back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kanali – Poemë nga Arshi Pipa

Gazeta

Skllevërit e Savanës
Skllevërit e Savanës
Poema “Kanali” e Arshi Pipës, shkruar në vitin 1948,
është padiskutim një kryvepër e letërsisë shqipe.
E para, pse nuk është ndonjë fantazi letrare,
po përthyerje e së vërtetës së një artisti në trajtat më sublime letrare;
e dyta mjetet stilistikore dhe tensioni letrar të përdorura aty
janë të një niveli rrallë e të paarritshëm
e treta ajo është shkruajtur me një mjeshtri të tillë të lartë
që e tejkalon fotografinë, pikturën, dokumentarin, filmin,
memuaristikën, sinfoninë bile edhe vetë historinë…
E paraqes këtë poemë me 24 sonete (tingëllima)
e 336 vargje të një rrëqethje përtej asaj që mund të mendohet
në nderim të largimit nga jeta të një 94 vjeçari nga Korça
Petraq Zizi (Peti Bizhka), i cili ka vuajtur në Kampin e Vloçishtit
dhe ka lënë dëshmi dhe skena të atij makabriteti të pabesueshëm…
I lehtë i qoftë dheu këtij njeriu të mirë,
po dhe gjithë atyre që na e përcollën humbjen e tij...
jozef radi, 12 gusht 2018

.

Profesor Arshi Pipa (1920-1997)
Profesor Arshi Pipa (1920-1997)

Kanali*

Poemë nga Arshi Pipa

Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben rrecka e mish njeriu.
 
Mrambje. Dikush përbri qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmi arxhiu.
Ky grindet për pak ujë qi shoku i piu;
ai shan se i vodhën bukën. Hyn nji roje.
 
Shkopinj e shqelma. Britma. Fryn bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, pran1 secili,
e flen kush mundet për at natë me fjetë.
 
Si lazaret rënkon e fshan baraka.
Nesër të gjithe i pret kanali, brraka,
veç atyne q’i pret nji vorr i shkretë.
.
I.Kampi i Vloçishtit (Vloçishti àsht nji katund buzё kёnetёs sё Maliqit) ishte nji hapsinё e gjanё e rrethueme prej telash me gjemba dhe e ruejtun prej disa trupa rojesh sё ngrejtuna rretherrotull. Tё burgosunit – prej 1300 deri 1600 vetё, simbas periudhave tё grumbullimit – banojshin ndёr tri baraka dёrrase tё mbulueme me mushama (qi ndёr shumё vende ishte e shpueme). Ndёr kto baraka kishte tri radhё dykatёshe shtresash dёrrase, nji nё mes dhe dy ndёr anёt, mbi tё cilat, rrastё dhe shtrёnguet nga vendi i pakёt, flejshin tё burgosunit. Sa tё hyjshe mbrendё nji taft i randё qelbёsine tё merrte frymёn.
Tё shterrun qysh ishin nga mundimet, tё burgosunit nuk mund tё pastroheshin si duhet. Gjendja e ujit ishte si vijon: Kishte mbrenda kampit dy pusa, nja dy metёr thellё, ujtë e tё cilёve, ujë gjoli, ishte pёr pastrim. Por ujtë duhej nxjerrё kёndej me anё gavetash, se kova nuk kishte. Shumё, nga lodhja e tepёrme, ja pёrtojshin ksaj pune dhe kishte asish qi pastrojshin llucёn n’ujtë e nji vije qё pёrshkonte kampin nga kuzhina nё gjirizet; mandej shpёrlaheshin me ujë pusi. Ujë tё pijshёm kishte vetёm mё tё hymё tё kampit, ku ishte vendosё nji qyng me disa currila. Por e tillё ishte mizёrija sa, pёr me mbushё nji gavetё, duhej me pritё shumё kohё dhe, kёshtu, shumё pijshin ujë pusi.
Ndёr barakat rrojshin sё bashku ordinerё dhe politikё. Vjedhjet ishin tё shpeshta, tё bame prej ordinerёve, tё cilёt nxiteshin nga rojet qi t’i vidhshin politikёt. Po t’ankoheshe, ndёshkimin e kishe ti dhe jo vjedhёsi: mjafton qi ky tё mohonte fajin. Mentaliteti i rojeve ishte ky: Politikёt janё pёrfaqsues tё klasёs kapitaliste-borgjeze, kurse ordinerёt janё “proletarё”, dhe si tё tillё kanё tё drejtё tё plaçkisin tё parёt. Puna kishte mbrri deri n’at pikё sa njeriu tё flente me trastёn e bukёs nёn kokё.
 
