back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Lazër Radi… Kam besuar se Shqipëria do ta kishte nji 20 shkurt…

Gazeta

Lazër Radi - Romë 1991
Lazër Radi – Romë 1991

Kam besuar se Shqipëria do ta kishte një 20 shkurt…

Remzi Lani interviston Dr. Lazër Radin

Zeri i Rinise 2 Maj 1992

Dr. Radi “Zëri i Rinisë” që ka intervistuar personalitete të njohura të politikës, kulturës dhe shkencës shqiptare ju drejtohet pak me vonesë. Le ta themi hapur, ne nuk ju njihnim. Ju ishit një nga ata të cilët regjimi ju kishte dënuar përveç të tjerash edhe me “heshtjen totale”, apo jo? Së pari falenderoj “Zëri i Rinisë” që vazhdon të mbetet derë e hapur jo vetëm e njerëzve të kulturës, shkencës dhe politikës, por edhe e njerëzve të panjohur, të dënuar me heshtje gjysëmshekullore! Këtij kalvari, shumë si unë, i provuan të gjitha, që nga burgu, internimi, demaskimi, izolimi, ndëshkimi i fëmijëve e gjer tek heshtja e indiferencës totale. Në të vërtetë heshtja jonë ishte protestë, por edhe një lloj mimetizimi përballë makinës së tmerrshme të diktaturës shqiptare. Këtu do të kujtoja fjalët e oratorit të famshëm të parlamentit francez Abatit Sejez, i cili gjatë gjithë periudhës së terrorit të Revolucionit Francez s’e hapi gojën dhe, kur pas rënies së Robespierit e pyetën: “Ku ishe Abat gjer tani?”, ai u përgjegj: “Zheveky” d.m.th. (jetova – munda ta nxjerr kryet gjallë…) Heshtja në kohën e diktaturave është diçka krejt normale dhe e zakontë, por heshtja me të cilën të mbulon demokracia është e tmerrshme. Të dalësh nga heshtja duke ulëritur, duke kërkuar të ngjitesh në piedestal persekutimin tënd, nuk më duket diçka e arsyeshme për cilindo intelektual. Sot, për mendimin tim, flamurin e persekutimit kanë nisur ta ngrenë lart të përkëdhelurit, ose mediokrit e djeshëm. Prandaj kam zgjedhur heshtjen përballë kësaj lufte ku shumkushi rrëket të mbajë flamurin.

