back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Jozef Radi: Një polemikë përtej gjuhësore me Agron Dalipaj

Gazeta

Kolec Topalli - Fjalori Etimologjik i Gjuhes Shqipe
Kolec Topalli – Fjalori Etimologjik i Gjuhes Shqipe

“Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”

vepra më e madhe antishqiptar…

nga Agron Dalipaj

Sot lexova një shkrim botuar më 04 dhjetorin që shkoi te gazeta “Koha Jonë” e që z. Jozef Radi ia kish kushtuar veprës së fundit “Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe” të Akademikut Kolec Topalli. Më duhet të theksoj se z. Radi as nuk e ka disponuar ndonjëherë këtë libër, pasi njerën nga dy kopjet e vetme që u shitën në panairin e fundit të librit e kam prej një muaji në tavolinën time dhe tjetrën e kish blerë nipi i Kolecit. Ky libër nuk gjendet në qarkullim e as në Bibliotekën Kombëtare, megjithse ajo i ka lëshuar ISBN-në.
Z. Radi thur lavde pa fund për diçka që nuk e ka lexuar për t’i bërë reklamë mikut të tij pa ja njohur punën. Kam një muaj që merrem me kohë të plotë çdo ditë me veprën e Topallit të miratuar pa oponencë dhe pa recensë nga “QSA”!
Më 28 dhjetor 2017, i kam nisur QSA-së një kërkesë ligjore që të më vërë në dispozicion recensën dhe oponencën ndaj veprës së fundit të Topallit dhe s’kam asnjë përgjigje. Me pak fjalë mund të them me bindje se vepra e fundit e Topallit është vepra më e madhe antishqiptare e botuar ndonjëherë brenda kufijve të Shqipërisë. Pritet që Akademia e Shkencave t’i japi çmim të parë si vulë tradhëtie kombëtare edhe nga ana e këtij institucioni.
E keqja në këtë vend nuk paska fund…
29 janar 2017
.
Agron Dalipaj në "Zonë e Lirë"
Agron Dalipaj në “Zonë e Lirë”

