back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 9 Janar, 2025

Kadare: Liria e shtypit e PPSH dhe Censura e Sulltan Abdylhamitit – opinion nga Artur Shkurti

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë
Kadare: Liria e shtypit e PPSH dhe Censura e Sulltan Abdylhamitit
opinion nga Artur Shkurti
Autor i librit në proces “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (pjesë nga libri)

Copyright: Nuk lejohet kopjimi apo shpërndarja, pjesore apo tërësore me çdo mjet e formë, pa lejen e shkruar të autorit. Përjashtim bën ndarja e linkut që të çon tek ky artikull. Libri “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit” tashmë ka marrë ISBN nga Biblioteka Kombëtare.

“Nuk e pandehja të kishte kaq gjak Dunkani plak” (në anglisht: “Who would have thought the old man to have had so much blood in him?”) është një citat nga tragjedia “Makbethi” (Macbeth) e William Shakespeare-it.
Kjo linjë thuhet nga Lady Makbeth, në Aktin V, Skena 1, gjatë skenës së saj të famshme të ecjes në gjumë (sleepwalking scene). Ajo, e mbërthyer nga ndjenja e fajit për vrasjen e Mbretit Dunkan, imagjinon gjak në duart e saj që nuk mund ta lajë dot, duke simbolizuar fajin e pashlyeshëm dhe ndërgjegjen e saj të rënduar. Kjo skenë është një nga momentet më dramatike dhe të njohura në gjithë krijimtarinë e Shekspirit.
Analiza e romanit të Kadaresë realisht po më kushton shumë kohë dhe natyrshëm edhe shumë kënaqësi të veçanta që lidhen me një kuptim gjithnjë e më të mirë që është shumë i kodifikuar. Kujtoj që artikujt e mëparshëm i janë dhënë edhe botuesit “Onufri” dhe francezëve Fayard dhe përmes tyre Helena Kadaresë. Nuk kam patur asnjë reagim. Ndaj vijojmë me komentet.
“Liria e shtypit” e PPSH-së dhe e Lidhjes së Shkrimtarëve ndaj Censurës së sulltan Abdylhamitit
Duke qenë se romani i Kadaresë është konceptuar si një akt disidence, unë do të jap një kontekst tjetër që e nxjerr romanin se është e kundërta e disidencës, është zbardhje e realitetit për lirinë e shtypit të PPSH-së përmes pasqyrimit apo nxirrjes së një realiteti tjetër.
Një citim i Enver Hoxhës në dy raste nga Dritëro Agolli mund të ketë rëndësi. Në revistën “Nëntori”, nr. 4, prill 1975, gjej fjalën e Dritëro Agollit në Pleniumin e Komitetit Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në faqen 29, gjej këtë (formatimi me bold i vetë revistës “Nëntori”):
“Fjalimi i shokut Enver i 20 dhjetorit 1974 hedh dritë edhe në mënyrat e format e veprimtarisë të organizatës sonë krijuese. Ai na mëson: “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk duhet lejuar që të kthehet në një organ kontrolli të shkrimeve të ndryshme të të gjithë shkrimtarëve dhe poetëve të vendit, por, në radhë të parë, të punojë në shumë mënyra e forma për t’i frymëzuar ata që të shkruajnë sa më mirë”.
Kujtojmë që Kadareja thotë se romanin e ka filluar në vitin 1976, pra një vit pas këtij Pleniumi të Lidhjes së Shkrimtarëve. Kjo do të thotë se narrativa për “lirinë e shtypit” nën udhëzimet e sakta të Enver Hoxhës qenkësh realisht një problem dhe e dimë që “liria e shtypit” nuk mund të konceptohej pa nxirë një realitet tjetër.
Kadareja në një reagim ndaj Noel Malcolm ka thënë: “Në Shqipërinë e Hoxhës, si në Rusinë e Stalinit, një disident i deklaruar ishte i sigurt se do të shtypej. Gjithmonë kam pohuar se rezistenca më e mirë që mund t’i bënte një autor një diktature të tillë, me fjalë të tjera ndaj një situate jonormale, ishte të bënte letërsi “normale”. Dhe mendoj se kjo është ajo që kam bërë.”
Pra “narrativa” që i duhej PPSH-së ishte “ju mjaft të shkruani letërsi normale” dhe ne “e botojmë”. Vijojmë përsëri me citime dhe pastaj komentojmë.
