back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Kadare: Disidencë ndaj PPSH apo ndaj Naim Frashërit (deheroizim) – opinion nga Artur Shkurti

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë
Kadare: Disidencë ndaj PPSH apo ndaj Naim Frashërit (deheroizim)
opinion nga Artur Shkurti
Autor i librit në proces “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit”

Tashmë për mua është e qartë se libri “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” i Ismail Kadaresë është një libër që është konstruktuar rreth një pohimi të shkurtër e të vetëm “Naim Frashëri – drejtor i censurës në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë Osmane, nën sulltanin Abdylhamit” dhe nga këtu synon të japë fshehtas një “interpretim” të Rilindjes Kombëtare.
Është provuar se për 46 vjet, romani i Kadaresë ka bërë një jetë të gënjeshtërt nëse me jetë quajmë “interpretimin e tij” nga ana e lexuesit shqiptar, sepse lexuesi është bombarduar me idenë se romani i ishte kushtuar disidencës dhe totalitarizmit dhe deri më sot askush nuk po e gjykon si një libër që i kushtohet reflektimit mbi Rilindjen Kombëtare dhe veçanërisht me grupin shqiptar patriot që punonte në Stamboll.
Romani i Kadaresë në strukturë dhe në ide qartësisht tregon frymëzimin e tij nga pozicioni dhe vepra e Naim Frashërit në Zyrën e Censurës ndaj titullohet “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Vetë Shuteriqi që i ka bërë monografinë (1982) e quan atë vazhdimisht “nëpunës”.
Nëse Ebu Qerimi është hija e Naim Frashërit, atëherë mbetet të shohim çfarë idesh ka dashur të përcjellë Kadareja ku duhet përfshirë Naim Frashëri brenda “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave”.
Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të sigurohemi nëse Ebu Qerimi është apo jo Naim Frashëri sipas Kadaresë.

Ebu Qerimi dhe Naim Frashëri kanë identikit të njëjtë në shumë tipare
Me identifikim do të kuptojmë minimumin e tipareve që na e bëjnë një person të identifikueshëm në mënyrë unike, pra të pangatërrueshëm me të tjerë. Të thuash se Ebu Qerimi është Naim Frashëri, do të thotë të përputhësh “tiparet e personit (fizike dhe të karakterit” me “kohën” dhe “vendin” dhe “misionin”. Të gjitha janë të përputhura. Natyrisht Naim Frashëri është një njeri konkret dhe detyrimisht ka më shumë tipare sesa Ebu Qerimi. Ndërsa Ebu Qerimi është një koncept abstrakt, dhe ai merr nga Naim Frashëri aq tipare sa i duhen. Këtu është vendimmarrja e Kadaresë si shkrimtar. Është e drejta e tij dhe është e drejta jonë të analizojmë, sepse libri synon lexuesin dhe të drejtat janë të ndara, të drejta e krijimtarisë, dhe të drejtat e ndikimit në psikologjinë e lexuesit.
Unë kam dëshmitë me faqe që provojnë se Ebu Qerimi ka të njëjtat tipare me të Naim Frashërit në këto drejtime. Secila prej tyre mund të jetë e diskutueshme po është jashtë çdo dyshimi që kombinimi i tyre është unik dhe i papërsëritshëm që përputhet me Naim Frashërin:
Koha e veprimit të Ebu Qerimit përputhet me të Naim Frashërit (periudha e sundimit të Abdyl Hamitit)
Vendi i veprimit të Ebu Qerimit është Stambolli dhe Pallati i Ëndrrave që fsheh në fakt Zyrën e Censurës në Ministrinë e Arsimit që është vendi i punës së Naim Frashërit.
Karriera në vendin e punës (këshilltar, drejtues), për Ebu Qerimin është e njëjtë me karrierën e Naim Frashërit.
Pëlqimi e nderimi që kanë të tjerët (nëpunës apo të njohur) për Ebu Qerimin raportohet në kujtime se ka qenë edhe për Naim Frashërin.
Kombësia shqiptare.
Identifikimi fizik bëhet përmes përshkrimit trupor (i imët) dhe përmes sëmundjeve që e shoqëroi për shumë vjet: sëmundje e mushkrive dhe reumatizëm. Kjo është unike kombinuar me çfarë i shoqërohet në kombinim.
Tipare të personalitetit të Ebu Qerimit janë të referuara si të Naim Frashërit prej Mit’hat Frashërit, Hafiz Ali Korçës dhe Syrja Vlorës, (delikatesa, serioziteti, karakteri punëtor, distancimi (mospërfshirja sociale), toleranca, butësia, etj.). Libri ka shumë të tilla.
Proceset e punës (seleksionim, interpretim, drejtim) janë të njëjta. Reflektimi i thellë.
Rutina e ditës (punë – shtëpi) e bazuar në kujtime, është e njëjtë.
Reflektimi mbi çështje kombëtare që kanë bazë në historinë e Shqipërisë është karakteristik për Ebu Qerimin dhe Naim Frashërin. Nga konteksti kombëtar i diskutimeve në familjen e tij, e njëjtë për të dy personazhet.
Data e vdekjes e Naim Frashërit. Në mënyrën e Kadaresë, Naim Frashëri identifikohet përmes datës së vdekjes 19 tetor 1900 (që zbulohet brenda librit e ndarë me copa; 1900 seksione të bazës dhe dosja me ëndrra e ardhur më 19 tetor, dosja e parë e punës).
Interpretimi i zgjedhjes së emrit Ebu Qerim nga Kadare, megjithëse është krijesë e Kadaresë, provohet me argumentim se është e lidhur me proceset e punës të cilat ka kryer Naim Frashëri, dhe me një nofkë “Qeros” për Abdylhamitin (qërues, qërim, qerim).
Ebu Qerimi dhe Naim Frashëri rrethohen nga një mjedis kombëtar familjar. Kadareja zëvendëson familjen Vlora me familjen Qyprilliu. Të dyja janë me pushtet ekonomik dhe politik. Tre janë vëllezër, ku njëri është vezir dhe kjo përputhet me familjen Vlora në shek 19 dhe jo me ndonjë familje Qyprilliu. Pak mundim duhet për të kuptuar se ata janë Ferid Vlora (Vezir i madh) Namik Vlora, Syrja Vlora.
Vepra. Nga “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelaja” që i japin arsyen kryesore të konstruktit ideor, pavarësisht se janë pikërisht këto vepra të “shpronësuara” (qëllimisht të papërmendura, megjithëse janë arsye kryesore e veprës). Këtu Kadareja e ka fshehur më thellë “faktin” sepse është pikërisht kjo arsyeja që ka bërë librin. Për këtë arsye ai shmang edhe periudhën e Skënderbeut dhe mbetet tek lufta e Ballkanasve më 1389, që është diçka “e çuditshme” për ngjarjet e adhuruara nga shqiptarët. Fakti që i shmanget Skënderbeut, nuk është që e ka me Skënderbeun, por lidhja “Naim – Skënderbe” është kaq e dukshme me historinë e ëndrrës së Naimit të shkruar tek “Historia e Skënderbeut”. Sikur Kadareja ta jepte këtë element qartësisht do të dukej që Ebu Qerimi është Naim Frashëri. Por ne e kuptojmë se “bashëndrra” që torturon lexuesin që nuk e bën lidhjen si duhet, është pikërisht ajo që mungon, por së cilësi i janë dhënë tiparet.
Kur unë shkruaj kaq shumë tipare të përbashkëta, duhet kuptuar se që të zbulohen faktet për to, do të thotë që faqe të tëra t’i dedikohen identifikimit. Fakti që ky identifikim nuk është kuptuar për 46 vjet, tregon se sa thellë e ka fshehur brenda romanit.

