back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Jozef Radi – Poeti i lirisë së munguar! nga Klara Buda

Gazeta

Klara Buda
Klara Buda

Jozef Radi – Poeti i lirisë së munguar!

nga Klara Buda

Poezia e Jozef Radit,
dëshmon si rrallë herë lirinë e munguar në kohë tragjike.
Me një frymë moderne dhe dashurinë si forcë mbijetese,
poezia e Radit mbetet mrekullisht e lirë nga mllefi e urrejtja.
Nuk ka si të jetë ndryshe në vargjet e lirisë së pranguar e anti-socrealizmit.
Për nga ndërgjegjësimi dhe fuqia shprehëse
ai imponohet ndër më seriozët e periudhës post-totalitare.
Si Migjeni është poeti i mjerimit,
Jozef Radi bëhet poeti i lirisë së munguar!
klara buda, Paris,
 
.
Jozef Radi - Kopertina - Poesie Scelte 2017
Jozef Radi – Kopertina – Poesie Scelte 2017
Vjen për të parën herë në italisht vëllimi me poezi të zgjedhura i poetit Jozef Radi “Poesie scelte” (Poezi të zgjedhura), Besa, 2017. Poezitë janë përzgjedhur nga librat “Muret e Muzgut” 1993, “Kujtesa e Mjegulles” 2000 dhe “Fletorja e Vjeshtës” 2011, dhe përkthyer e pajisur me shpjegime nga Gëzim Hajdari, poet dhe njohës i poezisë shqipe.
Ky vëllim përfaqsues i krijimitarisë poetike të Jozef Radit dëshmon si rrallë herë lirinë e munguar në kohë tragjike. Me një frymë të re dhe moderne, me një ndërthurje pozitive dhe dashurinë si forcë mbijetese, poezia e Radit mbetet mrekullisht e lirë nga mllefi e urrejtja, megjithëse ka mjaft trishtim.
Nuk ka si të jetë ndryshe në vargjet e lirisë së pranguar, e anti-socrealizmit.
Nga niveli i ndërgjegjësimit e fuqia shprehëse, ai imponohet ndër më seriozët e periudhës post-totalitare, që duke eksperimentuar edhe në dialekt të gegnishtes, arrin të japë thelbin e tij. Sensibiliteti i tij poetik kundrejt lirisë së munguar, të kujton Migjenin dhe Poemën e tij të Mjerimit. Shëmtimi tek shprehet kaq bukur në vargje, talenti i veçantë nuk mund të mohohet.
Bashkëkohës dhe bashkënxënes i Radit junior, Gëzim Hajdari, e ka lexuar qysh herët poezinë e tij, gjë që e bën përzgjedhjen e këtij vëllimi të jetë përfaqsuese dhe me një domethënie të veçantë.
Poezitë e librit, ndjekin njera-tjetrën si fragmente të një jete që vështirë ta ndash me tituj, për faktin e pamohueshëm se çdo kapitull i saj e ka të pamundur të konkuroje, me titullin e madh, “tagline” e një jete: “koha dhe vendi i lirisë së munguar”, e që eklipson çdo titull të nënkapitujve të tjerë.
.
Savër 1964 - Baraka e Lazrit - Gulielm e Marie Deda, Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Savër 1964 – Baraka e Lazrit – Gulielm e Marie Deda,
Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi

Ajo çka vlen të shënohet në këtë vëllim dhe në krejt poezinë e Radit është shpirti i bukur dhe i pacënuar i poetit; dashuria si kriter dhe forcë për t’i mbijetuar fatit. Edhe pse ky fat mund ta ketë emrin: Savër, vend i lirisë së prangosur apo asaj që më lart e quajtëm: poezi e kohës dhe vendit të lirisë së munguar!