Shkenca zoti Dalipaj, është diçka serioze,

mënyra juaj e trajtimit është shumë larg saj…*

nga Jozef Radi

Para do kohësh (4 dhjetor 2017 – Koha Jonë) botova një shkrim mbi “Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe” po mbi të gjitha për punën e Profesor Kolec Topallit, i cili hynte në të 80 vit të jetës së tij, përmes një vepre të cilën unë e kisha ndjekur në vite punën e tij, e quaja dhe do të vazhdoj të quaj “e jashtzakonshme”, edhe pse kjo rimarrje e kësaj teme nuk ka fort lidhje me diçka të trajtuar prej meje, por me një trajtim tejet agresiv prej një personi, të cilin unë jam përpjekur ta ndjek disa herë nëpër ca emisione, ku më së shumti më ka krijuar bindjen se është në kërkim të vëmendjes prej nji shtrese të caktuar shoqërore, për punën e tij që vende-vende ka mjaft dritë, por jo një konfrontim dinjitoz të problemit që ai ngre, përfaqëson dhe mbron…
Mbasi e lexova shënimin e z. Agron Dalipaj, ku në fillim përmendte emrin tim, sigurisht reagova ndaj tij, në atë që e quaj e drejta ime e mbrojtjes, edhe pse vërejta një gjuhë tejet të ashpër, prej një njeriu që e konsideron veten studiues o rreket të jetë i tillë, gjë e cila pas leximit nuk më la as më të voglin dyshim, sepse pashë një lukuni fansash të tij qëi përkisnin superpatriotëve, kritizerëve, injorantëve, inkuizionistëve, linçuesve, dhe partizanëve që më së fundi i kishin gjetur tradhëtarët dhe armiqtë e kombit shqiptar… Po të ishte studiues i mirfilltë zoti Dalipaj dhe njeri i shqetësuar për atë çka mbron, një vrer të tillë ai nuk duhet ta lejonte kurrsesi në faqen e tij, e së paku të bënte një ndërhyrje sado të vogë… Zoti Dalipaj, harron (s’e di ndoshta) se unë kët lloj linçimi e njoh mirë, dhe se gjykime të këtij niveli, kur është fjala për një vepër studiuese e nivelit të lartë, e cila autorit i ka marrë 6 vitet e fundit të jetës me kohë të plotë, dhe shumë vite të jetës në vazhdimësi studimesh dhe gërmimesh të pafundme, nuk i bën asnji nder as vetes, as lexuesve, as fansave dhe aq më pak shkencës së gjuhësisë…
Ajo për të cilën u shtyva të reagoj është se dallova qartë se zoti Dalipaj, është mjeshtër spekullimesh, ai nuk merresh me veprën në fjalë, që për fat e ka ndër duar dhe po e lexon ditënatë, por niset prej meje për të mbrritur te i nderuari Profesor Kolec Topalli. Do ta kishte shumë më të lehtë, meqë i ka blerë dhe studiuar librin, t’i drejtohej vetë autorit dhe jo të përfshinte shkrimin dhe emrin tim… Por jo, për të rritur vëmendjen midis tifozave të vet i duhesha edhe unë… çka më la të kuptoj se për veprën që e ka blerë në panair, sulmin denigrues ka kohë që e mendon dhe e studion, fushatën armiqësore e ka marrë tejet ngeshëm, kështu me një gur vret dy zogj, godet autorin e një Fjalori të rëndësishëm po edhe një vlerësues të autorit… duke tërhequr kështu vëmendje dhe lavdi për patriotizmin e tij leksikor, dhe zbulimet e tij tejet mahnitëse… Pra asgjë në këtë punë të zotit Dalipaj, nuk është e rastësishme, por e një djallëzie patriotike të nivelit të lartë… çka nuk i bën asnjë lloj nderi vlerave të tij si studiues, edhe nëse hera herë jam përpjekur ta bind veten se duhet të jetë i tillë…
Po le të kthehemi te argumenti në fjalë…
Librin e zotit Topalli, nuk kam mbrritur ta kem timin që të mundem të shpreh ndonjë opinion pak më të gjerë se shfletimi po edhe bisedat e shumta me autorin, vlerësim që gjithsesi do të jetë i mangët, për arsyen e thjeshtë se nuk i përkas materies në fjalë dhe njohjet e mia janë tejet modeste për të marrë përsipër një angazhim kaq të madh siç është vepra e profesor Kolec Topallit. Edhe në shkrimin që përmend z. Dalipaj unë dëshmoj në mënyrën më dinjitoze, atë bisedë që kam bërë me mikun tim të vjetër z. Topalli, duke mos qenë aq fort ekzaltues sa i duket z Dalipaj, ama kur është fjala për të vlerësuar një vepër të shkruar nga gërma e parë tek e fundit prej një studiuesi i përtej të 70-ve, unë nuk gjej fjalë nderimi vlerësimi dhe respekti ndaj punës, guximit dhe botimit të këtij studiuesi, i cili prej vitit 1994, deri sot ka botuar jo pak po 18 vepra të rëndësishme në fushën e gjuhësisë dhe albanologjisë, duke qenë edhe profesor universiteti, edhe anëtar Akademie, edhe i ftuar në gjithë tryezat më të rëndësishme ku është folur për albanologjinë, gjuhën dhe kulturën shqipe… dhe kur zoti Dalipaj merr guximin për të shkruar se: “…vepra e fundit e Topallit është vepra më e madhe antishqiptare e botuar ndonjëherë brenda kufijve të Shqipërisë…!” ...nuk mund të them asgjë më shumë se ky njeri s’i mjafton që bëhet qesharak, po edhe kërkon lavdi prej të qenit qesharak. Simbas edukatës sime të leximit, nuk ka vepra armiqësore, antishqiptare, apo tradhëtare… ka mënyra për të mbrritur tek e vërteta dhe ka teori që mund të qëndrojnë po që edhe mund të rrëzohen… po kur ai edhe më tej shkruan se: “…nga pozitat e akademikut vendos si gjyqtar i korruptuem se kjo e ajo fjalë e shqipes ka origjinë serbe, greke, latine… dhe dreqi me të birin. Sikur dikush ta kish paguar me një mal prej floriri, nuk do kish shkombtarizuar pothuaj gjithë fjalorin e shqipes…” unë nuk gjej më asgjë për të diskutuar më, sepse shkombëtarizimin e shqipes, nuk e kanë bërë ushtritë, pushtimet, mbivendosjet, gjuhët e mëdha të kulturës, dhe jo më kjo të jetë vepër e një njeriu, apo studiuesi skrupoloz. Gjuha shqipe është gjuhë shqipe; atë as një njeri, as një akademi, as një kongres e as ndonjë standart i ngurtësuar në 45 vite, nuk mundet ta shkombtarizojë… Pra edhe këtu, ju zoti Dalipaj nuk bëni tjetër veçse i jepni vetes atribute tejet të mëdha për gjykime tejet cinike dhe agresive, duke mos i lënë aspak lëng prej studiuesi dhe oponenti dinjitoz punës suaj, “që së shpejti do të dalë në shesh…!”