Deheroizmi i historisë së Shqipërisë
shpronësimi intelektual që i përgjigjet shpronësimit real
Shpirt kombëtar jashtë personave si pasuri shtetërore (apo e Kadaresë)
Nëse janë të vërteta këto që shkruajmë për identifikimin e Naim Frashërit, me të drejtë duhet pyetur: Si ka mundësi që për 46 vjet Kadareja jo vetëm nuk e pati problem keqinterpretimin e veprës (nga të tjerët), por e nxiti vetë, duke ndërruar emrin nga Ebu Qerim në Mark Alem dhe duke hequr nga titullin fjalën kyçe “Nëpunësi”. Nëse idetë do të ishin të mira dhe në favor të Naim Frashërit, vetë Kadareja do t’u kishte thënë lexuesve “Ore lexoni mirë, se nuk është ashtu si kujtoni”. Mbetet që Kadareja ka patur “turp” të drejtojë gishtin në këtë drejtim.

Menjëherë duhet të pranojmë disa variante:
a) Ka dashur të mbrojë procesin krijues duke mos treguar skemën e hartimit të romanit që realisht ka një logjikë të fortë, por logjikën e fortë nuk e ruan Kadareja, por e ruan realiteti. Kadareja ka një disiplinë të fortë gjatë çmontimit të “realitetit” (zbërthim + mbërthim i pushkës). Sikur “detalet” e pushkës (realitetit) të kishin “etiketa marke” atëherë do ta shihnim Kadarenë duke hequr “numrin e shasisë”, “ISBN-në”, “referimin e citimit”, “ndryshimin e emrave”, “zhvendosjen” e shumë procese të cilat ai vetë i ka deklaruar se i bën. Nëse mbrojtja e procesit krijues është arsyeja, a është e ndershme që kjo të bëhet duke e ngatërruar qëllimisht lexuesin pasi libri është botuar?!
b) Ka dashur t’i shtojë një kuptim të ri romanit (disidencë) që nuk ka qenë në origjinal. Origjinali sigurisht nxitej nga censura e Abdylhamitit dhe nëse do të donte mundet të bënte edhe paralelizma me censurën në vitet e PPSH-së, por ai nuk është investuar fare në këtë drejtim brenda romanit. Janë lexuesit ata që i bëjnë këto. Nëse një roman investohet në dashurinë e një krimineli për nënën e vet, kjo nuk do të thotë se tema është “krimineli” por “dashuria për nënën”. Kështu edhe lexuesi, mendon që meqë sektori i censurës së Abdylhamitit është brenda romanit, ai është edhe qëllimi. Qëllimi është përballja kombëtare shqiptare e një grupi patriot (familja Qyprilliu, në fakt Naimi rilindasit dhe familja Vlora) me perandorinë osmane. Duke përfituar Kadareja nga moskuptimi i madh i librit për shkak të një kodimi të fuqishëm, atëherë e pati të lehtë të ndryshojë emrat dhe publiku që nuk kishte patur asnjë sqarim se pse Kadare kishte vënë emrin Ebu Qerim dhe pse kishte vënë titullin “Nëpunësi i pallatit ëndrrave”, nuk e pati problem të ambjentohet me Mark Alem apo “Pallati i ëndrrave”. Kjo i vë vulën faktit që lexuesi nuk po kupton asgjë. Nëse nuk ka kuptuar librin e parë, nuk do të kuptojë as të dytin.
c) I ka ardhur turp për çfarë narrative ka brenda për Naim Frashërin apo për Rilindjen Kombëtare. Kadare e ka ditur shumë mirë që ai është në vëzhgim për aftësinë e vet koduese. Por nuk duhet harruar që të fshehtat e procesit të vet krijues, Kadareja ia ka thënë Nexhmie Hoxhës, Ramiz Alisë dhe përmes tyre Enver Hoxhës, në kohën që ka bërë romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Është e qartë se për të sqaruar Enver Hoxhën, për të cilin e kishte librin, do të duhej të jepte me imtësi kuptimet dhe nënkuptimet. Kadareja mund të thotë se “sekretet e tij ishin të shumta” dhe ai nuk i kishte dorëzuar ato tek “Dimri i vetmisë së madhe”. Unë nuk e besoj këtë. Lloji i kodifikimit mund të ndryshojë, por udhëheqjes së PPSH-së nuk i duhej fare kodi që do të përdorte Kadareja kur ajo kishte vetë Kadarenë në dorë dhe i thoshte “Na i shpjego pak këto që ke shkruar, se nuk kemi kohë ta vrasim mendjen”. Unë mendoj se objektivat që do të donte të arrinte Kadareja janë dakortësuar në vija të përgjithshme, nuk po them edhe konkretisht.