Renia e bustit-Enver Hoxha
20 shkurt 1991 – Rënia e shtatores së Enver Hoxhës

Jeta e juaj në një farë mënyre ndahet në katër periudha: fëmijëria në Kosovë, rinia në Shkodër, koha e mesme në burg dhe internim, dhe së fundi pleqëria në demokraci. A do t’ishit dakord me këtë ndarje? – Kam lindur në Prizren dhe jam larguar prej andej në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Kam mbaruar Gjimnazin e Shkodrës në vitin 1938, në kohën e artë të viteve ‘30, ku shumë prej figurave të asaj kohe i kam njohur direkt ose indirekt. Ju nuk më kujtoni periudhën e tretë të jetës sime: studimet në Universitetin e Romës, ku kam mbaruar juridikun dhe jam lauruar në filozofinë e së drejtës me maksimumin e votave. Kjo është periudha më e trazuar dhe më energjike e rinisë sime. Në moshën 28 vjeçare i nënshtrohem diktaturës gjer në ditët e dhjetorit të 90-tës.
Keni njohur Migjenin, Qemal Stafën, Ernest Koliqin dhe intelektualë të njohur të viteve ’30. Cila është optika e juaj për vitet 30, ende të paqarta për lexuesit tanë? Me Migjenin kam patur fatin ta kaloi një verë të tërë më 1936, viti i krijimeve të tia më të bukura. Me Qemal Stafën kam qenë në një klasë në Gjimnazin e Shkodrës dhe kemi qenë bashkpunëtorë shumë aktivë e të ngushtë në shoqërinë “Besa Shqiptare”. Ernest Koliqin e kam patur mësues ne Gjimnaz, udhëheqës shpirtëror në krijimet e mia letrare dhe më vonë koleg në Universitetin e Romës.
Vitet ’30 u bënë vazhdimi më i bukur i rilindasve dhe i pasrilindasve. Gjëja më e bukur e shkrimtarëve të rinj të atyre viteve ishte përpjekja e tyre fisnike për ta bindë veten dhe lexuesin se jeta shqiptare fshihte në gjirin e vet një bukuri dhe një atraksion të tillë sa me të vërtetë e meritonte ta jetoje. Do të mundohem të paraqes një vizion apo një optikë, siç thoni ju, të asaj periudhe ende të paqartë për lexuesin e sotëm. Shqipëria e asaj kohe nuk kishte akoma një qendër kulture që të rrezatonte mbi tërë vemdin. Tre qytetet kryesore me një jetë kulturore të vetën, ishin Shkodra, Gjirokastra dhe Korça. Në Shkodër botoheshin dy revista “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, që kishin një nivel të lartë kulturor, ndërsa dy revistat e tjera “Cirka” dhe “Kumbona e së Diellës” synonin t’u drejtoheshin lexuesve mesatarë. Ndër to rriheshin probleme shoqërore e letrare, por, që të gjitha kishin për qëllim ta ngrinin Atdheun tonë në një shkallë të qytetërimit europian. Në Gjirokastër dilte gazeta “Demokracia” e Vangjel Koçës dhe e Branko Merxhanit. Rreth kësaj gazete ishin grumbulluar një grup të rinjsh vullnetmirë, të cilët, nën drejtimin e Branko Merxhanit po inicioheshin në filozofinë dhe sociologjinë moderne. Edhe Korça kishte një rreth të mirë të rinjsh intelektualë, që vazhdonin traditën e tyre të famshme në fushën letrare e shoqërore. Tirana, vendi më i prapambetur nga pikëpamja kulturore dhe intelektuale, në Vitet ’30 nisi të luajë një rol shumë të rëndësishëm: po bëhej qendra e unitetit kulturor kombëtar. Pra, forcat intelektuale të periferisë nisën të lakmojnë kryeqendrën ku nisi të marrë formë e shtat unjisimi kombëtar. Nuk mund të rri pa përmendur këtu lëvizjen letrare të të rinjve të grumbulluar rreth revistës “Illyria”. Redaktorë të kësaj reviste ishin Branko Merxhani, Karl Gurakuqi, Vangjel Koça, Odhise Paskali, Anton Logoreci, Ismet Toto, Ernest Koliqi, Stefan Shundi, Lazër Shantoja, Et’hem Haxhiademi, etj. etj.
Duke gjykuar politikisht mund të them se të gjithë intelektualët e rinj të viteve ’30 ishin në barrikadën kundërshtare me qeverinë dhe mbretin. Por, për hir të bashkimit të kombit, ishin gati të bënin edhe lëshime po të shikonin një kthesë reale të klikës sunduese. Për fat të keq ato reforma e lëshime që bënin sundimtarët nuk ishin tjetër veçse lojëra dhe manovra politike. Ata nuk e kuptuan apo nuk deshën ta kuptojnë se ishte një domosdoshmëri, një nevojë imperative, që kombi të futej në rrugën e demokracisë dhe të përparimit. Ata nuk e dëgjuan zërin kushtrimtar që po rrihte në kuadratin e historisë shqiptare. U rrëzua qeveria liberale e Mehdi Frashërit. Mehmurët patën frikë nga kultura: Shqipëria mori rrugën e greminës. Megjithatë, Vitet ’30 mbeten periudha më e artë e letërsisë shqiptare.

Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936
Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936