Asnjë shenjë mllefi, dhe më kryesorja asnjë shenjë urrejtje, nuk ndjehet në poezinë e Radit. Në kushtet e një adoleshence të kaluar në internim, të një rinie që regjimi e shëmtoi, mbijetesa e këtij shpirti dhe kësaj poezie, është përveç se e bukur, edhe e rrallë. Ajo është provë, që liria është një atribut që vjen nga brenda. Se liria si poezia nuk ndalen dot me pranga edhe kur cinizmi i “edukatorit”, sekretar partie, tingëllon si kërcënim vdekjeje kundrejt Jozefit 16 të vjeçar: “Vazhdo të shkruash! Disa poetë janë bërë të famshëm edhe mbas vdekjes!” – siç do t’i thoshte profesori i tij i letërsisë, M. N.! Por edhe kur cinizmi i pushtetit bëhet i hidhur, Radit kjo nuk i frymëzon cinizëm. Dhuna që pëson nuk reflektohet në dhunë, ajo nuk e mposht dot dashurinë e Radit junior, sepse poezia e tij është dashuri. Dashuri për një botë më të mirë, dashuri për njeriun, pa aspak urrejtje në kthim.
E këtu bastin e fitojnë, jo Radët – babë e bir, – por fryma e tyre. Se përmendorja madhështore e diktatorit një ditë shëmbet… dhe ja tek ngrihen vargjet e të vërtetës, dhe nis e tjerret filozofia e humanes.
U shkel syrin kalimthi, gjithë bashkëkohësve të mi politikanë dhe jo, se s’ka rëndësi sa lart ngjitet britma e tyre sot, e nëse i transmetojnë njëzëri gjithë televizionet në Tiranë, apo antenat digitale gjithandej në botë, (perëndimi ka një shqisë e koeficent tjetër.) Kryesorja është: çfarë i reziston kohës! Kështu vëllime të tërë mercenarësh të pushtetit, të shkruara nën komandë s’munden kurrsesi të fshehin të vërtetën, kjo është paradoksalja e asaj kohe dhe kohës shpëtimtare!
Sensibiliteti poetik i Radit, për kundrejt vuajtjes dhe kësaj lirie të munguar është i tillë që të shtyn të kujtosh Migjenin dhe Poemën e tij të Mjerimit. Fletorja e Vjeshtës, ndër të tjera, është edhe vjeshta e trishtë e totalitarizmit, të cilin Jozef Radi e piu si një kupë dhimbjesh, me fund. Do të lindte aty, do të ecte aty, do të dashuronte aty… ku të dashurit u tremben yjeve, se u ngjajnë me çibukët e sigurimsave që përgjojnë çdo puthje të tyre…
“Rruga” e vetme që do të mbajë mend adoleshenca e tij është “rruga” e barakave. Por këto kujtime ai nuk ka qejf t’i ruaj, ndaj ai i largon ato, dhe i ndalon që t’ia pushtojnë shpirtin duke i mbyllur në “Kujtesën e Mjegullës”, vëllimin e tij të dytë me poezi.
Po ironia e fatit do të ishte këtu e plotë.
.
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996

Mënjanimi i intelektualit Lazër Radi nga jeta publike, bëri që ai t’ua kushtojë fëmijëve gjithë kohën e tij. Kështu Jozefi, do të ketë shansin që barakën e tij ta ndajë me një baba dhe edukator të vyer, që do t’i mungonte shkollave më të mira, madje dhe Universitetit të Tiranës, pasi atje mësohet letërsia e pagëzuar real-socializëm, që s’është tjetër veçse prodhim i propagandës dhe në opozitë me realizmin që jetojnë Radët.