Libri në proces “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit”
Libri në proces “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit”

Disa hipoteza të mundshme:
Shpronësimi dhe shtetëzimi i pronësisë intelektuale. PPSH kishte vazhdimisht probleme me interpretimin e produktit intelektual të paraçlirimit. Kriteri i analizës “marksiste”, “materialiste”, sipas parimit të “luftës së klasave” nxirrte vazhdimisht probleme. Problemi kryesor ishte se veprat kishin autorë. Rilindja Kombëtare kishte autorësi. Dihet kush e shkroi manifestin e Rilindjes Kombëtare, kush i shkroi programet dhe librat për mësonjëtoret e para, nga e kishte burimin propaganda kombëtare, kush injektonte edhe fuqi nga lart, kush frymëzonte, kush vinte burimet e përvojës, kush organizonte. Ku model nuk ishte vetëm burim “krenarie kombëtare” por ishte edhe një model “konkurues” për drejtimin komunist të shoqërisë. T’u vije censurën do të ishte keq. T’i mësoje siç ishin do të ishte keq. Atëherë zgjidhja ishte “ndaj shapin nga sheqeri”, pra ndaj “autorin nga vepra”, “merr atë që të duhet” dhe “anonimizo autorin”, njëlloj siç ndodh në një sistem plagjiature. Nëse Kadare është nisur nga ky koncept, merret vesh që “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është në rrugën e “deheroizimit” të figurave historike dhe krijimit të “legjendave letrare” të cilat do të jenë (me shpresë të Kadaresë) më të fuqishme sesa “realiteti”. Kjo është thjesht “vjedhje e realitetit” dhe shitje “me një etiketë të re” që quhet “eposi i rapsodëve që na kënduan në një odë (divan) të një familje pa nam e nishan në perandorinë osmane por që ishin shqiptarë, që ishin aty prej shekujsh, që kishin çdo fantazi që krijon Kadareja”.
Revanshi për çmimin “shkrimtari kombëtar apo poeti kombëtar”. Është e ditur se sot po t’u thuash të rinjve (sidomos të majtë) se kush është “më i madhi” letrar (shkrimtar/poet) që kemi, jo pak do të përmendin Ismail Kadarenë ose Dritëro Agollin. Nuk do të hyjmë në vlerësime, sepse nuk është ky qëllimi. Por duam të themi që vetë Ismaili apo Dritëroi duke qenë në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, duke qenë më të botuarit, me më shumë volume, do t’u shkonte në mend pyetja “A mos vallë jam më i mirë se Naim Frashëri? A mos jam unë më i miri i të gjitha kohrave?” Nëse në kohën që jemi kjo pyetje është pak me zë më të ulët, në kohën që është shkruar romani “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” ka qenë patjetër kulmi i “delirit” të tyre. Meqë Enver Hoxha “shfronësonte” Skënderbeun, Ismail Qemalin, Ahmet Zogun në garën për titullin historik “politikani më i madh”, Kadareja dhe Agolli (hipotezë) mund të kenë pretenduar (me nënvetëdije) të merrnin revansh në titullin “poeti kombëtar” (nuk na figuron një titull “shkrimtari kombëtar”). Me të drejtë mund të arsyetohet se çfarë ka brenda shpirtit nuk mund ta dimë, por çfarë “nxitje të jashtme” ka patur (kjo smirë) mund ta dimë.
Në vitin 1978, PPSH mori një nismë që mund të quhet e lavdërueshme dhe e pakontestueshme deri më sot. Ktheu eshtrat e Abdyl Frashërit, Pashko Vasës dhe të Hasan Prishtinës dhe ndërkohë ndërtoi memorialin më të bukur për Vëllezërit Frashëri në Parkun e Liqenit Artificial. Po ashtu ndërtoi muzeun në Frashër. Eshtrat e Naim Frashërit u rivarrosën bashkë me të Abdylit në 11 qershor 1978, një ditë pas festimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për një komb që ishte politizuar shumë dhe ku PPSH dukej se nuk linte fare hapësirë që Kujtesa Kombëtare të kishte një frymëmarrje tjetër, dukej sikur po hapeshin pak më shumë mushkritë e “analizës kombëtare”. PPSH ishte duke testuar “forcat e veta” dhe natyrshëm kaloi tek “forcat historike”. Qartësisht u pa ngërçi që kishte propaganda që e quante veten të vetëmjaftueshme për të menaxhuar kulturalisht një komb që kishte disa mijë vjet që funksiononte.