Nëse do t’i futeshim pak më thellë gjuhës shqipe, deri aty ku mbrrin njohja ime modeste, pa vënë në dyshim as kulturën dhe as teorinë që mbron ju zoti Dalipaj, mundem të them, se edhe në shkrimin tim që e keni lexuar së prapthi, unë i kam qëndruar pak ashpër si zotit Topalli edhe asaj linje që ai mbron, përsa i përket raportit të gjuhës së shkruar me gjuhën e folur, ku është në të drejtë të tij zoti Topalli, si nxënës i Çabejt dhe Rizës, të mbrojë konceptet e asaj teorie që kanë mbrojtur edhe të tjerë para tij, siç ka të tjerë që mbrojnë edhe konceptet e linjës pellazgjike, të përfaqësuar edhe nga figura te vlerësuara si: Petro Zheji, Dhimitër Pilika, Nermin Vlora, Aristidh Kola, Niko Stillo e plot të tjerë, ku dëshironi të bëni pjesë edhe ju si autor i shkrimit në fjalë… Këto janë koncepte dhe teori ku sekush mund të mbrojë të vetën, pa qenë njera palë tradhëtarë, o armiq, o të paguar, o shërbëtorë… dhe pala tjetër atdhetarë, o heronj, o idealistë apo antikonformistë.
Zoti Dalipaj, gjuha e shkencës është tjetër! Flitet butë, qartë dhe paqshëm! Nëse nuk e ke mësuar ende dot edukatën prej shkencëtari, nuk mundet ta bësh kurrë punë prej shkenëtari… Për idetë tua, që në kohra kam pasur edhe shkendija pozitivite, vazhdimisht kam vërejtur se ka zgjedhur tribuna aspak shkencore si Stopi, Zonë e Lirë e të tjera, pra ajo që kërkon se më shumë se shkencë ke kërkuar të bësh propagandë… pra ju janë afruar ato tribuna ku bëhet më shumë humor (shpesh deri në banalitet) për t’i shpërfaqur idetë tuaja, se sa vende serioze ku shoshiten dhe reflektohet mbi çdo mendim, ide apo teori. Imagjinoj për një çast sikur këtij kundërshtari të skajmë të Eqren Çabejt, papritmas t’i ringjallej Çabej e t’i shkonte për t’u mbrojtur te Çani apo te Saimiri…!!! Qoftë për këtë fakt, qoftë edhe ky detaj, ku gjithë fansat tuaj z. Dalipi shkojnë aq në sinkron me Ju dhe zbuloni konspirativitet armiqsh e tradhëtarësh, dhe ju nuk ndërhyni qoftë për t’u thënë edhe në ndonjë rast teprimi (aty vetëm ulërihet) që çështja që po trajtohet është për njerëz të një kategorie ca si të lartë e ca si cilësorë… por kënaqeni me një terminologji të ulët që do të fyente edhe njerëzit më  të zakonshëm jo më studiuesa dinjitozë e të përkushtuar, është dëshmia më e plotë e kultures dhe qëllimeve tuaja… Kështuqë edhe sikur të keni të drejtë në atë çka mbroni, kjo lloj sjelljeje, ky lloj auditori dhe këta përkrahës rruge lënë aq shumë për të dëshiruar, sa mund të them me dhimbje se i bëni shërbimin më të keq vetes, edhe për ato segmente të punës suaj që kanë padiskutim ndonjë vlerë…
I nderuar zoti Dalipaj, unë e konsideroj veten njeri serioz, me kulturë të mjaftueshme për të ndarë vlerën nga antivlera, të vërtetën nga demagogjia, arsyen nga emocioni, shkencën e vërtetë nga nga alkimia mesjetare, skrupolozitetin nga mitomania, seriozitetin nga sharlatanizmi. Dhe jeta më ka mësuar se askush në këtë botë nuk e ka çelsin e së vërtetës absolute e aq më pak ju!!! E vërteta është gjithnji diku në mes! Kështu që beteja juaj, dhe mjetet që përdorni, ka rrezik të bëhen e pabesueshme, të shpërfillur dhe veprime njëpërdorimshe thjesht lojë mediatike… Tjetër është të kërkosh të tërheqësh vemendje sa më të gjerë dhe tjetër të hysh në debate shkencore dhe të argumentuara, e tjetër të përdorësh një gjuhë të egër, të drunjtë dhe të vrazhdë! Terminologjia që përdorni ju për ta padronizuar të vërtetën, më ngjan shpesh me kohën e kongreseve të partisë, dhe ju bën tejet qesharake. Nuk ka tavolinë shkencore që mund t’ju pranojë me ato nënvizime që unë i kam bërë krejt tekstit tuaj… Ajo do të ishte një tribunë linçuesish dhe inkuizitorësh mesjetarë!
Cka mund t’ju them se  keqpërdorimi i emrit tim për të tërhequr vemëndje shkencore, është diçka krejt e gabuar. Unë përfaqësoj një të dashuruar me gjuhën shqipe dhe një shërbestar të saj. Ju nuk do të mbrrini kurrë që teoritë tuaja në vend që t’i mbroni me dashuri, i përhapni si urrejtje dhe agresivitet… Kjo tregon se ju jeni rrugëshkurtër, dhe atë që s’e fitoni dot me studime dhe kulturë, përpiqeni ta fitoni me propagandë. Profesor Kolec Topalli, i cili së shpejti do të jetë nën fokusin e sulmit tuaj prej atdhetari, ka lënë një vepër, një vepër të gjerë të cilën unë guxoj ta quaj monumentale, sepse ka tërë jetën aty mbi libra… Kjo ka shumë rëndësi që ju ta kuptoni, ne duhet ta studiojmë dhe do ta gjykojmë pa frymë urrejtje dhe as lavdie, rëndësi ka që të mundet të na ndihmojë ta duam gjuhën shqipe dhe të punojmë secili e të gjithë bashkë në shërbim të saj…
Edhe diçka fare e vogël zoti Dautaj… në një fjali tuajën, keni përdorur shprehjen: “një shkrim i imi goxha i gjatë për pisllëkun” ku keni dy fjalë janë turke… Jam kureshtar të di nëse kanë ndonjë interpretim në shqip apo thjesht iu kanë shpëtuar nga mosnjohja juaj ndaj tyre…?!
30 janar 2017
 