Këtu gjejmë edhe premisat që ngrejnë poezinë e Jozef Radit në një nivel të lartë ndërgjegjësimi dhe shprehje artistike.
Fakti se ai jetoi në moshën më të re, kur lind poezia, totalitarizmin më ekstrem të internimit. Dhe pati një edukator shpirtlirë e erudit si Lazër Radi, që i tregoi hershëm një rrugë ndryshe nga indoktrinimi që pësonte në shkollës.
Nuk dua, kurrsesi, të them se për të kuptuar dhe shprehur mirë totalitarizmin shqiptar duhet të kesh bërë burg apo të kesh lindur në internim. Por ndoshta është pak më lehtë të thurrësh poezi, kur jeta është e bukur dhe në internim mbeten poetë, veç ata që janë thellësisht të tillë.
Duhet thënë se premisat ku ka lindur poezia e Jozef Radit, e kanë ngritur atë, që në fillimet e saj, në nivelin më të lartë të ndërgjegjsimit, të poezisë post-totalitare.
Vite më parë, të njëjtën ndjesi dhe kënaqësi ma kishte dhënë poezia e Luljeta Leshanakut, edhe ajo fëmijë internimi.
Jozef Radi është pasardhës i opozitës historike shqiptare, e cila nëse nuk u shkatërrua fizikisht u shkatërrua intelektualisht, pasi pasardhësve të saj iu refuzua krejtësisht shkollimi. Por ndryshe nga pjesa dërmuese e kësaj opozite, ai mbijetoi, jo vetëm intelektualisht, por, ia doli ta mbajë shpirtin e tij të lirë nga urrejtja. “Poezia sa asht dhimbje aq asht edhe trazim i thellë! Nuk kam dishrue nji shpirt qaraman, përkundrazi edhe n’trishtimin ma të thellë kam gjetë fillin e shpresës dhe frymën e guximit… Unë besoj te Dashnia, unë besoj te e Mira dhe e Bukura. Këto janë kollonat ku rrin poezia jeme”, – shprehet ai.
E ndërsa Jozef Radi flet dialektin e ngrohtë të Myzeqesë, poezia e tij shkruhet në gegnisht. ”Gegnishtja asht krahu ma i fuqishëm i shqipes”, shprehet poeti kur e pyesim pse kjo zgjedhje? dhe shton: “po [ka ardhë] edhe [si] nji punë e thellë hulumtuese ndër lexime mbi vepra të Fishtës, Koliqit, Haxhiademit, Harapit, Camajt, Pashkut, Shllakut dhe plot tjerëve. Ishte si të thuesh nji pasunim i madh, çka solli për pasojë nji fazë edhe ma reflektuese, e cila m’shtyu me iu futë edhe do eksperimentimeve të kandshme si përmes shkrimit të poezive, si përmes përkthimeve të shumta në poezi kryesisht po edhe në prozë, apo eseve dhe tregimeve.”
Lënia jashtë standartit e gegnishtes, ishte një atentat kundër letërsisë së fuqishme shqipe të shkruar deri atë kohë. Jozef Radi i jep frymë në gegnisht poezisë së tij, dhe përmes poezisë i jep frymë gegnishtes, duke i kthyer pak nga hyrja në hak e saj.
Si përfundim, do të thoja se për nga sensibiliteti ai është poet i lirisë së vjedhur e të pranguar në burgjet e kampet e totalitarizmit. Poeti i brezit tonë të humbur, që vuajtjet ia lëmuan deri në perfeksion diamantin e shpirtit.
Ky vëllim poetik, mendoj, se përveç se një arritje e tij personale, është edhe një nga arritjet më të suksesshme të poezisë shqiptare të pas nëntëdhjetës dhe vë një gur themeli në letërsinë shqipe post-totalitare e në opozitë të soc-realizmit.
Si Migjeni ishte poeti i mjerimit, mendoj se Jozef Radi imponohet si poeti i lirisë së vjedhur!
Vëllimi i Poezive të tij të zgjedhura, që botohet italisht, është një perlë e poezisë së lirisë së munguar, një nga më të vyerat e periudhës post- totalitare shqipe.
Shpejt a vonë kjo letërsi do t’i mbrrijë botës, edhe pse ende përmes grimca botimesh. Dhe për ironi të atyre që ngritën mure, për të fshehur të vërtetën tonë, përfshi këtu edhe atë letrare, kjo është dialektike!
Së fundi, i jemi mirënjohës Gëzim Hajdarit, përzgjedhjeve të tij, të kohëve të fundit, që shenojnë një hap cilësor në botimin e letërsisë shqipe në Itali e më gjerë.
16 Korrik, 2017, botuar nga Gazeta Shqiptare, në shtojcën Milosao.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.