Pra Naim Frashëri mori një vëmendje të madhe
Me rastin 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në 1968 (në fakt 1967) u prodhua një botim mjaft dinjitoz i “Historisë së Skënderbeut” së Naim Frashërit. Mendoj më i arriri deri më sot. Është i padiskutueshëm ndikimi i kësaj vepre në publik, por veçanërisht tek poetët dhe tek shkrimtarët dhe as nuk diskutohet që edhe tek Ismail Kadare. Parathënien e veprës e ka bërë Dhimitër Shuteriqi dhe po Dhimitër Shuteriqi ka bërë monografinë e Naim Frashërit në 1982, të cilën e ka redaktuar Helena Kadare.
Kushtet pra ishin krijuar që Poeti Kombëtar Naim Frashëri të vendoste autoritetin e vet, udhëheqësinë shpirtërore edhe për shqiptarin e komunizmit. Njerëzit mund të bënin “deduksione” drejtpërdrejt nga “Histori e Skënderbeut” apo vepra të tjera.
Këtu mendoj se do të jetë edhe pika e lidhjes së veprës së Kadaresë që ka vendosur ta “anonimizojë” dhe “minimizojë” procesin krijues të Rilindjes Kombëtare, nëse synimet janë të ulta, për revansh në modelin “Ti je ose do të ndihesh ashtu si të tregoj unë”.
Është fakt “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” e ka brenda Naim Frashërin dhe narrativën e Kadaresë për të, por është fakt që Kadareja as nuk e përmend këtë fakt në 46 vjet diskutim të veprës dhe pranon narrative krejt të çuditshme që nuk shpjegojnë veçse 40% të librit, që do të thotë se 60% e romanit mbetet e pashpjeguar. Kjo ndodh sepse “shpjegimi është me probleme” dhe jo “romani”. Mua personalisht nuk më mbetet pa shpjeguar thuajse asnjë faqe, që do të thotë se “teoria ime” gjen mbështetje të plotë nga vetë libri, që do të thotë se jam më pranë “origjinës së procesit krijues”. Pra është vendim i Kadaresë ta ketë Naimin brenda dhe të mos deklarojë që është ai. Kjo do të thotë qartësisht se ai do të vendosë pronësinë e vet mbi disa ide që dalin aty rreth “përballjeve kombëtare”. Por Kadareja harron që “ai është një shqiptar i një shekulli më vonë” dhe nuk ka fare autorësi në Rilindjen Kombëtare por në “tregimin e saj”. Autorë të Rilindjes Kombëtare janë rilindasit dhe veçanërisht Vëllezërit Frashëri dhe veçanërisht Naim Frashëri. Nuk mundet Kadareja të shpronësojë idetë e Rilindjes Kombëtare që ishin ide në kokat e njerëzve konkretë dhe të bëjë “narrativa” mbi shpirtin e kombit që del nga zgavra e lahutës së rapsodit etj. Sipas Kadaresë, ne u dashkemi të shkojmë në male e të gjejmë atje rapsodët, kur në të vërtetë dy rapsodë i kemi shumë mirë Naim Frashërin dhe Gjergj Fishtën, të plotësuar në grup nga disa ose shumë poetë të shquar që bëjnë “ekipin kombëtar të poetëve”. Kadareja bën pra kështu një “shpronësim të jashtëzakonshëm” të procesit të Rilindjes Kombëtare.
Besoj që lexuesi ka nevojë të ketë një shembull tjetër vlerësimi të pastër për Naim Frashërin. Ky është Lasgush Poradeci, i cili ka dy poezi të jashtëzakonshme të gjata për Naim Frashërin dhe tri ese, ndër të cilat njëra është “Misioni i shqiptarëve të Bukureshtit dhe Naim Frashëri” që është shkruar në 1946, në 100-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit. Edhe kjo është shkruar me porosi të PKSH-së që një vit më parë kërkonte të botonte një libër të plotë me këtë rast. Nuk dimë të jetë botuar apo jo, por ekziston urdhëri në 1945 dhe mendohet që Lasgushi e ka shkruar si dikush që kishte arkivën e Shoqërisë së Bukureshtit, duke qenë se kishte zëvendësuar Asdrenin. Lasgushi e përdori pra profesionin e artistit të poetit, për t’ia shpjeguar popullit se si funksiononte letërsia. Nuk ka rëndësi se kush e porositi, ato që ka shkruar Lasgushi janë një vlerësim krejt i pastër i tij për një poet të cilin ai e kishte kuptuar që në moshë të vogël. Nga kjo ese unë po shkëpus vetëm pak:
“Ishte çështje fetare, punë feje, feja e Shqiptarit – ishte feja e shqiptarisë dhe për fenë flasin profetët jo njerëzit. Për fenë e shqiptarisë do të fliste profeti i kombit shqiptar: Naim Frashëri. Ky do të bënte Këthimin e Shqiptarëve. Ëngjëlli i Zotit të Shqipërisë, Ideja e mirë e atdheut, Zëri i shpëtimit kombëtar i thotë Samiut: … Dërgo në Bukuresht ca këngë të Naimit… “ (Lasgush Poradeci)
Nëse do të krahasojmë tani çfarë thotë Lasgushi me çfarë thotë Kadareja për Naimin kanë një ndryshim të jashtëzakonshëm në sasi dhe cilësi vlerësimi. Nuk duam të themi se Kadareja nuk e vlerëson Naimin, por mua më duket si vlerësimi i tij mund të ketë të fshehur atë ndjesi që kemi kur shohim (të paktën nga çfarë thuhet) Salierin me Moxartin, por tani në mënyrën e Kadaresë (çdo krahasim çalon, por lexuesi do të marrë çfarë vlen).
Mendoj që Kadare vendosi që me “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave” të instalonte në “nënvetëdijen” e njerëzve (pa e ditur ata se si) një mentalitet që do të “rrezatonte” pa u ndierë përparimi në vitet që do të vinin. Mua më duket që ky është synimi kryesor i Kadaresë në raport me rilindasit.
E gjalla “Lahutë e malcisë” e Gjergj Fishtës dhe lahuta e vdekur dhe e mekur e rapsodëve të Kadaresë që vriten në fund të romanit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”
Një shembull tjetër se si do të paraqitje Rilindja Kombëtare kthjellët, hapur, gëzueshëm, krenar na i ka dhënë Gjergj Fishta me “Lahutën e malcisë”. Gjergj Fishta vë në fokus pikërisht periudhën e Rilindjes Kombëtare në trevat e veriut, dhe ai shenjtëron me poezi heronjtë realë që janë me emra, e me ngjarje konkrete dhe jep adhurimin e vet për to. Mjaft të kuptojmë përshkrimin e Abdyl Frashërit në Lidhjen e Prizrenit:

A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Qi m’a ka sýnin si zhgjeta,
Qi m’i bâjn t’gjith t’ungiatjeta,
E qi folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Qi prandej njat fjalë qi e flet,
Mbreti as Krajli nuk ia shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë âsht n’tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cillat s’rron Shqypnija?
Aj âsht trimi Frashër Begu,
Qi gjithkund, ke qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís
Faqe t’bardhë i la Shqypnís.
Brenda “Lahutës së malcis” Gjergj Fishta fut edhe Naim Frashërin
Bini! Toskë, ju n’pike të vrapit,
Mos t’u ndalin mal as zall:
Naim Frashëri i ra Qitapit
“Mos m’e lshue Shqypnin për t’gjall”

