back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Jeta që ikën… refleksion filozofik nga Lek Pervizi

Gazeta

Lek Pervizi ne studiot e Radio-Panik
Lek Pervizi ne studiot e Radio-Panik

Jeta që ikën…

refleksion filozofik nga Lek Pervizi

editorial i revistës Kuqezi nr. 113

Gjysma e vitit tashmë u mbush e po kalon tutje drejt fundit tij, që për çudi njerëzit e festojnë me shampanjë e fishekzjarrë, duke përshëndet vitin e ri, ku i vjetri zhduket përgjithmonë e len prapa veç kujtimin e tij per mirë a për keq. Nga ana tjetër na grabit nje pjesë të jetës, që nuk na rikthehet ma kurrë. Një ngjarje që përsëritet me nje shije të hidhur sepse shënon shkurtimin e jetës sonë, ndërsa ne gëzohemi që iku një vit që e quejmë të vjetër e vjen i riu, të cilin e pret i njejti fund. Njeriu primitiv prehistorik s’e ka pasë këtë problem. Ai e shtynte jetën për bukuri pa andralla, sa t’ia kishte caktuar fati, sepse për Zotin s’ishte në gjendje të mendonte se ku bie. E jo më të dinte se kur ikte viti vjetër e kur vinte i riu.
.
Revista Kuqezi - numri 113 (1993-2017)
Revista Kuqezi – numri 113 (1993-2017)

Ne po e shohim me sytë tonë se si kaluen 27 vjet porsi 27 ditë. Hap e mbyll sytë.

Shqiptarve që 45 vjetët e diktaturës u dukeshin si 45 shekuj, prit e prit që ditët të kalonin ndërsa s’kalonin kurrë. Sepse ata mendonin se kalimi i kohës u sillte shpëtimin, dhe prandaj mezi prisnin që të kalonin orët, të kalonin ditët, javët e muajt e së fundi vitët. Ja, ma në fund 45 vjet kaluen, dhe për çudi u shfaq shpëtimi. U fitua liria e demokracia e andrruar dhe e dëshiruar. Po kësaj si i thonë? Tashti koha e kishte përshpejtuar hapin dhe fluturonte si raketë. Ikte. S’kishte fuqi që ta ndalonte. Eh, more qyqarë, dukej që thoshte, shijoni njato çaste që ju kam lejuar, se vrapi im është i pandalshëm. Unë s’pyes fare për universin e pamatshëm jo po pyes për ju, kokrra rëre, hiçe. Faktikisht këto mendime vijnë nga të përndjekurit politikë, që gjatë 45 vjetëve të diktaturës koha i rëndoi së tepërmi, ajo sikur kishte lidhur marrëveshje me diktaturën që ta ndalonte hapin e të ecte si kërmill. Për të burgosurit të mbyllur në qelitë e errta e të ftohta në mëshirë të xhelatëve që vinin e i torturonin, koha ishte bërë armike e madhe, e pashpirt. Ajo rrinte në vend-numro për të zgjatë agoninë e tyre. Aty i burgosuri i shtrirë mbi pllaka guri, ose mbi rrasa betoni, i dukej dita shekull. Lerë që ai e kisht humbur nocionit e kohës, dhe e maste me mjekrrën që i rritej, dhe me thojtë që i zgjateshin si kthetra. Thojve iu vinte hakut se i priste me dhambë, por mjekrrës s’kishte ç’ti bënte. Por ja, veç kur vinte një berber xhelat që ia hiqte me një brisk rrues të pamprehur, që ishte një torture. Po kishte burgaxhi që iu shkonte mjekrra deri në brez, si ajo e Matusalemit. Këta ishin burgaxhi të posaçëm, që e ngrysnin jetën aty, deri në frymën e fundit. Për ata koha s’kishte matje, ose s’ekzistonte fare. Rri të rrimë, në pritje të pafundshme, deri kur i shterrej fryma e kalonte në dimensionin tjetër të jetës së pashuar që kishte mësuar si besimtar, në qoftë se ishte i tillë. Ndërsa fizikisht ishte kthyer në tokën nga ishte krijuar. Pse dihet fare mire, se gjithë krijesat e këtij rruzulli, janë përbërje e transformimeve të laboratorit tokësor. Nga toka lindim, në tokën kthehemi. Filozofia nuk të fal! Një degë e saj, teologjia të jep shpresën e mbijetesës, nga trup fizik në qenie ajrore, ajër ose frymë, e shpirt sipas fesë.
.
Mbas Treqind vitesh - Taf dhe Lek Pervizi
Mbas Treqind vitesh – Taf dhe Lek Pervizi

Taf Pervizi e Lek Pervizi kushrinj historikë takohen mbas 300 vjet, ku të parët e Tafës ishin larguan nga Pervizajt Skurajve dhe u vendosën në Has të Kosovës. Foto nga takim në Akademinë “Iliria” të Nermin Vlorës, në Romë, më 24 janar 2002.

