back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kajherë trishtimi ka emën t’përveçëm – cikël poetik i Jozef Radit

Gazeta

Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

Kajherë trishtimi ka emën t’përveçëm

Cikël Poetik i Jozef Radit

shkëputë nga Libri “Fletorja e Vjeshtës” 2011

Ky cikël poetik, asht shkëputë nga Libri Fletorja e Vjeshtës,
nji botim i Sh. Botuese Pakti 2011
Pjesa ma e madhe e tyne asht paraqite në antologjinë “Poesie Scelte”
botue se fundi nga Casa Editrice “Besa”, më 2017
Ndërkohë pritet së shpejti një antologji e gjanë me poezi të zgjedhun
e të përmirsueme prej tre librave poetikë të botuem në vitet 1993, 2000 dhe 2011.
Jozef Radi

 

*****

Me shikimin tand
zhgarravita krejt ditët e hikuna,
krejt mbramjeve idilike
ua derdha n’ftyrë
bojën e letrave të dashnisë,
krejt fjalve ku thyhej magjia e kangës
jua humba kuptimin!
 
Tash m’duhet me i numrue
lindjet e diellit nga e para
m’duhen fjalë të reja
lule t’marra borxh vedit
me i rimbjellë buzëve të mia,
m’duhet me i kurdisë orët me hecë mbrapsht
stinve me ua ndrrue rrotën e ricikleve
m’duhet nji tjetër shi i ambël
ndër vjeshtat e mia të përjetshme.
M’duhet nji ecje majëgishtash
ndër zajet e lmueta të lumit tem,
m’duhen mija vogëlsi t’pakuptimta
me i dhanë kah njatij shikimi zhgarravitës
që ende end kohë t’përbashkët.
.

Ajo…

Ajo ka mbetë diku
n’nji skaj t’harruem bote
tuj qindisë lulet e dashnisë s’humbun,
e tuj arrnue andrra të hikuna
si zogj të trembun.
 
Dhe mbet njashtu e vogël
n’at skaj t’harruem bote
sa frikesh n’kujtime mos ta pijnë hyjtë,
dhe mbet njashtu e qelqtë, e brishtë
thue se andrrimi ta thyen ndër gishta,
Dhe asht aq e vogël e përplot me vetvedi
sa frikesh me i folë për flakën
njatij zjarri të vocërr.
 
Dhe asht mbetë njatje
n’at skaj t’harruem bote
ku shinat derdhen si vajtim
e dielli priton me ngrofë,
njatje, ku lumi rrjedh si tallje
e dashnia s’gjen as sqep
me e thye lvozhgën e me dalë,
njatje, ku edhe kujtimi i puthjeve
sos me stinën e borës…
1988
.

*****

Gjithçka ndjej
e vuej
n’nji gjuhë të vetmueme
të shkrueme tejet vonë,
n’nji gjuhë pa sivllazën pa simotra
n’nji gjuhë shpirtnash rrebelë
e të panënshtruem
deri n’marri…
 
Nji dashni e madhe
mundet me jetue n’lumni t’kthjellë
edhe n’nji gjuhë sa grima
e me u zgaqë krejt nën drit’n e saj…
 
Ne dolëm prej nji gjuhe t’vogël
dhe hymë të trembun
ndër gjuhtë e mëdha të k’saj bote
pa përbuzë
pa shpërfillë asgja,
Dhe fjaltë e dashnisë
na u banë ma t’ambla
edhe ndër gjuhët e gjetuna…
 
Në t’gjitha gjuhët e botës
të paskam dashtë,
tash m’duhet me t’përçmue n’heshtje
n’dialektin ma t’ashpër
të maleve të mia…?!.

Mbaruen ditët që i besonim të pambarimta...
Mbaruen ditët që i besonim të pambarimta…

*****

Ajo lutet për diellin që lind
dhe hanën që rrotull i sillet,
ajo lotet për lulen që humbi shkëlqim
për pikzën e gjakut që n’trup i mpikset,
ajo ecën majgishtash e naltohet frikshëm
e s’kqyr askënd n’at mjelmëzim të përditshëm;
lehtas qesh kur ndër ne ndokujt i humb filli
dhe qelqet ndër buzë i krisen si gonxhe prilli,
dhe shkon e bindun se hij’e saj lulzon mbrenda nesh
dhe ecën e shlirtë dhe lutet dhe lotet,
na shkel padashtas dhe qesh…
.

*****

Iu dorzova detit me m’dehë.
 
Rrethue me muzg dhe heshtje
me aq shumë heshtje
dhe aq shumë muzg
sa frikem mos muri tyne
flakës edhe të fundmen flatër
m’ia këput…
 
I mbështolla mendimet
me vetmi të frikshme deti.
 
Mos i xen besë asnji lamtumire,
as dorës që përpëlitet
n’erën e trumhasun t’muzgut…
 
Tutju veç dashnisë kur bahet heshtje
si syprina e paqme e këtij deti n’muzg
që m’deh e m’rrokë…

Ajo lutet për diellin që lind
Ajo lutet për diellin që lind

*****

Mija herë
e kam verbue vedin
mos me e besue terrin
e njatyne që m’rrethojnë…
 
Por s’mjafton veç verbimi i vedit
me e pshtue t’keqen e tjetrit
edhe tanden bashkë.
.

*****

E pijmë kafen në shtrat me Preverin
të xhveshun si portokaj…
 
I tretëm gjymtyrtë
dhe i lamë veç sytë me ledhatue.
 
Eh, sa rrugë t’gjatë e t’lodhshme kena ba
e s’kena mbrritë askund.
 
Pse dashnia s’asht krijesë
as stacion, as qytet, as majë mali:
dashnia asht thjesht rrugë pafund
e asgja ma tepër…
(mjerë kush dashnisë
ia kërkoi mbrritjen…)
 
Të xhveshun si portokaj,
e pijmë Preverin në shtrat, si kafe…
.

*****

Mbaruen ditët që i besonim të pambarimta.
 
U ba kujtim
lumi që rrjedhte si hareja jote
dhe era që shfrynte si vrulli jem…
 
Mbaruen ditët që i besonim të pambarimta,
 
Nga bregu i huej i këtij deti
ndjej mall lulesh për bregun tjetër,
 
Përmallesh edhe ti
n’jehonë t’nji kënge të vjetër
që tash e ndjejmë si teshë e stërveshun.
 
Mbaruen ditët që i besonim të pambarimta
 
As fllad’i kujtimeve
s’kthen ma n’fletoren e vjeshtës…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.