back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Jozef Radi: Shqipnia – 100 vjet shtet dhimbjesh

Gazeta

Paraqitja e Shqipnisë në Turqi
Paraqitja e Shqipnisë në Turqi

Shqipnia – 100 vjet shtet dhimbjesh

nga Jozef Radi

Tashma pritet pritet prej gjithkujt Festa e Madhe e 100 Vjetorit të Shtetit Shqiptar.
Nji festë, e cila e ka ba flamurin dyngjyrësh të nji kombi jo fort të vogël të shpaloset gjithkund ku ka shqiptarë, (si gjeografi pak e trishtë!!) e të dëshmojë se lidhja jonë me kuqezinë asht diçka e shkrueme në gjakun tonë, në shpirtin tonë, në vuejtjet tona, po edhe në krenarinë tonë të lashtë ballkanase…
Ky flamur si kurrë ma parë, e si kurrë ma hijshëm asht sot jo vetëm në duart e çdonjenit prej nesh, po ma shumë shpaloset mbrenda nesh…
Ndër ngjarje të mëdha – Fati gjithnji ban të vetën. Kët Kryefestë të Flamurit Shqiptar, Fati ia ngarkoi ta organizojë Sali Berishës. Nji rastësi historike?! Sigurisht! Po edhe mund të mos jetë aq e tillë…! E megjithatë organizimi asht diçka protokollare, e arsyetueme, e diskutueme, buxhetore, dipllomatike, kurse Festa asht tjetër gja, Festa e Flamurit asht shpirt, asht frymë, asht gjendje mbrenda nesh dhe nis prej çdonjenit nga ne, ashtu si ajopika e shiut të vjeshtës dhe merr teposhtë e bahet rrëke, përrua, lumë edhe i dalë prej shtrati… derisa shfaqet ashtu e plotë si nji det i ndezun, me gjithë madhështinë e vet; nji det kuqezi i dalun prej nji dhimbje të madhe historike, pse si duket, sa ma e madhe dhimbja e lindjes aq ma i madh shpirti i kësaj feste të ndjeme…
Nëse bajmë nji kthim mbrapa në histori ka me na rezultue se në ditë të Mëvetsisë dhe shpalosjes së Flamurit, ngrihet figura urtake e Ismail Qemalit; në të Njizetepestin vit ka me na u shfaqë figura mbretnore e Ahmet Zogut; në të Pesëdhjetin vit ka me peshue randë hija e Sekretarit të Parë: ajo e Enver Hoxhës dhe bash në mbyllje të këtij shekulli Shtet Shqiptar, na rrin e përndezun figura e Kryeministrit Sali Berisha, duke na e ba fakt “volendo nolendo”,  ndër kto katër simbole, ende të vuejtshme e të ndërdyshme, kalon nji rreth, vetëm nji rreth dhe asnji tjetër: rrethi i Njiqind Viteve Shtet Shqiptar… pa shmangë këtu edhe at figurë që duket sikur rrin jashtë këtij rrethi, po që historia shqiptare s’ka me e pasë kurrë të lehtë me e anashkalue: ajo e Ibrahim Rugovës!

100 Vjetori ne Sheshin e Flamurit - Vlore
100 Vjetori ne Sheshin e Flamurit – Vlore

Po Shqipnia e vërtetë, ajo që jeton në shpirtin e çdonjenit prej nesh, s’asht vetëm Shqipnia e Prijsave Politikë, e këtyne “Duerve të Hekurta” të Pushtetit, po Shqipnia e Prijsave Shpirtnorë, nji Shqipni që vërtet ende s’po mundet me folë njashtu si duhet, por që askush s’do mundet me ia ndalë ma fjalën e saj: e kjo Shqipni asht Shqipnia e Fishtës dhe Konicës, e Mjedës dhe e Nolit, e Koliqit dhe Kutelit, e Lasgushit dhe Migjenit, e Mit’hat Frashërit dhe e Lef Nosit, e Merlikës dhe Merxhanit, e Eqerem Vlorës dhe Krist Malokut, e Ali Asllanit dhe Anton Harapit, e Martin Gjokës dhe Vangjel Koçës, e Eqerem Çabejt dhe Selman Rizës, e Kasem Trebeshinës dhe at Zef Pllumbit, e Petro Markos dhe e Vilson Blloshmit, e Abaz Kupit dhe Mustafa Gjinishit, e Trifon Xhagjikës dhe e Havzi Nelës, e Qoses dhe e Kadaresë, e Musine Kokalarit dhe Drita Çomos, e Arshi Pipës dhe Sejfullah Malëshovës, e Tefta Tashkos dhe Vaçe Zelës, e Martin Camajt dhe Bilal Xhaferrit, e Padër Meshkallës dhe Arbën Xhaferrit, po edhe e shumë e shumë të tjerëve, të cilët Panteoni Shqiptar ende i pret ashtu trishtueshëm e dhimbshëm…
Historiografia shqiptare edhe pse paemban mbi shpinë shekullin e trazuem të këtij shteti, asht përpjekë me e lanë lehonë, pse ende s’u ka dhanë qytetarëve të vet nji tekst si duhet, ku të lexohet pak ma qartë e të kuptohen pak ma mirë krejt përpjekja dhe dhimbja e gjithë atyne që e deshën kët vend, secili në mënyrën e vet, e secili me kontributet e veta, ndër kontekste historike tragjike dhe rrethana politike jo fort fatlume…
Gjithë figurat e sipërpërmenduna të Kryeshtetarëve kanë shfaqë konflikte të hapta interesash me paraardhësit e tyne, e ku gjithsecili asht përpjekë me ngritë lavdinë e vet mbi poshtnimin e tjetrit… ku secili prej tyne ka kërkue me e u ngjitë sa ma nalt në majën e Shtetit Shqiptar, duke shkelë mbi paraardhsin, e duke e pa Shtetin veç si pjesë e lavdisë së vet, dhe pak kush asht shqetsue se në gjithçka të realizueme ishte mundi dhe sakrifica ma sublime e krejt nji populli të vuejtun, i cili ende sot e ka qëndresën e mbijetesës cilësinë primordiale të genit të vet…
28 Nantori 2012, asht ditë e kremte dhe secili prej nesh duhet me harrue diçka nga historia e derisotshkrueme! Ajo çka s’duhet harrue kurrë asht vendosja në vend e krejt atyne që luftuen me shpirt idealizmi për kët vend dhe dhanë gjithçka mundën, shpesh duke marrë mbi fytyrat e tyne të ndrituna edhe shumë baltë e pështyma të pameritueme…
Asht e vërtetë se krejt figurat e këtyne Kryeshtetarëve qendruen gjatë në pushtet, bile edhe Plaku i Vlorës, njeriu me ma pushtetpakët i të Katërtve, vinte nga pushteti në perandorinë osmane, prej ku u zvarrit ndër kohna edhe fati i trishtë i Shqipnisë… Dy të tjerët kanë pasë nga nji çerek shekulli, kurse ai ma jetgjati pothuaj gjysëm shekull Pushtet…