II
Rreshtohet puntorija: ndahet çorba,
dy-tri patate qi vosisin n’ujë.
E shtrihen duert e dridhshme… Po shumkuj,
pse normën nuk e kreu, s’i njomet vorba.
 
Ky ngjyen bukën me krypë, ai nji këpujë
qepe qëron. E shkunden xhepa e torba.
Për nji fundrri kazani mu si korba
t’etshem mbi kërma sulen me rrmujë.
 
Mbasdreke. Diell. Tash lahen, hjekin llucën
nga kofshët; terin petkat; ngjesin arna.
Dikush morritet. Njeni zien do barna,
 
si shtesë për darkën; tjetri qep këpucën.
Nji profesor me syza vetullçil
bythça duhani mbledh e i ban fitil.
.
II.Ushqimi i pёrditshёm nё kamp pёrbahej prej 800-850 gramё bukё, nga dy lugare “gjellё” (zakonisht patate, tё paqёrueme, me voj) dhe nga nji lugare, ma e vogёl, çaj. Si voji nё gjellё ashtu sheqeri nё çaj ishin krejt tё pamjaftueshёm. Njeriu shpenzonte dyfidhin, trefishin, e kalorive tё marruna. Tё pakta ishin famijet qё ishin nё gjendje tё dёrgojshin pako postale. Por edhe dёrgimi me postё nuk ishte i sigurt: shpesh pakot humbshin, shpesh u shpёrndaheshin, arbitrarisht, ordinerёve. Shumё filluen tё mbledhin barishte, pёr me shtue me to volumin e gjellёs; disa u helmuen ksisoj. Kur ndodhte tё kalojshin, tue shkue nё punё, nёpёr tё mbjelluna misri o panxhari, tё burgosunit mundoheshin tё rrёmbejshin ndonji kalli ose panxhar. Pati rasё kur i burgosuni u kap tue zhgulё panxharin: roja e qёllonte me drù kokёs, por ai, i çmendun nga urija, nuk e lёshonte panxharin, me rrezik qi tё vritej nё vend nga roja.
 
III
A mund të quhen njerz? Qe, shikoj!
Fëtyra dheu ku syt e shojtun ngrohen
kur shofin bukën; faqe qi gropohen
e nofulla qi dalin si patkoj.
 
Kambët s’i mbajnë e krahët u rrëzohen.
Si dordoleca lkunden qi vendoi
mbi hunj kopshtari. Njerëz kta ksisoj?
Shaureten janë qi nga vorrezat çohen.
 
Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,
automa kockash, nji bërsi, nji pleh,
ku veç prej emnave dallon e njeh
 
bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,
kusarin, simahorin, lakanderin
prej atdhetarit qi luftoi për nderin.
.
III.Lufta e klasёs u zbatue me tёrbim mbi tё burgosunit politikё: prej ktyne ata qi ishin fshatarё shikoheshin mà pak ashpёr; tё gjithё tjerёt qi s’ishin fshatarё, çkado qi t’ishin: tregtarё ose shkollarё, zyrtarё ose oficerё, pёrfshiheshin nё “klasёn shfrytzuese” qi duhej tё zhdukej.
Ndodhi qi ndonjeni i ksaj “klase” u vesh me tesha fshatarёsh, pёr tё shpёtue nga tёrbimi i rojeve.
 
IV
Por eja tash e shifi ndaj kanalit:
njimijëtreqind vetë, nji mizëri.
Lopata e bela tunden me furi
e qerrkat mbarin plisat e moçalit.
 
Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri.
Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,
a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,
bani – ja vdis: ankimi s’ban dobi.
 
Shef të gjymtuem e pleq ngarkue mbi shpina
dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,
qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.
 
U mshon polici me dajak sa mundet.
Por ndodh sa herë qi njeni sish nuk tundet.
Me vig e çojnë e vigu mbrrin tabut.
.
IV.Nё hapjen e kanalit, nji palё gёrmojshin tokёn (mjetet ishin vetёm beli dhe lopata) dhe nji palё e mbarshin tutje me qerre dore (qerrka); nji palё e tretё bàjashin “skarpatin” d.m.th. lёmojshin faqen e pjerrёt tё kanalit. Qerrkat shtyheshin, ndёr vende mà tё vёshtira, mbi dёrrasa tё trasha. Plot aksidente ndodhёn tue kalue ksisoj me qerrka, kur dhogat bashkojshin dy anёt e kanalit. Mjetet e punёs duheshin mbartё me vete, sado larg t’ishte puna. Mà tё randat u ngarkoheshin “armiqve tё betuar”, d.m.th. njerёzve me nji farё personaliteti, qi jo rrallё ishin mà pleqt e mà tё dobtit.
 
