back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Parid Teferiçi “Mjerë ai popull që shkruan poezi patriotike”

Gazeta

Parid Teferiçi
Parid Teferiçi

“Mjerë ai popull që shkruan poezi patriotike…”

Jozef Radi interviston Parid Teferiçin

Kush është Parid Teferiçi
Ka lindur në Kavajë më 1972. Ka studiuar matematikë në Tiranë dhe ekonomi bankare në Milano.
Ka punuar pranë Institutit të Kulturës “Giorgio Cini” në Ferrara, ku kujdeset për artet vizive. Ka ekspozuar punimet e tij në Romë, në Ferrara.
Për pikturën e tij, ndër të tjerë kanë shkruar, F. Patruno, G. Cerioli, M. L. Brunelli, M. Zavagli, M. Cunico. Revista veroneze “l’Amico” ka botuar një kalendar të vitit 2003, ilustruar me punimet e tij.
Është përkthyes i mjaft prej poetëve të njohur si Thomas, Aleixandre, Cernuda, etjerë.
Prej 3 korrikut 2005 -2009, Parid Teferiçi, ka deputet i parlamentit shqiptar.
Libra të botuar prej tij:
“Molla e detyrueshme”, 1993
“Bërë me largësì”, Albin, 1996
“Meqenëse sytë”, Aleph, 2003
Kavaja - Qendra e Qytetit
Kavaja – dikur… Qendra e Qytetit

“Muret janë për t’u kapërcyer, jo për t’u shembur…”

Nëse ndjek me kujdes veprën tuaj letrare nuk është e vështirë të zbulosh se jeni një shtegtar në kërkim të së panjohurës, brenda dhe jashtë vetes. Një kërkim që fsheh diçka magjike, joshëse, heraherës edhe profetike! Cili është roli i shtegëtimit në këtë ngjizje poetike të veçantë, në këtë eksplorim të dyfishtë të botës dhe shpirtit? Qyteti të jep të drejtën e fjalës nëse e përdor fjalën ashtu siç është, siç të jepet në dorëzim. Në këtë rast fjala është një mjet (për t’u kuptuar, për të bindur, për të vërtetuar, “bie fjala,…”, etj.) dhe nganjëherë qëllim (fjalë burri, “të jap fjalën se”, etj.). Nëqoftëse kur e përdor, ti e “zhvendos” fjalën, atëherë nuk je në qytet. Je, do s’do, i pastrehë në prag të tij. Këtu, fjala nuk është as mjet as qëllim, përkundrazi, bëhesh ti vegël e fjalës. Gabimisht merret për patos e në shumë raste shket në patetikë, por patologjia e këtij shtegtimi është thjesht ndjenja e riskut, pasiguria e atij që është përherë në skaj. Pasiguria; nuk e di aspak vlerën e vargjeve të shkruara nga mua, por bëj çmos t’i shmangem vargjeve të bërtitura për të dëftuar se “vlej”. Poezitë e shkruara me synimin për të bërë poezi të bukura, janë e kundërta e asaj që mundohem të bëj. Shenjat e lëna në letër me këtë qëllim, janë letërsi edhe më pak se gjurmët e dhëmbëve në bishtin e lapsit që i shkroi. Nuk jam në zotërim të së bukurës, të ndonjë “profecie” apo “misioni nga lart”. Nuk jam në kërkim të “së vërtetës”, por në kërkim të një “filli të humbur”. Nuk kam synimin të bind njeri. Iku, për fat, koha e poetit si ndezës të zemrave, si borì të kryengritjeve, përçues optimizmi apo si nxitës të realizimit të pllanit. Poetët nuk e kanë fuqinë të ndryshojnë gjërat (punë alkimistësh), aq më pak kanë fuqinë të krijojnë gjërat (punë zotash). Ata vetëm kanë atë shtysë noprane të ndryshojnë radhën e gjërave ose, më saktë, radhën e emrave të gjërave. Janë, pra, hamenj të gjuhës. Janë hamenj të gjuhës sepse nuk lejojnë të ndenjen fjalët në fjalorë apo antologjì, në biseda të përditshme apo në fjalë “të urta”, në gazeta apo në libra shkollorë, por i zhvendosin ato vazhdimisht, nën sytë e lexuesit. Janë hamenj të gjuhës sepse ua dërgojnë ato, fjalët, përherë të paqeta, në lëvizje paprerë, qytetarëve të nesërm. Prandaj e ngrejnë shpesh zërin. Prandaj edhe shahen kaq rëndshëm me njëri-tjetrin: valixhet janë po ato, por hamenjtë shtohen.
I ardhur nga një botë racionale (nga studime këmbëngulëse në shkencat ekzakte), papritmas “i dorëzoheni” një bote irracionale: mbushur përplot imazhe ngjyrash dhe derdhjesh poetike. Çfarë raportesh krijon kjo ndeshje e dy botëve brenda teje të cilat shpesh në dukje kundërshtojnë njëra-tjetrën; dhe cili është efekti, ndikimi dhe kundërshtimi i tyre në artin tuaj? Ndoshta nesër mund të braktis dhe poezinë, ose më saktë, të më braktisë. Ndërkaq më trishton shpesh fakti se i jam larguar matematikës. Më ngushëllon ndonjëherë mendimi se poetët, nga Pitagora e këtej, janë të lidhur me numrat shumë më tepër se ç’besojmë, ndoshta dhe më tepër se me fjalët. Nuk flas vetëm nga ana e metrikës dhe e muzikalitetit të vargut. Flas për atë ndjenjën e masës, të proporcioneve, të rëndesës, pa të cilat fjalët i merr era. Jemi të rrethuar nga metaforat, jo nga të vërtetat. E vërteta është, po të parafrazojmë Husserl-in, një formë simbolike. Rrojmë, thotë Migjeni, në dritën e një “dielli alegorik”. I njëjti shì që trishton plazhistët, pak më tej gëzon bujkun. “Se ç’është bota varet se përse të duhet” thotë Wallace Stevens. Mos të na duket e tepruar kjo. Ajo ç’ka dimë për botën është metaforike, përfshi këtu edhe ligjet fizike. Përmend, meqë ra fjala, se ishin para së gjithash “ca parandjenja estetike”, simetria, plotëria, harmonia, të cilat na sollën teorinë e relativitetit dhe atë kuantike. Nganjëherë më krijohet përshtypja se Muza jonë, dalëngadalë, po na braktis dhe u pëshpërin në vesh matematicienëve dhe fizikanëve.
Ferrara - Katedrale di Sangiorgio
Ferrara – Katedrale di Sangiorgio