*Këtij shkrimi i janë bashkangjitur dhe nënvizuar edhe tekstet e gjithë fansave tuaj (pjesa më e rëndësishme e tyre), për të ilustruar ndjekësit e punës suaj…
 .
Agron Dalipaj... te: Ca thu ore...?!
Agron Dalipaj… te: Ca thu ore…?!

Komente Rreth shkrimit të Agron Dalipajt

162 pëlqime – Bashkëndarje 19 – Komente 30

Indrit Topi: Po mirë, janë thjeshtë të paaftë apo janë te korruptuar dhe veprojnë kështu për llogari të dikujt? Dhe pyetja tjetër është, përse? Se ndoshta duke denoncuar arsyen, do të dalin në pah të gjitha makinacionet për të shtrëmbëruar të vërtetën.
 
Fatos Mema: Ja kemi kthyer thikën vetevehtes… këta jemi. Por e keqja në mentalitetin e disa njerëzve ka zënë vend por ai që është doktori i mirë nuk e le të shtrihet më tej kjo mendësi e shterpë e driteshkurtër
 
Vasil Ndoni: Vazhdon maskarada e radhës. Kjo tregon se sa të vështirë e ka z. Dalipaj në rrugën e nisur, por të gjithë të luftojmë për atë që ne besojmë…
 
Luan Banushi: Po mik i nderuar, nuk ka fund.
 
Vasil Ndoni: Kështu është kur do të bëhesh dikushi… dhe s’di not dhe hidhesh në ujë!
 
Imërli Selimi: Shkenctarët autokritikë krijojnë vepra sipas paragjykimit të tyre… Autokritika si dëshirë dhe politikë e diktuar ndaj shqiptarve!
 
Llambi Qirko: I nderuar z.Dalipi ! Megjithse është ngarkesë për ju, mirë do ishte që në kuadrin e demaskimit të antishqiptarizmit në gjuhësi të na bënit një përmbledhje të shkurtuar të tezave të z. Topalli. Do ishte me shumë interes për opinionin që nuk e disponon këtë libër.
 
Abdullah Zhjeqi: Shqiptarët që moti kanë hapë ankand të madh për shitjen e çdo vlere kombëtare edhe atë me çmim tepër të ulët…
 
Agron Dalipaj: I nderuar z. Llambi Qirko, më duhet t’ju them se z. Topalli në veprën e tij “etimologjike” nuk përmend asnjë parim etimologjik mbi të cilin operon “etimologjia” e tij. Libri i tij ka rreth 2000 faqe ku nuk bën askund qoftë dhe një motivim etimologjik të vetëm, por nga pozitat e akademikut vendos si gjyqtar i korruptuem se kjo e ajo fjalë e shqipes ka origjinë serbe, greke, latine… dhe dreqi me të birin. Sikur dikush ta kish paguar me një mal prej floriri, nuk do kish shkombtarizuar pothuaj gjithë fjalorin e shqipes. Nuk mjafton vepra e tij monstër, por del edhe me miratimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike!! Në veprën e tij i është referuar gjithë “albanologëve” që kanë “vërtetuar” se shqipja në masën 95% është gjuhë e huazuar që nga Meyer e deri te Anila Omari që na sjell një libër me 1000 fjalë që shqipja i paska huazuar nga serbishtja. Nuk përmenden askund, në bibliografinë me rreth 700 vepra nga qindra autorë, emrat e Petro Zhejit, R. Anxhel, Niko Stilo, Spiro Kondës. Mungojnë të gjithë autorët që me etimologjitë e tyre qartësojnë shkencërisht se shqipja është qendra e gjuhëve IE. Kolec Topalli me këtë vepër i ka bërë shërbimin më të mirë armiqve të kombit shqiptar duke u vetdukur si akademik prej parafine made in Serbia.
 