Romani “Nëpunësi” i Kadaresë “Furtunë në gotë” (Rilindje në epruvetë)
Kadareja edhe pse e përshkruan bukur çastin e lahutës, “vdes” dhe mbyt me duart e veta “frymëzimin kombëtar” pikërisht sepse do të shkëputet në “laboratorin e vet krijues” të një “gjëje të madhe”. Ai del në pazarin e historisë, merr andej çfarë i duhet, mbyllet në dhomën e vet krijuese dhe bën çfarë na ka dhënë. Mund të jetë “interesante”, por qartësisht nuk është frymëzuese dhe është fakt që vepra “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është vepra më e pakuptuar dhe “pakuptimësinë e parë” e ka prej vetë autorit që nuk u tregua besnik ndaj procesit të vet krijues, por e tradhëtoi atë me tahmanë e madhe që një vepër përveç asaj që është të shitet edhe për atë që s’është (disidencën). Nëse do të duhej patjetër që të kishte një disidencë, kjo është disidencë ndaj autorësisë së Rilindjes Kombëtare (meqë nuk mund të bëhej hapur është bërë e fshehtë). Nëse ka patur “sektorë të PPSH-së të interesuar” për këtë narrativë qartësisht nuk kanë qenë sundues, ose mbase kanë qenë, po kanë patur një frikë “të lavdërueshme” nga opinioni publik shqiptar.
Pasi kemi marrë shembullin e ndershëm të vlerësimit të Lasgushit me Naimin (poezi dhe prozë dhe studim), të Gjergj Fishtës me Vëllezërit Frashëri, (për të mos përmendur me dhjetra të tjerë) i kthehemi edhe modelit të vlerësimit të sinqertë të vetë Naim Frashërit për Skënderbenë. Naimi nuk e anonimizon historinë, por vlerëson drejtpërdrejtë.
Naim Frashëri flet për Skënderbeun dhe komandantët e tij (parësinë) me emra dhe me emra flet edhe tek “Qerbelaja” për imamët apo personazhet e tjera historike dhe mban qëndrimin e tij ndaj tyre. Kjo nuk e pengon të bëjë art. Kadare këtë “privilegj” ia rezervon vetëm Enver Hoxhës tek “Dimri i vetmisë së madhe”. Nuk guxon ta “anonimizojë” apo ta përgjithësojë Enver Hoxhën.
Përveç disa gjërave të shkëputura që i ka pjesë të ndonjë argumenti (shpesh edhe kundërshtues), unë nuk gjej shumë referenca për Naimin nga Kadareja. Nuk mendoj që ai nuk e do Naimin, apo nuk e vlerëson. Përkundrazi e vlerëson shumë, por më duket se më shumë se Naimin do veten. Ai e vlerëson Naimin deri në atë pikë sa kërkon ta konkurrojë. Po ndërkohë që e konkurron, duhet të mos e shpallë këtë konkurrencë dhe atëherë bie në “dukje” në një farë “indiference” e tipit “po ja nuk ka rënë rasti”, ose “kam qenë i zënë me vepra të tjera” dhe “s’më ka dalë koha të merrem seriozisht”. Unë vetë para disa vitesh ia kam kërkuar botuesit të tij që Kadareja të shkruajë për Naim Frashërin. Po ashtu me rastin e këtij libri kritik, i kam kërkuar botuesit të më ofrojë çfarë Kadareja ka shkruar. Deri më sot nuk më janë dhënë, edhe pse do të ishte e lehtë që ata si njohës t’i gjenin referencat.

Teknika e shpronësimit, tjetërsimit tek “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”
Kadareja zgjedh që personazhi kryesor të jetë “interesi” dhe jo vetë individi. Individi është vëzhgues i çfarë ndodh jashtë tij dhe pavarësisht prej tij. Me këtë teknikë “materialiste” (ajo që ndodh jashtë është përcaktuese), Kadareja e ka të lehtë të shpronësojë figurat historike. Ju keni “punuar arën kombëtare” por “ara nuk është juaja, por e popullit”, ndaj nuk do të jetë problem sikur t’ju “anonimizojmë”.
Kadare e ka të qartë se në periudhën e sundimit të sulltan Abdylhamitit (1876-1909), nuk ka patur asnjë proces tjetër shqiptar veç Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që u realizua nga rilindasit. E megjithatë gjen vend e fantazi të bëjë diçka që është “krejt tjetër” dhe të jetë gjithashtu “kombëtare”, pra sipas Kadaresë paska mundësi që për të njëjtin “objekt” të kemi “dy shkaqe”, njëri shkak të qenka i vërtetë (siç na e mëson historia) dhe një tjetër “letrar” që e ka shpikur Kadareja. Në fakt, kështu është vetëm në dukje se edhe atë “variant letrar” Kadaresë ia ndërton vetëm Rilindja Kombëtare, nga ku ai merr Ebu Qerimin që importon tipare të Naim Frashërit, nga Vlorat merr një familje të fuqishme (me pushtet politik dhe ekonomik) dhe shpik një familje Qyprillie.
Mbasi nuk është mirënjohës për çfarë Rilindja Kombëtare i dha Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar guxon e vë një emër “diabolik” Ebu Qerim për personazhin që ka importuar disa tipare e fakte të Naim Frashërit.
Ndaj i koncepton në mënyrë të përgjithshme këta “personazhe anemike”: “interesi i perandorisë osmane”, “interesi shqiptar”, “interesi sllav”, “interesi austriak”. Ata përfaqësohen në mënyrë të dobët nga “osmani pushtetar ose jo tipik”, “shqiptari tipik” (rapsodi, qyprilliu, urirriu, ebu qerimi etj), “sllavi tipik” (raspodi) apo “austriaku tipik” (këshilltari apo djali i këshilltarit). Atë që sot e gjejmë si koncept të shprehur në togfjalëshin “Përplasja e qytetërimeve” (Huntington) e ka edhe Kadareja. Duke dashur t’i ikë realitetit shumë, me synimin e përvetësimit të përgjithësimit të thelbit, atëherë katandiset “kokoshi në një thelë”, ose “peshku gjigand që ka kapur në mes të detit” ia kanë ngrënë peshkaqenët rrugës për në breg (Plaku dhe deti) dhe ngjarja nga diçka e madhe siç duhej të ishte (Rilindja Kombëtare) katandiset në një “aksion” rrëmbimi, vrasje, arrestimi. Pret Kadareja që “kjo darkë” të jetë Bing Bangu i Rilindjes Kombëtare. Lexuesi pyet me vete “Tani të mësojmë Historinë e Shqipërisë apo të mësojmë romanin e vdekur “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”?!
Kadare i lë Ebu Qerimit një minimum tiparesh që e bëjnë atë të identifikohet në mënyrë të sigurtë si Naim Frashëri (tipare fizike dhe të personalitetit) dhe e zhvesh nga ajo që është kryesore, nga vendimmarrja historike dhe kombëtare dhe shoqërore nga pozicioni në historinë e Shqipërisë. Këtë vend “në histori” Kadareja ia ruan “interpretimit të vet të historisë” dhe pret që “interpretimi” të marrë rolin e “heroit brenda vetë ngjarjeve”, pak a shumë “Unë nuk kam qenë aty para një shekulli, por jam tani që kam shkruar historinë tuaj që nuk është ashtu si e kanë mësuar fëmijët në shkolla por sipas një varianti Ebu Qerim e Qyprilli”.
Kjo është një përmbysje e jashtëzakonshme (donkishoteske): sepse realisht njerëzit dinë më shumë për jetën shoqërore (rolin historik) të Naim Frashërit dhe më pak për tiparet fizike, individuale etj.
Arsyeja që unë u mora me “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave” është pikërisht se isha duke arsyetuar mbi rolin funksionit zyrtar të Naimit në Ministrisë së Arsimit mbi atë çfarë ai dha. Pra, në një kuptim pata të njëjtën qasje me të Kadaresë, por Kadareja nuk theksoi Ministrinë e Arsimit tek Naim Frashëri që kishte kompetencë e përgjegjësi për edukimin e shumë popujve nën perandori (marrim anën e mirë). Kadareja theksoi censurën dhe e mbolli në atë “axhendë” Ebu Qerimin. Pa asnjë diskutim Ministria e Arsimit e një perandorie, cilado qoftë ajo, qartësisht ka një qasje më afër thelbit të problemit, sesa një pushtim “individual” ky komb dëmton këtë komb. Kadareja e ka patur të qartë këtë, derisa vetë shkruan brenda romanit:
“Herë herë koka i rëndohej mbi tryezën e punës. Kishte çaste që shikonte me habi fletët e mbushura, si të mos ishin të tij. Ishte aty gjumi i zi i një prej perandorive më të mëdha të botës. Dyzet e ca kombësi, të gjitha besimet fetare, pothuajse krejt racat njerëzore. Sikur raporti të ishte i përbotshëm, zor se atij do t’i shtonte ndonjë gjë të madhe gjumi i pjesës tjetër të njerëzimit. Pra, ishte pothuajse gjumi i tërë planetit, ai terr i frikshëm pa anë e fund, prej humnerës së të cili Ebu Qerimi përpiqej të nxirrte ca grimca të vërtetash. Perëndia e gjumit e grekëve të vjetër, Hypnosi, s’kishte ditur më tepër se ai për gjumin dhe ëndrrat.” (Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, vepra 9, 1981, faqe 342)
Kadareja i zmadhon interesat jashtë personazheve, aq sa ata nuk kanë “komandë” mbi rrethanat. Duket si “realiste” dhe “materialiste”, por unë jam në gjendje të kuptoj që ky është proces shpronësimi nga meritat individuale të aktorëve historikë. Personazhet e Kadaresë janë “të pafuqishëm” para “rrethanave”. Vetëm treni i tregimit të Kadaresë ecën nëpër shina të sigurta, por në fakt “shinat” janë marrë nga një realitet historik ku Kadareja nuk ka qenë aktor, siç ishin rilindasit.
Ndjesia që kemi për Ebu Qerimin është “dobësia fizike” që pak do të bëhet edhe “dobësi e personalitetit”. Ebu Qerimi “përkëdhelet” me “ti pëlqehesh prej nesh”, pra i është hequr “sfida” ku ai tregon veten dhe e fiton vetë vendin. Ndërkohë “vendi” i punës i Ebu Qerimit është një kombinim i “pëlqimit zyrtar “Ti pëlqehesh prej nesh” (e thënë disa herë) dhe e forcës së tarafit të tij (Qyprilli). Në jetën reale kjo do të thotë që është produkt i pëlqimit të turqve (porosi nga Sulltani) dhe të tarafit shqiptar me pushtet (në fakt familja Vlora). Kjo narrativë, nëse do të kuptohej se është për Naim Frashërin, është e ulët dhe minimizuese për vetë Naimin. Nëse do të provohej se këtë mendim ka Kadareja, atëherë Naimi do të kishte shkruar “Mos iu afro dhelpërisë po së drejtës iu nis pas, në dëgjofsh fjalët e mia do të jesh gjithnjë në gas” ose “Edhe i vetëm filli të jesh mos del udhës së njerëzisë, je përpara shpirtit tënd je përpara Perëndisë”.