Kanalet e Kenetave te tha
Kanalet e Kenetave te thara

V

Kur bora e Prillit ndritte mbi Gramoz
derisa bryma e vjeshtës rinì knetën,
punuem na pa pushim tue hapun shtretën
ndër baltat e moçalit veshë n’rrogoz.
 
I futeshim kanalit veç me shetën,
bela e lopata. Ushunjzat vijanoz
na thithshin edhe at gjak tuberkuloz
qi kishte ngelë sa me na mbjatun jetën.
 
Sa zente çquhej nata nga mëngjezi
ndër balta zhyteshim deri te brezi.
Humbojshim, shkajshim, bijshim laradash.
 
Ngulej qorras për fund lopata e qitte
nji ndrag gjirizi qi si zifti ngjitte
e duhej flakun tutje mbi tre pash.
.
V.Puna vazhdoi deri nga fundi i Nandorit. Nё kanalin pёr Dunavecin u punue, nё pjesёn mà tё madhe, tё zhytun nё baltё, edhe deri nё brez. Ky kanal, i gjatё disa kilometra, i gjanё mbi 10 metra dhe i thellё mbi 3 metra, qe mà i randi.
 
VI
Kur rojeve u tekej m’u zbavitun
merrshin ndokënd nga puna, zakonisht
fetarë e njerëz shkolle, dhe me bisht
lopate u hyjshin sa t’ishin mërzitun.
 
Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht
qi e ngitte porsi kalin tu’e shetitun
përgjat kanalit, “hyja”, tue i britun…
E ja diftojshin puntorisë me gisht:
 
“Sabotator i poshtër! Klysh i Carit!
Sabotoni po deshët ju të tjerë!”
Zgërdhiheshin, ngërdhesheshin. At’herë
 
dy-tre zuzarë ma t’ligj, shokët e t’parit,
shtymen i jepshin n’gjol që prej skarpati,
dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.
.
VI.Pikturat e dhana nё kёt tingёllim dhe nё tjerёt qi ndjekin, janё vetёm specimene tё torturave qё bàheshin nё Vloçisht. Ditёn ato bàheshin nёn pretekstin e zakonshёm se tё burgosunit sabotojshin punёn, natёn, se gjatё punёs kishin “konspirue” qi t’arratiseshin. – Epitheti “carist” ishte prej mà tё pёrdorunve nё kamp pёr tё cilësue politikёt.
 
VII
Pushonte puna, niste çfaqja vrik.
Merrshin ata qi normën s’kishin krye
dhe i futshin prap n’kanal tue u ndërkrye
ma keq mbi ta, ma t’dobtit, n’epsh sadik.
 
Nji tregtari t’dukuem qi u rrokullye
nga pesha e qerres te skarpati thik
dy përnjiherë iu futën me kamxhik,
me shqelma nëpër llaçna tue e shkrrye.
 
Nji babaj i zhgulun mjekrrën, e pështyjnë.
“Pa shih, derri! Akoma bark më ka!
Ngre këmbët, sqap!… Mos ki merak, baba!
 
Ta heqim ne!” Mandej n’hendek e shtyjnë.
E i kqyrë nji idiot me gojën hapë… I kllasin
befas nji grusht me dhe… mandej gajasin.
.
VII.Ata qi nuk kryejshin normёn, pёrveç se dёnoheshin pa bukё, por edhe torturoheshin mbasi tё lёhej puna. Ishte kjo nji “çfaqje” e pashembull mizorie, mbasi ata qi torturoheshin ishin gati gjithmonё njerёzit qi nuk kishin fuqi kurrsesi ta bàjshin normёn: pleq, tё sёmundё, tё çmendun nga torturat e màparёshme.
 
VIII
Por thue se veç me kaq ngopeshin djajt?
Cilat tortura lanë ata pa çpikun.
Kur u mërzitën vetë tue rrahë, tue fshikun,
frrotën ndërsyen mbi ne posi çakajt.
 
Cubin qi vrau për plaçkë, sifilitikun
rrufjan i s’motrës dhe spijun i t’vllajt,
horrin qi hangri bukë turpin e faj’t,
ata mblodhën, atyne u dhanë kamxhikun.
 
E “Bini atyne qi s’punojnë! – u thanë –
Bini, palaço, t’poshtër! Mirë e keni,
qi anmiqt e popullit ende kurseni!
 