Andrea Ropi: Paguhen shumë mirë nga serbët për këtë super shërbim.
 
Llambi Qirko: Kjo është e tmerrshme! Pse s’thua që për këto lloj librash duhet të egzistojë inkuizicioni…! Demaskojeni…!
 
Robert Omeraj: Duhet ndarë krundja nga mielli zoti Agron Dalipaj. Këta krunde te tipit anadollako komunist duhet te hidhen ne koshin e plehrave… Agron Dalipaj je i pakundërshtueshëm me argumentimet si etimologjike edhe për ato politike. Ju përshëndes me sinqeritet… dhe vazhdimesi drejt njohjes se gjuhës se perëndive… ajo është shqipja.
 
Driton Haxhiu: Shkas ka n’Sshqipri!
 
Halil Furriku: A duhet të merret prokuroria me këto antivepra që janë antikombëtar?
 
Ilia Karanxha: Normale ka pasur edhe raste të tjera kur pseudostudiues shtrembërojnë historigrafinë shqiptare thonë plot broçkulla dhe për t’i mbrojtur nga ndonjë sulm mediatik ju japin dekorata nga presidiumi i kuvendit popullor urdhëri Skënderbeu i klasit të II, por edhe doktorë honoris causa. Jemi në Shqipërinë otomaniste të çudirave!
 
Pali Kristo: Nuk të vjen mirë nëse e ndjen se në deje të rrjedh gjak shqipëtari dhe të heshtesh kur të nëpërkëmbin ekzistencën e mbijetesës së popullit ku i ke rrënjët. Servilizmat nuk paskan din e iman që edhe ndaj veprave që të denigrojnë si kjo e K. Topallit është një habi që të hidhëron. Gjithkush që shkruan kundër kombit të vet nuk është e tepërt ta quash dhe tradhëtar. Të përgëzoj z. Agron dhe mos u step as ndaj servilave!
 
Ibrahim Hajdari: Z. Dalipaj kjo qe thoni nuk është e vërtetë se z. Radi është një studius dhe hulumtues i madh e i palodhur e mbi të gjitha nuk është sharlatan si pjesa më e madhe e medemek studiuesve dhe servilëve krijues të Tiranës që gjithë kohën i kanë kënduar Tiranëve… Z. Radi vjen nga një familje e shquar ku babai i tij ka studiuar jashtë Shqipërisë… një familje që gjithë kohën e kaloi në Internim në Savër të Lushnjës…
 
Ylli Saraçi: Nëse e thua ti Agron, unë e besoj, sepse të ndjek në çdo dalje televizive dhe kam lexuar me endje librat e tu, në mos gaboj dy (gjuha kozmike) për më tepër që je nxënësi i të madhit Petro Zheji. Nuk e kam lexuar mënxyrën e fundit ndaj shqipes, por siç e thashë të besoj ty. Kjo ta vështirson punën ty dhe studiuesve të tjerë të Shqipes (Butka e të tjerë) që keni bërë një punë voluminoze të shkëlqyer për etimologjinë e fjalëve të Shqipes. Mesa kam mësuar prej jush, zoti Topalli nuk përdor metoden e re të shpikur (zbuluar) nga Zheji të simbolizmit filozofik të fjalës, madje as atë të dalurën boje (të krahasimit) por thjesht sepse ashtu e mendon dhe e koncepton ai. Epo turpi dhe dhe tradhëtia nuk kanë as ngjyrë dhe as erë, ndaj dhe Akademia e Tradhëtarëve bëhen gati ta vlerësojne me çmim të parë. Parate duhen justifikuar, ndryshe padroni t’i ndërpret, kjo është sindroma që ka kapluar institutin albanologjik prej 40 viteve, ata nuk duan të hedhin sytë nga e reja, i tremben si djalli kryqit, asaj.
 
