Kalaja e Shkodrës
nga At Giuseppe Valentini S.J.
Kalaja e lashtë – Misioni Gjeo-Topografik Italian në Shqipëri – Shtator 1937
Në 1941-1942, Shtëpia Botuese “Distaptur” në Tiranë kishte planifikue të botonte nji libër prej albanologut të madh At Giuseppe Valentini S.
J., i cili mblodhi artikujt e tij të botuem ndër revistat shqiptare të turizmit “Drini”.
Ky asht artikulli i gjashtë dhe i fundit, “Kështjella e Shkodrës”
Për me kuptue randësinë e Shkodrës, rishihni historinë e saj, e për me e ndje krejt sharmin e saj, duhet m’u ngjitë në Kala. Ajo çka tash shofim e relativisht e panjoftun, asht kalaja mesjetare serbe; në pjesën e saj ma t’madhe kalaja asht veneciane, e rindërtueme simbas nji modeli nga Andrea dhe Francesco Venier e Melchiorre prej Imole në 1458; disa restaurime dhe disa shtesa iu bane prej Turqve.
Në kala, ngjitesh përmes nji rrugë të pjerrtë e me dredha-dredha prej pazarit, i cili pjesërisht asht shtrue në lashtësi prej venecianëve
Në të majtë tonë, vargani i kodrave ma të ulta bashkohet si mbi nji shalë me at të kalasë; ma e afërta e së cilës quhet Kara Hasan o Hasan Pasha i Zi, i cili e sulmoi prej kësaj ane që asht ma pak e pjerrët.
Në fund të kthesës, na shfaqet pamja piktoreske e Zadrimës dhe, nën kambët tona, blloku i hijshëm i “Xhamisë s’Plumbit”, me ato kuplat e shumta.
Rrethi i parë mbrojtës përbahet prej nji muri edhe nji hendeku mezi të dukshëm prej një distance, po i gërmue thellë; që asht kenë vorri i mija turqve, në rrethimin e vjetit 1474, të cilët u shtynë me kamxhik e me shpata edhe prej vetë sulltani. E dyta asht e ashtuquajtuna barbaxhan, nji kompleks i ndërthurun muresh, korridoresh të mbulueme, kazermash edhe ballkonesh me u mbrojtë prej gjyleve, të atyne që kujdeseshin me mbrojtë hymjen; e cila mban emnin Vito Jonima (prej familjës së e Jonimëve që ne tashma i njohim) sepse ishte ndërtue në tokën e pronave të tij; e ku bajnë pjesë dy porta të mëdha, e para autonome, e dyta poshtë e lidhun ngushtë me mbajtësen.
E para, kunorëzueme tashma nga Luani i Shën Markut, tash ruen vetëm bishtin e tij; brenda, prej qemerve me u mbrojtë prej bombave, rrjedh uji i pasun me gëlqere, duke i veshë gurët me nji shtresë të bardhë stalaktiti; çka legjenda popullore e mvesh atë me kujtesën poetike të princeshës e cila u murue si një viktimë lehtësuese për ndërtuesit e saj, e kur të kishin mbrritë te gjoksi i saj ai do të lihej i zbuluem për me ushqye me gji foshnjën e saj; ndërsa gratë shkodrane do të vinin për nji kohë të gjatë me kërkue ilaçin galaktoforik. Midis portës së parë dhe së dytës na mund të sodisim prej afër edhe mbetjet ma të rafinueme të Venedikut, e ma mbas futemi në mbrendësi të saj.
Rikthehemi me e pa. Ai rrethim i parë duket si nji perde e fuqishme e ndërpreme në të djathtë të portës prej nji dhamb o platformë edhe ma tej prej nji kullë e rrumbullakët, e përjetësuene në rrethimin e vjetit 1474, prej rezistencës heroike të kapitenit venecian Carlino. Diku në skaj të së majtës sonë duhej t’ishte nji Belvedere, po tashma ajo asht shkatërrue si shkak i tërmetit në vjetin 1906.
Sheshi i parë në të cilin gjendemi ndahet nga mbrenda prej nji rrethimi të fuqishëm e të fortifikuem, i ardhun nga përvoja e rrethimit të parë turk, duhet kallzue se sheshi i vetëm dhe i rrafshtë se dëshmon vetem se nji shpat plotësisht i hapun në kodrën e Kara Hasan, shfaqej tejet i pambrojtun përballë zjarrit të artilerisë; prandaj duhet të jetë nda përgjymë përmes kësaj lloj diafragme.
Tue kalue aty vërejmë nji ndërtesë me formë që na zgjon kureshtje në të djathtë. S’asht tjetër veçse katedralja e lashtë, e cila ma vonë asht kthye në xhami e së fundi në nji depozitë pluhuni e plehnash. Ndërtesa, tejet modeste, e orientuem përafërsisht drejt perëndimit si zakonisht, asht serbe, ose ma mirë me thanë gotike, sipas stilit të importuem prej nji mbretneshe frënge që hyni në familjen Nemanja.
