back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kanuni Lekës, nuk është i “Lekë Dukagjinit”, por i Aleksandrit madh – i Traditës ilire – nga Dr. Kasem Biçoku

Gazeta

Kanuni Lekë Dukagjinit
Kanuni Lekë Dukagjinit

Kanuni Lekës, nuk është i “Lekë Dukagjinit”,

por i Aleksandrit madh – i Traditës ilire

nga Dr. Kasem Biçoku

Aleksandri i Madh në kujtesën historike,
Skënderbeut e të Shqiptarëve.
Shqiptarët, bashkë me gjuhën dhe kulturën e lashtë
kanë ruajtur traditën historike
dhe kujtimin për figurat madhore të së kaluarës.
Nga lashtësia kanë mbetur të pashlyera
në kujtesën historike të shqiptarëve
dy personalitetet më madhore të asaj periudhe,
Aleksandri i Madh dhe Pirroja i Epirit.
 .
Historiani - Kasem Biçoku
Historiani – Kasem Biçoku

Emri i Pirros (319-272 para erës sonë) është përjetësuar në toponiminë dhe antroponiminë mesjetare e të mëvonshme, si edhe në kujtesën historike të shqiptarëve. Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, është krenuar për veprimet ushtarake të Pirros në Itali dhe ka përdorur në simbolet e veta shtetërore elemente nga simbolet e Pirros. Pirroja është përkujtuar gjerësisht edhe në veprat e humanistëve e të autorëve të vjetër shqiptarë, si Marin Barleci, Frang Bardhi, etj. F. Bardhi ka dhënë një gojëdhënë, sipas së cilës qyteti i Sapës në Tejdrin është rrënuar prej romakëve, kur luftonin kundër Pirros së Epirit. Hartografi i shquar italian Xhakomo Kanteli, siç e ka pasqyruar në hartën që ai ka botuar në vitin 1689, gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në fund të viteve ’80 të shek. XVII, ka dëgjuar në Elbasan një gojëdhënë, sipas së cilës në atë qytet kishte lindur Pirroja. Ali Pasha e ka quajtur veten pasardhës të Pirros dhe është mbiquajtur Pirroja modern. Kështu ka shkruar konsulli francez i vendosur pranë tij në Janinë, Pukëvili. Te banorët e Shqipërisë së Poshtme kujtesa historike për Pirron është shumë e madhe. Shtjefën Gjeçovi ka thënë se shqiptarët e këtyre trevave e lidhnin emrin e të drejtës dokësore me emrin e Pirros: “Krahi që i afrohen Gjinokastrës thonë: “Me ba kuvend mbas kanunit të Pirrit”. Shumë toponime kanë emrin e tij, madje Pirroja përmendet edhe në këngët popullore.

Edhe më i fuqishëm te shqiptarët është ruajtur gjatë shekujve kujtesa e thellë historike për Aleksandrin e Madh. Edhe pse jetoi pak, 33 vjet (356-323 para erës sonë) dhe mbretëroi vetëm 13 vjet (336-323), Aleksandri i Madh është personaliteti shtetëror dhe ushtarak më i madh që kanë nxjerrë trevat e Ballkanit dhe një nga figurat më të shkëlqyeshme të historisë evropiane dhe botërore. Prandaj njohja më e thellë dhe studimi i jetës së Aleksandrit të Madh vijon të jetë shumë e madhe kudo nëpër vendet e ndryshme të botës. Vetëm fondi i librave kushtuar këtij personaliteti të shquar të historisë botërore është mbi 20.000 tituj. Ushtritë iliro-trake, të komanduara prej Aleksandrit të Madh, për herë të parë në historinë evropiane, ndalën vërshimin e hordhive aziatike në drejtim të Evropës, i mposhtën ato dhe arritën deri në zemër të Azisë, në Indi. Ai bashkoi në një perandori shumë të madhe pjesë të Evropës, Azisë e të Afrikës. Kjo perandori shtrihej nga Afrika Verilindore (Egjipti), në perëndim dhe arrinte në lindje, deri në Indi. Në perandorinë e Aleksandrit të Madh u përhapën gjerësisht arritjet më të përparuara të kulturës evropiane të kohës, sidomos në fushën e ndërtimit të qyteteve, të artit etj. Që nga Afrika Veriore e deri në Indi, një varg qytetesh të ngritura në kohën e Aleksandrit të Madh ende dhe sot kanë emrin e tij, duke ruajtur kështu në mijëvjeçarë kujtimin dhe lavdinë për veprën e pavdekshme të tij. Në Kafaristan (midis Afganistanit dhe Pakistanit) ka ende edhe sot ngulime me pasardhës të ushtrive iliro-trake të vendosura që në kohën e Aleksandrit të Madh. Aleksandri i Madh përmendet edhe në librin e shenjtë të Kuranit.
Figura e Aleksandrit të Madh është e pashlyeshme në kujtesën historike të popujve autoktonë të Ballkanit, të cilët gjithnjë e përkujtojnë atë me adhurim. Sipas autorëve të vjetër (Tit Livit, Plutarkut, Lucianit, Pausanias, Apianit etj.), Pirroja i Epirit e quante veten pasardhës të Aleksandrit të Madh, të cilin e adhuronte shumë, madje sulmoi dhe e pushtoi qytetin e Verias në Maqedoni, sepse Aleksandri i Madh iu shfaq në ëndërr Pirros, të cilin e këshilloi për një veprim të tillë.
Krahas gojëdhënave të shumta, për jetën dhe veprën e pavdekshme të Aleksandrit të Madh, pas autorëve të vjetër grekë, u shkruan libra edhe nga autorët romakë e bizantinë, e më pas nga vetë ballkanasit, si për shembull në Rumani, që në shek.XVII. Perandorë bizantinë dhe shumë sundimtarë e mbretër ballkanas e kanë adhuruar Aleksandrin e Madh dhe si sundimtarë janë ripagëzuar me emrin e tij.