Child Eagle: Në Shqipëri pasrimi i punës asht “kush asht hyp përmbi kalë ka të drejtë, tanë të tjerët le të thonë ç’ka të duen, e drejta asht me ata përmbi kalë; nuk ka asnji mënyrë me zbritë prej kalit ata që ia kanë hypë”. Këtu kali = populli.
 
Jozef Radi: Z. Dalipaj: Në mënyrën se si keni shkruar të le menjëhere të kuptosh se ke një dëshirë për shfryrje jashtëzakonisht të madhe. Unë nuk kam shkruar askund që e kam blerë apo e kam lexuar veprën në fjalë. Kam shkruar që e pashë dhe e shfletosa në Panairin e Librit 2017 dhe në vizitën që i bëra zotit Topalli në familjen e tij! Pra që në hyrje Ju mashtroni pa asnjë shenjë vlerësimi ndaj asaj që kam shkruar. E dyta nuk kam lexuar apo nuk kam dëgjuar që një fjalor lexohet… Një fjalor konsultohet, shqyrtohet, kundërshtohet, ose pajtohet me llogjikën e një studiuesi dhe gjuhtari. Ky leximi yt i dymijë faqeve më duket sa qesharak aq edhe dashakeq… E treta, unë dhe Kolec Topalli nuk kemi qenë aq të përputhshëm në mendime gjë që del edhe nga shkrimi, sepse ai e sheh gjuhën ftohtë si studiues e gjuhtar unë e shoh si poet dhe si i ngjizur dashurie me gjuhë shqipe… pra ne gjithnji kemi ndarë kundërshti gjuhësore brenda miqësisë njerzore… E katërta në jetën time nuk kam lexuar kurrë vepra armiqësore as tradhëtare… kam lexuar vepra të mira ose të këqia.. Kaq! Kësi veprash më vjen mirë që vetem Ju mund t’i lexoni me ëndje! E fundit mbasi përgjigja ime do të jetë me e plotë e më e detajuar së shpejti… Nëse kam lavdëruar e do të lavdëroj është vullneti forca skrupoloziteti i një vepre të realizuar prej zotit Topalli… Gjë të cilën do të vazhdoj pa m’u dhimbsur harxhimi emocional që juve Ju bën të ndjeheni aq keq! Gjithë të mirat…
 
Nazmi S Selimi: E lexova edhe unë esenë tuej. Me thanë të drejtën dallohet nji lavdim deri në kupë që qiellit, por bie në sy edhe oponenca juej. Pamvarësisht prej kandvështrimit tuej poetik, ju në të vërtetë keni prekë thelbin e thelbit: vëreni shumë fjalë të hueja! Bash aty ku dhemb dhambi e keni çu gjuhën dhe po ju citoj: “Unë kambënguli se, “…gjuha ka dy jetë: të folunën dhe të shkruemen! Nëse nji popull ka nji fuqi të jashtëzakonshme konservuese në të folun s’ka pse të merret gjithnji për bazë vetë e shkruemja! Mendoj se nji gjuhë e kodifikueme fort mirë në të folun, siç asht shqipja, s’asht e thanë të jetë kryeultë përpara atyne që janë shkrue para saj!”.
Po Zotni Radi. Ju keni të drejtë, por prof. Topalli nuk e njeh të folunën. Ai njeh vetëm çka kanë thanë të tjerët për shqipen.
Nga ana tjetër Agron Dalipaj ka botue dy libra me shpjegime etimologjike jo mbi bazën e referencave, por mbi bazën e gjuhës sonë të folun, tuj i zbërthye fjalët në rrokje. Pretendimi i tij asht se fjala e ka mrendë kuptimin në ato që ai i quen embriomorfema.
Jam dakort me ju që fjalorët nuk studiohen, por në rastin e fjalorëve etimologjikë duhet të studiohen fjalë për fjalë se bahet fjalë për pasuninë ma të madhe të kombit: Gjuhën.
Pres me padurim përgjigjen tuej për Agron Dalipajn. Sa mirë do të ishte nji përballje shpjegimesh e të dy palëve. Oponenca juej do të ishte e vyeshme për të dy kahet.
 
Jozef Radi: Pra zoti Dalipaj ka konflikt interesi me Topallin… Dhe duhet të mbrohet me dinjitet gjuhtari dhe studiuesi dhe jo me urrejtje… Kët i sqarova z. Dalipaj! E do t’ia sqaroj edhe me gjatë. Unë besoj se 2000 faqet e veprës së Kolec Topallit nuk mbrohen me kësi gjuhe! Kët duhet ta kuptoj z. Dalipaj se nuk është gjuhësia emissioni i Çanit
 
Nazmi S Selimi: Me vjen keq, nuk ka konflikt interesi por përplasje shkollash. Agron Dalipaj i përket shkollës së Petro Zhejit që nuk njihet nga Profesori, përderisa nuk i referohet. Dalipaj e kërkon oponencën, por nuk i përgjigjet kush.
 