Qi ju gabuet, ata n’errësinë ju lanë.
Dhe shpejt pushteti, ju ai do t’ju falë.
Por kta ktu do t’çfarosen dalngadalë!”
.
VIII.Nё nji farё kohe rojet gjetёn nji mёnyrё origjinale torture: ndёrsyen kundёr nesh ordinerёt, fundrrinë e ktyne, tue u bà agjitacion, tue i kёrcёnue. Ata provuen, por pa sukses, qi t’armiqsojshin edhe tё burgosunit politikё mes tyne. Unë do tё kujtoj ktu rasёn e nji shoku durrsak, i cili, pse nuk ndigjoi me zhytё nё kanal nji shok tё vetin, pёsoi gjithashtu fatin e tij.
 
IX
Ditën asht vallja, natën sarabanda.
Se rraskapitesh ditën, natën flen?
Nuk thom për morrin, qi për trup e gjen
(u msuem me të) si miza dheu ndër banda.
 
E zgjohesh trembshëm… Ndien a veshi t’rren?
Këlthitje t’çjerruna, rënkime t’randa…
Torturohen tash shokët te komanda,
e radha e jote nesër ka me qenë.
 
E ç’nuk na bajshin! Na rrihshin me tel,
lakuriq, e mandej n’ujna handraku
na zhytshin, trupin plagë n’currila gjaku.
 
E na lidhshin me fill prej telefoni
për shtyllat aty pranë krahnuer e bel,
qi t’na pështynte nesrejt divizioni.
 .
IX.Natёn rojet torturojshin tё ndihmuem prej disa tё burgosunve tё cilёt morёn emnin “brigata e zezё”. Tё burgosunit merreshin nga shtrati dhe shpiheshin nё komandё (ose nё nji tjetёr vend mbas telave – por edhe mbrenda telave) dhe aty torturoheshin mizorisht. Mbas torturёs shpesh vinte veçimi. Disa herё veçimin e bajshin – pёr tё dhanё shembull – mbrenda kampit.
.
Diktatura e "Drapër e çekanit"!!
Diktatura e “Drapër e çekanit”!!

X

Proza, jo vargu i mallëngjyem lyrik,
t’i thotë me rend të gjitha sa ktu pati:
t’i çohen flokët, t’i përqethet shtati
kujdo lexon kanalin satanik.
 
Shtat muej me radhë kjo punë e poshtër ngiati.
Kanali i Klosit, e tjetri n’Libonik,
dhe Dunaveci i namun, për anmik:
njizetmijë metra me Devollin mati.
 
E nuk besojshim qysh i kishim ba.
Gjithë kët fuqi ku, vallë, e patën trupat,
kufomat tona t’shtrydhuna si shtupat?
 
Kur larg qe puna katër milje e ma
na zgjojshin natën dhe mes shiut, llaçit
na nisshin trok nën rythmin e kërbaçit.
.
X.Puna e bame prej tё burgosunve nё Maliq àsht e mahnitshme (auktoritetet vetё çuditeshin) kur tё krahazohet ushqimi krejt i metё, mjetet e thjeshta tё punёs dhe natyra e ksaj. Puna nuk qe gjithmonё n’afёrsìt e kampit: pati rasa kur ajo qe 6-7 kiometra larg. Atёherё duhej me u zgjue me natё, me ecё, ose mà saktë, me rendё dy orё rresht pёr me mbrrì nё vendin e punёs. – Puna kryesore u bà nё kanalin e madh pёr derdhjen e Dunavecit, lumit tё Korçёs. Kanale mà tё vogla u hapёn atё vjet nё Libonik, nji tjetёr fshat rranzё Kёnetёs sё Maliqit, dhe nё Klos, nji fshat afёr Korçe. Nji pjesё e tё burgosunve u dёrgue pёr do kohё n’anёn tjetёr tё kёnetёs, pёr me ndihmue nё kanalizimin e Devollit.
 
XI
Zbathun ishim shumica e natja e brymtë
na futej deri n’eshtnat e krahnorit,
anjtun kambsh prej ndragut dhe prej zorit,
me mishin plagë qi dukej mish i krymtë.
 
Ashtu punuem nën diellin e Qershorit
qi ndezte ngjeshun koje dheun e lymtë;
ashtu punuem edhe kur qielli i zymtë
mbi ne përplasi shinat e Nandorit.
 