100 Vjetori - Parakalimi ne Tirane
100 Vjetori – Parakalimi ne Tirane

Sot, në çdo tavolinë shqiptare ku mund të ulesh me festue, asht e vështirë me i bashkue bashkë të Katërt këta Prijësa dhe me ngritë nji dolli përbashkuese, prej asaj fryme që ata vetë kanë mbjellë në histori! Sot harrohet edhe ma i randomti fakt se duem apo s’duem ata mbeten historia jonë; janë e Mira dhe e Keqja jonë e përbashkët, e Bukura dhe e Shëmtuemja jonë, Heroikja dhe Tragjikja e tetës sonë…!! Do të mbetesh nji akt i madh paqtues, për secilin prej nesh, prej frymës së kësaj feste të kishim nji përcaktim ma pak randues në dam tyne, ose e thanë pak ma ndryshe, me u ndalë te secili te ajo çka asht ma pozitivja e thelbit të tyne udhëheqës… A nuk do të ishte ma e denjë, fjala vjen që Ismail Qemali të përcaktohesh fjala vjen si Dipllomati, Andrrimtari, i Sakrifikuemi; a s’do të ishte denjsisht rigoroze që Ahmet Zogu, të quhej Reformatori, I Paepuni, Autoritari; a s’do të ndjeheshin pak ma mirë idhtarët e diktaturës nëse Enver Hoxha të konsiderohej Komandanti, Përjashtuesi, I Pashoku; a s’do t’i bahej nder Sali Berishës po ta quenim Shpresësjellësi, Kuqebluja, I Ndërdyshti
Eh, këto janë ende andrra… pse mbetet e vështirë ndër ne me i respektue si duhet ata që e kanë drejtue Shqipninë e këtyne njiqind viteve! Po e njejta gja ka ndodhë e po ndodh edhe me Prijsat Shpirtnorë. Prej sot, duhet të na bahej e pamundun me i poshtnue edhe ma, e me vazhdue pafundsisht me urrejtjen… Historia duhet ta ndrrojë gjuhën e saj, se veç kështu respektohet dinjiteti i këtij njiqindvjetori madhështor: me i nderue të gjithë ata! Le t’i kthejmë me kurajo shumë prej këtyne të përbaltunve të mëdhenj në Panteonin e Lavdisë sonë të brishtë; ta mësojmë ne së pari; mandej fëmijët tanë, edhe fëmijët e fëmijve tanë se prej kah kem ardhë, e për ku po shkojmë, dhe ku dëshrojmë të mbrrijmë; duke e braktisë njiherë e përgjithmonë at idenë e skajme “të heronjve dhe tradhëtarëve”… sepse në politikë të gjithë janë nga pak heronj dhe të gjithë nga pak tradhëtarë… mjaft  të mos jetë në shënjester vetëm e keqja e tyne, sepse vërtet ata qeverisin popullin e tyne, po harrohet se ata vërtitën edhe rreth nji harte të madhe, ku koha dhe ngjarjet kanë provue shpesh se asht e vështirë të mos jesh edhe thjesht nji sferë bilardoje…
A s’është mirë që edhe Stoikut Rugova, t’i kujtohet fryma që solli në qëndresën shqiptare të mosdhunës dhe jo t’i ciklohen egërsisht çastet e tija ma të vështira në histori, që shpesh të kujtojnë cejtnotet e shahut…
Po sot, në kët Festë të Madhe, ne ende jemi larg kësaj fryme…
Përballë gjitha këtyne kundërshtive, ndryshe prej herëve të tjera, ky Njiqind Vjetor po flet si askurrë ma parë me nji gjuhë të pabesueshme përbashkuese…!! S’ka as ma të voglin dyshim se sot shqiptarët e gjithë botës kanë vetëm nji kryefestë përbashkuese, gjithë tjerat janë thjesht festa, Ajo asht Kryefesta Jonë, së cilës duhet me i ra të gjithë në gjunjë dhe ai Flamur Kuqezi që vërvisim gjithë krenari në qiell ma shumë se ndër duer tona duhet të na valvitet prej shpirtnave tanë…

(Ankona, 24 Nentor 2012)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.