Si e gjykoni ju Migjenin? Si e vlerësoni trajtimin që i ka bërë atij kritika letrare e realizmit socialist? Migjeni ishte një njeri jashtëzakonisht i thjeshtë. Vetëm një verë kam jetuar me të. Ai i jepte një rëndësi të veçantë qëndrimit dhe sjelljes. Në çdo çast të ditës që nga paraqitja e jashtme të ngjallte respekt. Sëmundja e bënte të ndjeshëm ndaj gjithçkaje. Ishte sa entuziast, aq edhe i trishtë. Duke patur një kulturë solide dhe integrale, ishte një njohës i thellë i Niçes dhe i ditirambeve të tij, një adhurues i Shopenhaurit, prozën e të cilit e konsideronte si model të prozës elegante. Njihte mjaft mirë prozën dhe poezinë ruse të pararevolucionit, dashuronte me shpirt, duke ndjerë afinitet me poezinë e Branko Radiqeviçit dhe të Leopardit. Studjonte Dostojevskin dhe kishte libër të nënjastëkut “Vëllezërit Karamazov”. Lexonte me dëshirë gjithë veprat bashkohore e moderne që botonte “No-lit” (Nova Literatura). Gjithashtu lexonte me ëndje Naimin dhe adhuronte Koliqin. Ndoshta nën ndikimin e tij ai nisi të shkruajë “Novelat e qytetit të veriut”. Pra, midis kësaj gjendjeje komplekse shpirtërore e kulturore ai ngriti veprën e vet. Migjeni nuk ishte një mit, mit atë e bëri zhdukja e papritur. Ai qe një rrufe: midis flakës, gjëmimit dhe zhdukjes qe një periudhë aq e shkurtër sa askush s’mund të besonte në vdekjen e tij. Figurën e tij e rrit fakti, se ndërsa shkrimtarët e tjerë të Viteve ’30 rrekeshin të gjenin drejtimet e duhura letrare, Migjeni ishte konkret dhe i drejtpërdrejtë, si një poet europian e modern. Ai e shtroi trasenë ku duhej të ecte letërsia shqiptare. Për sa i përket “Kritikës së realizmit socialist”, ajo i dha një pamje të njëanëshme duke ia ngushtuar hapësirën e duke ia marrë frymën. Me siguri Migjeni do të ndjehesh i fyer përballë një gjykimi të tillë.
Keni botuar një pjesë të kujtimeve tuaja për Koliqin. Varri i tij gjendet në Itali, librat e tij nën çelsa të rëndë, vetëm si kopje të rralla të arkivit. Si e përfytyroni takimin e lexuesit të sotëm me Ernest Koliqin? Vërtetë kam botuar diçka të thjeshtë në shenjë kujtimi për profesorin, mikun dhe kolegun tim. Do të doja të bëja më shumë sepse kam vënë re se ndërmjet shkrimtarëve të çensuruar përmenden dendur Fishta, Konica dhe lihet në gjysëmheshtje Koliqi, intelektual i mirëfilltë, poet, prozator, studiues, përkthyes e krijues i Institutit të Studimeve Albanologjike në Universitetin “La Sapienza” të Romës.
