Dy poezi kushtue Havzi Neles
nga Jozef Radi (Fletorja e Vjeshtes – 2011)
Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve…
Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve
ndrrojmë cigare në ditët e përzishme
e flasim për njerëz t’ikun me lavd
prej kësaj bote t’mërzitshme…
Kujtojmë poetin e sharruem me sharrë
poetin e përzanun përtej oqeanesh
me misterin pezull të vrasjes,
flasim për poetët që i pushkatuen natën
me mendjen se i zhdukën n’jetë të jetëve,
habitemi me poetin që u ngjit në litar
e n’duer mbante poezinë. Amanet nanës…
Qajmë për poetin që edhe pse gjallë
jetoi n’konop të heshtjes së përjetshme…
Përditë kujtojmë e flasim histori poetësh…
pse jetoj n’nji strehë me vrasësit e poetëve,
krijesa të zakonshme – karakatina t’mbathuna mirë
ditën flasin nënzà lokaleve, natën shkruejnë libra dashnie
e çojnë lehtë potere për padrejtsitë e papësueme kurrë
po asnjiherë s’shpjegojnë pse vdekja e poetëve
pak si të madhe e lëshoi hisen e “lavdisë” mbi ta…
Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve
që flenë mbasdrekave me shpirt të patrazuem
që shkruejnë pa prà libra për poetët, që vetë i vranë
e aspak heshtja jonë… e as firmat e tyne!
Jetoj nën nji strehë me vrasësit e dritës!
Zoti i pshtoftë shpirtnat e tyne prej Ferri…
.
Ma t’parët i vranë poetët
N’fëmininë teme, jetue e tana n’nji kamp interrnimi,
ku s’kishte qosh i Shqipnisë mos t’kishte përfaqsues e së quejtunës
elitë e vendit apo pari e krahinës, ne talleshim me nji shokun tonë,
i afërm i poetit Havzi Nela, tue ia përmendë me humor,
vendlindjen e tij, fshatin Kollovoz të Kukësit,
deri njat ditë kur e ama e tij, nji grua e moshueme na u vërvit me fjalët:
“Or budalla, po ju s’e dini se kur bijnë lodrat e Kollovozit
çohen edhe të dekunit prej vorri!”
Prej asaj dite askush s’guxoi m’e përmendë me tallje Kollovozin!
***
Ma t’parët i vranë poetët
edhe ma t’fundmin n’litar bash poetin e shkuen,
litari që s’e mbyti dot zanin e tij
tash ndër grykat tona rri shtrëngue
N’kambë bre Havzi Nela
se janë tue ra Lodrat e Kollovozit,
edhe malet e ulin kryet si kuej t’hidhnuem,
n’kambë bre Havzi Nela,
n’kambë bre Havzi djali…
Oh, për njat zot që na jep dritën
n’kambë e çova jetë e përtejetë,
e Lodrat e Kollovozit s’kanë me rreshtë kurr’
se prej shpirtit tem, janë kah gjimojnë…
.
(Nga vëllimi poetik “Fletorja e Vjeshtës”, 2011)
Gjithmonë në pushtet… vrasësit e poetëve!