Aleksandri i Madh është përkujtuar gjithnjë me adhurim të veçantë prej shqiptarëve, që janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të banorëve autoktonë jogrekë të pjesës së Gadishullit Ilirik që shtrihet në jug të lumit Danub (të cilësuar si “barbarë” prej autorëve të vjetër grekë), të cilëve u përkisnin edhe banorët e Maqedonisë së lashtë dhe historia e saj. Në traditën popullore shqiptare dhe në trashëgiminë historike ai jepet kryesisht si mbreti Leka i Madh. Këtë shndërrim të emrit në gjuhën shqipe nga Aleksandri i Madh në Leka i Madh e ka shprehur mjaft qartë Pjetër Bogdani në veprën e tij “Çeta e Profetëve”, duke e shkruar italisht “Alessandro Magno” dhe shqip “Leka i Madh”. Në burimet historike, që njihen deri tani, del se emri Lekë është përdorur nga shqiptarët që në shek. XI. Krahas emrit Lekë, që është përkujtim i Aleksandrit të Madh, është përhapur gjatë shekujve të mesjetës edhe emri Llesh që ka lidhje me shenjtorin Aleksandër (Shën Lleshi).
Lekë, si variant i shkurtuar i emrit Aleksandër, është emër i fondit të antroponimisë kombëtare të përdorur gjerësisht prej shqiptarëve gjatë shekujve të mesjetës, kudo që ata kanë banuar, si në trojet e tyre amtare ashtu edhe në diasporë. Lekë është ruajtur si emërtim i banorëve (lekët) të krahinës së Mbishkodrës12 dhe Leknia si emër i krahinës që shtrihet si një brez i gjerë gjatë bregut jugor të lumit Drin. Toponime me emrin Lekë gjenden kudo në trojet shqiptare, si për shembull fshatrat Lekaj në Kavajë, Lekasi në Opar të Korçës, Lekli në Tepelenë etj. Që emrat e njerëzve kanë kaluar në emra vendesh, kjo dëshmohet edhe në “Regjistrin kadastral osman të Sanxhakut të Ohrit të vitit 1583”. Banorët e krahinat shqiptare që njihen me emërtimin “Nëntë malet e Gegëve”, sipas regjistrit të mësipërm, fjalën gegë e kanë pasur si emërtim mbizotërues, nga e cila ka lindur makrotoponimia Gegni. Fjala gegë është përdorur edhe në Shqipërinë e Poshtme si emër njerëzish dhe si emër vendi, si p.sh. fshati Gegë në veri të Beratit17.
Dëshmia më e hershme e shkruar për përkujtimin e Aleksandrit të Madh prej shqiptarëve i përket gjysmës së parë të shek. XIV. Ajo gjendet në vëllimin monumental “Statutet e Shkodrës të gjysmës së parë të shek. XIV”. Statutin e tyre mesjetar, që në kohën osmane u quajtën kanune, shkodranët e kanë lidhur me emrin e Aleksandrit të Madh.
“Privilegji i Aleksandrit të Madh”, edhe pse nuk ka bazë historike, është dokument i dorës së parë që është shkruar gjatë shekujve të mesjetës. Ky “privilegj” dëshmon se te banorët e Shkodrës në shek. XIV-XV është ruajtur në kujtesën e tyre historike se para 18 shekujsh Leka i Madh ishte sundimtar shumë i fuqishëm (rrjedhimisht edhe legjislator i madh), i cili, sipas dëshirave të krijuesve të këtij “privilegjit”, u kishte dhënë shkodranëve lehtësi për të qenë zotëruesit e viseve bregdetare të Adriatikut. Këtë “privilegj” shkodranët e kanë shfrytëzuar gjatë shekujve të mesjetës për të ruajtur të drejtat e vetëqeverisjes kur pushteti venedikas u shtri në qytetin e tyre, gjithashtu edhe ndaj pushtetit të Balshajve dhe të sundimtarëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Në rrethanat e një jete politike të trazuar banorët e qytetit të Shkodrës e përhapën dhe e propaganduan mjaft emrin e Aleksandrit të Madh në marrëdhëniet me vendet e tjera. Atëherë Shkodra ka qenë qytet mesjetar shumë i rëndësishëm, sepse në të kryqëzoheshin rrugë të shumta tregtare që vinin prej të gjitha viseve të Shqipërisë së Epërme dhe të Mesme. Prandaj edhe përkujtimi për Lekën e Madh nuk u shua në trojet e Shqipërisë së Epërme. Nga shkodranët ai u ringjall më tej. Sipas një gojëdhëne ata Aleksandrin e Madh e quajnë themeluesin e qytetit të tyre.
“Privilegji i Aleksandrit të Madh” i shek. XIV nuk është dëshmi rastësore e përkujtimit të figurës së tij prej shqiptarëve. Burimet historike të shek. XV dhe burimet e mëvonshme japin të dhëna të shumta që dëshmojnë se Aleksandri i Madh është rrënjosur thellë në kujtesën historike të shqiptarëve.
.
Monedhe ari e Pirro Mollosit
Monedhe ari e Pirro Mollosit
Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e ka adhuruar Aleksandrin e Madh. I pajisur me kulturën humaniste të kohës, Skënderbeu, që i përkiste një familjeje fisnike të kulturuar shqiptare dhe me tradita drejtuese në trojet kombëtare, është krenuar me historinë e lashtë e të lavdishme të kombit shqiptar. Heroi ynë Kombëtar ka mbajtur si emër të dytë vetjak emrin e Aleksandrit të Madh, që tek osmanët ka pasur përgjegjësen Iskander (Skënder në gjuhën shqipe). Në një letër të shkruar prej Skënderbeut në shtator të vitit l46l, krahas rikujtimit të fitoreve të Pirros së Epirit kundër romakëve, ai me krenari ka shkruar edhe për Aleksandrin e Madh, se “të parët tanë… me Aleksandrin shkuan deri në Indi”.