Po në këtë fjalim të Dritëro Agollit, e këtë botim (Nëntori, nr. 4, prill 1975, fq.26-27), Dritëro Agolli kritikon ndërhyrjet e redaktorëve ndaj autorëve që dorëzonin libra. Ai sjell shembuj të ndërrimit të dialogjeve ndaj Miço Kallamatës dhe Gaqo Kollumbi (Yrka). Mirëpo të dy veprat autorët i kanë për partizanët. I dyti e ka për Teki Kolanecin. Në përfundim, të kësaj analize Dritëro Agolli shkruan (fq. 27) duke cituar edhe Enver Hoxhën (formatimi me bold i vetë revistës Nëntori):
“Këto janë gjëra të palejueshme dhe arbitrare, që cënojnë të drejtën e autorit, e cila është sanksionuar me ligje të veçanta. Pikërisht këto qëndrime i dënon Partia. “Nuk do të ishte aspak e rekomandueshme, – thotë shoku Enver – që dikush t’i thoshte, për shembull, një shkrimtari ose një tjetri: “Sikur t’i heqësh këto ide ose varg e t’i shtosh atë tjetrin, sikur të shkurtosh pak këtu e ta zgjatësh atje, të heqësh këtë figurë artistike e të vesh një tjetër” etj. Në një rast të tillë, – vazhdon shoku Enver, – shkrimtari do të kishte të drejtë t’i thoshte bashkëbiseduesit: “Atëherë bëje më mirë vetë ti një vjershë ashtu si të pëlqen dhe mua mos më ngatërro!” Nuk duhet tepruar duke ndërhyrë me kritikë pa vend të veprave letrare-artistike, sepse një ndërhyrje e tillë subjektive nuk është ndihmë, por masakrim”.
Pra Dritëro Agolli po udhëzonte shkrimtarët me citim të Enver Hoxhës që “Na duhet një narrativë e lirisë së shtypit dhe e botimeve” Atëherë kjo nuk mund të bëhej duke i thënë popullit hapur “Ne kemi liri shtypi, ne kemi botime të lira”, sepse qartësisht nuk do të përtypej (do të dëgjohej, do të tundej koka, por nuk do të kundërshtohej hapur). Atëherë duhej që buka të “hahej” në një mënyrë tjetër (më kreative), duke dalë nga Shqipëria dhe dhe nga koha, në një hapësirë dhe kohë tjetër që do t’i bënte “karshillëk” “lirisë së shtypit”. Është e vërtetë që Sulltan Abdylhamiti vendosi sistemin e censurës për arsye shtetërore. Anija po fuste ujë nga çdo anë. Megjithatë studiuesit e sotëm turq që marrin në shënim artikujt francezë Paul Fesch (Ditët e fundit të sulltan Abdylhamititt, 1907) thonë se ata po përdorin standarde të dyfishta, sepse para se censurën ta bënte sulltan Abdylhamiti, ligjet për të ishin krijuar nga francezët dhe nga Napoleon Buonaparti. Duke qenë Kadareja dhe Enver Hoxha një frankofon, mund të besohet që ky libër do të ishte në bibliotekat e tyre për të dhënë konstruktin veprës. Ashtu si Kadareja, sipas kujtimeve të Helena Kadaresë (në të gjallë të Ismailit) është lutur në Komitet Qëndror që të ketë akses në arshivën sekrete për të bërë librin “Dimri i vetmisë së madhe” (1973) dhe ky akses iu dha duke bashkëpunuar ai me Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën, dhe duke mbetur Enver Hoxha i kënaqur nga romani (të cilin e kishte hetuar (qeruar) më parë me anë të Nexhmijes), Kadareja i ka patur të gjitha mundësitë të ketë literaturën e duhur për censurën e sulltan Abdylhamitit dhe disa dokumenta me kujtime për Naim Frashërin që janë gjendur në Arkivë, por që dolën pas vitit 1990.

Ku ndryshon censura e Sulltan Abdylhamitit nga censura e PPSH-së
Sulltan Abdylhamit përdorte shpërblimin me para apo poste dhe hera herës burgun (nëse autori nuk merrte vesh), por literatura e huaj për shumë kohë nuk pati censurë. Shpesh hiqeshin faqe nga librat dhe ato delnin ashtu të çuditshme. Ishte caktuar edhe një listë fjalësh që do të shkaktonte censurë.
