back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Kadare si inerci e një politike largpamëse!” – nga Shpend Sollaku Noé

Gazeta

Shpend Sollaku Noe
Shpend Sollaku Noe

“Kadare si inerci e një politike largpamëse!”

nga Shpend Sollaku Noé

Kur Enver Hoxha, në një nga takimet e shumta me intelektualë afër të të majtës, i këshillonte Viktor Eftimiut që, përveç Kadaresë, të kish parasysh edhe Dritëro Agollin si një majë të realizmit socialist që duhej përhapur në botë, krijuesit apo lexuesit e sotëm ose nuk kishin lindur, ose ishin fëmijë, ose adoleshentë, ose lexues fanatikë të “Zëri i Popullit”.
Që Hoxha qe një diktator gjakatar i pashoq tashmë edhe ithtarët e tij e pranojnë, duke ia justifikuar në mënyrë të pacipë gjakderdhjet. Ata që diktatorin e kanë quajtur idiot e të dështuar në largpamje, sidoqoftë, nisen prej urrejtjes klasore, por i mohojnë atij të paktën largpamësinë e përcjelljes në të nesërmen e zgjatur të figurës së tij edhe në letërsi e arte.
Dhe nuk ka përcjellës më të mëdhenj të lavdisë së tij se këta dy autorë të përmendur më sipër.
Këtu do të merrem me Kadarenë vetëm sepse nuk kam aq kohë të lirë sot sa ta konsumoj për dy personazhe.
Me Dritëroin do të merrem herë tjetër.
Glorifikimi i diktatorit – ky është problemi kryesor që Ismaili ka ndeshur pas ’90, nga shqiptarët por edhe nga komisionet e çmimeve që janë shumë skrupoloze ndaj autorëve që kanë përkrahur diktaturat. Nëse Kadareja e ka përkrahur apo jo diktaturën shqiptare nuk besoj të ketë më dyshime. Mjafton të kujtosh ndër të tjera poemat “Shqiponjat flururojne lart”, “Përse mendohen këto male” dhe sidomos “Vitet ‘60”. Në prozë më e spikatura si përkrahje e diktatorit është pa dyshim “Dimri i vetmisë së madhe” apo në formën e mëvonshme të “Dimri i madh”. Pa harruar se, në përgjithësi, e tërë vepra e tij duhet parë sipas principeve kryesore të realizmit socialist, përfshi këtu edhe romane të tipit “Këshjtella”, “Kronikë në gur” “Dasma” etj., aq të rënduara prej tendenciozitetit klasor. Nga pikëpamja sasiore temat e tilla politiko-letrare zënë vendin kryesor në krijimtarinë e shkrimtarit tonë të shumëpërfolur.
Qëllimi i këtyre shënimeve të shkurtra nuk është recensionimi i veprës së tij, por thelbi i diskutimeve të sotme rreth krijimtarisë së këtij autori.
Çfarë qëndrimi kanë mbajtur botuesit shqiptarë në lidhje me veprën e tij?
.
Kadare dhe botuesi i tij Hudhri i "Onufri"
Kadare dhe botuesi i tij Hudhri i “Onufri”
Hudhri që zotëron kopirajtin e Kadaresë ka konfirmuar tendencën e pranimit total të kësaj krijimtarie. Arësye tregtare? Edhe. Sikur ta kish pastruar prej frymës socialiste krijimtarinë e autorit kryesor që boton, do të kish qenë një plus i madh për këtë botues. Mund të kish mbajtur shumë prej tyre, ku, të paktën jo aq drejtpërdrejt, Kadareja shfaqet si autor i diktaturës. Do të mjaftonte “Prilli i thyer” apo edhe vepra te tjera në prozë dhe pastrimi i poezisë kadarejane nga ajo pjesë flagrante ku himnizohet diktatori apo partia. Por ky botues, me sa kam kuptuar, preferon ta paraqese totalisht Kadarenë. Arësyet i di ai më mirë. Ne vetëm mund të supozojmë: shes biftekun, por për këtë më duhet të pranoj edhe plëncin e palarë, edhe mushkritë e infektuara… Ose: nostalgjikët janë ende të shumtë. Ata kanë mbetur tek e djeshmja e Shqipërisë – fanar i komunizmit botëror dhe Enveri – klasiku i fundit i marksizëm leninizmit…
Nuk di që Hudhri të jetë shprehur ndonjëherë hapur rreth kritereve të seleksionimit të veprës kadarejane të realizmit socialist.
Sipas supozimit tim të dytë, ai, si tregtar librash, nuk e ka menduar keq. Pasi ata që sot e pranojnë symbyllur Kadarenë nuk janë pak. Kësaj lukunie lexuesish nuk i intereson faqja letrare e medaljes, por vetëm ajo politike. Kadareja është për ta dëshmia e gjallë se në diktaturë mund të lulëzonte art i madh. Këta janë edhe ithtarët më të zjarrtë të I. K-së. Zakonisht kjo kategori përmledh lexuesit që nuk kanë lexuar më pas ’90-ës. Atyre u mjafton informacioni i marrë në shkollat e nivelit të ulët, nga mësues të nivelit të ulët, të diplomuar me gjela deti, thasë me arra apo raki Skrapari! Këta lloj ithtarësh janë edhe më të rrezikshmit, pasi më injorantët e kohës së tollonit.
Një rreth më i zgjeruar rreth ndjekësve të kategorisë së mësipërme është masa e pseudolexuesve, dmth e atyre që nuk kanë hapur më asnjë libër qysh prej dekadash. Ata i kanë krijuar opinionet vetëm me të dëgjuar apo nga ç’thonë të tjerët nëpër sociale. Ky lloj rrethi është edhe më i rrezikshmi, duke qenë se në të përfshihen edhe më injorantët dhe më nostalgjikët e periudhës së vetëshpallur komuniste. Me këta lloj njerëzish as që ia vlen të diskutosh, pasi të tërheqin me njëmijë kthetra në pusin e errët të urrejtjes histerike ndaj atyre që e mendojnë ndryshe.
Filli i kuq që i bashkon të gjitha rrymat prokadarejane është një i vetëm: Pas Ismailit askush tjetër nuk meriton vëmendje. Ai mbetet më i madhi, të tjerët nuk ekzistojnë. Teza kryesore me të cilën i kundërvihen kritikuesve të tij është: e bëjnë për xhelozi, sepse ai i errëson.
Ehi, para se të flisni. Lexoni njëherë të tjerët, pasi nuk mund të bëhen krahasime pa të paktën dy përbërës. Dhe mbushjani mendjen vetes: Ismail Kadareja i sotëm është vetëm inerci e një politike largpamëse të Enver Hoxhës. Librat e tij të sotëm edhe në vlerë stilistike kanë humbur shumë prej shkëlqimit të dikurshëm. Niveli i tij i sotëm është pak më shumë se ai mediokër – si refleks i zbehtë i lavdisë së dikurshme politiko-letrare.
.
Kadare dhe vepra e tij nga "Onufri"
Kadare dhe vepra e tij nga “Onufri”
Botuar në gazetën “Dielli” New York https://gazetadielli.com/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.