Është tronditës fjala e juaj “librat e tij nën çelësa të rëndë, vetëm si kopje të rralla të arkivit…”. Por unë mendoj se ky harrim qëllimkeq do të kalojë shpejt. Para disa ditësh më ra në dorë një botim i mrekullueshëm i Koliqit “Tregtar Flamujsh” nga Shtëpia Botuese “Buzuku” në Kosovë. Akulli u thye! Të mendosh se sa shumë mund i është dashur këtij populli për ta krijuar kulturën e vet kombëtare dhe të shohësh me sa lehtësi janë përpjekur ta shkatërrojnë këtë kulturë: të pushton një trishtim i tmerrshëm.
Megjithatë Koliqi sot është përballë dyerve të hapura të Shqipërisë. E, më parë se të vijnë eshtrat e tij nga ekzili, duhet të hiqet pluhuri i veprës së tij. Sigurisht, pasi të jetë lexuar vepra e tij nga rinia shqiptare ai nuk do të ketë nevojë për monument, sepse vetë vepra e tij do të jetë një monument.
Dr. Radi, pasi folëm për “të tjerët”, le të flasim për ju. Ç’kanë qënë për ju këto 45 vjet të sundimit komunist?Nëse është një kor i madh sklleverish i përmasave të një populli që akuzon dhimbshëm, unë jam një zë i këtij kori. Në kulmin e rinisë e të vrullit, iu nënshtrova burgut, pas meje gruaja, na vdiq fëmija. Pas daljes nga burgu kalvari i pafund i interrnimeve nëpër kampe të panumërta. Isha laureuar doktor në drejtësi dhe avokat, e megjithatë m’u desh të punoja si bujk i thjeshtë, si marangoz, si manipulues plehërash organike, si hekurkthyes, si bojaxhi, si disenjator etj. etj., vetëm e vetëm për të mbijetuar. Unë nuk mund t’i them me dy rreshta, se ç’ishin për mua 46 vjetët e diktaturës. Pësova po atë fat që pësoi intelektuali dhe kultura shqiptare në përgjithësi. Sot kam dëshirë që gjithnjë e më pak të flas për këtë kohë, në mënyrë që vetë heshtja të japë përmasat e nji largësie sa më të madhe prej asaj që të shohin edhe të tjerët ma qartë. Ndërkohë, kur çdo fjalë mund të kthehej në akt-akuzë, kam punuar diçka, si kujtimet e mia, dy a tre libra me poezi, disa studime si dhe disa përkthime nga gjuhë të ndryshme. Vërtetë kjo është fare pak por është diçka!
A shpresonit se jeta juaj do të kishte edhe këtë fazë të katërt, siç e quajtëm ne? Cilat janë preokupimet tuaja aktuale? – Sa më të vështira ishin kushtet e jetës, aq më e madhe bëhej shpresa. Shpresa është gjëja e fundit që vdes tek njeriu. E them sinqerisht se e kam besuar ardhjen e kësaj dite. E kam besuar se Shqipëria do ta kishte një 20 shkurt, të cilin arrita ta shikoj me sytë e mi. Sot besoj se një ditë jo të largët ta shoh edhe Shqipërinë e Vërtetë. Kjo kërkon jo vetëm durim e qëndresë, por duhet t’i përgatiten edhe kushtet kësaj dite. Nëse do t’i japim shpejt trajtën shtetit demokratik, nëse do të dotë arrijmë të forcojmë lidhjet tona me botën, nëse do të mund të merremi vesh mesvedit, kjo ëndërr e trazuar do të jetë fare pranë realizimit. Kësaj ëndrre sot i kam kushtuar gjithë energjitë e mia.

