back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Kanga e Gjergj Elez Alisë”, me komente të Ullmar Qvick

Gazeta

Legjenda e Gjergj Elez Alisë (Piktura 1)
Legjenda e Gjergj Elez Alisë (Piktura 1)

“Kanga e Gjergj Elez Alisë”

me komente të Ullmar Qvick

Gjergj Elez Alia është një hero i të këngëve epike të quajtura Cikli i Kreshnikëve. Kënga Gjergj Elez Alia u regjistrua nga Bernardin Palaj dhe Donat Kurti në Nikaj të Tropojës dhe u botua në Tirane në vitin 1937. Kënga këndohet zakonisht në lahute, ose herë pas here në çifteli nga rapsodë shqiptarë. Kënga është pjesë e një cikli më të madh të Këngëve Shqiptare të Kreshnikëve që u kristalizua në shekujt 17 dhe 18 dhe u regjistruan në formën e shkruar në dekadat e para të shekullit të 20-nga priftërinjtë françeskanë Shtjefën Gjeçovi dhe Bernardin Palaj. (Wikipedia) Sipas folkloristit të madh Qemal Haxhihasani, është një “hero, që gëzon një popullaritet të gjerë në epikën tonë heroike, nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me çetën e Mujit e të Halilit, prandaj është marrë edhe si personazh i një nëncikli më vete në kuadrin e këngëve të kreshnikëve.” (Q.H. në Folklori Shqiptar, Tiranë 1977 f.76).

Ullmar Quick (Miku i Shqiptarëve)
Ullmar Quick (Miku i Shqiptarëve)

Më poshtë është një fragment i shkëputur nga analiza e Ullmar Qvick, suedez, që me një pasion të rrallë jo vetëm ka mësuar gjuhën shqipe, por ka studiuar dhe njeh nga afër zakonet dhe traditat shqiptare. Me përkthimet dhe punën e tij, ai ka bërë të njohur veprat e shumë autorëve dhe njohjen e kulturës shqiptare në Suedi. Në këtë pjesë mund të lexoni komentet e tij për këngën e Gjergj Elez Alisë, aq të njohur në folklorin shqiptar…
***
Gjergj Elez Alia është një figurë e njohur në folklorin shqiptar.
…..
Le të shikojmë tani këngën nëpër vargjet e saj, duke dhënë herë pas here analiza dhe komente:

“Trim mbi trima aj Gjergj Elez Alija!
Qe nand’ vjet nand’ varra n’shtat m’i ka!
Veç nji motër nat’ e ditë te kryet,
ja lan varrat me ujt e gurrës nandvjeçe,
ja lan varrat me ata lott e syve,
ja ter gjakun me ata flokët e ballit,
shtatin vllaut ja shtërngon m’ruba të nanës,
n’petka t’babës trupin ja hijeshon,
armët e brezit ja randon mbi krye!
Sa herë trupin motra p’e tërnueke,
Dhimbn e varrëve vllaut krejt e harrueke,
dhimba e motrës dekun n’tokë e lëshueke!”

Bie në sy menjëherë stili solemn dhe krenar, një krenari shumë e disiplinuar që nuk lejon teprime as në formë, as në përmbajtje. Fjalët “trim mbi trima” përcaktojne karakterin e Gjergjit. Motër e vëlla jetojnë në varfëri: Motra përdor disa ruba të nanës dhe petka të babës për të lidhur plagët e të vëllaut. – Numri nëntë është konsekuent në variantin shqiptar, ndërsa në variantin maqedon (sipas Fatos Arapit) ky numër përdoret vetëm në vargun 51. – Shumë e dukshme në tërë poemën shqiptare është dashuria vëlla-motër, një dashuri tronditëse që bën vëllanë të harrojë dhimbjet e vdekjes dhe shqetësohet për fatin e motrës kur ai nuk jeton më. Për shqiptarët e ditëve tona është me rëndësi të kujtojnë këtë lidhje vëlla-motër si një traditë burimore në kundërshtim me ato tradita negative me ngjyrim fetar sipas të cilave gruaja është një “tepricë”, tradita që çimentojnë epërsinë e burrit mbi gruan…

“Â dalë zani e paska marrun dhenë,
se’i baloz i zi â dalë prej detit,
Trim i prapët e belagji qi ish’ kanë,
Ja ki’ qitun dheut nji rreng të randë:”
“Tim për tim kah një dash të pjekun,
tim për tim kah një vashë me ja djergun,
ditë me ditë kah nji kreshnik me premun,
javë për javë kah një krahinë me djegun!”