Kurse PPSH-ja as nuk e linte fare në qarkullim autorin me biografi të keqe. Me mijëra nxënës të shkëlqyer nga klasat e përmbysura nuk merrnin shkollë jo më të çohej në mend që ata të konkurronin për “ndonjë botim”. Ata që mund të shkruanin kundër ishin ose në burg, ose ishin shpallur armiq të klasës, ose tashmë u ishte hequr qejfi.
Ndaj liria për të cilën bën fjalë Enver Hoxha dhe e citon Dritëro Agolli në Pleniumin e Lidhjes 1975, është liri e të seleksionuarve, liri për çfarë mbetet, liri për ata që do të bënin lavde, që ishin të besuar. Pra, Enver Hoxha po u thoshte kryesisë së lidhje “Lërini pa problem të shkruajnë si të duan, se i kemi kontrolluar ne më parë”. Nga ana tjetër, nëse, megjithë besimin, do ta shpërdoronin këtë besim aty ishte burgu. Ndërkohë heqja e procesit të “redaktimit” një për një ishte edhe për të fshehur arsyet e censurës (pra nuk do të themi ne ty se çfarë duhet të heqësh, po na pëlqeu mirë, nëse nuk na pëlqen nuk e botojmë dhe pikë).
Censura ishte kaq e madhe në PPSH sa kur dilte ndonjë armik të gjithë këshilloheshin që kudo që shihnin emrin apo fotografi në ndonjë vepër apo ndonjë botim ta grisnin, ta zhgarrravisnin, apo ta mbulonin.
Pra as nuk mund të krahasohet censura në kohën e PPSH-së me censurën e sulltan Abdylhamitit. Naimi në kohën e Sulltan Abdylhamitit i shkroi vargjet në “Historinë e Skënderbeut” dhe ishin troç dhe jo me gjuhën e Ezopit (pavarësisht se u botua në Bukuresht):

A më sheh ti mua plaknë,/ Të qenkësha si ti djalë,
Muratit i pinja gjaknë,/ sot s’gënjehesha me fjalë,
të shoh vëllezërit vrarë,/ shtëpinë time të shuar,
Shqipërinë e shqipëtarë,/ të lidhurë këmb’e duar!

Ndaj mendoj se fokusimi tek censura e Abdylhamitit nuk ka kuptimin e disidencës ndaj PPSH-së, përkundrazi të zbardhjes së “lirisë së shtypit të Lidhjes së Shkrimtarëve”. Nuk kishte arsye Kadareja që në kulmin e veprimtarisë kreative të rrezikonte. Ai vetë e kishte krijuar një marrdhënie “sqaruese” për procesin krijues me Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën. Nëse procesi krijues për romanin e vitit 1973, ishte zbuluar plotësisht para Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, atëherë çfarë mbeti sekret për ta?! Metodat “e zgjuara” nuk kanë qenë vetëm tek “Nëpunësi” por edhe tek “Dimri i vetmisë së madhe”.
Mbetet që narrativa e Kadaresë ka qenë që përmes zymtësisë, lagështisë, apatisë, mbytjes së censurës së Sulltan Abdylhamitit të dilte sa më me dritë “liria e shtypit” në kohën e PPSH-së. Kjo nuk është disidencë por e kundërta e saj.
Fakti që Kadareja, menjëherë pas 1990, nxitoi ta ndërrojë emrin nga Ebu Qerim në Mark-Alem dhe nga “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” në “Pallat i ëndrrave” tregon se ai pati “turp” dhe “siklet” nga lojrat kuptimore me “nëpunësin” (Naim Frashëri) dhe u përqëndrua më shumë tek “censura” e Sulltan Abdylhamitit. Këtu e ndihmuan edhe francezët. Naim Frashëri do t’i kishte thënë “Mos iu afro dhelpërisë po së drejtës iu nis pas, në dëgjofsh fjalët e mia do të jesh gjithnjë në gas.” Naimi merrej edhe me gjah dhe Kadareja ka vënë këtë në mënyrën e tij: “Ebu Qerimi shpejtoi hapat. Jakën prej gëzofi e kishte ngritur prej kohës, megjithatë dora e tij bëri lëvizjen e njohur të ngritjes së saj. Në të vërtetë, të ftohtët nuk e ndjente tek qafa, por diku tek brinjët.” (Kujtojmë se Naimi ishte tuberkuloz, me sëmundjen e mushkrive)
Me një gur Kadareja vret dy zogj: zbardh “lirinë e shtypit” në Shqipëri dhe anonimizon Rilindjen Kombëtare duke shpronësuar Rilindjen nga Ebu Qerimi.