Gjithashtu edhe simbolin e stemës së Aleksandrit të Madh, diellin në trajtën e një ylli me tetë cepa, Skënderbeu e ka vënë në vulën dhe në stemën zyrtare të shtetit shqiptar që ai krijoi. Në stemën e Filipit II të Maqedonisë, dielli është dhënë në trajtën e një ylli me 16 cepa.
Stemën me yllin, si simbol të diellit, Skënderbeu do ta ketë njohur prej monedhave të vjetra të prera në kohën e Aleksandrit të Madh, të cilat, siç kanë shkruar udhëtarët e huaj, deri vonë janë përdorur masivisht e me adhurim si hajmali prej shqiptarëve. Këto monedha janë prerë edhe pas vdekjes së Aleksandrit të Madh dhe janë zbuluar shumë në trojet shqiptare, si në afërsi të Maliqit (Hija e Korbit), në Holm, Apolloni, Pogradec, Dimal, Ersekë, Leshnicë e Sipërme, Selcë, Irmaj, etj. Dielli është adhuruar prej shqiptarëve dhe simboli i tij del rëndom në zbukurimet e bizhuterive, të veshjeve etj.
Ylli, si simbol i diellit, është vendosur dy herë në vulën e madhe të Skënderbeut.
Deri sot, përshkrimi i kësaj vule është bërë sipas gjurmës së saj në dyllin e një letre të Skënderbeut të 13 qershorit të vitit 1458, që ndodhet në Arkivin Historik të Dubrovnikut. Hedhje në vizatim e gjurmës së vulës të kësaj letre është bërë nga shkencëtari sllovak Pavël Jozef Shafarik (P. J. Shaf) në mesin e shek. XIX, kur dylli i kësaj letre ruante më mirë se sot gjurmën e vulës. Përshkrim dhe vizatim sipas një vështrimi të drejtpërdrejtë ka bërë për gjurmën e vulës së madhe të Skënderbeut Tefik Geci, në vitet ’60 të shek. XX. Ai ka përmendur me këtë rast edhe dëmtimin që ka pësuar dylli i vulës së letrës së Skënderbeut gjatë kalimit të saj nga arkivi në arkiv (Dubrovnik, Vjenë, Beograd, Vjenë, Dubrovnik). Ajo që bie në sy është se të tre vizatimet e gjurmës së vulës së madhe të Skënderbeut kanë ndryshime midis tyre në rrethin ku është shkruar me shkronja kapitale emri i Heroit tonë Kombëtar, sepse dylli është i dëmtuar dhe emrit familjar të tij i mungojnë dy ose tri shkronjat e fundit. Te Dh. Pilika dhe T. Geci mbiemri i Skënderbeut është dhënë Castriot[ivs], kurse te L. Shllaku Castriot[vs]. Ndryshim tjetër vihet re tek emri mysliman i Heroit. Te Dh. Pilika dhe L. Shllaku është Scendarbigo, kurse tek T. Geci Scendarbic, i cili çuditërisht në tekst e ka dhënë Scendarbigo. Kur e kam vështruar në vitet 1972 dhe 1974 letrën e Skënderbeut në Arkivin e Dubrovnikut, trajta Scendarbic e këtij emri, që e kam pasqyruar në disa botime jo vetëm nga ana gramatikore është e saktë, por edhe nga ana grafike. Pas emrit Scendarbic është një rreth për të shënuar mbarimin e fjalës dhe jo shkronja o që, siç dallohet te emri Georgius, është vezake dhe më e madhe. Këto ndryshime i ka dalluar edhe Dritan Egro pas vështrimit që ka bërë gjatë shkurtit të vitit 2005, në Arkivin e Dubrovnikut, ku dylli i dëmtuar i letrës së Skënderbeut ruan pjesërisht gjurmën e vulës së tij. Në skicat e botuara për vulën e Skënderbeut ka ndryshime edhe në trajtën e yllit që ndodhet në krye të vulës, pikërisht në rrethin ku është shkruar emri i Heroit. Sipas Dh. Pilikës dhe T. Gecit është një yll me tetë rreze, kurse sipas L. Shllakut është një yll me tetë cepa. Sipas D. Egros tani është vështirë të dallohet në se ylli ka qenë me cepa apo me rreze.
E rëndësishme është që, bashkë me emrin e plotë të Heroit tonë Kombëtar, Georgivs Castriot[vs] Scendarbic, vula e tij ka pasur në krye të rrethit anësor një yll me tetë cepa ose rreze, që është simbol i diellit. Nën yllin e parë dhe midis dy krerëve të shqiponjës së vulës së Skënderbeut është një yll i dytë me gjashtë cepa.
Ylli me tetë cepa është midis dy krerëve të shqiponjës edhe në stemën e Kastriotëve. Për herë të parë e kam njohur yllin me tetë cepa të kësaj steme nga përshkrimi dhe fotografitë që konsulli i nderit i Shqipërisë në Napoli, av. Klaudio Panarela, i ka bërë stemës më 12 prill 2002, sipas kërkesës së ambasadorit shqiptar në Romë, Pëllumb Xhufi.
Stema e Kastriotëve, me yllin me tetë cepa, është gdhendur dy herë në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Konstandinit, që gjyshja e tij dhe gruaja e Heroit tonë Kombëtar, Donika, ia ngriti në Napoli të Italisë në vitin 1500. Vula e madhe e Skënderbeut dhe stema e Kastriotëve dëshmojnë se ylli me tetë cepa, si simbol i diellit, ka qenë më i përdorur nga Heroi ynë Kombëtar. Pra duhet pranuar se ylli me tetë cepa është midis dy krerëve të shqiponjës edhe në flamurin e tij. Shqiponja dykrenore, sipas M. Barlecit, ishte simboli kryesor dhe i hershëm i Kastriotëve . Kjo dëshmon se paraardhësit e Skënderbeut kanë pasur funksione drejtuese të larta në kohën e Perandorisë Bizantine.