Haraçi që kërkon balozi, dhunuesi i huaj, është i prerë dhe i tmerrshëm. Ai ka si synim të nënshtrojë totalisht territorin e pushtuar, të shfrytëzojë pa mëshirë të mirat e vendit dhe të poshtërojë njerëzit, duke shkelur sa më rëndë mbi jetën dhe nderin e tyre. Këto rreshta kanë një forcë të jashtëzakonshme shprehëse, ato tregojnë hapur gjendjen e vështirë të popullit të robëruar. Nuk kam gjetur shprehje aq të forta në asnjë këngë popullore suedeze. – Haraçi duhet të paguhet nga të gjithë (’tim për tim’ d.m.th ’shtëpi për shtëpi’).

Legjenda e Gjergj Elez Alise (Piktura 2)
Legjenda e Gjergj Elez Alisë (ismail Lulani)

Edhe Gjergjit rendi te i ka ardhë,
me lot faqet trimit m’iu kanë mbushë.
Erzi i shpisë qysh lshohet n’dorë t’balozit?!
Ja ka nisë e motra e po bërtet,
krejt me lot Gjergjin p’e loton:
-Po qysh mordja, o vlla, me na harrue?
Nanë e tatë kah kalben për nan bli,
trupi i vllaut vorrue qe nandë vjet në shpi,
trupi motrës n’dorë t’balozit t’zi?!
Qysh s’u shemka kulla me na xanë,
qysh s’u kthyeka shpija n’nji muranë,
me t’pshtue erzin, mori e zeza nanë!”

Themeli i shtëpisë shqiptare ishte i ndërtuar mbi trekëndeshin Besa – Ndera – Burrnija. Dhe tani kjo shtëpi ishte në rrezik; a do të shkatërrohej qe nga themeli? Brengosja dhe dëshpërimi i të dyve duhet parë në këtë kontekst. Kush do të mbronte nderin e shtëpisë kur prindërit janë të vdekur, kur vëllau që nëntë vite dergjet në shtrat dhe motra është mbetur e pambrojtur dhe do të lëshohet në dorë të balozit? Në këtë segment të këngës dëgjojmë dialogun e gjallë plot dashuri vëlla-motër:

Dy copesh zemra djalit iu ka da,
Dy sytë në ballë motrës ja ka lshue,
Dy rigë lot për faqe te i kanë shkue.
Dy fjalë kullës djali ja ka fjakrue:
-He, ju u nxisha, mori sarajet e mija,
me lymashk u mbloshi n’fund e n’krye,
brevë e gjarpën paçi motër e vëlla,
pikët ndër shtroje kaq shpejt qysh m’i lshuet?!
– Jo, more vlla, lum motra, i ka përgjegjë,
t’ka lodhë jermi e s’po di ç’je kah folë;
se përjashta shi nuk asht tuj ra,
sytë e motrës po t’pikojnë, more vlla!
Qatherë Gjergji dorën ja ka shtërngue,
mirë po e limon me ato duert e shtatit,
mirë po e kqyrë me ata dy sytë e mallit!
Kurr ma themshim djali s’i ka folë:
– Amanet, mori motër, pse po kan?
Zemrën dysh, mori motër, pse ma dan?
Që nandë vjet, qi trupi â tu m’u kalbë,
Gjergji i yt tjetër pushim nuk ka,
veç si gjethi i ahit n’log t’shullanit.
A thue s’pate me ngranë e me pi?
A t’la keq ty vllau për veshë e mbathë?
A mos t’u randue, ndoiherë me fjalë,
motërzezës vllau me iu mërzitë,
huj për burrë ndoshta qi me t’ra?
Sa mirë motra vllaut po m’i përgjegjë,
dorën e vllaut tu balli e paska vndue;
– Amanet ku je, mori njomëzeja e ahit,
po e kaq fort, thue, jermi t’ka ngushtue?
Hisha gjallë në dhe, n’t’u martue motra!
Mjaft kam pasë, o vlla, me ngranë, me pi,
mjaft kam pasë me veshë edhe me mbathë,
kurr ma randë se sot ti folë nu’ m’ke!
Tjetër babë nuk kam, as tjetër nanë,
amanet, more vlla, mos m’pasë randë,
për nji dert qi sot po due me t’kajtë!
Qysh s’u njom ky shtat qe nand’ pranvera?
Si s’u mkamb ky trup me dal’ tu dera?
Si s’u tha kjo motër, thafa-e vera?
Po un’ balozit qysh i shkoj tu dera?”