Me vegla e barrë gjithnduersh mbi sup e krye,
sulmue prej rojesh tue na përzanë
prej mbrapa si kope mbas pune s’lanë,
 
shpesh herë pa bukë pse normën s’kishim krye,
duhej me ngà. O mjerë kush ra e ngeli!
Mbeti aty lmuç si turma e shtypi, e shkeli.
.
XI.Nji pjesë të burgosunish ju anjtën kambët, gja që u shkaktua simbas mendimit të mjekëve prej mikrobeve të llucës së gjolit. Çizmet mungojshin fare shpesh të burgosunit nuk kishin as këpucë. (Unë vetë kam ecë zbathë për shumë kohë).Kur ktheheshim prej pune, rojet, qi vetё ishin tё palodhun, na vёrsuleshin me britma dhe shkopinj, qi t’ecshim sa mà shpejt. Ktё e bàjshin, jo pse drojshin se ndonjeni arratisej (gjatё gjithё kohёs nuk ndodhi rasё e kёtillё), por vetёm qi tё na mundojshin. Domosdo mà tё dobtit rrёzoheshin e vdisshin. Do tё pёrmendi ktu vetёm rasёn e nji tregtari, i cili nё nji shenjë kohe u rrёzue. I biri, i cili i rrinte pranё, e ngarkoi atёherё mbi shpatulla dhe e mbarti der nё kamp. Dha shpirt sa mbrrini nё kamp, dhe tё birit nuk ju dha leja, sadoqi u lut, qi t’ishte pranё t’et kur ky po jepte shpirt, as edhe ta vorroste.
 
XII
Çuditen bota, e nuk çuditen kot,
qysh pyramidat ngrehu Faraoni
dhe Koloseun Romaku ku Neroni
i shpallej shekullit artist e zot.
 
Skllevnit i banë: ashtu pat qenë zakoni.
Kjo ndodhte para nesh me mija mot.
Por eni ktu e binduni ju sot!
Skllevën modern na jemi: krahasoni.
 
Kanale si njato qi nga Moskova
lidhen me Vollgën, penda me centrale
hydroelektrike e ara qi moçale
 
e stepa qenë, dëshmina janë e prova
çka munden skllevnit kur të jenë miliona.
Nji miniaturë e tyne punët tona.
.
XII.Nё pёrdorimin e tё burgosunve ndёr kampe pune, pёr me bà vepra tё mёdhà ndёrtimi dhe bonifikimi Partia Komuniste Shqiptare ndoqi shembullin e Partisё Bolshevike e cila shfrytzoi miljona tё burgosunish nё disa nga veprat mà tё mёdha tё komunizmit.
 
XIII
N’infermerin e kampit, nji kasolle
anash rrethue me hasër, nalt me kashtë,
dergjen ndër qelbësina pesë a gjashtë;
njiqind, dyqind i ke gjithmonë okolle.
 
Pushim ankojnë. Por vjen rreshteri i vrazhtë
dhe krisin hunjt e çizmet n’ato golle
jetës përçudun ngelun veç gëzholle,
e shpesh me shqelma i qet prej shtrati jashtë.
 
E vdesin fatkëqijtë aty te praku,
vdesin hendeqeve ndër brraka gjaku,
vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.
 
Vdesin tue pritun bukën, ndër gjiriza
tue ba nevojën, vdesin posi miza,
dhe si coftina i kallin ndër hendekë.
.
XIII.Infermeria e kampit ishte tepёr e pakёt pёr me pёrballue nevojat. Ndonji herё, ndёr rasa mà tё randa, dhe mbi insistimin e mjekёve, disa tё burgosun u dёrguen nga infermeria nё Spital tё Korçёs. Unë qeshё njeni prej tyne.
“Reshteri i vrashtё” àsht reshteri Hito i burgut tё Durrёsit, mà famёkeqi ndёr tjerёt. Nji tjetёr nga ata qi kryen totura me zell tё madh àsht polici Skёnder Xhemali, i burgut tё Korçёs. Kam dёshmue vetё torturёn qe ky i ka bà nji tё riut korçar, tё çmendun nga mundimet, (Tue qenё ai i çmendun) bash n’infermerin e kampit, ku un ndodhesha.
 
XIV
Ju shelqet e Vloçishtit qi shkëlzeni
kur lehtë puhija gjethin ju valvitë,
te djerri qi veç kallma e driza rritë
uzdajën time ndofta shëmbelleni?
 
Sa herë trishtueshëm un ju kam soditë.
Sot thuprat tueja me na fye i keni.
Por çka ju patë, deh, melodi shpërbleni
kur fyej zanorë do t’jenë ato nji ditë.
 
O lemeri qi goja s’mund ta thotë!
Sa vete u pushkatuen aty me t’kotë
a thue deshtën me kalue përtej!
 