Në stemën e Kastriotëve, jo rastësisht, gruaja e Skënderbeut, Donika Kastrioti, ka dhënë të skalitura dy kurora mbi krerët e shqiponjës dhe ka shkruar në varrin e nipit të saj, Konstandinit, se ishte “i ndritur prej gjakut e prejardhjes mbretërore dhe perandorake”. Nga ky epitaf i varrit të djalit të djalit (Gjon Kastriotit) të Skënderbeut del qartë se Kastriotët ishin pasardhës të familjeve të mëdha mbretërore e perandorake. Donika ka vënë në këtë epitaf njërin nga mbiemrat e shumtë të vajzërisë së saj, Kominata (Andronica Cominata) për Komnena, që na lejon se pretendimi për gjakun mbretëror e perandorak të Kastriotëve ka ardhur nga linja e saj, e cila kishte lidhje me familjen perandorake bizantine Komneni. Edhe në epitafin e vitit 1506, në varrin e vëllait të madh të Konstandinit, Gjergj Kastriotit, ndër të tjera është shënuar se ishte me gjak të pastër perandorak: “I ndritur prej prejardhjes së pastër perandorake”.
Epitafi në varrin e një nipi tjetër të Skënderbeut, Alfonsit, ka qenë vëllai i vogël i Gjergjit e i Konstandinit, që është në manastirin mbretëror në San Trinidad të Valencias në Spanjë, e ndriçon më tej dhe e bën më të drejtpërdrejtë e të adresuar pretendimin e Kastriotëve për gjakun e tyre mbretëror e perandorak. Në fillim të shek. XVI, Donika Kastrioti ka qenë në Spanjë bashkë me një nip, Alfonsin, që do ta ketë birësuar si djalë të saj, sepse në epitaf është shënuar si djalë i Skënderbeut. Alfons Kastrioti ka vdekur në vitin 1503. Në epitafin e varrit të Alfonsit, Skënderbeu është quajtur “Mbret i Shqipërisë” (Rey de Albania). Gjithashtu është shkruar se Heroi shqiptar “për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit, krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë”30. Krahasimi i prejardhjes së gjakut prej Aleksandrit të Madh, jepet tërthorazi edhe nëpërmjet titullit “Dominus” dhe ngjyrës së purpurt të petkave të Skënderbeut.
Titulli zyrtar i Skënderbeut ka qenë “Dominus Albaniae”. “Dominus” tregon pozitën juridike të tij si kryetar shteti dhe “Albania” emrin e shtetit ku ai ka ushtruar pushtetin e vet. Në letërkëmbimin me burrat e shtetit e me personalitetet politike të kohës së tij, titulli i Skënderbeut “Dominus” si kryetar sovran shteti zakonisht është shoqëruar edhe me fjalë të tjera, si magnificus (i madhërueshëm), illustrissimus (i përndritur), potens (i fuqishëm), princeps (sovran), spectabilis (i shkëlqyeshëm) etj., si edhe, në ndonjë rast, është paraprirë me fjalën e zakonshme të letërkëmbimeve “dominus…” për “zoti…”. Sipas historianit të shquar rumun Nikolla Jorga “dominus”, si titull pushteti, është i njëjtë me titullin perandor, mbret, kral, si edhe me basileus (basileos ka qenë titulli i pushtetit të Aleksandrit të Madh)31.
.
Luftrat e Skëndërbeut - Pikturë nga Lek Pervizi
Luftrat e Skëndërbeut – Pikturë nga Lek Pervizi
Sipas Plutarkut, Aleksandri i Madh ka mbajtur petka të purpurta dhe mbretërit e tjerë kanë kërkuar të ngjanin me të edhe me ngjyrën e veshjeve të tyre. Në Perandorinë Bizantine ngjyra e purpurt është simbol i sovranitetit perandorak33, si në veshjet perandorake ashtu edhe në flamurin shtetëror. Dokumentet e kohës dëshmojnë se Skënderbeu ka mbajtur petka të purpurta. Të njëjtën ngjyrë ka edhe fusha e flamurit të Heroit tonë Kombëtar.
Adhurimin e Skënderbeut për Aleksandrin e Madh e kanë dhënë në veprat e tyre autorët e hershëm shqiptarë, si Marin Barleci, Frang Bardhi etj., si edhe shumë autorë të huaj.
Lidhjen shpirtërore të Skënderbeut me Aleksandrin e Madh e ka dhënë autori i jetëshkrimit më të hershëm të Skënderbeut (1481-1482), peshkopi i Ulqinit Martin Segoni, prej Novobërdës së Kosovës, në titullin e këtij jetëshkrimi: “Rrëfim për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën turke Skënderbe, d.m.th. Aleksandri i Madh”. M. Barleci (dhe nën ndikimin e tij të gjithë autorët e tjerë shqiptarë), ka treguar në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” se Heroi ynë Kombëtar i është drejtuar bëmave historike dhe jetës së Aleksandrit të Madh për të frymëzuar e për të rritur shkallën e qëndresës heroike të shqiptarëve kundër hordhive osmane.
Figura e Aleksandrit të Madh ka mbetur gjithnjë e gjallë në kujtesën historike të shqiptarëve, si në librat e shkruar prej tyre ashtu edhe në krijimtarinë popullore.