Sidoqoftë, portiku solid i Rilindjes së ashpër që i qindron përbri në veri-perëndim asht venecian; minarja në qoshe asht e mbjellë mbi bazën e nji gjymtyre të vjetër ndërtese që duhet të ketë qenë pagëzimorja ose sakristia.
Rrethimi i fundit edhe ma i mbrojtuni i kështjellës organizohej zakonisht prej Kështjellarve, i cila realizohej, nën komandën e një kapiteni, që quhej kapidan.
Mbrenda mund të shihej pallati madhështor i kapitenit dhe i kontit në të majtë. N’at oborr duhet të ketë ndodhë episodi i famshëm i Antonio Loredanit, mbikëqyrës gjatë rrethimit të vjetit 1474, i cili para ushtrisë dhe popullit të rraskapitun nga etja dhe trazirat, doli tue grisë rrobat, dhe mbasi ua hapi gjoksin i ftoi me pin gjak prej tij, kështu u rezistue edhe nji ditë e vetme: Të nesërmen ushtria turke u largue prej rrethimit!
Në skajin fundor ndodhet një belvedere (vend dominues) që e meriton plotësisht kuptimin e saj ushtarak, sepse mes shumë panoramave të bukura që ofron kjo rrafshinë, ajo paraqitet ma e bukurën dhe ma interesantja.
Prej aty mund të soditet krejt rrethimi i pafund i maleve që qarkojnë Shkodrën. Larg në lindje Alpet Shqiptare dhe Mali i Zi; në juglindje Malet e Dukagjinit, Mali i Sardës, Shën Marku i Danjës dhe Mirdita. Më afër asht Taraboshi, i cili në vitet 1912-1913, dëshmoi qartë at mënyrë të tmerrshme që aq mirë e kishte pagëzue Coronelli me fjalën metaforike: “malet që rrahën Shkodrën”; ndërsa ma poshtë në fushë shtrihen kodrat e Bushatit, Bërdicës dhe Beltojës.
Shkodra asht e gjitha e rrethueme prej ujnash si t’ishte nji ishull. Poshtë liqenit duket rrjedha e tij Buna; n’anën tjetër të vargut të kodrave zbret prej maleve Kiri, i cili nën këmbtë e tyne bashkohet me Drinasën, nji degë e Drinit, që vjen kah Danja edhe derdhet në Bunë: e që shërbejnë edhe si rrugë lumore.
Nga rrugët tokësore, njena vjen prej Lezhe për në Bushat, e cila aktualisht asht e hapun; në lashtësi ndodhej rranzë maleve të Mirditës, edhe paguente doganë në Danjë e prej andej vazhdonte drejt Shkodrës.
Përgjat Bunës, në të djathtë të saj asht rruga që prej porti te gryka e Bunës, për në Sovajcën mesjetare, e cila e ndihmon disi edhe trafikun. Drejt maleve në njenën anë asht rruga drejt Podgoricës dhe Malit të Zi (via Dioclea), në mes të Drivastit dhe Urës së Mesit, drejt juglindjes ajo e Danjës që të çonte në Mesia Romake, pra në Serbi.
Asht e kuptueshme randësia e kësaj nyje dhe bahet e kjartë pse luftat kanë ndodhë aty.
Prej rrugve që zbresin prej maleve, ushtritë turke zbarkuen në fushë, tue mbajtë mbi shpinat e deveve vegla bronzi për derdhjen e topave; që u vendosën në Zadrimë e aty fushuen; dhe pushtuan rrafshinën përreth, tue ndërpre komunikimin me Drinasën, që merresh vesh me Shkodrën përmes sinjalesh drite. Përgjat Bunës dhe në rrafshinën buzë liqenit truprojat ngritën shkritoret e topave. Ende sot kjo zonë quhet “tophanë”, çka do të thotë fabrikë e artilerisë.
Në Bunë zbarkonin deri edhe anije të quejtuna marciliane madje edhe galerat veneciane vinin për ndihma. Edhe Ivan Cernojeviçi prej Taraboshi zbriste me varka në liqen.
Edhe aty thuejse luftohej nën hijen e shigjetave (kishte mjaftueshëm për me ngrohë mirë furrat) edhe nën breshërin e topave të hatashëm prej guri dhe mortajave, që rrëzonin gjithçka. Për fat, me përjashtim të disa ndërtesave kryesore, mbetjet e të cilave mund të shihen edhe sot, banesat përbëheshin nga kasolle druni, që edhe sikur të dëmtoheshin nuk ishte diçka e madhe, ndërsa njerëzit jetonin në pjesët e nëndheshme të kalasë.
Artikulli asht sjellë prej At Giuseppe Valentini S.
J. u botue në Nr. 6 – Viti II i Drini – Buletini Mujor i Turizmit Shqiptar –
Tiranë, e premte 1 gusht 1941.
Fotografitë origjinale marrë prej Arkivit të Franco Tagliarini
Përgatiti dhe përshtati për botim Jozef Radi
Linku nga u mor https://www.albanianews.al/cultura/storia/padre-giuseppe-valentini-castello-scutari