Jozef Radi: Pra kanë konflikt pikëpamjesh… dhe normalisht duhet të fusin argumentat në veprim dhe jo “tradhëtitë”!!! Vetëm duke futur fjalën tradhëti e ca patriotizma ekstreme, ca sejmenë pa kurajon e emrit të tyre, që llokoçisin në ca vorbulla tejet të rëndomta, që vetëm perëndia pastë mëshirë për trajtimin e tyre… Unë kam gjykim tejet të qartë. E vërtetë që e kam lëvduar guximin dhe vullnetin e Kolec Topallit që na ka dhuruar një fjalor etimologjik, sipas shkollës së tij, të tjerë duhet të bëjnë punë të tjera… duhet të bëjnë vepra më të mira, shumë më të mira, ose të shkëlqyeshme, nëse ua lejon, vullneti, guximi, puna dhe largpamësia… Nëse kjo është mitomani e sëcilës palë… me keq për ta…!
Njerzit edhe mund të jenë të mëshirshëm… Koha është e pamëshirshme për të gjithë…
 
Dialekti Rritgjytetisha: Të paguar nga qarqe antishkencore!
 
Jozef Radi: Të lumtë qeleshja… Se emër s’paske!
.
Agron Dalipaj dhe Saimiri ne Stop...
Agron Dalipaj dhe Saimiri ne Stop…

Agron Dalipaj: Z. Jozef, kur shkruajmë për veprën e dikujt, nuk thurim lavde pa e lexuar më parë. Nëse ju keni harruar se çfarë keni shkruar, do më duhet t’jua postoj të plotë. Mund ta ruani miqësinë me Topallin, porse duhet të jeni të sinqertë me miqtë tuaj edhe virtualë kur u rekomandoni ta blejnë helmin për mjaltë. Vepra e fundit e Topallit është një mynxyrë kombëtare që duhet të dalë në qarkullim me shënimin “vepër kundër kombit shqiptar”. Nuk di se ç’mallkim do bënte Fishta po të qe gjallë. z. Radi, ju do më kuptoni më qartë kur për pak ditë do jetë në shtypin e ditës një shkrim i imi goxha i gjatë për pisllëkun që ka botuar Topalli së fundi. Durim.

Jozef Radi: Do Ju sqaroj edhe unë me gjatë z. Dalipaj

Aferdita Brahollari: Dmth qe z. Topalli le te vazhdoje me antikombtari per Gjuhen Shqipe ju do ta mbeshtesni….????!!!!
 
Jozef Radi: Ti Afërditë je ajo që përcakton kombëtaren dhe antikombëtaren?! Çfarë di ti për Kolec Topallin në rrafshin e veprave që ai ka botuar, dhe sa aftësi ke ti për të gjykuar një vepër shkencore, te cilën unë nuk jam ende i aftë të gjykoj si duhet!? Prandaj të pyeta, sepse fjalia jote nuk meriton pergjigje!
 
Fatmir Bazaj: Kjo fare e keqe antishqiptare do ta lëshojë kudo helmin e pregatitur nga ustallarët e tyre ne Beograd. Prandaj duhen demaskuar dhe diskriminuzar me të gjitha forcat Kolecët, Radët Arbnorët si kriminelët të vjetër dhe Berishët, Bashët, Metat, Ramat si kriminelet te rinj antishqiptare. Duhet organizuar një fond i posaçëm që libra të tilla antishkencore që përbaltin kulturën mijravjeçare të kombit tonë të blinden dhe të digjen publiksht si bartës të një mashtrimi serb.
 
Ibrahim Hajdari: O Fate velaj… u rrit Gazi….
 
Julinda Ndrecka: Doja mendimin tuaj çfarë mendimi ka o babiniotis per gjuhën shqipe
 
Sokol Selimaj: Agron Dalipaj e mira kishë qenë: Kyt liber ta qitni në internet ku do kenë qasje: albanologë, akademikë, studiues të gjuhës e tjerë… Veç si këshillë se kjo është punë e juaj.
 
Petrit Gaçi: Agron i nderuar, shqiptarët nuk kanë kuptuar ende se çfarë iu ka ndodhur këto dekada!
 
Petrit Demo: Si mund të mbrohemi dhe të diskretitohen këto monstra!
 
Mustafa Dervishi: Përshëndetje, Profesor! A ka mundesi me pak fjalë, të përshkruani se ç’trajton kjo vepër “madhore”?!
 