Në veprën e tij të parë, “Rrethimi i Shkodrës”, të botuar latinisht në janar të vitit 1505, libri i parë i botuar nga një autor shqiptar, Marin Barleci ka shënuar një gojëdhënë. Sipas saj qyteti i Shkodrës është themeluar nga Aleksandri i Madh. Kjo gojëdhënë shumë e ngulitur në mendjen e shkodranëve ka vijuar brez pas brez. Ajo është dhënë edhe në botimet e viteve 30 të shek.XVII , si edhe në dokumente të fillimit të shek. XVIII. Sipas këtyre botimeve, meqenëse Aleksandri i Madh kishte themeluar Shkodrën, turqit e quajtën këtë qytet Skenderia, që në gjuhën e tyre do të thotë Aleksandria. Krahas trajtës Iskenderije, emri i Shkodrës është shkruar osmanisht edhe Iskender.
Frang Bardhi është i pari autor që ka shkruar se vendlindja e Aleksandrit të Madh, Pella, ishte Petrela4. Ky mendim i pasaktë i tij është dhënë pas 50 vjetësh prej Pjetër Bogdanit43 dhe prej hartografit Xhakomo Kanteli, i cili, pas udhëtimeve nëpër Shqipëri, e ka botuar atë si gojëdhënë në hartën e Shqipërisë të botuar prej tij në vitin 1689: “Petrela mbahet si vendlindja e Aleksandrit të Madh”.
Krijimtaria popullore shqiptare e ka përjetësuar figurën e Aleksandrit të Madh edhe me një valle të kërcyer nga 200-300 veta dhe që njihet me emrin “Arnautja”. Sipas përshkrimit të disa autorëve të huaj, kjo valle e kënduar niste me këto fjalë: “Ky është Aleksandri i Madh që nënshtroi gjithë botën”. Kjo valle, për të cilën ka shkruar hollësisht Nexhat Agolli, është e shek. II dhe ka vijuar të kërcehet nga shqiptarët e Maqedonisë deri në shek. XVIII.
Krijimtaria popullore dëshmon se Aleksandri i Madh, si një figurë madhore e historisë kombëtare të shqiptarëve, është përcjellë në kujtesën e tyre historike nga brezi në brez. Këtë e ka vërtetuar edhe Edit Durham, e cila në vitin 1905 ka shkruar: “Aleksandri i Madh… është ende i gjallë mes njerëzve të vet. Nuk mund ta merrni me mend se sa me pasion flasin për të; gjaku i të parëve u vlon ende në dej”. Kujtesa e thellë historike për Aleksandrin e Madh bëri që në vitin 1925, qeveria dhe parlamenti shqiptar të caktojë Lekun, të stampuar me portretin e tij, si njësi bazë monetare, të cilin e kemi edhe sot.
 
Në një shkrim për Aleksandrin e Madh, që kam botuar vitin e kaluar, kam vënë në dukje se emri Lekë te shumë toponime, gojëdhëna e, mbi të gjitha, emri i Lekës në emërtimin e së drejtës dokesore shqiptare, që është përkujtimi më i thellë historik e kulturor që shqiptarët ruajnë gjatë shumë shekujve për një figurë madhore historike, ka të bëjë me Lekën e Madh dhe jo me Lekë Dukagjinin.
Nga shqyrtimi i burimeve historike del se emrin Lekë Dukagjini gjatë shekujve XIV e XV e kanë pasur disa persona dhe që të gjithë kanë qenë figura dytësore në jetën politike e shoqërore të shqiptarëve. Asnjë prej tyre nuk ka lënë gjurmë që të ruhej në kujtesën historike të shqiptarëve brez pas brezi.
Në një dokument të dhjetorit të vitit 1387, përmendet një Lekë Dukagjini me të vëllanë, Palin, që u jepnin raguzanëve siguri për të lëvizur nëpër zotërimet e tyre. Në vitin 1393 Leka dhe i vëllai përmenden si të vdekur. Emrin e Lekës e ka trashëguar një nip i tij i lindur në vitin 1420 dhe që për herë të fundit jepet në vitin 1451 si kundërshtar i Venedikut. Vëllai i tij Pali i vuri emrin Lekë djalit të tij të parë, veprimtaria e të cilit është më e rëndësishme në krahasim me dy personat e mësipërm, por jo aq sa është pasqyruar në historiografi. Mendimin se emrin e tij e mbante e drejta dokesore shqiptare e ka pasur edhe autori i këtij shkrimi.
Dokumentet historike tregojnë se në fillim të nëntorit të vitit 1456, kur emri i tij përmendet për herë të parë, Lekë Dukagjini i kishte marrë me forcë Venedikut kështjellën e Dejës. Konflikti midis tyre ka vijuar deri në fund të vitit 1458, kur ende i ati, Pali, ishte aktiv në jetën politike e në marrëdhëniet me Venedikun. Sipas dokumenteve veneciane në vitin 1459, Lekë Dukagjini ishte në malësinë e Shatit, në vitin 1463, quhej armik i Venedikut, në vitet 1465, ishte afruar me osmanët dhe në vitin 1469, përgatitej të largohej nga Shqipëria, sepse kërkonte të tërhiqte pasuritë që kishte në Shkodër, kurse Venediku nuk donte ta pranonte se ishte afruar sërish me osmanët.
Pas pushtimit të Shkodrës nga osmanët (1479), Leka dhe i vëllai i tij, Nikolla, mërguan në Itali dhe u kthyen në vitin 1481, për të çliruar zotërimet e Dukagjinëve nga pushtuesit osmanë. Dokumentet përmendin vetëm kthimin në Shqipëri të të vëllait, Nikollës, dhe më pas të Lekës bashkë me Gjon Gjurashin (Cërnojeviçin). Dokumentet e kohës heshtin për fatin e mëtejshëm të tij.
.
