojë nga pasuria e tyre”.
Për të njëjtin qëllim, në Mursi u bëhet presion, “aq sa ata të arratisen”. Kishte komunistë që, në mbledhje të popullit, duke demaskuar kulakët u bënin presion: “Ose me neve ose të shkojnë në Greqi”.
Disa komunistë u jepnin ultimatumin kulakëve dhe familjeve jashtë kooperativës “që të largohen duke caktuar edhe afate”.

Karikatura e Kulakut ne Bashkimin Sovjetik
Karikatura e Kulakut ne Bashkimin Sovjetik

Mënyrat e përdorura

Në raporte, tregoheshin edhe mënyrat që përdornin për të denigruar familjet e cilësuara kulakë.
Kështu, në një raport nga Saranda, theksohet: “Në Delvinë inkurajohen të vegjëlit që të zënë kulakun me gurë e ta pështyjnë.
Në Kalivashush nxënësit shtyhen nga arsimtari që të thyejnë xhamat e dritarëve të kulakut.
Në Matohasanaj, kulaku ka kullotë të caktuar me kufi e po të kalojë të paktën një dele mbahet qëndrim…
Në Dervician djali i kulakut qëllohet me pëllëmbë…
Në Salari ndalohet kulaku t’u japë ujë dhënve në burim.
Në Goricë të Gjirokastrës u bëhet presion sazexhinjve të ikin nga dasma e kulakut…”
“Në kooperativën e Shalësit – Sarandë nuk i shiten duhan kulakëve… Një gruaje kulaku i është derdhur djathi nga një shok partie, pse e kishte blerë nga një fshatar…”.
Në shumë fshatra, “nxitën pionierët për të përzënë më gurë fëmijët e kulakëve nga shkolla duke u thënë “kulakë të vegjël”.
Në fshatra të Matit, si në Patin, Lis, Burgajet, etj. fshatarët e cilësuar kulakë nuk lejoheshin të rrinin në një vënd me fshatarët, kur bëheshin mbledhje me popullin, ndërsa fëmijët e tyre nuk lejoheshin të përziheshin në shkollë me fëmijët e tjerë”.
Në Konispol, një komunist i merr nga dora biletën e udhëtimit për në Sarandë një “kulaku” duke i thënë “ti je kulak dhe duhet të shkojnë me makinë fshatarë të tjerë…”
Pushtetarët vendorë në Sarandë, u dhanë urdhër shoferëve “që të mos presin fare bileta për kulakët”.
Kishte komunistë që, në mbledhje të popullit, duke demaskuar kulakët u drejtoheshin: “ose me neve ose të shkojnë në Greqi”.
Në raste festash të regjimit, komunistët ekstremistë nxisnin të rinjtë e fëmijët të shkonin shkonin para shtëpisë së “kulakëve” dhe bërtisnin “Poshtë kulaku!”.
Pasojat për familjet e cilësuara kulake ishin të rënda: vetëm në rrethin e Delvinës, pati 26 të burgosur, 3 të internuar dhe 9 të arratisur.

Shtypi shqiptar kundra Kulakevek
Shtypi shqiptar kundra Kulakeve

Efektet tek fshatarësia

Terrori i ushtruar mbi familjet e cilësuara kulakë, dha efekte mbi tërë fshatarësinë, madje diferencoi edhe vetë komunistët.
Në informacionet e strukturave të regjimit, vihen në dukje shtypja e fshatarëve.
Kështu, në një raport nga Durrësi, lexohet: “Në fshat mbahen shpesh herë dhe qëndrime të padrejta kundrejt fshatarëve. Nuk ka takt kundrejt fshatarëve, p.sh., në rrethin e Durrësit sekretari i organizatës bazë të fshatit Shetel(…) ka arritur deri në atë gradë sa të frikësojë fshatarët dhe të ngrihen në këmbë kur ky kalon ose t’i kërcënojë se do t’u heqë triskat e frontit dhe të krijojë një situatë të tillë që fshatarët nga frika e marrin në darka e davete. Si ky rast ka shëmbulla edhe për rrethe të tjera…”
Në fshatin Shënavlash të rrethit të Durrësit komunistët u bënin fshatarëve disa kontrolle të paligjëshme
Shtypi shkruante se komunistëve të fshatit, në përgjithësi, dhe shumë funksionarë të shtetit, u mungonte takti i duhur për afrimin me masat e fshatarësisë. Gazeta “Bashkimi” e 12 prillit 1951, shkruante: “Ata e konsiderojnë vehten të privilegjuar sepse janë anëtarë në parti ose sepse kanë një post në pushtet, mbajnë një sjellje komandonjëse dhe jo bindëse. Kjo gjë e dëmton punën e partisë në fshat, i dëmton lidhjet e partisë me masat e fshatarësisë”.
Megjithë informacionet e marra për abuzimet dhe shkeljet e ligjit të kohës nga strukturat në rrethe, udhëheqja e regjimit udhëronte:
“Detyra e organizatës bazë të partisë në fshat është të krijojë rreth vehtes një aktiv të gjërë me njerëzit pa parti dhe këtë ta bëjë duke aktivizuar këshilli popullor, frontin, rininë dhe organet e tjera të masave.
Detyra e organizatave të partisë në fshat është të mprehi vigjilencën e komunistëve dhe të njerëzve pa parti kundrejt armiqve dhe kulakëve; t’i bëjë ata luftëtarë aktivë kundrejt armikut të klasës, të zbulojë dhe të demaskojë haptas kulakët si shfrytëzues e përfaqësues të klasës armike!”.
_______________
Apostol Kotani, “Rreth politikës së PPSH për likujdimin e kulakëve si klasë”.
Gazeta “Bashkimi”, 12 prill 1951
AQSH., FO. 14, viti 1951 dosja 426
AQSH., FO. 14, viti 1951, dosja 9
A.Q.Sh, FO. 14, viti 1951, dosja 135
A.Q.Sh, FO. 14, viti1953, dosja 2
AQSH., FO. 14, viti 1954, dosja 55
AQSH., FO. 14, viti 1955 dosja 194
Marrë nga gazeta “Minerva”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.