Malsori lahutar (Pikturë)
Malsori lahutar (Pikturë)

Këtu s’ka nevojë për shumë komente, kënga flet vet. Vetëm duhet theksuar me ç’farë gjalleri dhe dashuri flasin motër e vëlla me njeri-tjetrin. Në këtë dialog nuk ka shabllone (mjaft forma të ngurtësuara ekzistojne në poezinë popullore në përgjithësi). Kjo bisedë motër-vëlla ka ngjyrën e freskët të jetës, të emocioneve njerëzore. Në fjalët e Gjergjit dhe të motrës dëgjojmë shqetësimet e tyre për vatrën, shtëpinë, dhe kujdesin e tyre për njeri-tjetrin. Dhe unë si suedez me njohuri për mentalitetin tradicional shqiptar, mund të dalloj në fjalët e tyre krenarinë tipike shqiptare, qëndrimin pa kompromise në mbrojtje të nderit të familjes dhe të individit. Uria, sëmundja dhe hallet e tjera të jetës mund të durohen – por motra në duart e balozit do të thotë thjesht mynxyrë!

“Braf në kamb’ po djali konka çue:
– T’e marrsh gjogjun, motër, të mejdanit,
fill n’gjytet me te, motër, të m’bijsh
e t’më shkojsh tu nallban probatini.
Fal’ me shndet, thuej, Gjergji të ka çue,
me ma math’ me patkoj prej tumakut,
me m’ia u shti thumbat-o prej çelikut,
se n’mejdan balozit due me i dalë.
S’u gjegj gjogun vllathi me ta mbathë,
Hypi atit, bjeri n’der’jaranit.
E në sheher çika konka ra
Edhe â shkue tu nallban probatini.
– Puna e mbarë të kjoftë, more kumbar!
– Të mbarë paç, ti mori vasha e largë!
– Falëmeshndet ty Gjergji të ka çue,
me ma mbathun gjogun mirë e mirë,
me ma vndue patkojt-o prej tumakut,
me m’ja shti thumbat prej çelikut,
se n’mejdan balozit due me i dalë!
Mbrapsht po folë aj nallban probatini:
– Për n’m’i falsh, moj vashë, dy sytë e ballit,
ta kam pshtue vlla-Gjergjin prej mejdanit,
e baj gjokun me fjurue si era!
Se me idhnim çika e kite marrë!
-Ç’je kah thue, bre burrë, goja t’u thaftë!
Jam kan nisë t’u dera e probatinit,
qe nandë vjet, qi gjogu ksajt s’â ra,
m’fal se ndeshkam derën e magjupit!
Se kta sy një her’ un ua kam falë
tatës e nanës qi kalben për nan’dhe,
Gjergjit tem qi kalbet varrsh mbi dhe!”

Nallban probatini është njeri i pabesë. Megjithëse ai është vëllam i Gjergjit, vëllau i tij sipas traditës me gjak, ai tani përpiqet të shfrytëzojë situatën për të kënaqur epshet e tij të ulta. Duke parë bukurinë e vajzës ai e harron besën e shkruar me gjak. Dhe bukuria e motrës së Gjergjit zbulohet në botën e saj të madhe shpirtërore, në ndershmërinë e saj, në dashurinë dhe respektin që ka ajo për të vëllanë dhe prindërit e vdekur. Propozimin e nallbanit ajo e hedh poshtë me përbuzje, duke e mallëkuar (“goja t’u thaftë!”).