Frano Illia - Kanuni i Skenderbeut
Frano Illia – Kanuni i Skenderbeut
Po sipas dokumenteve, dy pinjollë të tjerë të familjes Dukagjini, Nikolla dhe Pali, kanë qenë personazhet më të rëndësishme të kësaj familjeje gjatë shek.XV, që kanë lënë gjurmë në jetën politike shqiptare të kohës. Emri i Nikollë Dukagjinit del për herë të parë në vitin 1409, në fillim të viteve 30, në luftën kundër serbëve e osmanëve që i dëbon ata nga kështjella e Dejës. Më pas, merr pjesë në kryengritjen çlirimtare të vitit 1443, në Kuvendin e Lezhës etj. Bashkë me Skënderbeun përfaqësuan Besëlidhjen Shqiptare në bisedimet për nënshkrimin më 4 tetor të vitit 1448, e Traktatit të Paqes me Venedikun. Në nderim të Nikollë Dukagjinit, sipas M. Barlecit, shqiptarët i ngritën atij një monument në Prizren.
Përveç dokumenteve të shek.XV, në mënyrë episodike, Lekë Dukagjini është përmendur edhe nga M. Barleci. Episodi dramatik i dhënë nga M. Barleci për njoftimin që Lekë Dukagjini u ka bërë lezhjanëve për vdekjen e Skënderbeut, ka ndikuar më shumë se çdo veprimtari tjetër politike që figura e Lekë Dukagjinit të zërë vend në veprat e autorëve të mëvonshëm. Ndër ta do të veçonim Frang Bardhin, i cili në qershor të vitit 1637, ka shkruar për dukagjinasit: “Sipas zakonit të të moçëmve, ndër gostitë e veta, në rrugë e në punë, këndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj dhe sidomos të të pathyeshmit zotit Gjergj Kastriotit, të thanunit Skënderbe, dhe të të përndriturit zot Lekë Dukagjinit, princit dhe zotërisë së tyre”. Këngët i janë kënduar Lekës, kurse njëjtësimi (identifikimi) i emrit të personazhit të këngëve popullore me Lekë Dukagjinin, duhet të jetë bërë nga Frang Bardhi, i cili, kur hartoi apologjinë e tij për Skënderbeun, është mbështetur kryesisht në veprën e M. Barlecit. Autorët e tjerë të vjetër, që nuk kanë qenë nën ndikimin e veprës së M. Barlecit, nuk e përmendin emrin e Lekë Dukagjinit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me toponimet dhe me gojëdhënat.
Në “Hartën arkeologjike dhe etnografike të Vilajetit të Shkodrës”, që ka botuar Franc Nopça, në vitin 1909, janë shënuar disa kështjella të emërtuara “Kalaja e Lekës”. Të njëjtën gjë dëshmojnë edhe 36 toponimet e gojëdhënat e botuara nga Qemal Haxhihasani për Lekë Dukagjinin. Prej tyre vetëm 6 kanë emërtimin Lekë Dukagjini, 28 kanë emërtimin Lekë, kurse dy nuk e japin fare emrin. Në gjashtë gojëdhëna të tjera, kur flitet për “Kanunin e Skënderbeut”, jepet vetëm “Kanuni i Lekës” dhe asnjëherë Kanuni i Lekë Dukagjinit. Nga botimi i Q. Haxhihasanit del qartë se tradita popullore përmend përgjithësisht emërtimin Lekë, kurse identifikimi i tij me Lekë Dukagjinin është më i vonë dhe është bërë nën ndikimin e botimeve të ndryshme. Çështja e përcaktimit të një figure historike ka rëndësi të bëhet drejt, jo vetëm në toponimi e në gojëdhënat popullore, por sidomos, kur ajo ka lidhje me një trashëgim shumë të lashtë kulturor, siç është e drejta dokësore shqiptare. E drejta dokësore ose Kanuni është një monument madhështor për historinë dhe kulturën tonë kombëtare.
.
Kanuni - Gjeçovi - Leke Dukagjini
Kanuni – Gjeçovi – Leke Dukagjini
Gjuha shqipe, e drejta dokësore dhe trashëgimia kulturore pagane janë faktorë vendimtarë për ruajtjen e identitetit dhe të njësisë kombëtare të shqiptarëve. E drejta dokesore ka udhëhequr jetën shoqërore të shqiptarëve dhe ka qëndruar mbi besimet e ndryshme fetare. “Këto ligje janë të njëjta për të gjithë: ndryshimi i fesë nuk ndryshon gjë… Barazia e të drejtave është e plotë për të gjithë pa dallim: Doket e zakonet sigurojnë vazhdimin e zbatimit më të imët’ të tyre.” Kështu ka shkruar rilindasi ynë i madh, Pashko Vasa, në veprën e tij “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e cila, në vitin 1879 e më pas, gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit, është botuar në disa gjuhë kryesore të Evropës.
Së drejtës dokësore i është nënshtruar në trojet shqiptare edhe e drejta kishtare. Edit Durhami ka shkruar: “Ndër shqiptarë shprehja “Kështu ka thënë Leka” ka më tepër forcë se sa dhjetë porositë e Biblës. Mësimet e Islamit e të Krishterimit, ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjitha duhet t i nënshtrohen Kanunit të Lekës”.
Në dokumentet mesjetare dhe të periudhave të mëvonshme jepen raste të shumta, kur klerikët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare, të ndodhur përballë zgjidhjeve të çështjeve shoqërore sipas normave të të dy të drejtave (dokesore dhe kishtare), gjithnjë i kanë dhënë përparësi së drejtës dokesore, sepse ajo ka ardhur si trashëgim i vyer i kulturës shqiptare që nga lashtësia e tyre e kohës pagane. Ritet e besimeve pagane janë shumë të lashta, autoktone dhe të përbashkëta për të gjithë shqiptarët. Ato janë rrënjosur thellë në vetëdijen e shqiptarëve dhe gjithnjë janë praktikuar në jetën e përditshme me përkushtim të thellë.
Ato nuk janë zëvendësuar plotësisht as nga ritet fetare monoteiste (kristiane e islame), që u përhapën edhe në trojet shqiptare.
.