“Asgjë s’humbet, asgjë s’krijohet, gjithçka transformohet…” – e ka thënë shkencëtari i madh Lavuazié (Lavoisier) dhe është pranuar e aprovuar, botërisht. Diktatura e zbatoi mirë. Vërtet se ne ju pushkatojmë, por asgjë nga ju s’humbet, vërtet se më s’krijohëni , por transformoheni, në se?! Po në dhè, i ktheheni tokës të trasformuar por jo të humbur. Gjithë sa u shkrua më sipër, rezulton të jetë diçka abstrakte pa asnjë kuptim real e konkret. Fjalë boshe e kote. Ç’përmbyllje t’i japim na del çeshtja. Në fakt u morëm me arsyetime boshe. Një arsyetim i sakte ose i plotë, është se fati i të burgosurve politikë të Shqipërisë, u rëndua nga zgjatja e kohës së sundimit të diktaturës, që një pjese të mirë, e të zgjedhur të tyre ua preu jetën, pra ua shkurtoi kohën. Të tjerëve ua zgjati pa fund e krye, ndër burgje e kampe internimi, ku dëgjohej thënia: lum ata që ikën se u shpëtuan torturave e vuejtjeve pafund e pakrye e që na e benë jetën skëterrë këtu në tokë, ku u krijuam për të gëzuar sadopak të mirat e jetës.
A ka gja ma të bukur se jeta?
Bukur e ka përkufizuar në filmin e tij, artisti italian Roberto Beninji, “La vita e bella”, me subjekt kampin e Auschvitzit. Pra edhe në kampet e burgjet, “…sa të jeshë gjallë jeta është e bukur, gjëja më e çmuar që Perëndia i ka falur jo vetëm njeriut por gjithë krijesave të rruzullit tokësor ku përfshihën edhe bimët e çdo gjë që prodhon toka e ku njeriu është më i privilegjuari. Por me një përjashtim thelbësor, që u realizua në vendet komuniste, dhe mjerisht në Shqipërinë tonë, ku diktatura ua preu rriskun një pjese të zgjedhur të shoqërisë, duke mos u lënë ta gëzonin as jetën. Për ta, thënia “La vita e bella”, u kthye në termin shqip, Jeta është një skëterrë. Këto janë përfundimet e këtij shkrimi filozofik mbi kohën, që lidhen me jetën e atyre që duke pësuar të zezat e ullirit, nën diktaturën komuniste, koha u kthye në armike e tyre.
I katandisi të rrinë të pllakosur si në varr për 45 vite tepër të gjata dhe mizore.

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Robert Kamani:
    Eshtë kënaqesi për mua që kam pasë nderin të punoj me një mjeshtër të penelit dhe penës… zakonisht njerëzit e shquar mbeten në mendjen e atyre që kanë mend. Titujt dhe vlerësimet bëhen dhe jan bërë nga njerëz mediokër ose me rekomandime miqësore. Të njejtin fat kam pasur edhe unë në jetën artistike, ku janë vlerësuar disa kot fare e unë protogonisti shumë roleve jam prapa listës… por jam i nderuar që shumë njerëz si Leka apo renditja e emrit ndër artistët më të mirë dhe opinioni lushnjar më bëjnë krenar. Edhe i madhi Lek Pervizi është dhe do mbetet i nderuar me punët e tij…

  2. Lek Pervizi… është 88 vjeç
    është piktori që si askush tjetër ka sjellë jetën e kampeve të tmerrit përmes skicave dhe personazheve, është drejtues i revistës Kuqzi prej më se 24 vitesh, është esesist, përkthyes, promovues, narrator dhe poet antikonformist… është autor i një pafundësie librash… po edhe kujtimesh nga skëterra e gjitha kampeve ku ka jetuar, është prej nji familje me emën që e nisi dhe e mbaroi jetën nën komunizëm kampeve dhe burgjeve… pra është Njeri Legjendë! Ai është Intelektual par exellence që s’ tha kurrë: “çka po më jep shteti… po çka mundem unë me i dhanë kombit tim!”…
    Prandaj titulli “Nderi i Kombit”, duhet të ndjehet me turp përpara kësaj Legjende të Gjallë!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.