“Ka shkue motra tu nallban jarani:
– Fal me shndet, thot, Gjergji të ka çue,
kam orokun e mejdanit,
sa ma mir kët gjok ti me ma mbathë,
Thanë m’ka për patkoj prej tumakut,
me m’ia shti thumbat-o prej çelikut,
se do t’dal m’u pre me baloz t’detit.
Si për vedi gjogun e ka mbathë
Edhe n’pramje çika â dredh në shpi;
ka gjet vllan tu e pritë nën hije t’blinit.
Ça kish ba njaj trimi Gjegj Alija?
“Falëmeshndet” balozit m’i ka çue:
– Me dalë heret n’at fushë t’mejdanit!
Çikë për ty, baloz, nu’m’ka qillue,
desht e vathit për ty nu’m’janë majë,
sall nji motër, nu’po muj me lshue,
varrët e shtatit s’â kush qi m’i lidhë!
Sa ka nisun drita me zbardhë majet,
N’fushë të mejdanit trimat konkan dalë.
Keq me fjalë trimat shoshojnë po rrekin:
– P’a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue…?
Pse me m’qitë, bre burrë, n’ket fushë t’mejdanit?
Sa mirë trimi i ka përgjegjë balozit:
-Të lumt goja, baloz, mirë po thue!
Qe nandë vjet qi kam marrë rrugën e vorrit,
Pak pa mrrijtë baloz, ti m’ke dredhue.
M’ke lypë motrën para se mejdanin,
m’ke lypë berret para se çobanin
e jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
se ne t’parët nji kanu na kanë lanë:
“Armët me dhanë përpara e mandej gjanë,
kurr balozit motrën mos m’ja dhanë,
për pa u pre n’at fushën e mejdanit!
Por shtërngou, baloz, se t’ka ardhë dita,
se ktu i thonë-o Gjergj Elez Alia!
E i kanë ba dy gjogjat tim me tim
e n’topuz balozi e ka shinue.
N’dy gjujt gjogu Gjergjit te i ka ra,
përmbi kryet topuzi i ka fjurue,
dymbëdhetë pash m’ledinë à ngul topuzi,
dymbëdhetë pashë përpjetë, si re, u çue pjuhni.
Atherë Gjergjit rendi te i ka ardhë.
Sa mirë trimi n’topuz qi ka dredhë,
lik përmjet balozit te i ka ra!
 trandë fusha kur â rrxue balozi!
Meiherë trimi shpatën ma ka nxjerrun,
kryet me neje trupit ja ka damun,
zhag për kambet trupin e ka ngrehun,
me gjithë at m’nji bunar e ka mbytun,
të tanë lumën gjaku e ka tërzue,
për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.

Legjenda e Gjergj Elez Alise (Piktura 3)
Legjenda e Gjergj Elez Alisë (Gazmend Leka)

Pas qëndrimit të pabesë, imoral, të nallban probatinit, na jepet si kontrast qëndrimi besnik, i ndershëm i nallban jaranit. Gjergji i ngritur nga shtrati është gati për luftë.
Gjergji i dërgon balozit një përshëndetje të prerë: Herët në mëngjez ai do t’a presë në fushën e mejdanit. Prej atij balozi nuk do të marrë asgjë – as vajzë, as dash, as motrën. Lufta fillon me ngacmime nga të dy palët, dhe pastaj dyluftimi jepet me ngjyra të gjalla, por rrëfimi vazhdon pa u thelluar në shumë hollësira, sepse ky nuk është një përshkrim lufte jo argëtim. Tërë kohën kënga tregon ngjarjet me stil të përmbajtur dhe pa teprime.
Gjergj Elez Alia e rrëzon balozin dhe ia ndanë kryet nga trupi. Për të theksuar se sa i urryer ka qenë balozi këngëtari na kumton: “Për tri vjet krejt vendin e ka qelbun”. Trupi i balozit ka qenë i mbushur me helm dhe vrer dhe kalbet vetëm me zor… Lufta ka mbaruar dhe trimi kthehet në shtëpi:

“Qatherë trimi â nisë me dredhë tu shpija
edhe shokët të gjithë m’i ka bashkue:
– Pa ndigjoni, more shokët e mij!
Falë u kofshin sarajet e mija!
Falë u kofshin tanë paret e mija!
E u koftë falë krejt malli e gjaja e shpisë!
Amanet motra e Gjergj Elez Alisë!
Edhe shtatit trimi i paska dhanun,
motërzezën ngrykas kesh me e marrun,
të dy zemrat priherë, po janë ndalun,
vlla e motër dekun paskan ramun!
Kurrkuj shpirti ma mirë s’i ka dalun!
Gjamë të madhe shokët qi m’i kanë ba!
Po ja çilin nji vorr bukur të gjanë,
Vlla e motër ngrykas për me i xanë
E ‘i muranë t’bukur e kanë mbarue,
vlla e motër kurr mos me u harrue.
E ‘i bli t’bukur, qi m’ja vndojnë tu kryet,
zogu i verës gjithmonë me pushue.
Kur ka nisun mali me u dushkue,
â ndalë qyqja n’muranë t’vorrit të ri,
ka gjetë blinin të tanë degash tha.
Ka flurue përmbi ‘i saraj të zi,
Ka gjetë kulmin të tanë shembë për dhe.
M’nji prezor si m’paska hypë,
ka përbe shtegtarin kah po shkon:
– Amanet, more shtegtari i malit!
N’kofsh tuj kndue ksajt, kajkën me e pushue.
N’kofsh tu kajtë ksajt, gjamën për me e xanë!
Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!”

