back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Jusuf Vrioni – Kalvari i Intelektualit në Totalitarizëm nga Klara Buda

Gazeta

Jusuf Vrioni 1998 Paris Ceremonia e Urdhërit Chevalier de la Légion d’Honneur
Jusuf Vrioni 1998 – Paris
Ceremonia e Urdhërit Chevalier de la Légion d’Honneur

Jusuf Vrioni

Kalvari i Intelektualit në Totalitarizëm

nga Klara Buda

16 mars 2016  – 100 vetori i lindjes

25 maj 2016 –  15 vjetori i vdekjes

“Odiseja e Jusuf Vrionit
ilustron kalvarin e intelektualit në regjimin totalitar shqiptar.
Fati i tij është  prova sine qua non
se ai regjim ishte para dhe mbi të gjitha, pushteti i mediokres
mbi vlerat e mirëfillta, në art, letërsi, shkencë e gjetkë.[…] 
Jusuf Vrioni, do të ishte një dëshmitar okular dhe erudit
i të gjithë fazave të proçesit të shterpësimit intelektual të kombit
ushtruar në totalitarizmin shqiptar.
Analiza që ai i bënte këtij regjimi
prej këndvështrimit të politologut të formuar në perëndim
dhe të burgosurit politik
është një nga më të thellat dhe më të nuancuarat 
që kam dëgjuar ndonjëherë!”
Klara Buda

Autorja Klara Buda
Autorja Klara Buda

Më 16 mars 2016, mbushen 100 vjet nga lindja e një figure të shquar të kulturës shqiptare dhe të lidhur ngushtë me historinë e totalitarizmit shqiptar, Jusuf Vrioni, juristi, politologu, shkrimtari dhe përkthyesi i formuar në shkollat më prestigjioze franceze, trashëgimtari i noblesës shqiptare dhe atdhetari i bindur, që i mbijetoi burgut dhe tortures mizore të regjimit totalitar. Në botën frankofone, ai njihet si përkthyesi i Ismail Kadaresë, por për ata, që si unë patën fatin t’a njihnin nga afër, intelektualin poliedrik, burrin me sqimë e elegant, nuk ka dyshim, se aristokrati i letrave shqipe ishte, mirë e bukur, ai vetë!
Ështe e vështirë të përmbledhësh jetën e Jusuf Vrionit në një shkrim të shkurtër pa u treguar e mangët në paraqitjen e vlerave e të dimensionit human e intelektual që ai përfaqësonte. Ndaj do të mjaftohen duke trajtuar mardhënien e tij me totalitarizmin, analizën erudite që ai i bënte atij dhe rëndësinë në këtë analizë të eksperiencës së tij personale dhe shëmbullore, që është edhe kalvari tipik i intelektualit shqiptar e që e shpreh aq mirë titulli i kujtimeve të tij, botuar në Francë, nga JC Lattes: “Mondes effacés”, botë të fshira, si me gome, shqipëruar “Botë të Harruara”.

Jusuf Vrioni - “Mondes effacés” (Botë të Harruara)
Jusuf Vrioni – “Mondes effacés” (Botë të Harruara)