Vijmë tani tek emri Ebu Qerim që ka krijuar për Naim Frashërin
Kuptimi i emrit Ebu Qerim si shkak për ndërrimin e emrit të personazhit në romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”.
Kam kaluar kaq shumë interpretime derisa mendoj se po i afrohem të vërtetës së procesit krijues të emrit të personazhit kryesor Ebu Qerim që është e provuar se identifikohet me Naim Frashërin (natyrisht Ebu Qerimi është krijim artistik i Kadaresë dhe jo vetë Naim Frashëri historik dhe fakt i jetës reale).
Pas “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave” erdhi “Qorrfermani”. Veprat janë të lidhura ngushtësisht dhe të dy veprat vendosin në qendër procesin e Censurës ndaj shtypit. Mjeti artistik kyç është konvertimi i librit ose shtypit në “ëndërr” tek “Nëpunësi” , konvertimi i zyrës së censurës në “pallat ëndrrash” dhe ndërkohë procesi real i censurës quhet “verbim”. Verbimi mund të bëhet përmes masave shtypëse por edhe shpërblimit. Verbimi është artistik, por në fakt është “verbimi i opinionit publik”, i cili nuk mund “të shohë” pa sytë e medias pa lirinë e shtypit. Fakti që romani i Kadaresë është lejuar, nuk është prej “moskuptimit” apo “trashësisë” së PPSH-së, por prej faktit se ajo po investohej në një narrativë që “shtypi është i lirë” në Shqipëri dhe nuk ka censurë dhe për ta zbardhur më mirë këtë realitet fiktiv të sajin, duhej nxirë një realitet tjetër cilidoqoftë ai, por mjaft të ishte jashtë Shqipërisë, jashtë të tashmes. Dihej që PPSH-së i priste shpata sa në të majtë e sa në të djathtë. Këtë teknikë e kishte të vetën. Biznesi kryesor i shqiptarëve bëhej kështu veç “prishja e marrëdhënieve”. Pra, narrativa e librit nuk është disidenca.
Problemi i romanit të Kadaresë ishte i madh sepse për ta konceptuar ai kishte nevojë për Naim Frashërin që ishte drejtor i zyrës së censurës (botimeve) dhe Kadareja e konceptoi Ebu Qerimin me fakte nga jeta e Naim Frashërit. Kjo ishte mirë nga prodhimtaria artistike e romanit, por do të krijonte realisht probleme. Ndaj brenda romanit Kadareja është kujdesur që Ebu Qerimi të ishte një personazh pozitiv, pavarësisht se e ka nxjerrë “anemik”, “apatik” dhe që fare nuk reflekton Naimin që e njohim përmes veprës së vet. Duke patur turp nga këto “lojra” Kadareja pas vitit 1990, u çlirua nga Ebu Qerimi dhe ia vuri emrin personazhit Mark Alem.
Por emri Ebu Qerimi ishte zgjidhur artistikisht dhe i gjithë romani thuajse po punonte për emrin Ebu Qerim.
Loja me emrin është kaq e madhe. Nga ana e jashtme ai duket një konstrukt arab që na thotë Ebu (baba) dhe Qerim (Karim) Bujar i Madh. Por nga ana tjetër, Kadareja ka një mësymje të madhe me fjalë shqip qeroj, qëroj, verboj, qorroj, qërues, qiqra.