Sa tjerë me shqelma o me hunj u mbytën,
e ende për s’gjalli te ajo gropë u zhytën
qi hapen vetë e mbushën tjerë mandej!
.
XIV.Reshteri Hito pushkatoi me dorёn e vet nё kanal, nё Gusht 1948, tё burgosunin Muharrem Xhixha, nga Kruja. Ai e njifte qysh mà parё Muharremin, mbasi ky ishte i burgut tё Durrёsit. Muharremi u largue at ditё pёr me bà nevojёn, tue ju afrue shenjit tё kufinit, por pa e kalue. Nji roje i briti. Reshteri, qi ndodhej aty afёr, thirri Muharremin, e sulmoi ashpёr a thue se kishte dashё t’ikte dhe, pa e zgjatё, ia zhgrehu automatikun nё gjoks.
I riu Virtyt Gjylbegaj, i burgut t’Elbasanit, u vrà nga trupi i rojes pse u ishte afrue telave natёn.
I burgosuni Sulejman Vuçiterrni, i burgut tё Tiranёs, u padit pёr ikje. Qe vù me hapё nji gropё, tue e mbulue pёr sё gjalli.
Nesim Luarasi, i burgut tё Korçёs, u vrà mbasi mà parё qe torturue pёr vdekje.
 
XV
Eshtnat pa vorr u kalben sot te djerri.
E ashtu sa tjerë u varën vetë me lak.
Çka s’panë kta sy. Dy plagë plot qelb e gjak
le t’ishin, t’ishin pus ku drita shterri:
 
ma pak do t’dhimbshin. – O vegime tmerri!
Kujtesë e dobët qi m’ban prore lak!…
Por sille fletën e pakryeme: Cak
qi s’mund t’arrihet prej gjithkuj asht Ferri!
 
O ti qi vedin ndryshe din nga kafsha!
Ktu eja e shif e shpejt do t’ulet lafsha!
Mënyrat, shijet, etiketa e naltë,
 
sjelljet e kandshme? Koje t’imta ngjyre
qi qytetnimi la mbi brum natyre.
Kruje bilurin pak. Çka doli? Baltë!
.
XV.Ndёr ata qi varёn veten kujtoj tregtarin korçar Koçi Misrarsi. Ata prej tregtarёve qi ngurrojshin me pague tatimet (taksat) e jashtёzakonshme, i morёn nji ditё nga burgu dhe i prunё nё kanalin e Vloçishtit. E tillё qe skёterra e asaj dite sa ndonji, si i sipёrmi, u var po atё natё nё hekurin e strehёs sё barakёs. Tё tjerёt premtuen qё tё nesёrmen se do t’i paguejshin tatimet, tue shitё edhe petkat e shtatit, mjaft qi t’i hiqshin andej.
 
XVI
Shif, vizatoje! Flokët çue si iriq.
me krahët e shpuluem qi duken krraba!
E zhgulë prej dheut, si ta rrëmbente shkaba…
Çka? Nji panxhar!… E e dhamçon lakuriq!
 
Ktu kem pa si grinden djali e baba
për nji kulaç, për nji panxhar dy miq;
si vdekja e shokut asht nji sihariq
kur me fundrrit e tija t’fahet zhaba!
 
Kuadër i denjë për Goya-n: mnerë e krupë!
Njerëz ktu pamë ndër grahma, synin shpellë,
tu’e zgurdullue për bukë, e tu’e përcjellë!
 
E shokët fill tu’e prekun nëpër trup
posa dha shpirt, e tu’i plaçkitun krodhën
e bukës, krypën e çka n’torbë ju ndodhën!
.
XVI.Nji tё burgut tё Tiranёs, tё cilin e zunё tue rrёmbye nji panxhar, i hapёn gojёn dhe i rrasёn panxharin nё gojё, tue e shetitё mandej nёpёr kamp n’atё gjendje.
Kam qenё nё Spitalin e Korçёs kur prunё nji fshatar tё burgut t’Elbasanit. Ishte tue mbarue. Por kur i sollёn para nji sahan me makarona, shpёrtheu syt dhe dha shenjë se donte me ngranё. Njeni i futi nja dy lugё. Nё tё tretёn mbylli sytë dhe vdiq. E kam gjithnji para sysh, me nji fill makaroni tё mbetun nё gojё qi i varej mbi mjekёr… Mandej ngjau çka pёrshkruhet nё treshen e dytё.
 
XVII
E pamë se qysh nga halet mblidhen trohet,
qysh jepet për nji bukë e vetmja kmishë,
qysh hahet djath’i qelbun, voeja prishë,
qysh brehet kocka, bokla qysh thërmohet.
 
E si mandej cingarja ndahet trish
(se dysh u nda ndër burgje qysh prej kohet).
E pamë si prej urije pezmatohet
e bahet kafshë njeriu, e bahet bishë.
 
