back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Justifikimi i diktaturës është teatër ligësie! – nga Agim Baçi

Gazeta

Agim Baçi
Agim Baçi

Justifikimi i diktaturës është teatër ligësie!

nga Agim Baçi

Kandidatja që kryeson sot listën e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, ndoshta ka ëndërruar gjatë që si deputete do ta propozonte vetë diktatori. Ose, kur është propozuar nga Edi Rama që të kryesojë listën e Tiranës, ajo mund të ketë dalluar te kryesocialisti tipare të “Atij” të cilin së fundmi e lëvdoi publikisht. Është e vështirë të imagjinosh se cilën peshore ka patur ndërmend zonja Bozo kur tha se e shihte se koha e diktatorit Hoxha “anonte nga e mira”.
Natyrisht, për gjithkënd që gjykon përmes së mirës dhe së keqes, një peshore e tillë është e ndryshkur, ose e graduar prej kohësh me atë njësi matëse ideologjike, e thuajse edhe e pandryshuar në gjithë këta vite pavarësisht se krimet e diktatorit janë të faktuara publikisht. Fatkeqsisht zonja Bozo nuk është as e para e as fundit që ka besuar se “diktatori ka bërë të mira”. Madje, një sondazh i OSBE-së, i pesë viteve më parë, nxirrte pikërisht në pah faktin se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kishin nostalgji apo admirim për atë kohë denatyrimi e krimi.
Ai sondazh kaloi në heshtje, pasi mesa duket të majtëve, me në krye z. Rama u erdhi përshtat ai konstatim nostalgjikësh. Falë atij sondazhi u kryen edhe shumë operacione sociale nga qeverisja aktuale, që rikthyen në skenën politike njerëz që nuk e fshehin më admirimin për diktatorin edhe pse në atë humnerë të thellë njerëzore numërohen mbi 10 mijë të pushkatuar, mbi 30 mijë të burgosur e qindra mijëra të internuar e të poshtëruar.
.
Zonja Bozo - kandidate potentciale  e Rilindjes dhe  e dashur e diktaturës
Zonja Bozo – kandidate potentciale e Rilindjes dhe e dashur e diktaturës
Një gërshetim nostalgjikësh të llojit Bozo me “të fortët” që u panë të shoqëronin shefin e qeverisë të dielën në Elbasan, është në fakt edhe ai kombinim ideologjiko-gangsterr që e kishte për zemër edhe vetë diktatori. Duke gërshetuar nostalgjinë për autorët e krimeve makabre ndaj bashkëqytetarëve, e njëkohësisht duke zëvendësuar “njeriun e ri” me “njeriun e dhunës” z. Rama kërkon që të konkurrojë qetësisht në rrugëtimin ideologjik që i lanë të parët e tij, për të qenë një vijues i denjë i së njëjtës logjikë pushteti – adhurim dhe frikësim!
Në fakt, gjithkush që e dëgjoi videon e zonjës Bozo, e kupton se ajo e ka bindje çështjen e të drejtës që i kishte dhënë vetes diktatori për të vrarë shqiptarët që nuk i binden, pasi ajo tashmë e justifikon me kushtetutën e asaj kohe, ku shënohej se ishte “diktaturë e proletariatit”. Është një justifikim që është pjesë e gjithë banalitetit të atyre që besuan e besojnë ende se dikush ka të drejtë që, në emër të bindjeve, të godasë e shkatërrojë këdo që ka përballë. Dhe të mendosh se të tilla ide e njerëz gradohen sot nga z. Rama, është një trishtim që duhet të na shkundë nga ajo që nuk kemi dashur të shohim me vite në shoqërinë tonë edhe pse kanë kaluar tridhjetë vjet nga ndryshimi i sistemit politik.
Akte të tilla guximi, për të mbrojtur kaq hapur diktaturën dhe diktatorin, tregojnë se ne si shoqëri kemi dështuar në rrëfimin tonë për të shkuarën. Natyrisht, Bozo nuk është as e para e as e fundit që nuk pendohet për atë që ka besuar, por ne si shoqëri duhet të bëjmë gjithçka që ide të tilla të jenë të ndëshkueshme jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht, ashtu siç ka ndodhur në disa vende ish-komuniste.
Nga ajo intervistë e zonjës Bozo, dhënë në TVSH, të paktën, kemi një fakt publik që duhet marrë shumë seriozisht – kemi faktin që ata që e shfaqin simpatinë për Enver Hoxhën nuk e fshehin më, apo të bëjnë sikur janë kundër diktaturës. Sepse ne kemi patur njerëz që për disa vite janë sjellë si të dashuruar me demokracinë, ndërkohë që në fakt kanë adhuruar diktaturën. Por zonja Bozo nuk e fshehu këtë adhurim të sajin, dhe më së paku, rrëfeu se cilës anë i përket në historinë sonë të përbashkët.
Ndaj, shqiptarët tashmë nuk kanë pse të kenë ndonjë dilemë për atë që kanë përballë në zgjedhjet e 25 Prillit. Sepse kushdo nga ne duhet të dijë se neve na përfaqëson ajo që mbrojmë në jetë. Nëse ndonjëri prej nesh justifikon të keqen, të ligën e çnjerëzoren, nuk tregon veçse pjesën e tij brenda vetes, tregon atë që ka ëndërruar të jetë, që ka ëndërruar të përfaqësojë. Përballë këtij guximi, për të lëvduar kaq hapur diktatorin, ne mbetet që jo vetëm të lutemi: “Zoti e faltë zonjën Bozo!”, por edhe të luftojmë që të mos të lejojmë që rikthimi i ligësisë të bëhet realitet.
.
Marrë nga Gazeta Panorama, 16 mars 2021
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.