Odiseja e Jusuf Vrionit mjafton e vetme për të ilustruar fatin e intelektualit në regjimin totalitar shqiptar. Jusuf Vrioni i mbijetoi diktaturës duke ulur kokën, duke u fshirë dhe më pas duke i fshehur vlerat dhe talentet e tij. Fati i tij është pasqyra më e mirë dhe prova sine qua non se ai regjim ishte para dhe mbi të gjitha, pushteti i mediokres mbi vlerat e mirëfillta, në art, letërsi, shkencë e gjetkë. Pas zhdukjes fizike të pjesës më të madhe të elitës intelektuale të angazhuar gjallërisht në politikë, menjëherë pas luftës, regjimi do të shtrinte kthetrat e tij edhe në pjesën paqësore të intelektit të kombit, për të cilën Vrioni ishte përfaqsuesi më i shquar. Duke përdorur të njëjtën rrugë, metodikisht: akuza të rreme e dënim pa fakte, burgosje, shpronësim për të përfunduar në fshirrje totale nga jeta publike e zërit të ndryshëm, progresist e tolerant.
Më 13 shtator 1947, arrestohet dhe përfundon në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër të Tiranës, në ato, që ai do t’i quajë paradhoma të vdekjes. E torturojnë mizorisht dhe gjatë izolimit 27 mujor, ai do të tentojë, të presë pa sukses damarët. I akuzuar si bashkëpuntor i agjenturave të huaja, Vrioni do të pranonte vetëm se kishte pasur kontakte për krijimin e opozitës legale të parashikuar në bazë të Ligjit Elektoral. Fiziku i sportistit do t’i vinte në ndihmë për të mbijetuar në këtë kalimin pa përgatitje nga një botë luksi mes elitave europiane drejt e në qelitë e Koci Xoxes.
Ja si shkruan Revista franceze Ekspress, pas botimit të kujtimeve të Vrionit në Francë: “Pas diplomimit ne HEC, École des Hautes Études Commerciales, në Paris Jusufi shkon në Zvicër ku lidhet me Coco Chanel, dhe më pas në Romë […] ku do të lidhet me klanin Agnelli, Magnani, Visconti, Malaparte apo me vajzën e Mussolinit, gruan e Conte Ciano-s. Në 29 qershor 1950, Vrioni dënohet me 15 vjet burg, si agjent i shërbimeve të huaja sekrete “Tenis, not, i riu shqiptar, një sportist i kompletuar, koleksionon trofetë, ndër të cilët edhe atë të antarit të ekipit kampion të Francës ne hockey mbi akull.”
Në këto kujtime ai i përshkruan hollësisht torturat në paradhomat e vdekjes, por kur personalisht e kam pyetur, se cili ishte kujtimi më i trishtë i jetës së tij, ai nuk foli për këto tortura por një kujtim të nënës së tij: “…njëherë shquajta nga larg një grua plakë të kërrusur e të ngarkuar me dy trasta që ecte e ndalonte, ecte pak e ndalonte sërish, dukej sikur nga momenti në moment do të binte në rrugën e burgut që dukej nga vendi ku ne punonim… shumë nga ne ndaluan punën për të ndjekur atë nënë… Kur u kthyem, në çastin kur zbulova se ajo grua ishte nëna ime, ky është kujtimi më i tmerrshëm i jetës sime!”
Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi. Gjenia e tij ishte të kuptojë se ajo që i kërkonin, ishte të shuhej, të mos egzistonte intelektualisht. Duke kaluar në të gjitha fazat e kësaj shuarje të programuar, ai, politologu i formuar në shkollat elitare franceze do të analizonte në thelb dhe do të arrinte të kuptonte si rrallë kush, sistemin totalitar shqiptar dhe do të mësojë t’i përshtatet e t’i mbijetojë atij mrekullisht.
Pas torturave dhe burgut individët tërhiqeshin për të mos bërë hije, dhe vinte faza e përdorjes së vlerave të tyre më të mira në shërbim të ndriçimit të individualiteteve mediokre, që ishin zëri i regjimit. Në kategorinë e të shuarve shënohen Kasem Trebeshina, Mitrush Kuteli për të përmendur vetëm dy. Ata që nuk e kuptuan apo nuk deshën të shuheshin, pra të pushonin së egzistuari si individualitete intelektuale apo artistike, u ri-dënuan dhe u ri-burgosën, duke u asgjesuar madje edhe fizikisht, ose patën fatin të iknin si Arshi Pipa.