E kem’ provue ç’asht etja: kur na lejshin
gjith ditën n’diell pa ujë (e jo pse s’gjejshin),
e ngjitej gjuha zam për qiellzë pa jargë.
 
E pijshim ujë kanali. Aty ku bani
shurrën ndonjeni e tjetri edhe pëgani,
nji shok i rreshkun piu, dy hapa larg.
.
XVII.As ujt nuk na u dha nё sasi tё mjaftueshme. Tekembramja, ujë kishte nё kanal le tё pijshim andej!
 
XVIII
E kemi pa se si njeriu nga dhuna
qi mbytë burrnin ma poshtë se shtaza ra,
se si nga friga meshkujt bahen gra,
e bahen shkardha e bahen der spijuna.
 
Njerëz qi dijshim koca kemi pa
kameleonta tue u ba, majmuna.
Por edhe tjetër pamë: si burra e çuna
vdesin torturash, pa kallzue, pa u qa.
 
E nxumë se qysh e ku provohet trimi,
si regjet karakteri nga mundimi,
dalluem se kush asht shok e kush kodosh.
 
E njoftëm t’urtin, burrin e martyrin,
e njoftëm turmën, njoftëm panairin
e shpirtënve qi jepen për dy grosh.
.
XVIII.Heroizmi ndёr kto kushte ishte aq mà i çmueshёm sa mà i rrallё. Dhe shembujt nuk munguen.
 
Burgu i diktaturës...
Burgu i diktaturës…

XIX

Miqsis ktu i endi lavd qi posi çam
qëndron i gjëlber pa ju veshkun fleta,
at qi koha me nder ndër endje t’veta
forcon e rrit kur t’jetë ngulitë për shkam!
 
Larg nga familjet ndër kto vende t’shkreta
sa here nji mik i mirë na u ba vëllam,
aq ma i çmueshëm ku s’ka veç breng e skam,
aq ma i dashtun ku ma pak duhet jeta.
 
Ma i langtë ullini sa ma i ashpër dheu.
Pisha e madhnueshme qi mbi curr shpërtheu
virtytin shfaqë qi lindi prej durimit.
 
Harrohet shoku me kë hove hove
bunjte, dëfreve, nxune ose punove;
po s’harrohet kurr shoku i mjerimit.
.
XIX.Tingёlli endet mbi nji mendim t’auktorit, tue soditun gjolin e Durrsit, pёr me kanalizue gjolin me qёllim me zbulue, si tё gёrmohet toka (“Durrachium-i” romak mendohet se shtrihej m’at anё), monumente tё kulturёs sё vjetёr greko-romake, tё cilat tё dёshmojnё pёr njii shtresё tё màparёshme ilire.
 
XX
N’orët e çlodhjes kur kujtesa e mpime
shkundet ngadalë nga pesha qi e mërtisë,
vidhen prej fundit rrahjet e dashnis
e tingullon nji jeh n’andërr t’nji grime.
 
O paqe e votrës, ambëlsi e fmisë!
Rreze e nji malli t’fortë qi nuk u shkime!
A do t’i shofim prap ato bekime?
A vijnë ma dit’e humbuna t’rinisë?
 
Ashtu mbas andrrash bota ktu përralet,
dhe hulumton mbi shenjat e mbi fallet
se kur ma kjo skëterrë do t’ketë nji fund.
 
N’ato përbindsha ku përgjon gjithkund
m’nji qoshe barku Mortja pa u përpushë,
endet e ndrojtun shpresa si vejushë.
 
XXI
Ky gjol, fole malarje, qi limanin
e lashtë romak me t’soçmin lidhë kundrejt,
nji qytetnim nën vehte ndryn qi u ngrejt
para se vendi t’kishte zot Romanin.
 
Oh ç’andërr burgu qi m’i ndezi dejt
kur veprës me mendim i bajsha planin!
Poet i kombit ktu ndaloje zanin!
Kreshnike asht vepra dhe qëllimi shejt!
 
E shifsha njerzin e lirë me vegla
nëpër kanale tue shpejtue si thnegla,
tokën e hapun der te rranza e malit…
 
E shifsha nji qytet tue dalë prej fundi…
Nji sagë ilire tue burue ndokundi…
Por ka ndryshim kanali prej kanalit.
 
XXII
O Buchenwald, o Majdanek, Dachau!
Kangën për ju qi nisa e nuk e sosa
ktu do ta kryej ku n’mishin tim vulosa
gjithçka n’anmiq Gjermani dogj’ e vrau!
 