Kanuni i Labërisë - Ismet Elezi
Kanuni i Labërisë – Ismet Elezi
Që nga shek. XIX e drejta dokesore shqiptare tërhoqi vëmendjen e studiuesve të huaj dhe gjithnjë e më shumë është bërë objekt studimi për albanologë të huaj e shqiptarë. Si studime më të rëndësishme për të drejtën dokesore, të bëra nga autorët shqiptarë kohët e fundit, do të veçonim Hyrjen e vëllimit “E drejta zakonore shqiptare 1 (Tiranë, 1989), botimet “Vetëqeverisja e Mirditës” (Tiranë, 1996) e “Për kanunin” (Tiranë, 2003) të Pal Doçit dhe, sidomos, monografinë e Ismet Elezit “Njohuri për të drejtën zakonore mbarëshqiptare” (Prishtinë, 2003).
Në krye të studiuesve të së drejtës dokesore shqiptare ka vend të meritueshëm kleriku atdhetar Shtjefën Gjeçovi, i cili vitet e jetës së tij ia kushtoi mbledhjes, hulumtimit dhe përgatitjes së saj për botim. Ai e kishte emërtuar “Kanuni i Maleve”72. Vepra madhore e tij u botua e plotë pas vdekjes së Sh. Gjeçovit, në vitin 1933 në Shkodër, me titullin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Kjo vepër është ribotuar disa herë në gjuhën shqipe dhe është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Krahas ribotimeve të shumta të veprës së Sh. Gjeçovit, e drejta dokesore shqiptare është mbledhur e kodifikuar edhe nga dom Frano Illia dhe është botuar prej tij në vitin 1993 me titull “Kanuni i Skanderbegut”. Edhe Xhemal Meçi ka dhënë dy botime të kësaj të drejte dokesore, “Kanuni i Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës” (1997) dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës” (2002).
Botimet e mësipërme të drejtën dokesore shqiptare e kanë lidhur që në titull me figurat historike të shek. XV, me Skënderbeun dhe me Lekë Dukagjinin. Kështu, formalisht, është kufizuar shumë shtrirja dhe prejardhja e hershme mbarëshqiptare e saj. Kufizim kohor japin gjithashtu edhe emërtimet me fjalët “kanun” dhe “e drejtë zakonore”. Më i saktë se fjalët e huaja e më të vona kanun e zakon është togfjalëshi “e drejtë dokesore”. E. Çabej fjalën doket e jep si emër foljor të gegërishtes verilindore për duket, që i përgjigjet pjesores dukë. Në dokumentet e mesjetës dhe në dokumente më të vona fjala dukë është përdorur shumë si emër vetjak e familjar prej shqiptarëve, kudo që ata kanë banuar, në trevat e tyre e në diasporë. Ky është një emër i hershëm i fondit të antroponimisë kombëtare shqiptare me kuptimin: dukje, pamje e hijshme e njeriut.
E drejta dokesore, ashtu si edhe gjuha shqipe, janë trashëgimi shumë e lashtë. Në të drejtën dokesore ndërthuret dhe pasqyrohet tradita e vetorganizimit shoqëror parashtetëror me legjislacionin shtetëror të kohëve më të vona, duke përfshirë edhe norma të trashëguara nga e drejta romake. Disa norma të së drejtës dokesore kanë evoluar gjatë shekujve në përshtatje me zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe ato nuk kanë qenë vepër e individëve të veçantë, por e bashkësive të mëdha shoqërore, të miratuara nëpër kuvendet e tyre. Prandaj, në të drejtën dokesore vihen re edhe elemente vendore dalluese, që janë dytësore në krahasim me normat e përbashkëta kombëtare të saj73. Përbashkësia mbarëshqiptare e së drejtës dokesore dhe elementet dalluese vendore shkojnë krahas me gjuhën shqipe si e tërë, e cila ka dialektet, nëndialektet dhe të folmet e saj.
Është krejt e natyrshme që e drejta dokesore, edhe pse është krijesë kulturore anonime mbarëshqiptare, në traditën popullore ajo është e lidhur me emrat e figurave të shquara të historisë sonë kombëtare dhe me personazhe vendore të periudhave historike të hershme dhe të kohëve më të vona.
Aleksandri i Madh mozaik
Aleksandri i Madh – mozaik
E drejta dokesore shqiptare, si për lexuesit e zakonshëm madje, edhe për studiuesit e saj, do të ishte më e drejtë të jepej me titull të papersonalizuar, sepse ajo është trashëgimi anonime shumë e lashtë kulturore e popullit shqiptar. Botimi i saj me titullin “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është vënë nga botuesit dhe bie ndesh jo vetëm me të vërtetën shkencore, por edhe me traditën historike vendore dhe mbarëshqiptare.
Tradita historiko-shoqërore e krahinave ku është mbledhur e drejta dokesore shqiptare dhe që është botuar me titujt “Kanuni i Lekë Dukagjinit” dhe “Kanuni i Skënderbeut”, nuk e lidh atë me emrat e mësipërm vetjakë, siç kanë vepruar botuesit e tij. Në vitin 1916 albanologu i shquar Ludvig Taloci ka treguar qartë se shqiptarët të drejtën dokesore të tyre e kan emërtuar “Kanuni i Lekës”. Ai thotë gjithashtu se ka dy mendime për personazhin historik që jep emri Lekë i Kanunit: një palë mendon se është Aleksandri i Madh, kurse pala tjetër mendon për Lekë Dukagjinin. Në vitin 1944, Zef Valentini ka shkruar për emërtimin e kanunit: “Tash quhet fjesht Kanuni i Malevet, o Kanuni i Lekës, ose Kanuni i Dukagjinit; a u quejt që më parë edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, a po asht ky nji kontaminacion burimi kulturuer, nuk mund e vertetova”. Edhe autorë të tjerë, si Xh. Kasteleti, Rrok Zojzi, Ismet Elezi, Pal Doçi etj. i kanë kushtuar vëmendje emërtimit të së drejtës dokesore.