Libri në proces “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit”
Libri në proces “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit”

Verbimi (i Opinionit Publik), pastrimi, qërimi dhe Censura e Abdylhamitit
Një nga format e fshehta të censurës ka qenë shpërblimi. Për të shmangur konceptimin si represion sulltani, në vend që t’i bënte armiq duke i ndëshkuar, i lidhte pronarët e gazetave ose gazetarët duke u dhënë dhurata, ose dekorat (Büşra Nur, 2019). Mendoj se episodi që Kadare e krijon në kapitullin IV “Dita e pushimit”, fq. 271, ku në kafene gjen dy të verbër, për të cilët kafexhiu thotë se ata kanë “marrë dënimin e sulltanit” duke u nxjerrë sytë, por kanë marrë edhe shpërblim për këtë. Kafexhiu thotë për të verbrit:
Citojmë Kadarenë nga “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” (Dita e pushimit):
“Janë të mbrojtur prej shtetit dhe nuk i dëboj dot(…) të verbrit që vinin në kafene nuk ishin të verbër dosido, të bërë kështu nga sëmundja apo ndonjë goditje, as të plagosur në luftë. Të qenë të tillë, ai do t’i mirëpriste me gjithë qejf në kafenenë e tij. Por ata ishin tjetër gjë dhe ishin verbuar për arsye që njeriu e kishte vështirë ta gjente. Kafexhiu shpjegonte se më parë ata kishin qenë njerëz pa ndonjë cen, pra kishin qenë njerëz me sy, veçse sytë e tyre ishin jo si të gjithë njerëzve, por sy të ligj, dhe, siç mund ta dinte zoti Ebu Qerim, për të mbrojtur veten dhe shtetasit nga sy të tillë, shteti i mrekullueshëm osman, kishte nxjerrë një dekret të veçantë. Sipas këtij dekreti, shtetasve me sy të ligj u nxirreshin sytë dhe si shpërblim për këtë, shteti u caktonte një pension të përjetshëm. E kupton tani përse s’i dëboj dot nga kafeneja ime? E mbajnë veten më të madh për flijimin e syve. Kushedi si u duket vetja, pothuaj heronj”.
Kuptimi i kësaj është kjo: “Sytë e këqinj” janë në fakt analizat e vërteta të gazetarëve, ose “këndvështrimi i tyre” mbi realitetin e perandorisë osmane dhe konkretizimi i këtij këndvështrimi në “artikuj”, “libra” e “gazeta”. Për të bërë “një sy qorr” e një vesh “shurdh”, sulltani paguante. Ndaj këta gazetarë që dikur i kishin “sytë”, nënkupto aftësinë për “të parë” dhe për ta komunikuar çfarë shihnin, tashmë “bënin sikur nuk kishin sy”, pra “nuk shikonin”. Nga kjo ka dalë figura artistike e Kadaresë. Kadareja shkon një hap më tutje duke ironizuar që për mbylljen e gojës nga media dhe për kompromisin me sulltanin ata ndihen krenarë. “Qorrfermani” (dekreti i verbimit) i Kadaresë është përsëri në këtë linjë. Ndoshta zgjedhja e periudhës së censurës së Perandorisë Osmane në kohën e Abdylhamitit është edhe një zgjedhje e qëllimshme për të treguar se nëse kemi censurë në PPSH ka edhe më keq, dhe ja tek kemi censurën e Perandorisë Osmane. Tek “Qorrfermani” kur shpjegon “censurën” (verbimin) referon pesë metoda verbimi (fq. 326, Ëndërr mashtruese, 1991): metodën bizantino-veneciane (me hekur me dy gjilpëra), tibetiane (me shtypje gurësh mbi stomak për të shkaktuar daljen e kokërdhokëve), mënyrën vendase (me acid), romano-kartagjenase (me tepri drite), dhe atë evropiane (mungesë drite), pra qartësisht është e kundërta e disidencës, përmes shpërhapjes historike e gjeografike të dukurisë së censurës (verbimit).
Më tutje (fq. 271-272), Kadare shkruan: “As ajo puna e kallëzimit të sykeqëve, që Ebu Qerimin e kishte lemerisur kur e kishte dëgjuar prej kafexhiut (letrat me kallëzime për njerëzit me sy të keq mund të hidheshin në çdo kuti poste), as mbledhja një herë në muaj e komisionit shtetëror, i cili, pas kontrollit që u bënte një për një, vendoste se cilët prej fatkeqëve të arrestuar në bazë të kallëzimeve kishin me të vërtetë sy të ligj që duheshin nxjerrë, dhe as vetë nxjerrja e syve “për të mirën e përgjithshme”, siç thuhej në fjalimin tradicional, që mbahej përpara turmës së të porsaverbuarve, nuk e drithëronin ashtu si më parë Ebu Qerimin”.
Pse duhet një paragraf i tillë tek “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, duket si shkëputje? Në fakt, ka lidhje të fortë me emrin Ebu Qerim që duhet konceptuar si Ebu Verbim (Qorrim) por edhe Ebu Pastrim, Ebu Seleksionim ose Ebu Censura.