Jusuf Vrioni (1916-2001)
Jusuf Vrioni (1916-2001)

Në personin e tij, vetëm Jusuf Vrioni, do të ishte një dëshmitar okular dhe erudit i të gjithë fazave të precesit të shterpësimit intelektual të ushtruar në totalitarizmin shqiptar. Njohja dhe analiza e thellë që ai i bënte këtij sistemi, në bisedat me miq të afërt, do të ishte një perlë për trashëgiminë botërore, po të ishte hidhur në letër. Por Jusuf Vrioni, nuk e pati as kohën dhe as mundësinë t’i përkushtohej këtij studimi, pasi ai vdiq i varfër. Në të gjallë ai nuk mori asnjë prej pronave të tij, ai përsëriste shpesh, preferoj më mirë, të punoj se sa të rri pas dyerve për të kërkuar.
Fatkeqësisht posti i Ambasadorit të UNESCO-s, nuk mund t’i siguronte atij një të ardhur dinjitoze për Parisin, ku kontaktet e tij të dikurshme u ringjallën menjëherë pas ardhjes më 1997. Jusuf Vrionit, një prej pronarëve më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, iu desh të punonte deri në ditën e fundit të jetës së tij 85 vjeçare.
Por a ndjehej ai i plotsuar prej “karrierës” së tij të përkthimit? Puna e tij e përkthimit ishte një mjet mbijetese, si dikur puna e burgut, ç’ka del prej krahasimit të makinës së tij të shkrimit me lopatën e burgut, në kujtimet e tij: “E shtrenjta makinë e shkrimit, shoqja ime besnike!”

Jusuf Vrioni
Jusuf Vrioni

“E ndjej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës Triumph, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra “karrierë” e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë. “Burgjet e mia…
E kam ende të gjallë goditjen e gishtave të tij mbi tasierën e kompjuterit, e që të mrekullonte për nga preçizioni dhe shpejtësia, ndërkohë që mjeshtri ankohej se: “…jo, ndjeshmëria e gërmave ndryshon nga makina ime e shkrimit dhe nuk ecën aq shpejt sa duhet…” Ai duhet të përkthente shpejt, deri në muajin e fundit, ai punoi dhe përktheu çdo tekst që kishte marrë përsipër.
Komuniteti ndërkombëtar i përkthyesve e njohu veprën e tij, më 1994 përmes çmimit prestigjioz Halperin Kaminski, ndërsa më 1998, Jusuf Vrioni nderohet nga Republika Franceze për kontributin e tij të çmuar në gjuhën frënge me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur. Ai është padyshim ndër përkthyesit më të mëdhenj drejt gjuhës frënge, dhe më i madhi nga gjuha shqipe, falë edhe veprës prolifike të shkrimtarit Ismail Kadare.
Më 2006, Ministria e Kulturës së Shqipërisë krijon çmimin Jusuf Vrioni të përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaja.
Ai u nda nga jeta në Paris më 25 maj 2001, duke lënë një kujtim të rrallë tek të gjithë ata që e njohën, për tolerancën, mungesën e urrejtjes dhe atdhedashurinë, por veçanërisht tek një grup artistësh të rinj shqiptarë e franceze me të cilët i kalonte orët e humbura. Eric Faye ishte një prej tyre, ja si do të shkruante laureati i Cmimit të Romanit të Akademisë Franceze: “Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, europianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që ia doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së ëmës, e cila e kish dashur aq shumë…” Miku i tij shkrimtari Claude Arnaud, për mënyrën e pastër dhe pa helm me të cilën ai e shihte dhe e trajtonte çdo çështje, do ta quante Vrionin: Adoleshenti i Përjetshëm.
Maji i këtij viti shënon 15 vjet nga humbja e Jusuf Vrionit kësaj figure të çmuar të kulturës shqiptare, të njeriut fisnik të cilin torturat, vuajtjet e mundimet e kishin bërë edhe më fisnik, patriotit që e donte me shpirt Shqipërinë dhe popullin e tij, e të cilat i përfaqsoi me dinjitet, në UNESCO e kudo ku ai shkonte e mbarte me vete Shqipërinë. Shteti shqiptar dhe Presidenti i Republikës shpresoj do ta nderojnë atë, majin e ardhshën, në këtë përvjetor të vdekjes, për kontributin e tij në shkëlqimin e kulturës dhe të letrave shqipe në botë!
New York, 15 mars, 2016 
Marrë nga http://klarabudapost.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.