Gjergji mblodhi shokët e tij për takimin e fundit. Ai u fal atyre kullat, paret, gjithë mallin e gjënë e shtëpisë. Dhe amanet motrën…. Ai e dinte se jeta e tij po sosej.
Gjergji u hodh për të përqafuar motrën. Të dyve zemrat u pushuan njëherësh. Vëlla e motër ranë përdhe të vdekur. Shokët i vajtuan me gjëmë të madhe, pastaj ata hapën një varr të gjerë.
Siç theksohet në vëllimin “Epika legjendare, I”, Tiranë 1966: “Nderimi që i bëhet pas vdekjes është shprehje e nderimit dhe e mirënjohjes së gjerë shoqërore për ata që bien si burrat në fushën e nderit, për mbrojtjen e idealeve të larta njerëzore.”
Holandezët marinarë-tregtar kanë një shprehje shumë kuptimplotë latinisht: Navigare necesse est, vivere non. Shqip: “Me lundrue asht e nevojshme, me jetue jo.” Në të njejtën mënyrë mund të thuhet për mentalitetin e trimave shqiptarë: “Me mbajt besën, nderën e burrninë asht e nevojshme, me u mbajt i gjallë jo.”
Bukuria ideo-estetike e Këngës së Gjergj Elez Alisë rritet edhe më shumë kur marrim parasysh karakterin dhe pozitën e motrës. Megjithëse ajo në këngë është e paemër dhe zbaton porositë dhe urdhërat e të vëllaut, ajo ka një forcë morale dhe një qëndrim të paepur që e vendos krah për krah me Gjergjin. Ajo nuk është person sekondar, ajo deri në fund rradhitet me të vëllanë, bëhet e barabartë me të. Kujdesi i Gjergjit për motrën bazohet në dashuri, jo në frikë për një turp të mundshëm. Motra, me karakterin e saj të lartë, nuk le shteg për dyshime.
Krahasime mund të bëhen me këngën e vëllaut të vdekur (Konstandinin, Halil Garrinë). Mirëpo, motra e Gjergj Elez Alisë me pozitën e vet në këtë dramë poetike nuk ka shoqe në poezinë popullore shqiptare.
Nën bli pushonin motër e vëlla, të përqafuar në vdekje. Varri u rrethua nga një mur, një grumbull gurësh, që të mos harrohej kurrë sa shumë e kish dashur motra vëllanë dhe sa shumë e kish dashur vëllau motrën.
Qyqja, kur nisi të dushkohet mali, qëndroi mbi muranë e varrit të ri. Ajo e gjeti blirin të tharë, kulmin e kullës (sarajës) së Gjergjit të shembur përdhe. Qyqja atëherë zuri vend në një dritare, duke kënduar një përbetim shtegtarit që shkonte udhës:
Dëgjo, o shtegtar i malit! Në qofsh duke kënduar, kur të afrohesh kësaj anë, pushoje këngën tënde! Në qofsh duke qarë, kur të afrohesh kësaj ane, shtoje edhe më shumë vajin dhe gjëmën!
Dhe qyqja mbaron këngën e vet me rreshtat më të bukura që kam gjetur në poezinë popullore botërore. Ky mbarim i mahnitshëm është një monument për rapsodin e panjohur shqiptar, i cili diku në Malësi të veriut krijoi vjersha me një bukuri të paparë:

“Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!”

Populli i përvuajtur shqiptar është një popull shumë i pasur. Thesaret që kanë shqiptarët nuk shihen nga të gjithë. Prap jam i bindur se Kënga e Gjergj Elez Alisë, po të ishe e shkruar anglisht ose frengjisht, do të numërohej ndër xhevahirët e poezisë botërore.
Kjo këngë për fisnikërinë e shpirtit shqiptar ka një mesazh për rininë e sotme shqiptare: Krenoheni! Ju keni pasuri që as koha nuk do të prekë! Dhe në të njëjtën kohë kjo këngë është një kushtrim. Jo për luftë, por për rilindjen e shumëvonuar shqiptare me mjete paqësore. Nëntë plagët mbi trupin e Gjergj Elez Alisë, janë trashëguar brez pas brezi. Këto plagë sot mund të quhen: varfëria, papunësia, korrupsioni, hakmarrja, shfrytëzimi i femrave, mosbesimi, demoralizmi, mërgimi dhe prapambetja shoqërore.
Prandaj u ngrit nga shtrati i vdekjes edhe Gjergj Elez Alia.
(Botohet e redaktuar)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.