Jeni autor i një ekspozite pikture të hapur para pak kohësh në qytetin e Ferrarës. Si u prit ky kontakt i parë me ndjeksit e artit në qytetin e metafizikës: de Chirico, Carrà… U prit mirë, shumë më mirë nga ç’e prisja. Por pikëpjekjen e vërtetë me pikturën e kam në qershor, në galerinë “Il Carbone”. Dhe, nga fundi i vitit, në Parma.
A ndjeni ndonjë mur brenda vetes mbas këtij komunikimi me gjuhën e ngjyrave dhe imazheve? Muret brenda vetes, nëse i rrëzon, të zënë përfund. Janë për t’u kapërcyer, jo për t’u shembur.
Jetoni prej kohësh në Itali. Kam udhëtuar si një lexues i ndjeshëm dhe i vëmendshëm në pjesën më të madhe të shkrimeve të tua; më ka bërë përshtypje fakti se aty nuk e gjej të huajin, emigrantin, vuajtjen e humbjes së vendlindjes. Diçka rreth kësaj... I përkas një populli, një pjesë e mirë e të cilit ndodhet larg atdheut. Një populli të ndarë dhe që e bart në gjoks largësinë. Një populli që mbjell viktima në det. Një populli ku Shpresa nuk punon as me mëditje. Nuk mund t’ia lejoj vetes të përmend litarin në shtëpinë e të varurit. Nuk mund t’ia lejoj vetes në këtë shtëpi të të varurit që është Shqipëria, ku dekorohet me titullin “Naim Frashëri” kush çon në litar një poet. Kohë vërtet të liga për lirikën. Le të flasin të tjerët për atdheun. Le të thurë “zogu i qiejve” (ai i kongreseve) lirika të frymëzuara për të: ai vërtet e sheh fort rrallë atdheun! E prapëseprapë, largësia e vërtetë nga atdheu nuk matet as në kilometra e as në nanometra. Doemos e kam një atdhe. Jam i lidhur me të. Por atdheu im i vërtetë është gjuha shqipe. Ai është vendi ku vërtet i thonë gurit-gur dhe bukës-bukë. “Guri” shqiptar s’është më i rëndë se ai luksemburgas: peshojnë njëlloj në metrikë. “Buka”, po ashtu, është e mirë apo e mykur vetëm në trurin e poetit. Mjerë ai popull ku shkruhet poezi patriotike! Në shtratin ku lëngon i aviten horra, të cilët sjellin lule e lotë, jo ilaçe a shërim.
Midis dy pasionesh! A ndodhesh ndonjëherë në dilemën e zgjedhjes, apo mes dyshimit se ku ndjehesh më i vërtetë apo dhe më i fuqishëm? Çfarë i jep poezia juaj pikturës dhe çfarë duhet t’i dhurojë piktura poezisë? Për mua nuk janë aspak të ndara. I njëjti zembrek i vë në lëvizje.
Piktura është një mjet më i lehtë komunikimi, ndërsa poezia sigurisht mbetet një mjet më i vështirë. Mos vallë kjo lehtësi të ka joshur më tepër? A e ndjeni se ka ardhur koha t’i shtoni përpjekjet për t’ia zgjeruar kufijtë fjalës suaj, të cilën unë e konsideroj si armën më të fuqishme të emocionit tuaj? Siç u mundova ta shpjegoj më sipër, nuk kam arritur ende të kuptoj nëse vlejnë dhe sa vlejnë vargjet e mia. Dyshimi vazhdon të më brejë, dhe fakti se vazhdoj të botoj më bën të ndihem fajtor. Nuk dua ta dyfishoj këtë ndjenjë faji duke përkthyer gjësend.