Kadareja ka qenë në hall të madh me emrin Ebu Qerim ndaj e ndërroi në Mark-Alem
Emri Ebu Qerim siç shihet është llogaritur në mënyrë precize sipas kuptimeve ideore që ka romani për të konceptuar procesin e Censurës, por problemi ishte që personazhi shqiptar nga një familje borgjeze apo feudale, që i përkiste një tarafi apo dinastie me pushtet ekonomik dhe politik me prejardhje shqiptare ishte konceptuar me faktet për jetën e Naim Frashërit (ka shumë në këtë drejtim).
Duke e ditur Kadareja këtë problem të emrit, atëherë brenda romanit i jep një zgjidhje “finoke” që është përsëri me dy kuptime ngatërruese.
Në faqen 324 (vepra 9, 1981) të romanit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” gjejmë:
“Ai e dinte këtë, megjithatë, njëlloj si në darkën fatale, ndjeu prap dëshirën djegëse ta flakte maskën mbrojtëse, atë lëvozhgën islamike Ebu Qerim, për të marrë një emër nga ata të hershmit, të krishterët, që ndillnin rrezikun e ndiqeshin prej fatalitetit: Pjetër, Zef, Gjorg. Dhe ashtu si atëherë, përsëriti me vete: Zef Ura, Gjorg Ura, ndërsa pendën e mbante ende në dorë, thuaj se mëdyshej të nënshkruante apo jo me të në “Chroniquen” e lashtë.”
Kjo është lojë e dyfishtë. Gjatë gjithë romanit ai ka investuar në fjalët shqipe qëroj, qërim, qërues, qiqra, qorr. Në këtë kuptim fjala Ebu Qerim, vetëm “Ebu” e ka “islamike”, por Qerim del fjalë shqipe që mund të jetë njëkohësisht ose “pastrim” (qëroj, kthjelloj sytë) ose verbim (qorroj), por në çdo rast i përket procesit të censurës.
Emri islamin Qerim (Bujar i madh) është një mbrojtës dhe një lëvozhgë. Kur Kadareja na thotë se e kishte marrë malli për Zef Ura, Gjorg Ura, në të vërtetë është duke na thënë në mënyrë “finoke” se duhet të kaloni nga një kutim “i huaj” tek një kuptim “shqip” dhe jo realisht tek ndërrimi real i emrit që është “shqip” por është veshur si “si lëvozhgë” me dukje “arabe”.
Duke e kuptuar se nuk do të ishte i mjaftueshëm as ky paragraf që e ka brenda romanit dhe krejtësisht për arsye mbrojtëse, atëherë pas vitit 1990 Kadareja vendos ta ndryshojë plotësisht emrin Ebu Qerim në Mark-Alem.
Mark-Alem (mark kalem, marr kalem, shënoj me kalem, nënvizoj, vlerësoj, korrigjoj, pastroj, hetoj, redaktoj)
Duke mos hequr dorë nga “finokëria” në zgjedhjen artistike që bën edhe emri Mark-Alem (me vizë në mes) që në pamje të parë duket si një emër i krishterë dhe një mbiemër musliman ku Mark shënon “Marsin” ndërsa “Alem” botën, përsëri ka brenda procesin e “seleksionimit” dhe të mbajtjes shënim të gjërave, të redaktimit, të censurës (mark-vlerësoj, korrigjoj, mbaj shënim, nënvizoj, shenjoj). Kujtojmë që emri është me vizë në mes, ndaj nuk i bie të jetë emër dhe mbiemër, por thjesht një emër me vizë në mes.
Kuptimi anglisht i “mark” është “shënoj” dhe “nëse zhvendosim” shkronjën K na del “mar – kalem” ose nëse e dyfishojmë shkronjën “k” na del “mark” dhe “kalem”, ku ashtu si tek Ebu Qerimi ku e para ishte e huaj dhe e dyta shqip edhe këtu na del e para e huaj dhe e dyta shqip (shënoj me kalem, nënvizoj, hetoj).

Verbimi i Opinionit Publik (qërimi, zbardhja e librave të censuruar)
Plan detyra bazë e Kadaresë është të pasqyrojë e të veshë me fjalët e duhura procesin e censurës që ai e krahason me verbimin, por edhe me pastrimin (qërimin). Duhet ditur që në kohën e Sulltan Abdylhamitit, nëse një libër konstatohej me faqe që duheshin censuruar, libri kishte mundësi të ndërpritej nga faqe të bardha. Ky ishte realisht (për librin) një proces “verbimi” dhe “qërimi”. Që kjo të bëhej e mundur librat duheshin lexuar nga një zyrë dhe pikërisht në këtë zyrë ka punuar Naim Frashëri.