No comment!!
Si intelektual, si i gjykoni ritmet dhe tendencat e zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Si ish i persekutuar si i gjykoni raportet, marrëdhënjet ndërmjet “fitimtarëve” dhe të “mundurve”. – Diktatura dhe vetizolimi i gjatë kanë përçudnuar shpirtin demokratik të popullit shqiptar. Sot flitet shumë për demokraci e për demokratë. Por, a kemi sot demokraci të vërtetë? Them se jo! Dhe pse populli shqiptar e dëshmoi gjatë kalimit nga diktatura në demokraci, sot e përditë ndodhemi përballë paradoksesh. Ndodh që populli të jetë më demokrat se parlamentarët e vet. Pra, parlamenti duhet të bëhet një shkollë ku do të mësohet parlamentarizmi, shqetësimi qytetar, sensi i tolerancës dhe i mirëkuptimit. Një gjë e tillë nuk arrihet lehtë. Duhen spastruar ose si i thonë sot rëndom “rinovuar” mendësitë. Duhet spastruar rutina dhe institucionet nga mendësitë frenuese, duhet luftuar psikologjia e tarafit, e ryshfetit, e parazitizmit dhe e korrupsionit. Sot është koha e provës dhe e aftësive. Tendencat e zhvillimit duhen doemos të na afrojnë me Europën, ta fitojmë kohën e humbur dhe t’i bashkohemi asaj me dinjitetin tonë karakteristik. Nuk mendoj se ka fitimtarë dhe të mundur, të gjithë jemi fitimtarë nëse do të dimë të drejtojmë këtë anije drejt brigjeve të Europës. Fitimtarët janë përballë provës, të mundurit përballë si opozitë. E domosdoshme është konvergimi i të dyja palëve në interes të popullit. Si ish i persekutuar mendoj se midis fitimtarëve mund të kish elementë më cilësorë nga rradhët tona… Duhen luftuar formalizmat dhe përpjestimi dhe të futen realisht në punë individë kompetentë e të aftë për t’u përballuar me detyrat e mëdha të kohës.
“Letërsia e burgjeve” filloi të botohet. Ju jeni një nga ata që keni shkruar në burg. Si e mendoni inkuadrimin e “letërsisë së burgjeve” në kuadrin e përgjithshëm të letërsisë shqipe? -“Letërsia e burgjeve” që ka filluar të botohet, është shënja e parë e demokracisë. Ajo ka një specifikë të veçantë sepse është ngarkuar me protestën, revoltën, gjendjen shpirtërore si dhe dëshirën për liri. Do të ishte mirë të ngrihej një grup pune për mbledhjen, redaktimin, studimin dhe botimin e këtyre shkrimeve të ndihmuar nga shteti, sepse jo gjithçka e shkruar burgjeve do të hyjë në thesarin e letërsisë kombëtare. Nuk më duket i gjetur emërtimi “Letërsi e Burgjeve” sepse së fundi kam lexuar poezi të pabotuara të Moikom Zeqos dhe të Xhevahir Spahiut, të quajtura “poezi sirtaresh”. Shumë të tjerë nuk kanë shkruar nëpër burgje, por rrethana të përafërta me burgjet. Për mua do t’ishte më dinjitoze të quhej “Letërsi e Protestës”.
Dosjet: të hapen apo të mos hapen? – Është e vështirë t’i jepet një përgjigje e prerë kësaj pyetjeje, sepse cilado përgjigje do të mbarte me vete rrezikun e një konfuzioni të madh dhe të një çorodije mbarëkombëtare, duke patur parasysh terrorin nëpër të cilin kaloi gjithë një popull.
E zëmë për një çast se dosjet do të hapen. Sigurisht do të riktheheshim në luftën e klasave dhe tek vetëgjyqësitë gjë që në rrethanat e dizekuilibrit të sotëm do të ishte më shumë dëmprurëse për kombin.
Ç’do të ndodhte sikur të mos hapen dosjet. Do të ndodhte që jo vetëm dëshmitarët e rremë, torturuesit, por edhe persekutorët do të livadhisnin sipas qejfit duke penetruar gjer në hallkat më delikate të demokracisë së brishtë shqiptare. Kështuqë duhet gjetur një rrugë e mesme ligjore: një komision i veçantë shtetëror të merret me studimin, arkivimin dhe skedimin e të gjitha dosjeve të veçanta. Presidenti ose një person i ngarkuar prej tij duhet të informohej për çdo hollësi.
Si e keni ndjekur ju zhvillimin e kulturës, paralelisht në Kosovë dhe në Shqipëri, gjatë periudhës së diktaturës komuniste? Kosova i lindi intelektualët që i duheshin, ndërsa Shqipëria i shkatërroi ata që kishte. Shqiptarët nën Serbi jetuan nën një Jugosllavi pak a shumë të hapur ndaj Perëndimit, kurse Shqipëria dhe intelektualët e saj jetuan nën një izolim të plotë. Mbas viteve ’70 shqiptarët nën Jugosllavi e braktisën sa mundën komunizmin dhe iu përkushtuan kulturës dhe studimeve shqiptare duke nxjerrë shkencëtarë, studjues, letrarë e politikanë të kalibrit europian, ndërkohë kur Shqipëria akoma po vazhdon të tulatet me të kaluarën kobzezë.

Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958
Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Kosova! Si e përfytyron ditën e kthimit në Vendlidje? – Kosova! Prizreni, është ëndrra ime më e madhe, dëshira më e flaktë e gjithë jetës sime. Zoti, deri tani, m’i ka plotësuar të gjitha dëshirat. Duket se ka vendosur të ma realizojë edhe ëndrrën time të madhe: të shoh edhe një herë Vendlindjen time, Prizrenin tim. Ditën e kthimit në Vendlindje e përfytyroj si kthimin e Uliksit ne Itakë. Me një ndryshim, ai pas shumë peripecishë dhe aventurash udhëtimore, më në fund, pas njëzet vjetësh, mundi t’i hedhë çengelat në Itakë. Po unë? Po m’u dha mundësia të kthehem në Vendlindje, këtë e bëj pas 62 vjetësh, prandaj edhe malli, edhe dëshira janë tri herë më të mëdha…
Një ndër temat më të nxehta të shtypit të sotëm është roli dhe përgjegjësia e intelektualëve nën diktaturë dhe në proçeset demokratike. Si e shihni ju këtë problem? Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se pa kulturë nuk mund të bëjmë asnjë hap përpara. Do të mbetemi primitivë të përjetshëm! Unë jam kundra denigrimit të intelektualëve. Nuk është i drejtë kriteri – që aplikonin monistët – sipas të cilit njerëzit dhe puna e zhvilluar në një epokë të caktuar të gjykohet e të dënohet sipas parimeve që përfiton epoka tjetër e mëvonshme. Dihet se në një kohë të çoroditur edhe veprimet do të dalin të çoroditura! Në një epokë anormale – siç ishte ajo e komunizmit – do të bëheshin gabime e faje jo nga qëllimi dhe vullneti i keq i vetë njeriut, por nga diktakti i kohës në të cilën kanë jetuar. Shqipëria sot ka një çetë të mirë intelektualësh. Mendoj se është detyrë e demokracisë t’i afrojë këta njerëz t’ua hapë horizontin dhe t’i ndihmojë ta kapërcejnë shok-un e asaj periudhe të mbrapshtë të diktaturës comuniste, në të cilën fati i çoi të lindin, të rriten, të kulturohen dhe të punojnë. Intelektual nuk bëhet njeriu as në një ditë e as në një vit! Duhen sa e sa vite shkolle, shumë studime, shumë djersë e punë për të arritur shkallën e një specialiteti në kulturë, shkencë dhe art. Njerëzit tanë të kulturës që patën fatin e keq t’i shërbejnë diktaturës duhet të përpiqen ta njohin veten, t’i mohojnë mashtrimet doktrinale që kanë mbrojtur, të klimatizohen me vlerat etnike iliro-shqiptare, t’i shtrohen punës duke zbuluar dhe duke zgjuar vlera në gjirin e kombit tonë, të punojnë me devocion për ngritjen dhe rindërtimin e Atdheut mbi baza të shëndosha drejtësie, lirie dhe demokracie. Me një bashkëpunim të tillë, me një grumbullim të tillë forcash intelektuale, do të mund të futemi në rrugën e madhe për krijimin e kushteve të shëndosha për një bashkëjetesë kombëtare të pastër, pa paragjykime e pa qëllime dinake. Ecja e një kombi nga një periudhë e errët në një periudhë tjetër mbarësie e drite quhet rilindje. Këtë rilindje pra e kanë për detyrë t’ia dhurojnë Atdheut ata që dijnë më shumë e që ndjejnë në damarët e tyre gjakun e shqiptarit. Ja kështu e gjykoj unë rolin e intelektualit që vjen nga diktatura dhe që integrohet në proçesin demokratik shqiptar.
Cili është mendimi i juaj për Ismail Kadarenë? Ismail Kadareja së bashku me Rexhep Qosen janë dy shqiptarë të mëdhenj që ka nxjerrë vendi ynë në këtë shekull të njëzetë. Shqipëria do të ketë nevojë gjithmonë për këta ambasadorë të letrave shqiptare.
A besoni në një përparim të shpejtë të Shqipërisë? – Unë besoj në përparimin e Shqipërisë, sepse besoj në vitalitetin e popullit tim. Përsa i përket ritmit të këtij përparimi ai varet nga aktivizimi i qeverisë, puna e popullit si dhe nga ndihmat që mund të na vijnë nga Komuniteti Europian dhe Amerika.
Ju faleminderit.

.
(Zëri i Rinisë, e shtunë 2 Maj 1992)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Kjo intervistë është shfaqja e parë publike e Lazër Radit mbas 48 vitesh persekutim… (2 maj 1992) Asnjë intelektual i përndjekur deri në at kohë nuk kishte dhënë një intervistë të këtij niveli…
    Deri para kësaj interviste, asnjë gazetë nuk botoi ndonjë shkrim të Lazër Radit, edhe pse në mjaft prej tyre ai çoi shkrime. Në pikëpamjen brohoritëse ishim në demokraci dhe kishte shtyp të lirë…
    Në disa prej pyetjeve Lazri përgjigjet, nisur nga besimi se Shqipëria do ta kthente pllakën e do të afrohej me Europën dhe demokracinë e vërtetë… Megjithatë kjo intervistë mbetet ndër ato që pati mjaft jehonë në shtypin e posadalë nga diktatura… Mbas 12 ditësh gazeta “Bashkimi”, botoi një shkrim tejet vlerësues në adresë së kësaj interviste…
    Ky shkrim riparaqitet në “Ditën e Lirisë së Shtypit”, mbasi beteja për një shtyp të lirë e të pavarur është e përjetshme… (testate ne fb. me 3 maj 2019)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.