I huej ai qe, mizuer për t’huej. Por dosa
ne s’na polli e nuk na llani shqau.
Nji gjak, nji gjuhe prej kombesh tjerë na ndau
qi e murmurojnë dy Drinat edhe Vjosa.
 
Qysh pra vëlleznit tanë punuen mbi ne
t’atillë nji dhunë qi s’banë as turq as shqe?
Nga trolli i vendit duel e u rrit kjo fare?
 
Nji djall e mbolli te nji vend i verbën.
Shqiptarë ata qi e sollën? Queji Serben,
Bullgarë e Grekë e Rusë!… Por jo Shqiptarë!
.
XXII.Ndёr vargjet qi m’u konfiskuen, me rasёn e arrestimit, ndodhej edhe nji poemё e porsanisun mbi kampet naziste tё pёrqendrimit.
 
XXIII
Se qysh tepruem nuk din kush t’përgjigjet.
Topitet shkenca n’pamundsin e vet.
Natyra mshehka mbrenda nji vullnet
të cilit mendja ende s’ja mati ligjet.
 
Se kamp pune ky kurr nuk qe vërtet
por kamp çfarimi ku ndryshojnë veç shtigjet.
O Majdanek ku trupi n’furra digjet!
Por pllambë e dhè, Vloçisht, ke ti skelet!
 
Sa nji për tre, sa nji për pesë punuem.
Hoqëm urinë, lëngatën e torturën.
Rranjët e thella jetës ja diktuem.
 
Jo te sasija e vjamit, as e gjakut,
as te pejzit qi veshin armaturën.
Por te besimi i ngultë, te forca e shkakut.
.
XXIII.Mjekёt nuk dijshin me spjegue se qysh tё burgosunit vazhdojshin me jetue ndёr kushte tё kёtilla. Jo se tё pakёt qenё ata qi vdiqёn, por pritej qi tё zhdukej pjesa mà e madhe. -Kam vёrejtё se ata qi vdisshin ishin mà fort njerёz tё cilёt kishin humbё durimin dhe shpresёn.
Kampi i Vloçishtit qe nji kamp çfarimi. Do tё pёrfundoj tue tregue nji epizod personal. Kur shkova nji ditё t’i kёrkoj leje rreshter Hitos qi tё mos delsha nё punё, ai, si mё kqyri kambёt e anjtuna, mё tha: “Unё tё lashё n’infermeri tё burgut: kur qenke shёndoshur kёshtu?” Dhe shtoi mbas pak: “Po pse tё sollёn kёtu q’andej?” Dhe, mbasi un nuk po bёzàjsha, ai vazhdoi: “Po, qё tё tё marrim shpirtin, ore! S’ta pret mendja kaqё?! Dhe mё kёrkon kёtu leje…” Mё shfryni nji tё shame dhe u nis.
 
 
XXIV
Ajo na mbajti gjallë. Si luleferrë
nga rrota e qerres shkelun rrafsh me tokën,
por qi nuk shtrohet për me vdekë e kokën
neserejt dielli plot uzdajë i pjerrë,
 
ashtu nën rrotën qi për ne që mokën
me shpirt ndër dhambë duruem na kët skëterrë,
lirin’ andrruem te nata e bame sterrë,
e zemrat tona ate për flamur rrokën.
 
Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë
nga tyranija e randë atdheu do t’shkundesh,
dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh
 
ma e bukur do t’shkëlqente besa jonë.
Vuej por qëndro! Merr zemër te burrnija!
E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!
.
* Kanali – Nё Korrik 1948 u dёrgova me nji grup tё Burgut tё Durrёsit nё Kampin e Vloçishtit. Pjesa mà e madhe e tё burgosunve ishte dёrgue atje qysh nё Prill t’atij vjeti. Pёr dy muej qё kishin aty, ishin bà mos me u njoftё prej urisë dhe mundimeve.
Ndёr kto tingёllime nuk ka veçse nji pikturё tё zbehtё tё gjendjes. Ato u shkruejtёn gjatё intervalit tё ndenjёs sime nё Spitalin e Korçёs dhe nё Burgun e Korçёs.
.
Marrë nga “Libri i Burgut” – Eurorilindja; Tiranë fq. 63-79

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Poema “Kanali”, e profesor Arshi Pipës mund të quhet Libri i Zi i Diktaturës Shqiptare. Nëse ndonjëherë do të kërkohet të futet në Antologjinë e Letërsisë Shqipe, më parë duhej të ishte futur detyrimisht në tekstet e Historisë së Shqipërisë.
    Monstrat e diktaturës së Kuqe duhet të mësojnë ta lexojnë dhe të heshtin. Nëse deri sot nuk kanë një Mea Culpa, së paku të heshtin…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.