Parid Teferici
Parid Teferici

Poezia juaj është përplot me lëng jetësor dhe e një thellësie intelektuale të veçantë. Ndjehet si poezi e latuar mjeshtërisht, me një un mjaft solid të konfiguruar përmes një sensibiliteti të prekshëm; me peshë si në mendim dhe në mesazh, i lidhur fort me vlerat më të mira të poezisë botërore, nga ku shpesh gjen edhe shkëndijën… Më duhet t’ju ndërpres. Ajo që thoni, Jozef, më përkëdhel sedrën, por, për hir të së vërtetës, duhet të pranoj se po e mbivlerësoni disì atë çfarë shkruaj. Uni im nuk më duket aspak solid, përkundrazi. Shoh akoma njëfarë “larmie” të tepërt, si dhe një frymëmehje kur poezia është në ngjitje.
Pasi e shfletova sërish librin “Meqenëse sytë”, vura re të gjitha të metat e librit, tashmë të mohuar, “Bërë me largësi”. Dalloj disa raste ku duhej të kisha bërë paraprakisht diçka të ngjashme me atë që peshkatarët bëjnë herë pas here: arnimin e rrjetave. Në raste të tjera, ndoshta më të pakta, duhej të kisha bërë timen devizën e Bracque: “E dua rregullin që ndreq emocionin”.
Mendimi duhet shprehur sa më thjesht të jetë e mundur, por kurrë më thjesht se kaq. Fjalë të Niels Bohr-it. Kam përshtypjen se nganjëherë e shkel në të dyja drejtimet; mund t’i kisha shprehur më thjesht disa gjëra, dhe disa të tjera të mos i kisha banalizuar tepër.
Cili është ndikimi i leximeve, i përkthimeve dhe i autorëve që ke më për zemër, në procesin e krijimit? Duke u munduar të shmangësh ndikimin e autorëve të lexuar, ndodh, pa e ditur, që shkruan si autorë që s’i ke lexuar akoma. Këta të fundit, nëse hasen librarive, të befasojnë. Zbulon papritur se ishin ata, fundja, udhërrëfyesit e fshehtë. Secili nga ne, mes rafteve të qoftë dhe më të voglës bibliotekë të qytetit ku banon, mund të provojë ç’është nevoja për modestì, dëshira për t’u ndjerë i vogël, për të mos u vënë re, për të heshtur dhe menduar, ç’është pendimi i rëndë se ndoshta ke botuar një libër të dobët. Nevoja, pra, për t’i dhënë një shuplakë fytyrës së “të zgjuarit” që mendon se je. Për t’u zgjuar vërtet.

Teferiçi ne nji seminar
Teferiçi ne nji seminar

“Meqënëse sytë” tashmë është librarive. Sapo e kam lexuar dhe ndoshta s’jam objektiv, por mund të thoja se është ndër librat më të mirë poetikë të kohëve të fundit. Si ka lindur ideja e këtij libri dhe ç’përbën ai në jetën e një poeti tridhjetëvjeçar? Poezitë, përjashto disa aty-këtu, i përkasin viteve 1996-1999. Për mua, si për të gjithë shqiptarët, “shekulli i shkurtër” s’dinte të mbaronte. Doemos të gjitha ngjarjet kanë lënë gjurmë të thella në shumë ç’kam shkruar kësaj periudhe. Ato që zgjodha për librin i përmblodha në ciklin “Kombi në grykë”, i cili, rigorozisht, nuk bën pjesë tek “Meqenëse sytë”. Edhe tani s’dua të zgjatem duke kujtuar kohë që më dhembin akoma.
Libri, a i dhuroi Paridit shumë më tepër se ç’shpresonte? Ai s’do të kish dalë pa këmbënguljen dhe besimin e Agron Tufës dhe Gentjan Çoçolit, poetëve që adhuronte prej vitesh. Më solli mëpas vlerësimet e disa “djemve” që quhen Hatibi, Zekthi, Leka, Marku. Më solli miqësinë tënde, Jozef, dhe të revistës “Ars”. Të gjithëve, mirënjohjen time.
A është proza një synim i afërt i poetit Teferiçi dhe kur do të mund ta ftoni lexuesin në një takim të ri me një tjetër vepër tuajën? Proza është synim i fortë, por ndoshta jo fort i afërt. Ndërkohë, për shtëpinë botuese “Aleph”, po përgatis me Gentin një përmbledhje të poetit të madh Wallace Stevens. Një ëndërr tjetër imja është botimi në shqip i një tjetër dashurie, Dylan Thomas. Përsa i përket librit tim të ardhshëm, uroj të mos nxitohem si me dy librat e parë. I treti i vërteti, ndoshta. Ose “tertium non datur”.
Botuar në rubrikën “Qiell i Përtejmë”; “ars” 13 (23) janar 2004. Titulli i redaksisë.

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.