Rrok Zojzi ka shkruar se Kanuni i Lekës është shtrirë në veri mbi Kelmend “deri në Novi Pazar, në kufi me Bosnjën”78. Në librat e tij “Vetëqeverisja e Mirditës” (Tiranë, 1996) dhe “Për kanunin” (Tiranë, 2003) Pal Doçi me të drejtë kundërshton emërtimin e së drejtës dokesore si “Kanuni i Lekë Dukagjinit” dhe “Kanuni i Skënderbeut”. Sipas gjurmimeve vetjake ai më ka pohuar se në Shpat e Çermenikë të Elbasanit, në Polis të Librazhdit e deri në Rrajcë të Përrenjasit pleqtë thonë se “ndanin kuvend” sipas “Kanunit të Lekës”. Edhe etnologu Mark Tirta më ka pohuar të njëjtën gjë, se banorët e trojeve të Shqipërisë së Epërme e të Mesme dhe deri në brigjet e liqenit të Ohrit kanë pasur si emërtim të tyre më të hershëm për të drejtën dokesore togfjalëshin “Kanuni i Lekës”. Ismet Elezi, sipas saktësimit gojor që më ka bërë, emërtimin “Kanunu i Lekës” e ka gjetur me shtrirje nga Fushë-Kosova deri në Kurvelesh e Himarë. Këtë dëshmon edhe botimi i sipërpërmendur i Q. Haxhihasanit me tregime e këngë popullore për Skënderbeun. Emërtimi i mëvonshëm “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është sajesë kryesisht e gjurmuesve, e studiuesve të mëpastajmë të së drejtës dokesore dhe të njerëzve amatorë.
Monedha Shqiptare - Leku 1926 - Aleksandri i Madh
Monedha Shqiptare – Leku 1926 – Aleksandri i Madh
Përdorimi i gjerë i emrit të Lekës për të drejtën dokesore shqiptare nga banorët e Shqipërisë së Epërme e të Mesme, madje jo vetëm në këtë pjesë të trojeve shqiptare, nuk është i rastit. Në këto treva ky emër përmendet në shumë gojëdhëna dhe atë e mbajnë disa kështjella e shumë toponime të tjera. Disa gojëdhëna, që flasin për norma të së drejtës dokesore, Lekën e përmendin si bashkëkohës të Skënderbeut, pra kemi të bëjmë me një personazh historik të shek.XV. Ashtu si shumë norma të së drejtës dokesore që janë krijuar gjatë përiudhave të ndryshme historike, edhe personazhet e gojëdhënave u përkasin kohëve të ndryshme historike. Madje në disa gojëdhëna Skënderbeu dhe Leka kanë qëndrime të ndryshme për zbatimin e së drejtës dokesore shqiptare. Këto ndryshime dëshmojnë për përshtatjen e normave të së drejtës dokesore në mjedise shoqërore më të vona, prandaj ato janë lidhur me emrin e Skënderbeut.
Emri i Skënderbeut në gojëdhëna për norma të së drejtës dokesore dëshmon se e drejta dokesore, si një trashëgimi historike, ka qenë natyrshëm në themel të veprimtarisë shoqërore dhe të legjislacionit shtetëror të shqiptarëve gjatë shek. XV. Kjo pasqyrohet edhe në zbatimin e institucionit të besës prej Heroit tonë Kombëtar.
Emri i Lekës në lidhje me të drejtën dokesore, toponiminë e me gojëdhënat ka përhapje shumë të gjerë në Shqipërinë e Epërme e të Mesme. Kjo shtrirje gjeografike është shumë herë më e madhe se sa zotërimet e familjes fisnike të Dukagjinëve gjatë mesjetës. Emri i Lekës përfshin edhe zotërimet e familjeve aristokrate shumë më të fuqishme e me rol shumë më të madh në historinë tonë mesjetare se sa Dukagjinët, siç janë Kastriotët, Balshajt, Topiajt e Arianitët. Edhe në antroponiminë mesjetare emri Lekë është përdorur shumë shpesh nga të gjithë shqiptarët, kudo që kanë banuar, sidomos në trevat e Shqipërisë së Epërme dhe të Mesme.
Periudha e mesjetës në historinë shqiptare nuk ka dhënë ndonjë personazh historik të shquar me emrin Lekë, që të kishte ndikim të fuqishëm në botën shqiptare dhe të linte gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të tyre, sa që emri i tij të lidhej me të drejtën dokesore, me gojëdhënat dhe me toponimet e shumta të Shqipërisë së Epërme e të Mesme. Prandaj vështrimi i studiuesve lipset të shtrihet në një kohë më të hershme të historisë së shqiptarëve, në lashtësinë e tyre.
Dhe kjo është koha e Aleksandrit të Madh, kujtimi dhe emri i të cilit është ruajtur i pashlyer në kujtesën historike të shqiptarëve.
Shtjefën Gjeçovi ka lënë një dëshmi shumë të rëndësishme se “Kanuni i Pirrit” ka qenë emërtimi më i hershëm i së drejtës dokesore të përdorur prej banorëve të Shqipërisë së Poshtme. Ky emërtim lidhet me mbretin Pirro të Epirit. Kurse emërtimi “Kanuni i Lekës” për të drejtën dokesore shqiptare ka qenë emërtim më i hershëm, shumë i rrënjosur e i përdorur në Shqipërinë e Epërme, të Mesme dhe në vise të gjera të Shqipërisë së Poshtme. Statutet e Shkodrës dëshmojnë se, që në mesjetë, banorët e një qyteti shumë të rëndësishëm shqiptar e kanë lidhur legjislacionin për organizimin e veprimtarinë e jetës së tyre me emrin e Aleksandrit të Madh.
Emri Lekë në shumë toponime, gojëdhëna e, mbi të gjitha, emri i Lekës në emërtimin e së drejtës dokesore shqiptare është ruajtja më e thellë në kujtesën historike të shqiptarëve për Aleksandrin e Madh.
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.