Pse nuk është disidencë ndaj PPSH-së
Nëse tema e romanit do të kishte mosrespektimi i të drejtave të njeriut në një regjim totalitar, ta zemë “liria e shprehjes”, atëherë romani duhej të ishte tjetër gjë. Ky interpretim, pra disidenca ndaj PPSH-së lë jashtë më shumë se gjysmën e romanit, pra praktikisht e nxjerr “torolisje” të Kadaresë. Por Kadareja në ka një gjë që e ka meritë është që ai është tepër i kursyer dhe pikërisht “torolisjen” nuk e ka fare me qejf. Ai i ka mahnitur njerëzit (nga ana letrare) pikërisht me logjikën shumë të fortë me të cilën ai ndërton kuptimet, me mbrojtjen që u bën atyre kuptimeve, dhe tërheq me vete vetëm lexuesin shumë të kulturuar jo vetëm me njohuri gjuhësore, por me njohuri historike, dhe njohuri edhe për veprën e tij. Kaq shumë lidhje të fuqishme bën. Edhe romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” ka një arkitekturë tepër të fuqishme dhe inxhinieri të fortë. Mua vetë interpretimi i emrit Ebu Qerim më ka marrë shumë kohë derisa mbërrita në një kuptim të dyfishtë, ku njëri bëhej mbulojë e tjetrit: Kuptimi i parë ishte Bujar i Madh (Ebu Qerim/Karim) dhe tjetra ishe Qerues i Madh (censor i madh). Zanafillën besoj Kadare e ka marrë nga një rrëfim i Dhimitër Shuteriqit që ai e përmend edhe në monografinë e tij për Naim Frashërin (1982, fq. 99) kur referon se Naimi i kishte vënë një nofkë (sulltan Abdylhamitit) dhe me të e thërrisnin midis tyre shqiptarët: “Qerosi”.
Nuk po zgjatemi në këto sepse faktet janë librin që kam përgatitur, por po themi që çfarë bën Kadareja në libër qartësisht është një përpjekje e tij për të “rikonceptuar Rilindjen Kombëtare” duke përjashtuar autorët e Rilindjes Kombëtare nga autorësia dhe duke bërë personazhet e veta. Kjo është mëse e qartë.
Unë nuk di që PPSH-ja të ketë qënë e interesuar për këtë narrativë. Nëse disidenca e Ismail Kadaresë ka qënë kështu ndaj PPSH-së, atëherë le ta thotë kështu si ka qenë “Po, mua nuk më ka pëlqyer që u vendos të ktheheshin eshtrat në 1977 (14 qershor) dhe të festohej 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit dhe të mbyteshim me aq figura të ndritura, ndaj në “laboratorin tim krijova një “rilindje me lagështirë në mure e në uniforma”). Kadaresë ndoshta nuk i ka pëlqyer që grupi patriotëve shqiptarë i Stambollit ishte grupi vendimtar i Rilindjes Kombëtare. Nuk i ka pëlqyer që në 1978, u hap pak rubineti kombëtar. Kjo mund të ketë qenë disidenca e Kadaresë, por me sa dimë populli me “disidencë” nuk kupton këtë, por kupton “mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut” nga një regjim totalitar.
Nxirja e perandorisë osmane përmes nxjerrjes në vitrinë të proceseve të censurës, mund të kishte si pasojë “zbardhjen” e situatës në Shqipëri, pra qartësisht është e kundërta e disidencës dhe jo disidencë. Disidencë mbase do të ishte të thuhesh se Turku megjithëse pushtues i la tokat, i la kishat, u la një pavarësi krahinore, u la zakone e doke, siç e thotë Gjergj Fishta tek “Lahuta e Malcisë”.
Le të kujtojmë vargjet e Gjergj Fishtës tek “Lahuta e Malcisë” (Kanga XIII – Kisha e Shnjonit) për të treguar se edhe Fishta po ia dinte vlerat Perandorisë dhe është një analizë që bashkohen shumë rilindas deri në një farë pike, por pastaj ashtu si Sami Frashëri, thoshin “I duhet dhënë shkelqmi se ndryshe na mbyti”.