Kadareja kujdeset që ta kursejë personazhin kryesor Ebu Qerim (shqiptar), ndaj ai e ekspozon atë vetëm ndaj një reflektimi kombëtar (pra për kombin e vet) në punën që bën.
Të gjitha “horroret” që Kadareja bën me “sytë” apo “verbimin” mbajnë realisht në monitorim procesin e censurës. Duke qenë se plani artistik i Kadaresë është që Censurën ta identifikojë me Verbimin (Qorrimin) atëherë për Kryetarin e Zyrës së Censurës ka krijuar emrin Ebu Qerim, që ka ardhur nga Ebu Verbim apo Ebu Qorrim, që do të thotë pra “Babai (kreu) i Verbimit” ose “i qorrimit” ose “babai i pastrimit” (seleksionimit, censurës). Kjo është arsyeja që zgjedhja artistike e fjalës kyç “qeroj” që shkon me “qorroj” dhe që prodhon një familje aq të gjerë fjalësh.
Në fjalorin e gjuhës shqipe (1980) që është përgatitur saktësisht kur Kadareja ka bërë romanin, në faqen 1608, në zërin “Qërohem”, pika 6, thotë:
“vet. veta III. Më pastrohen sytë, veshët, gryka ose hunda nga diçka që kishte zënë e i pengonte. M’u qëruan sytë. Iu qërua vështrimi ka nisur të shohë qartë. M’u qërua gryka. Iu qërua zëri ka nisur të flasë me zë të pastër, jo të ngjirur”
Kadareja është saktësisht në këtë kuptim. Faqe 197, brenda të njëjtit paragraf, Kadare shkruan: “Atij iu duk se një pjesë e njerëzve ishin me rrufë, apo ndoshta dukej kështu, ngaqë pas disa orësh heshtjeje të plotë gurmazet e nxirrnin zërin akoma të paqëruar mirë.”
Në këtë kontekst, emri Ebu Qerim, na del edhe Ebu Pastrim. Duke luajtur rëndë ndërmjet “Ebu Qerrimit”, “Ebu Verbimit”, “Ebu Pastrimit” dhe duke e ditur Kadareja vetë (jo lexuesi) që personazhi është frymëzuar (mbajtur në këmbë) nga loja artistike me faktet për Naim Frashërin, Kadareja ka patur edhe frikë dhe frika gjendet në mënyrën se si ai vepron me tiparet, i fsheh, i fsheh, i fsheh.
Shumëfishimi i kuptimeve është tipar dhe aftësi e procesit krijues të Ismail Kadaresë. Mirëpo “shumëfishimi” do të krijonte keqkuptime, ndaj ai njëkohësisht “shumëfishon kuptimet” dhe njëkohësisht i eleminon ato pa e vënë re mirë lexuesi. Kjo e kthen romanin në një gjëagjëzë
Ky ankth i brendshëm nga emri Ebu Qerim u pasqyrua në ndërrimin e tij në Mark-Alem. Por nëse emri Ebu Qerim ishte i llogaritur (jo i merituar) me peshore farmacie, emri Mark Alem ishte për “tregëti” të romanit. Unë jam i bindur që Kadaresë do t’i ketë dhimbur ndërrimi, pavarësisht se ai e ka bërë për arsye morale. Por ai e ka ditur që kush do të donte të kishte origjinalin, do ta gjente. Kadareja i ka marrë masat më parë dhe brenda romanit. Në fund, Ebu Qerimi reflekton edhe për emrin e tij, por arsyeja që nxjerr nuk është aspak ajo e vërteta, por thotë “konotacion islamik”. Kadareja përsëri tregohet “finok” dhe kërkon ta bëjë të pakujdesshëm lexuesin. Qerim nuk del një emër islamik, por del një emër shqip, i prejardhur nga folja “qëroj” dhe duke luajtur ndërmjet “qorroj” (verboj). Fakti që pas këtij romani Kadareja ka bërë “Qorrfermanin” dhe po aty ka dhënë edhe një paragraf për Ebu Qerimin është mëse e qartë se kuptimi i fjalës Ebu Qerim nuk është një një kuptim “islamik” por është “mbrojtje islamike” për një kuptim “mirëfilli” i gjuhës shqipe.
(për më shumë porositni librin)
30 Dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.