
“Kaleidoskop” i Klodi Strallës, në librat me të zgjedhur të bibliotekës sime
nga Viktor Pojani
Sot mbarova se lexuari librin “Kaleidoskop” (foto1) shkruar nga Klodi Stralla – miku im i hershëm (që kur ishim gjimnazistë) dhe i përhershëm.
Fiks si sot, një muaj më parë [e mbaj mend, sepse 13-a është nr. im i mbarësisë] ma dhuroi me dedikim, duke e shumëfishuar respektin dhe mirënjohjen time. [Në bibliotekën time modeste, tek këndi i librave të dhuruar me dedikim, ruaj edhe librin e babait të tij, Niko Stralla. (përgatitur për botim nga Klodi)
Libri është një mozaik madhështor kujtimesh, meditimi dhe informacioni. Gjatë leximit nga faqja në faqe [jo “me një frymë”, sepse nuk është roman që të tërheq me subjektin dhe mezi pret të mësosh si përfundon] u mrekullova përherë e më shumë. Njëlloj si, të vegjël, kur mrekulloheshim nga mozaikët shumëngjyrësh dhe shumëformësh, që na shfaqeshin në lodrën e rrallë të fëmijërisë sonë, kaleidoskopin, që është edhe titulli i librit – një gjetje e goditur nga autori.
Rrallë ndodh që titulli i një libri (aq me tepër, me një fjalë) të prezantojë kaq saktë përmbajtjen e tij! Vërtet autori, ngjitet shumë lart – në universin e dijeve – dhe shikon shumë larg, deri në lashtësi – në larminë e historisë njerëzore – për të qëmëtuar “përbërësit e mozaikut” me të spikatur dhe për t’ia sjellë lexuesit në një “spektakël të larmishëm gjithëngjyresh”: nga shkenca, historia, filozofia, letërsia, artet; nga shoqëria, politika, gjeopolitika dhe sociologjia… etj
Gjuha është e thjeshtë, gjë që e bën mozaikun, e “shkëlqyer” në përmbajtje, por jo “verbues” për sytë e çdo lexuesi.

Në më tepër se gjysmën e librit (IX. Publicistika) autori na shpërfaq anën me të ndritshme të formimit të tij intelektual (me arsim të lartë në shkencat natyrore – fizike; edhe shoqërore – juridik) dhe integritetit qytetar. Në statuset me temë nga aktualititi brenda dhe jashtë vendit, autori i analizon problematikat e shoqërisë me vështrim të kthjellët dhe konkludon me një logjikë të shëndoshë. [ndryshe nga këta që, rëndom, shohim në studiot e tv-të vetëshpallurit analistë – që mendjen ua orjenton dhe errëson paraja]
Shkurt, brenda formatit të fb-ut, libri “Kaleidoskop” është për mua nga librat me të zgjedhur të bibliotekës sime, libër enciklopedik i njëvlershëm me librin “Atlas i ilustruar i Filozofisë” (foto 2)
[Të dy këto libra janë pjesë e atyre pak librave të zgjedhur nga unë, që mund t’ua shpie fëmijëve në Amerikë sa jam gjallë]
Viktor Pojani