At herë Mashi zên kadalë:
“Pa ndigioni, o trima ‘i fjalë,
Qi po u thom me besë te Zotit,
Porsi nipave t’Kastriotit:
Katërqind e s’dij sa vjet
Jânë qi i bâjm Mbretit hysmet
Kush ushtrí, kush angrí,
Me armë n’dorë, me zjarm në gjí,
Me’i kamë mbathë me tjetrën zdathë,
Bukën n’strajcë e shpí senjurin,
Dyshek tokën, jestëk gurin,
T’mbramë te hika e t’parë te mbeta:
Trima n’zâ se â zânun jeta:
Mos me drashtun krajl as Mbret!
Edhè Mbreti kët hysmet
Dér dikû na e ká pëlqye,
S’na ká lânë aj krejt m’u thye:
Na ka lânë lirínë jetike,
Na i ka lânun armët besnike,
Për me ruejtun Fé e zakona,
Për me mbrojtë kto malet tona
Për me mbajtë kanú’n e t’parve
Me ruejtë erzin e Shqyptarve:
Na ka çilë kishë e xhamí
Për dintarë e kryqelí:
Na ka falun pagë e t’dheta,
Kanú m’vedi sa t’jetë jeta.

Pra njerëzit në Shqipëri nëse do të kishin nevojë për disidencë nga Kadareja nuk do të kishin nevojë për “nxirjen” por për “zbardhjen”. Nxirja ishte në favor të PPSH-së dhe jo zbardhja.
Vini re si thotë Naim Frashëri, në kujtimet që i sjell Hafiz Ali Korça:
“Një ditë tjetër më pat thënë Naimi: “T’i lutemi Zotit t’ia zgjatë jetën Sulltan Abdul-Hamidit dhe t’ia bëjë si tërkuzën e Romës, se po vdiq ky tashti shpejt, pa u përhapur gjuhë e jonë, ahera dhe n’u bëftë një Shqipëri do të jetë shumë e vogël, do të jetë ajo e Skanderbeut. Me vdekjen e tij pas Kuvendit të Rewal-it mundet do të pjesëtohet Turqija, e bashkë me të dhe Arabija e Shqipëria. Po të bëhet që sot pjesëtimi, kur akoma ndër të katër vilajetet e Shqipërisë nuk kanë hyrë ndjenjat kombëtare, fat i Shqipërisë është shumë i errët. Prandaj dhe barinjëve u duhet të kenë ndër duar një abetare shqip, pse në rast se copëtohet sot Turqija, i tërë populli shqiptar duhet të bërtasë së huaj të qytetëruar, duke thënë: Dhe jemi një komb i vjetër, dhe ne duam ringjalljen tonë, duam një Shqipëri të pavarur. Kemi të gjitha elementet për një shtet e popull sovran: kemi gjuhën, më të parin element.”
(Shkëputur nga libri “Naimit”, botuar në 2000, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, botues “Naim Frashëri”, faqe 121)

Kadareja nuk e shfrytëzon artin e vet për të nxjerrë në pah të tillë urtësi të Naim Frashërit por bën një figurë anemike dhe apatike si ajo e Ebu Qerimit, që duket sikur e ka marrë përdore ta nxjerrë në një shëtitje “vëzhguese” të fantazirave të tij (Kadaresë).
Sulltani Abdylhamit e forcoi më shumë censurën që gjeti nga paraardhësit, duke arritur deri aty sa të përjashtonte fjalë të caktuara nga tekstet e shkruara, dhe duke u kujdesur për kuptimet e dyta të fjalëve, që mund të ishin shenja të një oponence politike, apo të prishjes së moralit. Studiuesi francez Paul Fesch, njëkohësisht edhe prift katolik i përmbledh vërejtjet e tija në librin “Ditët e fundit të Sulltan Abdylhamitit” më 1907. Mund të mendohet që Kadareja ka qenë në kontakt me këtë libër sepse studiuesit turq thonë se “ky libër është bibla e atyre që duan të sulmojnë të njëjtën periudhë”. Në kritikën e tyre ndaj librit, studiuesit turq pranojnë se libri i Fesch ka disa fakte të rëndësishme, por ndërkohë vënë në dukje se Paul Fesch është duke vepruar me standarde të dyfishta, sepse modeli i parë i censurës turke u mor pikërisht nga ligjet franceze të Napoleonit. Kadareja nuk harron të na kujtojë brenda romanit “Nëpunësi” fjalën “Chronique” si emërtim kapaku i “jetëshkrimit të Qyprillinjve” tek “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, si për të thënë që romani i tij do të jetë edhe një “narrativë franceze” për këtë periudhë.
Nëse Kadareja ka një “disidencë” ndaj PPSH-së i bie që ta ketë për ta trembur PPSH-në në zgjedhjen e aleancave rajonale në atë mënyrë që t’i ecën vetëm ajo aleancë që do Kadreja. Po kjo nuk është “disidencë”, por thjesht “mendim i tij”, ndërkohë që “disidencë” quhet mbrojta e lirive dhe të drejtave të njerëzve që qartësisht nuk janë fokusi i Kadaresë. Sado mendime të ndryshme të kemi mbi çështjen kombëtare, ajo nuk mund të zëvendësojë diskutimin real “ore këta njerëz kanë apo jo të drejta në vendin e tyre”. Ku merret Kadareja me këtë në roman? Askund. Atëherë ku qëndron “disidenca”?!
Nëse ka patur një disidencë ndaj PPSH-së mund të ishte në një drejtim krejt tjetër. Nëse PPSH po i afrohej Rilindjes Kombëtare (1978), mbase edhe për të ndalur “hovin përvetësues të meritave të komunistëve që thonin ashtu si Enveri edhe ne duam lidershipin historik në fushat përkatëse” (ta zemë duam titullin “poet kombëtar” apo “hero kombëtar”) por edhe për të dhënë disa energji shtesë, Kadareja mund ta kishte një farë “fërkimi” jo me PPSH-në por me prioritetin e PPSH-së në çështje të kulturës. Fërkimet me shkrimtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve mbase nuk kanë qenë për “insinuatat ndaj PPSH-së” por për insinuatat ndaj Rilindjes Kombëtare. Nuk kemi procesverbale të gjykojmë lidhur me çfarë është thënë ta zemë në 1982 në Pleniumin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku referohet se Kadareja ka marrë kritika për “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”.