Luan Rukaj: I kanë dalë rrënjët në sipërfaqe për veprimtari antikombëtare të radhës presidentit të UDB-së në Akademinë Shqiptare. Kolec Topalli i mirëbesuar dhe i mirëpaguar nga Beogradi për të varrosur gjuhën shqipe dhe për të lartësuar në kupë të qiellit gjuhën të qiellit gjuhën serbe, greke me mision antishqiptar. Si mund të jetë i besueshëm Kolec Topalli që baltos identitetin tonë kombëtar duke shkruajtur: shqipja është gjuhë e huazuar nga serbishtja e greqishtija dhe fjalët shqipe kanë origjinë serbe e greke? Nëse ky veprim do të bëhej nga një akademik serg ose grek brenda orës do të prangosej dhe do të përfundonte në burgim të përjetshëm. A e di antishqiptari Kolec Topalli që Greqia dhe Serbia janë shtete artificiale dhe janë formuar mbi troje shqiptare, e kërkojnë interesat e përgjithshme të demaskohet t’i hiqen titujt, dhe të ndiqet në rrugë gjyqsore për veprimtari antikombëtare.
 
Rita Atu: Kjo është më tepër gjë tmerrshme dhe poshtërsi! Si mund ta ndalojmë këtë poshtërsi.
 
Nazmi S Selimi: Do të ishte me shumë vlerë gjykimi juaj i paanshëm në favor të shqipes. Habitem me Profesorin që nuk e nxjerr në shitje të lirë librin, por ka mbetur në tavolina. Nga ana tjetër Agron Dalipaj e ka botuar e ribotuar librin e tij. E ka promovuar edhe tek shqipfolësit jashtë kufinjve të shtetit shqiptar. Përballja e të dy palëve në Akademinë e Shkencave ku të ftoheheshin jo duaxhinjtë, duartrokitësit e tifozët, por argumentuesit e vlerave të të dy fjalorëve që u përkasin dy shkollave të ndryshme do të ishte reformimi i vërtetë i Akademisë.
I nderuar zotni Radi!
Duhet të pranojmë se Profesor Topalli ka bërë punë të njëanshme. Ne krenohemi me profesor Niko Stillos që është më i pëlqyeri etruskolog për akademitë e botës, ndërsa në Fjalorin e Topallit as që i përmendet emri. Nuk ka referenca prej tij. Jam i bindur që edhe ju jeni krenarë që ertruskishtja zbërthehet vetëm prej shqipes. Pra vërtetohet mendimi juaj që gjuha e folur është më e rëndësishme se data që dokumentohet shkrimi i saj. Nuk ka lindë shqipja ditën që Martin Luteri shqiptar, Buzuku i madh, nxori në dritë të parin libër që njohim në gjuhën tonë.
Unë besoj çfarë shkruhet në Bibël: “Mbarë toka kishte vetëm një gjuhë dhe fjalët e njëjta”. Zanafilla. Kulla e Babelit. 11:1.
Përderisa asnjë gjuhë e sotme nuk na çon tek gjuha zanafillore, përderisa gjuha paraindoevropiane është sajesë gjuhëtarësh, atëherë përse duhet të anashkalojmë përpjekjet për të nxjerrë në pah gjuhën rrokjore me kuptim vetëm prej shqipes.
Agron Dalipaj nuk ka për bazë referencat, por shqipen e gjallë. Prej profesorëve mund të quhet etimologji popullore, por si shembull po analizojmë fjalën “lanet”. Në bazë të referencave profesori thotë se vjen nga arabishtja dhe tek ne e sollën turqit këtë fjalë. Agroni thotë se është prej fjalës shqipe “i lanët”. Përderisa nuk kemi asnjë dokument që vërteton se shqiptarët nuk e kanë përdorë këtë fjalë para se turqit të pushtonin vendin tonë, atëherë përse nuk duhet të besojmë se edhe ne kështu e kemi thënë këtë fjalë para se të vinin turqit. Përderisa ne kemi foljen me “lanë”, ndërsa arabët nuk e shënojnë këtë veprim me të njejtën fjalë si në shqip, përse të mos besojmë se arabët e kanë këtë fjalë njiherazi me ne. Përse të mos lidhemi tek veprimi me lanë që në këtë rast është zanafillor.
Profesor Topalli ka në mbrojtje referencat për fjalën lanet. Agroni ka në mbrojtje veç shqipen. Si shqipfolës i hyra studimit jashtë referencave të profesorit. Lexova jashtëzakonisht shumë fjalorë e përcaktime për lanetin e soj e sorollopin e tij. Agroni ka të drejtë. Mirutakofshim në përballjen e paevitueshme.
Postimi është për Jozef Radin!
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.