Kthesa e Kadaresë pas viteve 1990
provon qartësisht analizën e mësipërme
Është evidente që Kadareja do ta kuptonte më shpejt se çdo kush pasojat e veprës së vet. Ai vendosi të heqë emrin Ebu Qerim dhe të heqë fokusin nga “Nëpunësi” dhe ta lërë titullin “Pallati i ëndrrave”.
Arsyet për ndërrimin e emrit nga Ebu Qerim në Mark Alem, dhe nga “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” në “Pallati i ëndrrave” qartësisht na e vënë epiqendrën e ndryshimit tek “Nëpunësi me emrin Ebu Qerim”. Duhej hequr edhe njëri edhe tjetri dhe duhej zhvendosur vëmendja nga “Ebu Qerimi” dhe “Nëpunësi” që në fakt kishte të depozituar konceptin e Kadaresë për Naim Frashërin (të paktën në atë periudhë) dhe duhej spostuar drejt “Pallatit të ëndrrave”. Ka patur shumë frikë nga interpretimet nëse Ebu Qerimi do të kuptohej se ishte Naim Frashëri.
Kadare e ka kuptuar që e ka tepruar shumë me interpretimin anonim të Rilindjes Kombëtare dhe të Naim Frashërit (me gjuhën e Ezopit), por nga ana tjetër ka qenë i qetë se vepra masivisht nuk është kuptuar, ndaj kur ai ndryshoi emrin e personazhit dhe titullin, askush nuk e vuri re. Nuk kishin kuptuar gjë më parë dhe nuk do të kuptonin as tani, nga gjithë ai kodim.
Problemi i madh i veprës së artistëve gjatë monizmit ishte “mungesa e moralit”, jo se ata nuk donin, por sepse “moralin” e poezisë e kishte përvetësuar PPSH-ja. Ajo nuk të linte t’i bëje “moral popullit” se t’i bëje moral, do të thotë t’i merrje “frenat” e drejtimit shpirtëror, ndaj morali i tyre doli shumë i moderuar, thjeshtëzuar. Ndërsa Naim Frashëri pikën më të fortë ndaj popullit shqiptar nuk kishte gjuhën shqipe siç thuhet shpesh, por kishte moralin. Ndërsa recensat e komunizimit më shumë theksonin dhe vijojnë të theksojnë edhe sot vetëm “Bilbili i gjuhës sonë”, pra e shohin si “punëtor të gjuhës”.
Mua më duket që Kadare e ka prishur me duart e veta kahun e reflektimit të lexuesit. Tani për tani ata janë duke marrë vetëm “teknikën artistike” dhe kuptojnë që ka një kodim, një subjekt sipërfaqësor dhe shumë reflektime brenda, por ndërkohë që romani duhej të çonte ujë në “reflektimin kombëtar” të pavarur nga ndikimi politik (ta zemë komunist apo demokrat), lexuesi ngacmohet në një drejtim që fare nuk ka qenë arsyeja pse e ka bërë Kadareja librin. Atij i thuhet “ky është një libër kundër totalitarizmit”. Shqiptarët nuk po çliroheshin nga totalitarizmi, por nga Perandoria Osmane. Arsye për shkëputje nuk ishin “të drejtat e njeriut” por “të drejtat kombëtare”. Ky lloj reflektimi u dëmtua me duart e vetë Kadaresë, se ai e përqëndroi “interpretimin” (si kofini pas të vjeli, sepse libri ishte bërë) tek “totalitarizmi”. Një libër për totalitarizmin do të duhej konceptuar ndryshe.
Është nisur të bëjë një gjë “kombëtare” dhe duke “anonimizuar” Naim Frashërin, nuk ka mundur dot të mbërrijë në mesazhin që ka dashur të mbërrijë. Askush nga recensentët nuk po thotë që problemi kryesor i veprës është “përballja e kombit shqiptar me pushtuesin” dhe çlirimi i tij nga perandoria osmane. I gjithë libri është investuar këtu. Çdo fakt i brendshëm është në këtë drejtim. Ndërkohë shohim një “dalldi disidence” që nuk bazohet fare në faktet e vet librit. Pas 1990, Kadareja u bë me këtë dalldi. Unë mendoj që ai nuk ishte ngrohtë tek “varianti i vet” dhe ka dashur t’i japë një “jetë të re” librit.
Ka shumë për të thënë, por po e mbyll këtë shkrim këtu.

Copyright: Nuk lejohet kopjimi apo shpërndarja, pjesore apo tërësore me çdo mjet e formë, pa lejen e shkruar të autorit. Përjashtim bën ndarja e linkut që të çon tek ky artikull. Libri “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit” tashmë ka marrë ISBN nga Biblioteka Kombëtare.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.